Seminari
1 Korintasve 8–13


1 Korintasve 8–13

Vështrim i Përgjithshëm

Ndërsa Pali vazhdoi letrën e tij drejtuar korintasve, ai dha mësim se ne duhet të zgjedhim që të largohemi nga tundimi. Ai shpjegoi se burrat dhe gratë janë paracaktuar që të punojnë së bashku dhe ta përkrahin njëri-tjetrin ndërsa ndjekin Zotin. Ai dha mësim se nëse të gjithë anëtarët do t’i dallonin dhe përdornin dhuntitë frymërore që kishin marrë nga Zoti, ata mund të ishin si pjesët e shumta të trupit që punojnë së bashku njëzëri. Gjithashtu, ai shkroi me hollësi për dashurinë si ajo e Krishtit ose dashurinë hyjnore dhe arsyen përse ne duhet ta fitojmë atë.

Përgatituni të Jepni Mësim

Informacioni i mëposhtëm u ofron mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.

1 Korintasve 10

Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit të mbështeten te Jezu Krishti për ta mposhtur tundimin.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të studiojnë mësimin “1 Korintasve 10:1–13: Perëndia Siguron një Rrugëdalje nga Tundimi” tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023. Ndërsa studiojnë, ata mund të përsiatin mbi këtë pyetje: “Çfarë lloj rrugëdaljeje nga tundimi ka siguruar Ati Qiellor për ju?”

1 Korintasve 11

Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë më mirë arsyen përse burrat dhe gratë kanë nevojë për njëri-tjetrin për të fituar bekimet më të larta të planit të Atit Qiellor.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të kujtojnë se kur i kanë parë burrat dhe gratë të punojnë së bashku dhe ta përkrahin njëri-tjetrin. Nxitini ata të mendojnë për mënyrën se si këndvështrimet, aftësitë dhe pikat e forta të ndryshme të burrave dhe grave ndikojnë pozitivisht në marrëdhëniet martesore, familjare, komunitare dhe kishtare.

Zotërimi Doktrinor: 1 Korintasve 11:11

Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit ta rritin zotërimin e tyre të vargut te 1 Korintasve 11:11 ndërsa e mësojnë përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë, e shpjegojnë doktrinën dhe i zbatojnë në një situatë nga jeta reale parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë pjesën 3 të artikullit “Burrat dhe Gratë në Punën e Zotit” nga Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (New Era, prill 2014, f. 2–5; Liahona, prill 2014, f. 46–49), duke kërkuar të vërtetat që ne duhet të kuptojmë rreth doktrinës së Perëndisë për burrat dhe gratë.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh ta përshtatni ushtrimin e vënies në zbatim sipas keqkuptimeve ose situatave që paraqitin nxënësit në lidhje me rolet e burrave dhe grave në planin e Atit Qiellor. Nëse nxënësit ngrenë një llojshmëri keqkuptimesh ose situatash, ata mund të organizohen në dhoma virtuale të ndara për t’i diskutuar ato.

1 Korintasve 12

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të dallojnë dhuntitë frymërore që Zoti u ka dhënë atyre për t’i bekuar njerëzit e tjerë dhe për ta forcuar Kishën e Tij.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përcaktojnë një ose dy dhunti frymërore që u janë dhënë atyre. Nëse dëshirojnë, mund t’u kërkojnë pjesëtarëve të familjes ose njerëzve të tjerë të dashur që u mirëbesojnë, që t’i ndihmojnë për ta bërë këtë gjë. Kërkojuni nxënësve të përsiatin për dhuntitë e tyre dhe mënyrën se si ata po i përdorin ato për të bekuar të tjerët. 

  • Mësim me sende: Një pako e mbështjellë si dhuratë

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Pohimi nga Plaku Marvin J. Ashton për dhuntitë frymërore më pak të njohura

  • Materiali filmik: “With All Your Heart” [“Me Gjithë Zemrën Tuaj”] (03:26)

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të bëjnë pyetje për dhuntitë frymërore në veçorinë e bashkëbisedimit. Përshtateni mësimin sipas nevojës për të trajtuar pyetjet që ata bëjnë.

1 Korintasve 13

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë dashurinë e pastër të Jezu Krishtit për ta dhe t’i ndihmojë ata të kërkojnë dhuntinë e dashurisë hyjnore për ta ndier atë dashuri për të tjerët.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për një pjesëtar të familjes, shok ose individ tjetër me të cilin do të donin të kishin një marrëdhënie më të mirë. Kërkojuni nxënësve të marrin parasysh efektin që shfaqja e dashurisë më të madhe ndaj këtij personi mund të ketë në marrëdhënie.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i përdorni dhomat virtuale të ndara për t’i lejuar nxënësit të diskutojnë aspekte të dashurisë hyjnore dhe të mënyrës se si Shpëtimtari i shfaqi ato.