Zotërimi Doktrinor: Lluka 2:10–12
Jezu Krishti Lindi si Shpëtimtar dhe Zot
Në një mësim të mëparshëm studiove dëshminë e një engjëlli për barinjtë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës (shih te Lluka 2:10–12). Ky mësim do të të japë mundësinë për të demonstruar kuptimin tënd për këtë doktrinë ndërsa i zbaton parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në një situatë nga jeta reale.
Mëso përmendsh dhe shpjego
Vështro figurën e lindjes së Shpëtimtarit dhe lexo referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun Lluka 2:10–12: “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti”. Përsërite derisa të ndihesh i sigurt se mund ta thuash përmendsh.
Ushtroje vënien në zbatim
Gjej disa minuta për të shqyrtuar parimet te paragrafët 5–12 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022). Për secilin parim, shenjo të paktën një fjali që mendon se e shpjegon konceptin.
Merre parasysh situatën vijuese:
Një nga miqtë e tu që nuk është besimtar, kohët e fundit pa dy misionarë që flisnin me disa njerëz në park. Miku yt të pyeti: “Pse misionarët e Kishës suaj dalin dhe predikojnë për Jezusin? Duket sikur po përpiqeni t’ua impononi bindjet tuaja njerëzve të tjerë. Pse nuk mund t’i lini ata të jenë të lumtur ashtu siç janë?”
Duke e mbajtur në mendje këtë situatë, studioji parimet e mëposhtme të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe reflekto mbi mënyrën se si mund të të ndihmojnë ato t’i përgjigjesh pyetjes së mikut tënd.
Vepro me besim
“Ne veprojmë me besim kur zgjedhim ta mirëbesojmë Perëndinë dhe të kthehemi tek Ai fillimisht” (Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor, “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, paragrafi 5).
-
Çfarë frazash gjen te paragrafët 5–7 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” që mund të të ndihmojnë në këtë skenar?
-
Si mund të të ndihmojë të vepruarit me besim ndërsa kërkon përgjigje për mikun tënd?
Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm
“Për t’i shqyrtuar [konceptet dhe pyetjet] me një këndvështrim të përjetshëm, ne i marrim ato parasysh në kontekstin e planit të shpëtimit dhe të mësimeve të Shpëtimtarit” (Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor, “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, paragrafi 8).
Shqyrtoji vargjet te Lluka 2:10–12. Mendo se çfarë na mëson ky fragment së bashku me atë që tashmë e di për Jezu Krishtin.
-
Cilat janë rolet e Shpëtimtarit në planin e shpëtimit?
-
Pse është e rëndësishme që ata që nuk dinë ende gjë për Jezu Krishtin të mësojnë për Të?
-
Pse është kaq e rëndësishme që ne t’ua shpërndajmë të gjithëve mesazhin e ungjillit të Tij të rivendosur, përfshirë të krishterëve të tjerë që tashmë e kanë pranuar Atë?
-
Si mund t’i përdorësh përgjigjet e pyetjeve të mëparshme për t’iu përgjigjur mikut tënd?
Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore
Për të na ndihmuar të marrim njohuri shpirtërore, Zoti “ka krijuar burime nëpërmjet të cilave Ai u zbulon vërtetësi dhe udhërrëfim fëmijëve të Tij” (Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor, “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, paragrafi 11).
Shqyrto një ose më shumë nga burimet e mëposhtme të frymëzuara, duke kërkuar informacione që mund të të ndihmojnë t’i përgjigjesh pyetjes së mikut tënd.
-
“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (ChurchofJesusChrist.org)
-
Vargjet që i lidhe ose i shenjove si referenca kryq për vargjet Lluka 2:10–12 në mësimin e mëparshëm
-
Këngët e renditura poshtë temës “Jezu Krishti” te libri i himneve
Merre parasysh se çfarë na mësojnë këto burime për mënyrën se si Shpëtimtari dhe mësimet e Tij mund t’u sjellin njerëzve gëzim.
-
Çfarë mësove për Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij që mund t’u sillnin njerëzve gëzim në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë?
-
Çfarë përvojash vetjake me Shpëtimtarin ose mësimesh të Tij të kanë sjellë gëzim?
-
Si mund të të ndihmojnë përgjigjet e tua për këto pyetje që t’i përgjigjesh pyetjes së mikut tënd?