Mateu 3:1–12; Marku 1:1–8
“Përgatitni Udhën e Zotit”
Para se Jezu Krishti të fillonte shërbesën e Tij publike, Gjon Pagëzori kërkoi t’i përgatiste të tjerët për ta pranuar dhe ndjekur Shpëtimtarin. Në këtë mësim ti do të shqyrtosh se si e ke pranuar dhe ndjekur Shpëtimtarin, se si mund ta pranosh dhe ndjekësh më mirë Atë, dhe çfarë mund të bësh për t’i përgatitur të tjerët ta pranojnë dhe ndjekin Atë.
Përgatitja për Jezu Krishtin
Përfytyro sikur po shkon në një udhëtim të rëndësishëm dhe ka pengesa në rrugë. Çfarë do të bëje? A do të ktheheshe? A do të përpiqeshe t’u vije rrotull? A do të përpiqeshe t’i hiqje pengesat për ata që vijnë pas teje? Përfytyro sikur zbulon se dikush që erdhi para teje i kishte hequr tashmë shumë prej pengesave më të vështira.
-
Si do të ndiheshe për ata që ta bënë gati rrugën?
Sot do të studiosh rreth Gjon Pagëzorit, misioni i të cilit ishte t’i përgatiste njerëzit për ta pranuar dhe ndjekur Shpëtimtarin (shih Lluka 1:17).
-
Kush ka ndihmuar për ta përgatitur rrugën për ty që ti ta pranosh dhe ndjekësh Shpëtimtarin në jetën tënde?
-
Kush është duke e përgatitur aktualisht rrugën që Shpëtimtari të jetë më shumë në jetën tënde?
-
Çfarë të ka ndihmuar që ta pranosh dhe ndjekësh Shpëtimtarin?
Ndërsa e studion këtë mësim, mendo për ndonjë pengesë që ende qëndron në rrugën tënde ose të të tjerëve për ta pranuar dhe ndjekur Atë, dhe çfarë mund të të ndihmojë ty ose të tjerët për t’i kapërcyer këto pengesa.
Hyrje në Ungjillin sipas Markut dhe shërbesën e Gjon Pagëzorit
Marku e filloi Ungjillin sipas tij me rrëfimin e Gjon Pagëzorit. Ndryshe nga Mateu ose Gjoni, Marku nuk ishte Apostull i Jezu Krishtit, por një i kthyer në besim më vonë. Marku mund ta ketë shkruar Ungjillin sipas tij nën drejtimin e Apostullit Pjetër. Në Ungjillin sipas tij, Marku i shkroi një publiku johebreas dhe theksoi më shumë atë që Shpëtimtari bëri sesa atë që Ai tha.
Lexo te Marku 1:1–8 , duke kërkuar atë që bëri Gjon Pagëzori, gjë e cila e ndihmoi t’i përgatiste të tjerët për ta pranuar dhe ndjekur Jezu Krishtin.
Leximi për të njëjtën ngjarje në rrëfimet e ndryshme të Ungjillit shpesh mund të jetë e dobishme për të mësuarin tënd. Lexo te Mateu 3:7–12 , duke kërkuar hollësi të mëtejshme rreth shërbesës së Gjon Pagëzorit. Në kohën e Shpëtimtarit, shumë izraelitë që kishin bërë besëlidhje, ishin bërë jashtëzakonisht krenarë dhe ishin larguar nga mësimet e Jehovës. Disa besonin se vetëm të qenit pasardhës të Abrahamit ishte e mjaftueshme për t’i shpëtuar ata (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 3:36 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta].
1.
-
Çfarë bëri Gjon Pagëzori për të ndihmuar në përgatitjen e njerëzve për ta pranuar dhe ndjekur Shpëtimtarin?
-
Çfarë pikëpamjesh shtesë fitove gjithashtu nga studimi i rrëfimit të Mateut për Gjon Pagëzorin?
-
Çfarë provash ke parë në kohën tonë që Ati Qiellor ende po përpiqet t’i përgatitë njerëzit për ta pranuar dhe ndjekur Shpëtimtarin?
Pranimi i Shpëtimtarit dhe ndihma ndaj të tjerëve që ta pranojnë Atë
Kryej një nga aktivitetet në vijim. Mendo mbi atë se si mund ta pranosh dhe ta ndjekësh vetë më plotësisht Shpëtimtarin, si dhe të ndihmosh për t’i përgatitur të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.
2. Përcakto se cilën veprimtari zgjodhe dhe mbaji shënim përgjigjet e tua ndaj pyetjeve përkatëse.
Veprimtaria A: Mbajtja e ditarit
Reflekto dhe mbaji shënim në ditarin tënd të studimit përvojat që të kanë ndihmuar ta pranosh dhe ndjekësh Shpëtimtarin. Merr parasysh të përfshish çfarë të ka ndihmuar të besosh te Jezu Krishti dhe të jesh më i/e përkushtuar për t’i jetuar mësimet e Tij. Pastaj përgjigjju pyetjeve vijuese:
-
Çfarë mendon se mund të të ftojë Ati Qiellor të bësh për ta pranuar dhe ndjekur Jezu Krishtin më shumë në të ardhmen?
-
Cilat janë disa gjëra që mund të bësh për t’i ndihmuar të tjerët ta pranojnë dhe ndjekin Jezu Krishtin?
Veprimtaria B: Kërkimi i konferencës së përgjithshme
Kujto atë që mësove në konferencën e përgjithshme më të fundit. Nëse është e mundur, shqyrto një ose dy biseda të konferencës së përgjithshme, duke kërkuar mesazhe që mund të të ndihmojnë ta pranosh dhe ndjekësh më plotësisht Jezu Krishtin.
-
Çfarë kanë dhënë mësim kohët e fundit profetët bashkëkohorë që të të ndihmojnë ta pranosh dhe ndjekësh më plotësisht Shpëtimtarin?
-
Si mund ta zbatosh një nga mësimet e tyre në jetën tënde ose t’ia tregosh të tjerëve?
Veprimtaria C: Kërkimi i shkrimeve të shenjta
Përdor shkrimet e shenjta për ta kuptuar më mirë se si u prinë të tjerët për ta pranuar dhe ndjekur Jezu Krishtin. Për shembull, mund të studiosh shembujt në Librin e Mormonit si Enos 1:2–8 ; Mosia 5:1–2, 5 ; Alma 22:17–18, 22–23 ose Helamani 5:28–30, 40–42 .
-
Çfarë mësove nga shkrimet e shenjta që studiove?
-
Si mund të të ndihmojnë këto pikëpamje për ta pranuar dhe ndjekur më plotësisht Shpëtimtarin ose për t’i ndihmuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Kush ishte Marku?
Marku (i quajtur edhe Gjon Marku) nuk ishte ndër dishepujt e parë të Jezu Krishtit, por ai më vonë u kthye në besim dhe punoi nga afër me shumë nga Apostujt e Shpëtimtarit. Pjetri iu referua atij si “Marku, biri im” ( 1 Pjetër 5:13), duke treguar afërsinë e marrëdhënies së tyre. Marku ka të ngjarë ta ketë shkruar Ungjillin e shkurtër sipas tij për romakët, kombet e tjera johebrease dhe të kthyerit e rinj në besimin e krishterë. Marku gjithashtu shërbeu me Palin për njëfarë kohe në udhëtimin e parë misionar të Palit (shih Veprat e Apostujve 12:25).
Cilat janë disa tipare dalluese të Ungjillit sipas Markut?
Ungjilli sipas Markut fillon befas dhe në mënyrë dramatike dhe ruan një ritëm të shpejtë, duke i ritreguar ngjarjet me një vijueshmëri të shpejtë. Marku shpesh përdorte fjalët menjëherë dhe përnjëherë, duke dhënë përshtypjen e një ritmi dhe veprimi të shpejtë.Midis temave të rëndësishme në [ungjillin sipas] Markut, janë pyetjet se kush ishte Jezusi dhe kush e kuptoi identitetin e Tij, si edhe rolin e dishepullit si një njeri që duhet ta “marrë kryqin e vet dhe t[a] … ndjekë [Jezusin]” ( Marku 8:34). Përveç kësaj, Marku është i vetmi Ungjill që tregon shëmbëlltyrën e farës që rritet vetvetiu (shih Marku 4:26–27), shërimin e një njeriu të shurdhër në rajonin e Dekapolit (shih Marku 7:31–37) dhe shërimin gradual të një burri të verbër në Betsaida (shih Marku 8:22–26).
Marku 1:8 . Çfarë është pagëzimi me Frymën e Shenjtë?
Gjon Pagëzori deklaroi se ai do të pagëzonte me ujë, por se Jezusi do të “pagëzo[nte] me Frymën e Shenjtë” ( Marku 1:8). Ky pagëzim me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr i referohet rezultatit të konfirmimit pas pagëzimit, pastaj marrjes së shoqërimit të Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë pastaj na pastron dhe rafinon, njësoj si efekti pastrues dhe rafinues i zjarrit.
Mateu 3:7 . Kush ishin farisenjtë dhe saducenjtë?
“Farisenjtë ishin anëtarë të një grupi fetar judeas të cilët e mburrnin veten për bindje rigoroze ndaj ligjit të Moisiut. Ata kishin prirjen ta mpaknin besimin fetar në [thjesht] një zbatim të shumë veprimeve ceremoniale. Saducenjtë ishin një klasë shoqërore e pasur judease me ndikim të rëndësishëm fetar e politik. Ata nuk besonin në doktrinën e ringjalljes. Të dyja grupimet i ishin larguar qëllimit fillestar të ligjeve të Perëndisë dhe shumë prej anëtarëve të tyre refuzonin ta pranonin mesazhin e profetit të Perëndisë, Gjon Pagëzorit.”
Mateu 3:12 . Çfarë simbolizojnë terplota, lëmi, gruri dhe byku?
“Terplot[a]” e përmendur te Mateu 3:12 është një enë shoshitëse prej kashte që përdorej për ta hedhur grurin në ajër. … Kokrrat e grurit do të binin sërish në tokë, kurse era e largonte tej bykun më të lehtë. Gruri, pastaj, mblidhej në hambar ose depo dhe byku digjej me zjarr. Gjon Pagëzori dha mësim se Shpëtimtari, i cili do të vinte pas tij, do t’i ndante besimtarët nga jobesimtarët në të njëjtën mënyrë që gruri u nda nga byku.
(New Testament Student Manual [Manuali i Studentit për Dhiatën e Re][2018], ChurchofJesusChrist.org)