1 Korintasve 11
Rolet e Pashoqe dhe Hyjnore të Burrave dhe Grave
Duke e vazhduar udhëzimin dhe inkurajimin e tij ndaj shenjtorëve korintas, Pali dha mësim se burrat dhe gratë janë paracaktuar që të punojnë së bashku dhe ta përkrahin njëri-tjetrin teksa e ndjekin Zotin. Qëllimi i këtij mësimi është të të ndihmojë ta kuptosh më mirë arsyen përse burrat dhe gratë kanë nevojë për njëri-tjetrin në mënyrë që të marrin bekimet më të larta të planit të Atit Qiellor.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Rolet e grave dhe të burrave
Merri parasysh pyetjet në vijim ndërsa e vështron këtë fotografi të një ekipi me biçikletë dyshe.
-
Çfarë zotësish apo aftësish nevojiten për ta ndihmuar këtë ekip të arrijë suksesin?
-
Si mund ta forcojnë dallimet ndërmjet individëve bashkëpjesëmarrjen e tyre dhe t’i ndihmojnë ata të bëhen më të bashkuar?
Ndërsa studion kapitullin te 1 Korintasve 11 , përsiat se si burrat dhe gratë mund të punojnë me drejtësi së bashku si partnerë të barabartë për t’i përmbushur rolet e tyre të caktuara në mënyrë hyjnore dhe për t’u kualifikuar për jetën e përjetshme.
Te 1 Korintasve 11:1–16 , Pali trajtoi zakonet shoqërore mes korintasve të kohës së tij që nuk ishin në përputhje me pikëpamjen e Zotit për rolet hyjnore të burrave dhe grave. Është e rëndësishme të mos i ngatërrosh këto zakone me të vërtetat që Pali po jepte mësim.
Zoti, nëpërmjet Apostullit Pal, zbuloi të vërteta të pandryshueshme për rolet hyjnore të burrave dhe grave te 1 Korintasve 11:11–12 .
Lexo te 1 Korintasve 11:11–12 , duke kërkuar të vërtetat që i mëson rreth Perëndisë, burrave dhe grave.
Gratë dhe burrat në bashkëpjesëmarrje të plotë me Zotin
Te 1 Korintasve 11:11 ne mësojmë se në planin e Atit Qiellor, si burrat, ashtu edhe gratë janë domosdoshëm.
Lexoji thëniet vijuese nga proklamata mbi familjen dhe nga anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar mënyrat se si burrat dhe gratë janë të domosdoshëm në planin e Atit Qiellor.
Nga proklamata mbi familjen lexojmë:
“Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht. Martesat dhe familjet e suksesshme ngrihen dhe ruhen me parimet e besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese. Nëpërmjet planit hyjnor, etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjet e tyre. Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre. Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë.”
(“ Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës ”, ChurchofJesusChrist.org)
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Në planin e mrekullueshëm të Atit tonë Qiellor që u jep burrave fuqinë e priftërisë, burrat kanë përgjegjësinë e vetme për të administruar priftërinë, por ata nuk janë priftëria. Burrat dhe gratë kanë role të ndryshme por njësoj të vlerësuara. Ashtu si një grua nuk mund të krijojë një fëmijë pa një burrë, edhe një burrë nuk mund ta ushtrojë plotësisht fuqinë e priftërisë për të krijuar një familje të përjetshme pa një grua. … Në këndvështrimin e përjetësisë, si fuqia krijuese edhe fuqia e priftërisë janë të përbashkëta për një bashkëshort dhe një bashkëshorte.”
(M. Rasëll Ballard, “Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 19)
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Qe e nevojshme ndërthurja e pashoqe e aftësive shpirtërore, fizike, mendore dhe emocionale si të meshkujve dhe femrave për ta realizuar planin e lumturisë. ‘Në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin’ ( 1 Korintasve 11:11). Burri dhe gruaja janë paracaktuar të mësojnë nga njëri‑tjetri, ta forcojnë, ta bekojnë, ta plotësojnë … njëri‑tjetrin.”
(Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 41–42)
-
Si mendon, përse në planin e Atit Qiellor bijtë e Tij dhe bijat e Tij e arrijnë jetën e përjetshme së bashku?
-
Si e tregon kjo dashurinë dhe respektin e Atit Qiellor si për gratë edhe për burrat?
-
Si mund të të ndihmojë të kuptuarit e këtyre të vërtetave kur përballesh me pikëpamje të kundërta për rolet dhe përgjegjësitë e burrave dhe grave?
-
Si mund t’i zbatosh këto të vërteta për gratë dhe burrat në jetën tënde (për shembull, në shtëpi, në kishë me të rinj ose të reja të tjera dhe ndërsa përgatitesh për jetën tënde familjare të ardhshme)?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Po sikur njerëzit që dua, të mos martohen apo të mos bëhen me fëmijë?
Disa mund të shqetësohen ose pyetin veten për mënyrën se si plani i Atit Qiellor si për gratë edhe për burrat mund të përmbushet për ata që nuk martohen apo nuk bëhen me fëmijë. Me dhembshuri të madhe, Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha këto fjalë ngushëlluese:
“Ata që nuk martohen ose ata që nuk mund të kenë fëmijë, nuk janë të përjashtuar nga bekimet e përjetshme që ata kërkojnë, por të cilat, për momentin, mbeten përtej mundësive të tyre. …
Dëshirat tuaja të zjarrta e të fshehta dhe përgjërimet me lot do ta prekin zemrën edhe të Atit edhe të Birit. Do t’ju jepet një siguri vetjake prej Tyre se jeta juaj do të jetë e plotë dhe se asnjë bekim që është thelbësor, nuk do të humbasë për ju.
Si një shërbëtor i Zotit, duke vepruar në detyrën ku jam shuguruar, u bëj një premtim atyre që janë në rrethana të tilla, se nuk do të ketë asgjë thelbësore për shpëtimin dhe ekzaltimin tuaj që nuk do të prehet mbi ju kur të vijë koha.”
(Bojd K. Paker, “Dëshmia”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 95)
Përse Satani do që ne si burra dhe gra të jemi të përçarë?
Presidentja Xhin B. Bingham, ish-Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim:
“Kundërshtari ka qenë mjaft i suksesshëm në synimin e vet për t’i përçarë burrat e gratë, në orvatjet e tij për t’i mposhtur shpirtrat tanë. Luciferi e di që, po qe se mund ta dëmtojë unitetin që ndiejnë burrat e gratë, po qe se ai mund të na pështjellojë rreth vlerës sonë hyjnore dhe përgjegjësive të besëlidhjeve tona, ai do të arrijë t’i shkatërrojë familjet, të cilat janë njësitë themelore të përjetësisë.
Satani e stimulon përdorimin e krahasimit si një mjet për të krijuar ndjenja të të qenit më lart ose më poshtë, duke e fshehur të vërtetën e përjetshme se dallimet që nga lindja të burrave dhe grave janë dhënë nga Perëndia dhe vlerësohen njëlloj nga Ai. Ai është orvatur t’i zhvlerësojë kontributet e grave si në familje ashtu edhe në shoqërinë civile, duke zvogëluar në këtë mënyrë ndikimin e tyre lartësues për mirë. Synimi i tij ka qenë të inkurajojë një luftë për pushtet në vend që të kremtohet për kontributet e pashoqe të burrave dhe grave që e plotësojnë njëri‑tjetrin dhe kontribuojnë në unitet.”
(Xhin B. Bingham, “Të Bashkuar në Përmbushjen e Punës së Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 60–61)