Efesianëve 2
Jezu Krishti, Guri i Qoshes
Shenjtorët të cilët jetonin në Efes që kishin qenë johebrenj përpara se të ktheheshin në besim mund të jenë ndier si “të huaj, … bujtës” (Efesianëve 2:19) teksa adhuronin me të krishterët judeas. Pali u kujtoi shenjtorëve në Efes se ata ishin bashkuar nëpërmjet Jezu Krishtit si “bashkëqytetarë … të familjes së Perëndisë” (Efesianëve 2:19). Kisha së cilës ata i përkisnin tani ishte ndërtuar mbi themelin e Krishtit dhe apostujve e profetëve të Tij dhe kishte fuqinë t’i bekonte ata teksa u bashkuan me besim te Jezu Krishti. Ky mësim mund të të ndihmojë të dallosh dhe kërkosh bekimet që janë në dispozicion për shkak se Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij sot nëpërmjet profetëve dhe apostujve.
Një ndjesi përkatësie
-
Përse mund të ndihet dikush sikur nuk i shkon për shtat anëtarësia në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?
-
Nëse dikush nuk është ndier sikur përshtatet me Kishën, çfarë këshille do t’i jepje?
Përsiat rreth mënyrës se si ndihesh për Kishën e Zotit. Kur ke ndier një ndjesi të fortë përkatësie në Kishë? A ka pasur raste kur je ndier sikur nuk përshtateshe? Çfarë bekimesh ndien se ke në dispozicion si anëtar i Kishës së Krishtit? Ndërsa e studion këtë mësim, kërko të vërteta rreth asaj që Zoti ka bërë për ne që mund të na bashkojnë si anëtarë të Kishës së Tij.
Shembja e pengesave
Gjatë kohës së Apostullit Pal, jojudeasit e kthyer në besimin e krishterë (apo ata që më parë ishin johebrenj) mund të jenë ndjerë sikur nuk përshtateshin me pjesën tjetër të Kishës dhe mund të jenë ndjerë më shumë si “të huaj, … bujtës” (Efesianëve 2:19). Për shembull në tempullin në Jerusalem, atyre nuk do t’u lejohej ta kalonin “murin e ndarjes” (Efesianëve 2:14) për të hyrë në zonat më të shenjta të tempullit ku vetëm judenjtë, duke përfshirë judenjtë e krishterë, do të ishin në gjendje të shkonin. Për më tepër, johebrenjve nuk u ishin ofruar më parë bekimet e ungjillit deri në zbulesën e Atit Qiellor për Pjetrin (shih te Veprat e Apostujve 10).
Pali u shkroi shenjtorëve në Efes, që mund të kenë qenë të kthyer në besim kohët e fundit. Lexo tek Efesianëve 2:12–14, 18–21, duke kërkuar mënyrën se si Zoti i kishte bekuar efesianët. Mund të jetë e dobishme të dish se këto vargje fillojnë me Palin që i fton këta shenjtorë të kujtojnë jetën e tyre përpara kthimit të tyre në besim. Fraza “pjesëtarë të familjes së Perëndisë” (vargu 19) të cilën Pali e përmend, i referohet Kishës së Jezu Krishtit.
Nëse do të doje të shihje një portretizim me material filmik të ngjarjeve tek Efesianëve 2:10–22, merr parasysh të shikosh materialin filmik “Ye Are No More Strangers” [“Ju Nuk Jeni Më të Huaj”] (2:27), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Si i bekoi Zoti efesianët?
Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti i hoqi të gjitha pengesat që i ndanin judenjtë nga johebrenjtë dhe gjithashtu i ndanin johebrenjtë nga Perëndia. Nuk ishte më e nevojshme që johebrenjtë të bëheshin judenj, të jetonin ligjin e Moisiut ose të rrethpriteshin për t’iu bashkuar Kishës. Teksa erdhën te Jezu Krishti dhe e pranuan ungjillin e Tij, ata u bënë “pjesëtarë të familjes së Perëndisë” (Efesianëve 2:19) -– pjesë e popullit të besëlidhjes së Perëndisë.
-
Në ç’mënyra i shemb Shpëtimtari pengesat ndërmjet nesh dhe të tjerëve?
-
Si ndihesh që të gjithë kanë “hyrje tek Ati” (vargu 18) nëpërmjet “gjakut të Krishtit” (vargu 13)?
-
Si do t’ia përmblidhje bekimet te vargjet 19–21 dikujt që e ndien se nuk përshtatet me Kishën e Zotit?
-
Si mendon, përse Pali e krahasoi Kishën me shtëpinë ose familjen?
Guri i qoshes
Në kohën e Palit, guri i qoshes ishte një gur i madh i vendosur në cepin e themelit. Çdo gur qosheje i themeleve mbante pjesën më të madhe të peshës së strukturës dhe shërbente për të lidhur muret. Këndi dhe vendosja e të gjithë gurëve të tjerë llogaritej në bazë të gurit të qoshes.
Vizato një ilustrim të asaj që është përshkruar tek Efesianëve 2:19–21. Ti mund ta emërtosh vizatimin tënd me terma nga fragmenti i shkrimit të shenjtë.
-
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga mënyra se si Jezu Krishti e ka themeluar Kishën e Tij?
Themeli yt
Ndërsa bën disa nga veprimtaritë vijuese, përsiat për këto pyetje:
-
Çfarë po bëj për ta ndërtuar jetën time mbi themelin e profetëve dhe apostujve me Jezu Krishtin si gurin e qoshes? Çfarë bekimesh kam përjetuar?
-
Në ç’mënyra mund të dojë Zoti që unë të ndërtoj edhe më tepër mbi këtë themel?
Çfarë mësove?
Për ta përfunduar këtë mësim, mendo për atë që mësove. Merre parasysh se si ndërtimi i jetës tënde mbi themelin e profetëve dhe apostujve me Jezu Krishtin si gurin e qoshes të bashkon me “pjesëtarë[t e] familjes së Perëndisë” (Efesianëve 2:19). Mendo se si do ta ndërtosh jetën tënde edhe më tepër mbi themelin e profetëve dhe apostujve me Shpëtimtarin si gurin e qoshes.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Efesianëve 2:14. Çfarë është “muri [i] ndarjes” për të cilin foli Pali?
Tempulli në Jerusalem përbëhej nga disa oborre apo zona dhe vetëm disa lloje njerëzish mund të hynin në secilin oborr. Johebrenjtë lejoheshin të ngjiteshin në malin e tempullit dhe të hynin në oborrin e jashtëm që quhej Oborri i Johebrenjve. Megjithatë, oborret e brendshme të tempullit ishin të mbrojtura nga hyrja e johebrenjve me anë të një ndarësi apo muri të veçantë që ishte rreth një metër i lartë. Nëse një johebre e kapërcente këtë mur, ai mund të dënohej me vdekje. Arkeologët kanë zbuluar dy nga blloqet prej mermeri prej të cilëve përbëhej kjo pengesë dhe ato përmbajnë mbishkrime në greqisht dhe latinisht që thonë: “Asnjë i huaj nuk duhet t’i kapërcejë pengesat që e rrethojnë shenjtëroren. Kushdo që kapet duke e bërë këtë do të fajësojë veten për vdekjen e tij të mëpasshme” (Richard Neitzel Holzapfel, Eric D. Huntsman, Thomas A. Wayment, Jesus Christ and the World of the New Testament [2006], f. 160).
Pas udhëtimit të tretë misionar të Palit, disa judenj në Jerusalem e akuzuan Palin për sjelljen e johebrenjve përtej pengesës, duke çuar në një trazirë dhe në fund me arrestimin e Palit (shih te Numrat 1:51; Veprat e Apostujve 21:27–29).
Efesianëve 2:20. Përse është Kisha e Jezu Krishtit e themeluar mbi apostujt e profetët, me Krishtin si gurin e qoshes?
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha këtë në lidhje me themelin e Kishës së Krishtit:
“Në kohët e Dhiatës së Re, në kohët e Librit të Mormonit dhe në kohët bashkëkohore, këta drejtues formojnë gurët e themelit të Kishës së vërtetë, të pozicionuar përreth vetë gurit të qoshes dhe duke marrë forcë prej tij, ‘shkëmbi[t të] Shëlbuesit tonë që është [Jezu] Krishti, biri i Perëndisë’ [Helamani 5:12]. … Një themel i tillë në Krisht ishte dhe do të jetë gjithnjë një mbrojtje në kohët ‘kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju’.”
(Xhefri R. Holland, “Profetë, Shikues dhe Zbulues”, Liahona, nëntor 2004, f. 7; Konferenca e Përgjithshme tetor 2004, f. 6)