Hebrenjve 3–4
Hyrja në Prehjen e Zotit
Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë të na bekojnë me bekimet e Tyre më të çmuara. Mosbesimi dhe zemërngurtësia i pengojnë shumë njerëz që t’i marrin këto bekime. Duke i inkurajuar shenjtorët që të hiqnin dorë nga qëndrimet mosbesuese, Pali synoi t’i ndihmonte ata të ktheheshin te besëlidhjet që kishin bërë. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta kapërcesh mosbesimin që të mund t’i marrësh bekimet e premtuara të Shpëtimtarit.
Besimi ynë te Jezu Krishti
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi një problem me të cilin po përballet bota sot:
“Në disa pjesë të botës ku emri i Tij është shpallur ndër shekuj, besimi në Jezu Krisht po pakësohet. Shenjtorët e guximshëm në Europë kanë parë të bjerë besimi në vendet e tyre ndër dekada. Mjerisht, këtu në Shtetet e Bashkuara, besimi po mpaket gjithashtu. Një studim i kohëve të fundit zbuloi se në 10 vitet e fundit 30 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara janë larguar nga besimi në hyjninë e Jezu Krishtit. Në nivel botëror, një studim tjetër parashikon se në dekadat e ardhshme do ta lënë krishterimin më shumë se dyfishi i atyre që do ta përqafojnë.”
(Nil L. Andersen, “Ne Flasim për Krishtin”, Liahona, nëntor 2020, f. 88)
-
Cilat janë disa nga pasojat e mundshme, tani dhe në të ardhmen, për njerëzit që nuk besojnë te Jezu Krishti?
Mendo rreth besimit tënd te Jezu Krishti.
-
Sa i fortë ndien që është besimi yt te Jezu Krishti?
-
Si mund ta bekojë jetën tënde zgjedhja për të besuar tek Ai?
Mësimet e Palit rreth fëmijëve të Izraelit
Në letrën e tij drejtuar hebrenjve, Pali konstatoi se për shkak të përndjekjes, disa të kthyer në besim kishin marrë parasysh të largoheshin nga besimi i tyre te Jezu Krishti.
Lexoni te Hebrenjve 3:7–19, duke kërkuar ndodhinë historike që përmendi Pali për t’i ndihmuar hebrenjtë ta kuptonin rrezikun e mosbesimit.
“Provokim[i] … në shkretëtirë” (Hebrenjve 3:8) i referohet kohës kur, pasi u çliruan nga Egjipti, izraelitët e provokuan Zotin deri në zemërim dhe atyre iu mohuan bekimet që Ai dëshironte fort t’ua jepte (shih te Numrat 14; Jakobi [LiM] 1:7–8; Alma 12:33–37).
-
Çfarë bekimesh humbën fëmijët e Izraelit? Përse?
Prehja e Zotit
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë që ne të përjetojmë prehjen e Tyre. Studioje fragmentin vijues të shkrimit të shenjtë dhe thënien profetike për të mësuar se çfarë është prehja e Zotit. Mund të jetë e dobishme të kërkosh fjalën “Prehje” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta nëse është në dispozicion.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 84:24 për të mësuar më shumë rreth prehjes së Zotit (shih edhe tek Alma 13:6, 12–13, 28–29).
Presidenti Jozef F. Smith (1838–1918) dha mësim se si ne mund të hyjmë në prehjen e Zotit ndërsa jemi në vdekshmëri:
“Profetët e lashtë flasin për ‘hyrjen në prehjen e Perëndisë’ [shih tek Alma 12:34; Doktrina e Besëlidhje 84:23–24]; çfarë do të thotë kjo? Sipas meje, kjo do të thotë të futesh në njohurinë dhe dashurinë e Perëndisë, duke pasur besim në qëllimin e Tij dhe në planin e Tij, në një masë të atillë që e dimë se jemi të drejtë, dhe që nuk po kërkojmë diçka tjetër, nuk shqetësohemi nga çdo erë doktrineje, apo nga dhelpëria dhe dinakëria e njerëzve që rrinë në pritje për të mashtruar. … Njeriu që ka arritur atë shkallë besimi te Perëndia, që gjithë dyshimi e frika janë flakur prej tij, ai ka hyrë në ‘prehjen e Perëndisë’.”
(Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 56)
-
Si do ta përshkruaje prehjen e Zotit?
Alma u dha një mesazh të ngjashëm me të Palit njerëzve në kohën e tij, disa prej të cilëve e kishin gjithashtu të vështirë të besonin. Lexo tek Alma 12:34–37, duke kërkuar pikëpamje shtesë.
-
Çfarë parimi mund të përcaktosh nga vargjet te Hebrenjve 3 dhe Alma 12:34–37?
Një parim që mund të kesh mësuar, është se nëse qëndrojmë besnikë ndaj Shpëtimtarit dhe nuk i ngurtësojmë zemrat tona, ne do të hyjmë në prehjen e Zotit.
Zgjedhja për të besuar
Lexo te Hebrenjve 3:7–8, 12–15; 4:2–3, 6–7, 11. Ndërkohë që lexon, kërko atë që mund të bëjmë për të hyrë në prehjen e Zotit. Nëse dëshiron, mund edhe të lexosh Përkthimin prej Joseph Smith-it të Hebrenjve 4:3 (te Shtojca Përkthimi i Joseph Smith-it).
-
Çfarë ju bie në sy nga këto vargje?
Presidenti Rasëll M. Nelson na mësoi si ta kapërcejmë mosbesimin:
“Zgjidhni të besoni te Jezu Krishti. Nëse keni dyshime rreth Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij të Dashur, ose vlefshmërisë së Rivendosjes apo vërtetësisë së thirrjes hyjnore të Jozef Smithit si profet, zgjidhni të besoni dhe qëndroni besnikë. Drejtojuani pyetjet tuaja Zotit dhe burimeve të tjera besnike. Studioni me dëshirën që të besoni në vend që të studioni me shpresën se mund të gjeni një të metë në strukturën e jetës së një profeti apo një mospërputhje në shkrimet e shenjta. Mos vazhdoni t’i shtoni dyshimet tuaja duke i ritreguar me njerëz të tjerë dyshues. Lejojeni Zotin t’ju udhëheqë në udhëtimin tuaj të zbulimit shpirtëror.”
(Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 103)
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si mund të kem një zemër më besimtare?
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, shpalli:
“Besimi nuk vjen nga ndonjë burim magjik. Por dëshira për të besuar është hapi i parë i domosdoshëm! Perëndia nuk tregohet i anshëm. Ai është Ati juaj. Ai dëshiron të flasë me ju. Megjithatë, kërkohet pak kuriozitet shkencor – kërkohet një eksperiment me fjalën e Perëndisë – dhe një ushtrim i një ‘pjesëz[e] të besimit’ [Alma 32:27]. Gjithashtu nevojitet pak përulësi. Dhe kërkohet një zemër e hapur dhe një mendje e hapur. Kërkohet hetim, në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe, ndoshta më e vështira nga të gjitha, kërkohet të jini të duruar dhe ta prisni Zotin.
Nëse nuk bëjmë asnjë përpjekje që të besojmë, ne jemi si burri që e heq nga priza projektorin dhe më pas ia hedh fajin projektorit që nuk po sjell asnjë dritë.”
(Diter F. Uhtdorf, “Mos Ki Frikë, Vetëm Ki Besim”, Liahona, nëntor 2015, f. 78)
Kush mund të na ndihmojë të gjejmë prehjen e Shpëtimtarit?
Plaku W. Krejg Zuik, i Të Shtatëdhjetëve, shpalli:
“Ati Qiellor e do secilin prej fëmijëve të Tij dhe dëshiron që të gjithë ne të kthehemi tek Ai. Ai ka siguruar profetë dhe udhëheqës të priftërisë me autoritet të vërtetë priftëror për të na ndihmuar të qëndrojmë në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar. Ne atëherë, kemi udhërrëfimin e këtyre udhëheqësve për të na ndihmuar të hyjmë në prehjen e Tij.”
(W. Craig Zwick, “Enter into the Rest of the Lord”, Ensign, shkurt 2012, f. 24)