Seminari
1 Korintasve 12


1 Korintasve 12

Dhuntitë Frymërore

A group of young men and young women enjoy each others’ company as they visit together in Paris France.

Pali u shkroi shenjtorëve në Korint për t’i ndihmuar ata të kuptonin nevojën e tyre për të qenë të bashkuar në Krishtin. Ai dha mësim se nëse të gjithë anëtarët do t’i dallonin dhe përdornin dhuntitë frymërore që kishin marrë nga Zoti, ata mund të ishin si pjesët e shumta të trupit që punojnë së bashku njëzëri. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të dallosh dhuntitë frymërore që Zoti të ka dhënë për t’i bekuar të tjerët dhe për të forcuar Kishën e Tij.

Dhuntitë frymërore. Zoti i bekon të gjithë anëtarët e Kishës së Tij me dhunti dhe aftësi frymërore. Përpiquni t’i zbuloni, zhvilloni dhe lartësoni këto dhunti frymërore për t’i shërbyer çdo nxënësi të seminarit dhe për t’i nxituar ata të bëjnë të njëjtën gjë.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përcaktojnë një ose dy dhunti frymërore që u janë dhënë. Nëse dëshirojnë, mund t’u kërkojnë pjesëtarëve të familjes ose njerëzve të tjerë të dashur që u mirëbesojnë, që t’i ndihmojnë për ta bërë këtë gjë. Kërkojuni nxënësve të përsiatin për dhuntitë e tyre dhe mënyrën se si ata po i përdorin ato për të bekuar të tjerët.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Marrja e dhuratave

Merreni parasysh të sillni një pako të paketuar si dhuratë në klasë dhe ta paraqitni atë gjatë këtij diskutimi.

  • Cila është një dhuratë kuptimplotë që ti ke marrë?

  • Çfarë ndikimi pati kjo dhuratë në jetën tënde? Çfarë të lejoi ajo të bëje?

  • Çfarë ndien për personin i cili ta dha dhuratën?

Ndërsa studion kapitullin te 1 Korintasve 12 , ti do të mësosh për dhuntitë frymërore që Ati Qiellor u jep fëmijëve të Tij. Kërko arsyen përse Ai i jep këto dhunti dhe kërko frymëzim nga Fryma e Shenjtë që të të ndihmojë të përcaktosh një dhunti që të është dhënë.

Zoti na jep dhunti frymërore

“Dhuntitë frymërore janë bekime ose aftësi që Perëndia ua jep fëmijëve të Tij nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Spiritual Gifts” [“Dhuntitë Frymërore”], topics.ChurchofJesusChrist.org).

Nxënësit mund të përfitojnë nga puna në grupe ndërsa studiojnë fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë. Çdo anëtar grupi mund të lexojë vargje të ndryshme dhe t’u raportojë të tjerëve në grupin e tij për atë që mësoi.

Mëso për dhuntitë frymërore duke lexuar te 1 Korintasve 12:3–11 . (Kije parasysh që fjala “veç e veç” te vargu 11 do të thotë “individualisht” ose “një e nga një”.)

  • Cilat janë disa dhunti frymërore që renditen në këto vargje?

Ka shumë dhunti të ndryshme frymërore. Për të mësuar për të tjerat, lexo te Moroni 10:8–18 ; Doktrina e Besëlidhje 46:11–26 dhe thënien vijuese nga Plaku Marvin J. Ashton (1915–1994), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Portrait of Marvin J. Ashton.

“Më lejoni të përmend disa dhunti që nuk janë gjithmonë të dukshme ose të vlefshme për t’u përmendur, por që janë shumë të rëndësishme … : dhuntia e bërjes së pyetjeve; dhuntia e të mbajturit vesh; dhuntia e të dëgjuarit dhe e përdorimit të një zëri të qetë; dhuntia e të qenit në gjendje të vajtojmë; dhuntia e shmangies së grindjes; … dhuntia e kërkimit të asaj që është e drejtë; dhuntia e mosgjykimit; dhuntia e të shikuarit te Perëndia për udhërrëfim; … dhuntia e përkujdesjes ndaj të tjerëve; dhuntia e aftësisë për të përsiatur; dhuntia për të ofruar lutje; dhuntia e dhënies së një dëshmie të fortë”.

(Marvin J. Ashton, “There Are Many Gifts”, Ensign, nëntor 1987, f. 20)

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për të studiuar, ftojini ata të tregojnë të vërtetat që mësuan rreth Zotit dhe dhuntive me të cilat Ai dëshiron të na bekojë.

  • Kë bekon Zoti me këto dhunti frymërore?

  • Çfarë të ndihmon kjo të kuptosh për Zotin?

Një e vërtetë që mund të dallosh, është se Zoti i jep çdo anëtari të Kishës së Tij të paktën një dhunti frymërore me të cilën t’i bekojë të tjerët.

Ftojini nxënësit të reflektojnë për dhuntitë e tyre frymërore. Nëse i ftuat të bënin përgatitjen e nxënësve në klasë, ftojini ata të mendojnë për bashkëbisedimin që patën me një pjesëtar të familjes ose dikë tjetër me të cilin folën për dhuntitë e tyre frymërore.

  • Çfarë ndien për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, duke e ditur që Ata të kanë bekuar me një dhunti frymërore?

  • Si mund të ndikojë njohuria se të është dhënë një dhunti frymërore në mënyrën se si e sheh identitetin tënd hyjnor?

  • Përse mendon se Perëndia i jep dhunti frymërore çdo anëtari të Kishës dhe jo vetëm disa anëtarëve?

Zoti do që ne ta bekojmë njëri-tjetrin

Ndërsa nxënësit mësojnë për pjesët e ndryshme të trupit dhe mënyrën se si secila është e nevojshme, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të kryejnë një detyrë që përfshin shumë anëtarë të klasës, siç është lëvizja e një sendi të madh në klasë. Një alternativë tjetër është t’i lejoni nxënësit të përdorin vetëm një dorë ndërkohë që punojnë së bashku për të ndërtuar një strukturë të vogël, për të grisur copa letre ose për të kryer një detyrë tjetër.

Lexo te 1 Korintasve 12:14–20 për të gjetur krahasimin që përdori Pali për të na ndihmuar të dallojmë rëndësinë e kontributeve tona individuale.

  • Me çfarë e krahason Pali Kishën në këtë fragment? Çfarë të mëson ky krahasim për dhuntitë frymërore?

  • Si je bekuar nga dhuntitë frymërore të të tjerëve?

Për të parë një shembull të dikujt i cili u tregoi të tjerëve për dhuntitë e tij frymërore, ti mund të shohësh materialin filmik “With All Your Heart” [“Me Gjithë Zemrën Tuaj”] (03:26), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, që tregon për një të ri i cili u thirr të përdorte një dhunti nga Zoti që e kishte zbuluar vetëm së fundmi. Ndërsa e sheh, kushtoju vëmendje nxitjeve nga Fryma e Shenjtë mbi mënyrën se si ti mund t’i përdorësh dhuntitë e tua për të bekuar të tjerët.

Merreni parasysh të ftoni disa vullnetarë të tregojnë për dhuntitë frymërore që shohin te vetja e tyre, te shokët e klasës ose te bashkëmoshatarët e tjerë dhe nxitini ata të shpjegojnë se si këto dhunti mund t’i bekojnë të tjerët. Si mësues, merreni parasysh nëse ndonjë nxënës do të përfitonte nga të treguarit, gjatë orës mësimore apo privatisht, se cilat dhunti frymërore janë të dukshme tek ai.

Përsiat se si të kanë bekuar ty dhuntitë frymërore që të janë dhënë, dhe për mënyrën se si mund t’i përdorësh ato për të bekuar familjen, lagjen ose degën tënde dhe të tjerët. Ti mund të duash ta mbash shënim në ditarin tënd të studimit çdo mbresë nga Fryma e Shenjtë për dhuntitë e tua.

Diskutojini disa apo të gjitha pyetjet vijuese ose ftojini nxënësit të përgjigjen për to në ditarin e tyre të studimit.

  • Si mendon, çfarë dëshiron Zoti që ti të kuptosh për veten dhe dhuntitë e tua frymërore?

  • Çfarë nxitjeje do t’i jepje dikujt i cili ndien sikur nuk ka dhunti frymërore?

  • Cila është dhuntia frymërore që ti dëshiron? Çfarë mund të bësh për ta kërkuar atë dhunti? (Zoti na ka ftuar t’i kërkojmë dhuntitë frymërore; shih 1 Korintasve 12:31 ; 14:1 ; Doktrina e Besëlidhje 46:7–9 .)

  • Cilat janë disa mënyra se si ti mund t’i përdorësh dhuntitë frymërore për t’i bekuar të tjerët? Si do të të ndihmojë kjo të bëhesh më i ngjashëm me Shpëtimtarin?

Ftojini nxënësit të tregojnë diçka që shkruan. Merreni parasysh të tregoni një përvojë apo dëshmi vetjake për dhuntitë frymërore.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Si mund t’i përdor dhuntitë e mia frymërore për t’u shërbyer të tjerëve?

Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, tregoi se si ne mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit:

Official portrait of Elder Dieter F. Uchtdorf of the Quorum of the Twelve Apostles, 2006. Called as Second Counselor in the First Presidency, 3 February 2008. Made official portrait in 2008 replacing portrait taken in 2004.

“Kur mendoj për Shpëtimtarin, shpesh e përfytyroj Atë me duar të shtrira, duke i zgjatur për të ngushëlluar, shëruar, bekuar dhe dashur. Dhe Ai gjithmonë foli me njerëzit, kurrë me përçmim [ndaj njerëzve]. Ai e deshi të përulurin e të butin dhe eci mes tyre, duke u shërbyer e duke u ofruar shpresë e shpëtim. 

Kjo është ajo çka Ai bëri gjatë jetës së Tij në vdekshmëri; është ajo çka do të ishte duke bërë nëse do të jetonte mes nesh sot; dhe është ajo çka ne duhet të jemi duke bërë si dishepuj të Tij dhe anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. … 

Kur ndjekim shembullin e Tij të përsosur, duart tona mund të bëhen duart e Tij; sytë tanë, sytë e Tij; zemra jonë, zemra e Tij.” 

(Diter F. Uhtdorf, “Ju Jeni Duart e Mia”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 68)

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Official portrait of Elder Dieter F. Uchtdorf of the Quorum of the Twelve Apostles, 2006. Called as Second Counselor in the First Presidency, 3 February 2008. Made official portrait in 2008 replacing portrait taken in 2004.

“Ne marrim dhunti frymërore në mënyrë që të bekojmë njerëz të tjerë. Nëse dëshira jonë është të marrim një dhunti sepse e duam atë, me siguri nuk kemi për ta marrë atë. Ndërsa përpiqemi t’u shërbejmë të tjerëve në përputhje me mësimet e Jezu Krishtit, atëherë ne bekohemi me dhunti frymërore dhe kapacitet të shtuar që e bën të mundur shërbimin.”

(David A. Bednar, në “Understanding Heavenly Father’s Plan”, ChurchofJesusChrist.org/prophets-and-apostles/unto-all-the-world/understanding-heavenly-fathers-plan)

Çfarë mund të bëj nëse nuk e ndiej se kam një dhunti frymërore të rëndësishme?

Këshilla nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, mund të gjendet në materialin filmik “Songs Sung and Unsung” [“Këngë të Kënduara e Të Pakënduara”] (nga kodi kohor 00:57 deri në 02:57). Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

Plaku Xhon C. Pingri i Riu, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi shembullin e një motre e cila mësoi se kishte një dhunti frymërore të cilën nuk e kishte vënë re:

Official Portrait of Elder John C. Pingree, Jr. Photographed in March 2017.

“Një ditë, një motër e shkurajuar u përgjërua: ‘Zot, cila është shërbesa ime vetjake?’ Ai u përgjigj: ‘Trego vëmendje ndaj të tjerëve’. Ajo ishte një dhuratë shpirtërore! Që atëherë, ajo ka gjetur gëzim ndërsa ka treguar vëmendje ndaj atyre që harrohen rëndom, dhe Perëndia ka punuar përmes saj për të bekuar shumë njerëz. Ndërkohë që, disa dhurata shpirtërore mund të mos jenë të shquara sipas standardeve të botës, ato janë thelbësore për Perëndinë dhe punën e Tij.”

(Xhon C. Pingri i Riu, “Unë Kam një Punë për Ty”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 33–34)

Çfarë duhet të bëj kur nuk ndihem në lartësinë e duhur për detyrat e Kishës?

Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, dha mësim:

Official portrait of Elder Dieter F. Uchtdorf of the Quorum of the Twelve Apostles, 2006. Called as Second Counselor in the First Presidency, 3 February 2008. Made official portrait in 2008 replacing portrait taken in 2004.

“Ju mund të ndieni se atje ka të tjerë që janë më të aftë ose më me përvojë, që mund të plotësojnë më mirë se ju thirrjet dhe detyrat tuaja, por Zoti ju ka dhënë juve përgjegjësitë tuaja për një arsye. Mund të ketë njerëz dhe zemra që vetëm ju mund t’u afroheni dhe t’i prekni. Ndoshta askush tjetër nuk do të mund ta bëjë atë pikërisht në të njëjtën mënyrë.”

(Diter F. Uhtdorf, “Ngrini Atje ku Ndodheni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 56)

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Secili ka rëndësi

Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se megjithëse secili është i ndryshëm, të gjithë janë të ftuar të vijnë te Krishti dhe të shërbejnë në Kishën e Tij. Ky mësim mund të ilustrohet duke përdorur një figurëformuese. Merreni parasysh t’i shkruani mbi një copë letër fjalët e vargut te 1 Korintasve 12:12 dhe më pas ta prisni letrën në pjesë të ndryshme, si një figurëformuese, e cila duhet të formohet nga nxënësit. Ftojini nxënësit ta lexojnë vargun dhe të diskutojnë mësimin që jep ai për Kishën e Jezu Krishtit.

Nxënësit mund të shikojnë gjithashtu materialin filmik “We Come Together and Unite as One” [“Mblidhemi së Bashku dhe Bashkohemi në Një”] (06:20), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.