Seminari
Gjoni 3:14–17


Gjoni 3:14–17

“Sepse Perëndia e Deshi Aq Botën”

Jezusi kthehet përsëri në kopsht për t’u lutur në vazhdim dhe vuan dhembje të madhe.

Siç është shënuar te Gjoni 3, Jezusi i dha mësim Nikodemit për flijimin e Tij shlyes kur tha se “duhet të ngrihet lart Biri i njeriut, që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:14–15). Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Ndërsa shpenzojmë kohë për të mësuar rreth Shpëtimtarit dhe flijimit të Tij shlyes, ne tërhiqemi për të përdorur një … element kyç që të kemi qasje ndaj fuqisë së Tij: ne zgjedhim që të kemi besim në Të dhe ta ndjekim Atë” (“Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 40). Ky mësim do të të japë mundësi për ta forcuar besimin te Jezu Krishti ndërsa mëson më shumë rreth Shlyerjes së Tij.

Çfarë është Shlyerja e Jezu Krishtit?

Jezu Krishti duke u lutur në Kopshtin e Gjetsemanit
Krishti i varur në kryq në Kalvar

Vështro figurat e Jezusit në Gjetseman dhe në kryq, dhe mendo për atë që di mbi Shlyerjen e Jezu Krishtit.

ikona e ditarit1. Plotësoji thëniet vijuese në ditarin tënd të studimit.

  • Ati Qiellor e dërgoi Jezu Krishtin në tokë që të shlyente për ne në mënyrë që …

  • Disa gjëra që përjetoi Jezusi në Gjetseman, përfshijnë …

  • Jezusi vdiq në kryq sepse …

  • Nëse Jezusi nuk do të kishte vuajtur në Gjetseman dhe nuk do të kishte vdekur në kryq, atëherë …

Në këtë mësim, ti do të mësosh më shumë për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe dashurinë që Ati Qiellor demonstroi kur e dërgoi Birin e Tij në botë. Ndërsa studion, kushtoju vëmendje nxitjeve të Frymës së Shenjtë që mund të të ndihmojnë ta vlerësosh më shumë flijimin e Jezu Krishtit për ty dhe ta rritësh besimin tënd tek Ai.

Shlyerja e Shpëtimtarit

Fragmentet dhe pohimet e mëposhtme nga shkrimet e shenjta na mësojnë për Shlyerjen e Jezu Krishtit. Kushtoji 10 deri në 15 minuta leximit me kujdes të këtyre burimeve (ose burimeve të tjera rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit për të cilat je i/e interesuar të mësosh ose që i ke gjetur para këtij mësimi). Ndërsa lexon, mendo mbi faktin se si secili prej këtyre burimeve të ndihmon ta kuptosh më mirë atë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti bënë për ty dhe pse.

Plaku Ted R. Kelister, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

Vëllai Ted R. Kelister

“Çfarë është atëherë Shlyerja e Jezu Krishtit? Në një kuptim, ajo është një seri ngjarjesh hyjnore që filluan në Kopshtin e Gjetsemanit, vazhduan në kryq dhe kulmuan me Ringjalljen e Shpëtimtarit nga varri. Ajo ishte e nxitur nga një dashuri që nuk arrijmë ta kuptojmë, për secilin prej nesh. Ajo kërkonte një qenie që ishte pa mëkat; i cili kishte pushtet të pafund mbi elementet – edhe mbi vdekjen; i cili zotëronte një aftësi të pakufishme për të vuajtur pasojat e të gjitha mëkateve dhe lëngatave tona dhe i cili, në fakt, zbriti nën gjithçka [shih te Doktrina e Besëlidhje 88:6]. Ky ishte misioni i Jezu Krishtit – kjo ishte Shlyerja e Tij.

Cili ishte qëllimi i saj atëherë? Ishte të bënte të mundur që ne të kthehemi në praninë e Perëndisë, të bëhemi më shumë si Ai dhe të kemi plotësi gëzimi. Kjo u bë duke mposhtur katër pengesa:

  1. Vdekjen fizike

  2. Vdekjen shpirtërore të shkaktuar nga Adami dhe nga mëkatet tona

  3. Vuajtjet dhe dobësitë tona

  4. Dobësitë dhe papërsosuritë tona.”

(Ted R. Kelister, “Shlyerja e Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2019, f. 85)

ikona e ditarit 2. Në ditarin tënd të studimit, përgjigju për pyetjen vijuese me të paktën tri fjali.

  • Çfarë ndjenjash apo pikëpamjesh ke marrë teksa ke studiuar për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij?

Si tregohet dashuria e Atit duke dërguar Birin e Tij?

ikona e Zotërimit Doktrinor Gjoni 3:16 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merr parasysh t’i shenjosh fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme që të mund t’i gjesh me lehtësi. Do të mësosh më shumë për këtë fragment të zotërimit doktrinor në mësimin e ardhshëm.

Një nga të vërtetat që theksoi Shpëtimtari ndërsa i dha mësim Nikodemit për Shlyerjen e Tij (shih te Gjoni 3:14–17), është se Ati Qiellor i do kaq shumë fëmijët e Tij saqë dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur për të shlyer për ne.

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim rreth asaj se si dashuria e Atit Qiellor shfaqet përmes Shlyerjes së Shpëtimtarit:

Presidenti Dallin H. Ouks

“Nuk ka provë më të madhe të fuqisë e përsosmërisë së pafundme të dashurisë së Perëndisë, sesa ajo e shpallur nga Apostulli Gjon: ‘Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin’ (Gjoni 3:16). Një tjetër Apostull shkroi se Perëndia “nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne” (Romakëve 8:32). Mendoni se sa duhet ta ketë hidhëruar Atin tonë Qiellor që të dërgonte Birin e Tij për të duruar vuajtje të pakuptueshme për mëkatet tona. Kjo është prova më e madhe e dashurisë së Tij për secilin prej nesh!”

(Dallin H. Ouks, “Dashuria dhe Ligji”, Liahona, nëntor 2009, f. 26)

  • Çfarë mësove nga ky pohim?

Shih materialin filmik “For God So Loved the World” [“Sepse Perëndia e Deshi Aq Botën”] (04:48), që gjendet në ChurchofJesusChrist.org dhe shih se si tregohet dashuria e Jezu Krishtit dhe e Atit Qiellor.

4:48

For God So Loved the World

Give thanks for the Lord Jesus Christ: His life, His atoning sacrifice, and His Resurrection. John 3:16

ikona e ditarit 3. Në ditarin tënd të studimit, shkruaj dy ose tri fjali që përshkruajnë mendimet ose dëshminë tënde për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Si mund ta përdor fuqinë që më jep Jezu Krishti nëpërmjet Shlyerjes së Tij?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim sa vijon rreth të ftuarit të fuqisë së Jezu Krishtit në jetën tonë:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne i referohemi misionit të Tij si Shlyerja e Jezu Krishtit, e cila e bëri ringjalljen një realitet për të gjithë njerëzit dhe e bëri jetën e përjetshme të mundur për ata që pendohen për mëkatet e tyre dhe i marrin e i mbajnë ordinancat dhe besëlidhjet themelore. …

… Besëlidhjet tona na lidhin me Të dhe na japin fuqi të perëndishme. Si dishepuj besnikë, ne pendohemi dhe e ndjekim Atë në ujërat e pagëzimit. Ne ecim përgjatë shtegut të besëlidhjes për të marrë ordinanca të tjera themelore. …

Burrat dhe gratë që i mbajnë besëlidhjet, kërkojnë mënyra për ta mbajtur veten e tyre të panjollosur nga bota, kështu që nuk do të ketë asgjë që do ta bllokojë përdorimin nga ana e tyre të fuqisë së Shpëtimtarit.”

(Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 40, 41)

Si e di nëse Jezu Krishti dhe fuqia e Tij po veprojnë në jetën time?

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Presidenti Henri B. Ajring

“Nëse e keni ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë sot, mund ta merrni atë si fakt që Shlyerja [e Jezu Krishtit] po vepron në jetën tuaj. Për atë arsye dhe për shumë të tjera, ju do të bënit mirë ta vendosni veten në vende dhe punë që i ftojnë nxitjet e Frymës së Shenjtë.”

(Henry B. Eyring, “Gifts of the Spirit for Hard Times”, Ensign, qershor 2007, f. 23)

Ku mund të mësoj më shumë rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit?

Merr parasysh ta thellosh kuptueshmërinë tënde për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij duke përdorur materiale ndihmëse për studimin e shkrimeve të shenjta, të tilla si Gospel Topics [Temat e Ungjillit] me zërin që titullohet “Atonement of Jesus Christ” [“Shlyerja e Jezu Krishtit”] (ChurchofJesusChrist.org) ose duke kërkuar zërin “Shlyej, Shlyerje” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Këto materiale ndihmëse për studimin e shkrimeve të shenjta përmbajnë pikëpamje, shkrime të shenjta, biseda, materiale filmike dhe burime të tjera me vlerë që na mësojnë për Shlyerjen e Shpëtimtarit.