Zbulesa 15–19
“Qengji do t’i Mundë”
Çfarë të vjen në mendje kur mendon për ditët e fundit të profetizuara? Gjon Zbuluesi pikturoi një tablo të gjallë të shkatërrimit dhe ligësisë që do të mbushë botën. Por këto rrethana nuk do të zgjasin. Jezu Krishti “do t’i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve” (Zbulesa 17:14). Ky mësim mund të të ndihmojë të mbështetesh te Jezu Krishti me më tepër vetëbesim teksa përballesh me sfidat e ditëve të fundit.
Plagët, sprovat dhe besimi te Zoti
Si pjesë e vegimit të Gjonit, Zoti i tregoi Gjonit shtatë engjëj që derdhnin plagë të ndryshme mbi të ligjtë në ditët e fundit. Këto plagë përfshinin ulcerat, kthimin e ujit në gjak, nxehtësinë e madhe, terrin, dhembjet, bubullimat dhe vetëtimat, një tërmet dhe breshër të madh (shih Zbulesa 16).
Përsiati pyetjet vijuese:
-
Çfarë tjetër di ti rreth sprovave dhe ligësisë së ditëve të fundit? Si ndihesh rreth këtyre sprovave?
-
Sa i sigurt ndihesh se Zoti mund të të ndihmojë me çfarëdolloj sprove me të cilën mund të përballesh? Pse?
Gjoni përshkroi diçka tjetër përpara se të shkruante për shkatërrimin dhe sprovat që do t’i pllakosnin njerëzit e tokës në ditët e fundit. Lexo te Zbulesa 15:2–4 dhe përpiqu të përfytyrosh atë që Gjoni po shikonte.
-
Përse mund të jetë e dobishme të mësosh rreth shenjtorëve të ekzaltuar që banojnë në praninë e Perëndisë përpara se të lexosh për plagët që Gjoni i përshkruan më pas?
Teksa e vazhdon studimin tënd, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të të ndihmuar të dish dhe kuptosh se ti mund të drejtohesh te Zoti për ndihmë gjatë sfidave të ditëve të fundit. Për të të ndihmuar ta kuptosh më mirë atë që jepet mësim te secili kapitull që do të studiosh, merre parasysh t’i lexosh titujt e kapitujve përpara se t’i lexosh vargjet.
1. Plotësoji dy nga veprimtaritë vijuese në ditarin tënd të studimit:
Mundësia A: Engjëjt dhe plagët
Të menduarit rreth plagëve që Gjoni pa te Zbulesa 16 mund të na shkaktojë shqetësim. Megjithatë, rritja e besimit tonë te Jezu Krishti mund të na ndihmojë t’i kapërcejmë shqetësimet tona. Është e rëndësishme të vëmë re se ndërsa engjëjt i derdhën plagët e tyre, ata dëshmuan për karakterin e Zotit. Njohja e karakterit të Tij mund të na ndihmojë ta rrisim besimin tonë tek Ai.
Vizato një figurë të thjeshtë të një engjëlli. Më pas lexo te Zbulesa 16:5, 7 , duke kërkuar mënyrën se si engjëjt e përshkruan Zotin dhe gjykimet e Tij. Shkruaje pranë vizatimit tënd atë që ti mendon se thanë engjëjt.
-
Pse mund të jetë e dobishme që ne ta kuptojmë karakterin e Zotit teksa mësojmë rreth gjykimit të Tij?
-
Kur të ka ndihmuar në jetën tënde ta kuptosh se si është Perëndia? Si mund të të ndihmojë të kujtuarit e karakterit të Jezu Krishtit që të mbështetesh tek Ai?
Mundësia B: Ligësia [në botë] dhe fuqia e Shpëtimtarit
Mendo për disa shembuj ligësie në botë dhe se si ajo ndikon te ne.
-
Nëse do të të duhej të mendoje për një simbol që të përfaqësojë ligësinë e botës, cili do të ishte? Pse?
-
Po të të duhej të mendoje për një simbol ose titull nderimi që të përfaqësojë Shpëtimtarin dhe faktin se si Ai mund të na ndihmojë ta mposhtim këtë ligësi, cili do të ishte? Pse?
Ndaje një faqe të ditarit tënd në gjysmë. Lexo te Zbulesa 17:3–7, 14 , duke përfytyruar simbolet që Gjoni i përdori në këto vargje. Në njërën anë të faqes së ndarë të ditarit tënd shkruaj fjalë ose fraza kyç që përdoren për të përshkruar ligësinë. Në anën tjetër, shkruaj simbole që përfaqësojnë Jezu Krishtin dhe të drejtët. Fjalët vijuese mund të jenë të dobishme:
Kurvërimi ( Zbulesa 17:4): aktet seksuale imorale. Ajo mund të jetë edhe një “simbol për braktisjen” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Lavirësi ”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org)
Babilona ( Zbulesa 17:5): emri i një qyteti të njohur për ligësinë e tij, i përdorur si simbol për ligësinë dhe gjërat e botës
Lavire ( Zbulesa 17:5): dikush që kryen veprime seksuale imorale për para ose në këmbim të diçkaje
Çudi ( Zbulesa 17:6): mahnitje, habi
-
Çfarë mësove nga simbolet për të cilat lexove?
-
Çfarë të ndihmojnë të kuptosh rreth Jezu Krishtit titujt për Të në vargun 14 ?
-
Çfarë di rreth mënyrës se si Qengji, ose Jezu Krishti, e mposhti të gjithë ligësinë? (Shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Qengj i Perëndisë ”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.) Ç’kuptim ka kjo për ty?
Mundësia C: Dasma e Qengjit
-
Cilat janë disa arsye pse familjet shpesh festojnë nëpër dasma?
Gjoni e përdori shëmbëlltyrën e një dasme për të na dhënë mësim rreth ditëve të fundit. Dasma për të cilën ai shkroi është simbolikë për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.
Bëj një vizatim të thjeshtë të një nuseje dhe një dhëndri dhe shkruaj atë që mëson rreth secilit ndërkohë që studion.
Lexo te Zbulesa 19:7–9 për të parë se si na inkurajon Zoti që të ndihemi rreth kësaj dasme. Nusja në këto vargje është simbolikë për anëtarët e Kishës së Zotit që po përgatiten për kthimin e Krishtit.
-
Sipas vargut 8 , si duhet të përgatitemi për këtë dasmë? Çfarë do të thotë kjo për ty?
-
Në ç’mënyra një marrëdhënie martesore është një simbol i përshtatshëm i marrëdhënies sonë besëlidhëse me Jezu Krishtin?
-
Si mund të jetë kthimi i Shpëtimtarit një kohë gëzimi për ty?
Lexoji shkrimet e shenjta në vijim dhe mendo rreth asaj që mund të bësh për t’u përgatitur për kohën kur Jezu Krishti të vijë përsëri. Nëse dëshiron, mund ta shenjosh atë që gjen në shkrimet e tua të shenjta ose të shkruash rreth saj në ditarin tënd.
-
Si ndihesh rreth Jezu Krishtit dhe asaj që Ai ka bërë për të të përgatitur për ardhjen e Tij?
2. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Nga ajo që studiove sot, çfarë mësove që të ndihmon të mbështetesh te Jezu Krishti?
-
Çfarë do të dëshiroje të kujtoje apo bëje?
-
Në ç’mënyrë e ndien se kjo mund të të ndihmojë gjatë sprovave të ditëve të fundit?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Zbulesa 17 . Çfarë mund të mësoj nga simbolika e gruas mbi bishë?
Termat e përdorura për të përshkruar gruan e cila hipi mbi bishë dëshmojnë për fuqinë e madhe politike dhe shkatërrimtare që ajo do të ketë mbi kombet, mbretëritë dhe popujt. … Rrobat e saj ilustrojnë fuqinë dhe pasurinë (shih vargun 4); ajo është “nëna e lavireve”, që tregon se nga ajo lindin kurvërime të tjera – organizata, qeveri dhe ideologji nga goja e të cilave del ligësia ( vargu 5). Gjoni shënoi se ai u çudit nga madhështia e ligësisë së gruas. Megjithatë, në fund ajo do të rrëzohet nga pushteti nga ata mbi të cilët ajo sundoi më parë (shih vargun 16 ; 1 Nefi 22:13). …
Një kuptim i mundshëm i përshkrimit të Gjonit në këto vargje është se në ditët e fundit, një mënyrë jetese me imoralitet seksual, pasuri dhe dhunë do të përhapet në botë (shih edhe 1 Nefi 13:5–9). Institucionet, qeveritë dhe popujt që e përqafojnë këtë mënyrë jetese mund të shihen si pjesë e Babilonisë. (New Testament Student Manual [2014], f. 560)
Ku mund të mësoj më shumë rreth simbolikës te Zbulesa 15–19?
Për komente mbi simbolikën në këta kapituj, mund të dëshirosh t’u referohesh kapitujve 55 dhe 56 të materialit në anglisht New Testament Student Manual (2014), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.