Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 1
Veproni me Besim
Njëri nga qëllimet e zotërimit doktrinor është të të ndihmojë të mësosh dhe zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti. Ky mësim synon të të ndihmojë ta kuptosh dhe vësh në zbatim parimin e veçantë të veprimit me besim te Jezu Krishti kur të dalin sfida dhe pyetje të vështira.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kur dalin sfida dhe pyetje të vështira
Gjatë vdekshmërisë, ne të gjithë hasim sfida dhe pyetje të vështira që mund të mos jenë të lehta për t’u zgjidhur. Lexojini skenarët e mëposhtëm ndërsa mendoni për përvoja të ngjashme që i keni pasur ju apo dikush që njihni.
Një i ri ka shumë pyetje rreth rregulloreve të Kishës dhe fillon të pyesë veten a është Kisha njëmend e vërtetë.
Një e re shikon një publikim në rrjetet sociale që e vë në dyshim doktrinën e Kishës. Tani ajo fillon të pyetë veten për atë doktrinë.
Një e re përsiat nëse lutjet marrin vërtet përgjigje pasi i vëllai vuan dhe vdes nga një sëmundje e pashërueshme, pavarësisht nga lutjet dhe bekimet në emër të tij.
-
Cilat janë disa nga mënyrat e ndryshme se si njerëzit mund të zgjedhin të përgjigjen kur përballen me sfida të vështira ose pyetje si këto?
Gjeni një çast për të reflektuar mbi përvojat tuaja me përballjen me sfida dhe pyetje të vështira. Mund të jetë e dobishme të mendoni për pyetjet e mëposhtme: A keni pasur sukses në gjetjen e përgjigjeve? Çfarë ju ka ndihmuar të gjeni paqen? Çfarë nuk ka funksionuar?
-
Cilat janë disa prej pyetjeve ose sfidave që keni (ose që kanë njerëz të tjerë që njihni) që nuk zgjidhen lehtë?
-
Përse mendoni se Ati Qiellor na lejon të kemi pyetje të pazgjidhura në vend që të na i japë gjithmonë përgjigjet?
Kur dalin pyetje, është e rëndësishme të kujtoni se Zoti na nxit të bëjmë pyetje dhe të kërkojmë përgjigje (shih Mateu 7:7–8 ; Jakobi [Bibël] 1:5–6 ; Doktrina e Besëlidhje 42:61). Bërja e pyetjeve dhe kërkimi i përgjigjeve është një pjesë thelbësore e përpjekjes sonë për të mësuar të vërtetën, e ndjekur nga zbatimi dhe të jetuarit me ato që kemi mësuar gjatë përpjekjes sonë për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari dhe Ati ynë Qiellor.
Tri parime që mund të na udhëheqin teksa kërkojmë t’i zgjidhim pyetjet ose çështjet dhe ta rritim kuptueshmërinë tonë për të vërtetën e përjetshme përfshijnë:
-
Veproni me besim.
-
Shqyrtojini konceptet e pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm.
-
Kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.
Të tria këto parime mund të jenë të rëndësishme për t’u përdorur kur përballeni me pyetje dhe shqetësime që nuk zgjidhen lehtë ose kur viheni para sprovave.
Veproni me besim
Ky mësim synon të të ndihmojë të kuptosh parimin e mëposhtëm: teksa veprojmë me besim, Zoti na jep paqe dhe forcë kur kërkojmë përgjigje për pyetjet dhe shqetësimet tona.
Përgjigjju për pyetjen vijuese në ditarin tënd të studimit.
-
Si mendon, çfarë do të thotë të veprosh me besim?
Thelloje kuptueshmërinë tënde mbi faktin se çfarë do të thotë të veprosh me besim duke plotësuar veprimtarinë e mëposhtme të të mësuarit. Mund të jetë e dobishme të studiosh me dikë tjetër që të mund ta ushtrosh shpjegimin sipas kuptueshmërisë sate dhe të mësosh nga të tjerët.
Silli ndër mend pyetjet dhe sfidat e vështira me të cilat po përballesh ose shqyrto skenarët në fillim të mësimit. Me një prej këtyre në mendje, ushtro zbatimin e asaj që ke mësuar për të vepruarit me besim duke u përgjigjur me sa më shumë hollësi që të mundesh ndaj pyetjeve të mëposhtme.
-
Cila është sfida apo pyetja që ke zgjedhur të ushtrosh për të vepruar me besim?
-
Cilat janë dy apo tri mënyrat me të cilat mund të veprojë dikush me besim në këtë situatë?
-
Çfarë mund ta bënte të vështirë në këtë situatë të vepruarit me besim te Jezu Krishti? Si mund t’i kapërcesh këto sfida?
-
Çfarë do të doje të mbaje mend konkretisht për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin teksa ndodhesh në këtë situatë? Si mund të të ndihmojë mbajtja mend e këtyre gjërave?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
A është gabim të kemi pyetje rreth ungjillit?
Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dha mësim rreth vlerës së pyetjeve të sinqerta:
“Është e natyrshme të kemi pyetje – fara e kërkimit të çiltër shpesh është çelur dhe është rritur në një dushk të madh të të kuptuarit. Ka pak anëtarë të Kishës të cilët, në një kohë apo në një tjetër, nuk janë munduar me pyetje serioze ose të ndjeshme. Një nga qëllimet e Kishës është të ushqejë dhe kultivojë farën e besimit – ndonjëherë edhe në tokën plot rërë të dyshimit dhe pasigurisë. Besimi është të shpresosh për gjëra që nuk shihen, por të cilat janë të vërteta.
Prandaj, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura – miqtë e mi të dashur – ju lutem, së pari kini dyshim te dyshimet tuaja përpara se të keni dyshim te besimi juaj. Ne kurrë nuk duhet ta lejojmë dyshimin që të na mbajë të burgosur dhe të na largojë nga dashuria hyjnore, paqja dhe dhuratat që vijnë nëpërmjet besimit te Zoti Jezu Krisht.”
(Diter F. Uhtdorf, “Ejani, Bashkohuni me Ne”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 23.)
Si mund ta rrit aftësinë time për të vepruar me besim?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim për një proces që mund të ndërmarrim për ta rritur besimin tonë:
“Besimi ynë rritet çdo herë që ushtrojmë besimin tonë në Të. Kjo është domethënia e të mësuarit me anë të besimit.
Për shembull, kurdo që kemi besimin të jemi të bindur ndaj ligjeve të Perëndisë – edhe kur opinionet e përhapura na nënçmojnë – ose sa herë i rezistojmë argëtimit ose ideologjive që përlëvdojnë shkeljen e besëlidhjeve, ne po ushtrojmë besimin tonë, i cili nga ana tjetër e rrit besimin tonë.”
(Rasëll M. Nelson, “Përqafojeni të Ardhmen me Besim”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 75.)
Skenarë nga jeta reale të individëve që veprojnë me besim
Merreni parasysh ta shihni këtë material filmik, duke kërkuar se çfarë mund të mësoni nga këta individë që mund t’ju ndihmojë të veproni me besim kur keni pyetje ose sfida të vështira.
Përse nuk duhet të kem frikë nga pyetjet e pazgjidhura?