Lluka 1:1–38
“Me Perëndinë Asgjë S’është e Pamundshme”
Engjëlli Gabriel erdhi te Maria për të njoftuar lindjen e Jezu Krishtit. Ai dëshmoi se “me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme” (Lluka 1:37). Përgjigjja besnike e Marias mund t’ju ndihmojë të mësoni se si t’i përgjigjeni vullnetit të Zotit me besim më të madh tek Ai.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
-
Kush do të thoje se janë gratë më me ndikim në jetën tënde?
Në këtë mësim, ju do të mësoni më shumë për Marien, nënën e Jezu Krishtit.
-
Si mendon, pse Maria duhet të konsiderohet një nga gratë më me ndikim në historinë e botës?
Jeta dhe misioni i Maries u profetizuan shumë vjet para lindjes së saj. Studioji profecitë e mëposhtme për Marien, duke kërkuar ato që të mësojnë për të.
-
Çfarë mësove për Marien nga këto shkrime të shenjta?
Hyrje tek Ungjilli sipas Llukës
Rrëfimi i Maries që mëson se ajo do të ishte nëna e Jezu Krishtit është shënuar në Ungjillin sipas Llukës.
Lluka ishte një mjek (shih Kolosianëve 4:14) dhe “një lajmëtar i Jezu Krishtit” ( Joseph Smith Translation, Luke 1:1 [te Lluka 1:1, poshtëshënimi a te Bibla në anglisht]). Shumë ngjarje nga jeta e Shpëtimtarit gjenden vetëm tek Ungjilli sipas Llukës, duke përfshirë njoftimin e engjëllit ndaj Maries se ajo do të ishte nëna e Birit të Perëndisë. Kjo ngjarje njihet si Lajmërimi.
Teksa e studion këtë rrëfim dhe shembullin besnik të Maries, kushtoji vëmendje asaj që mëson dhe nxitjeve shpirtërore që merr.
Engjëlli Gabriel i shfaqet Marias
Lexoje vargun te Lluka 1:26–37 , duke kërkuar hollësi në lidhje me njoftimin e engjëllit për Marien.
-
Cilat hollësi nga njoftimi të bënë më shumë përshtypje?
-
Çfarë pyetjesh ke për ato që lexon?
Një e vërtetë që mund të kesh vënë re nga ky rrëfim është se me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi një nga mënyrat se si kjo e vërtetë gjen zbatim për ty:
“Do t’ju kërkohet të pranoni detyra sfiduese dhe të bëheni një mjet në duart e Zotit. Dhe Ai do t’jua mundësojë juve që ta arrini të pamundurën.”
(Rasëll M. Nelson, “Të Bërit Mijëvjeçaristë të Vërtetë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 10 janar 2016], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)
-
Çfarë mund të të kërkojë Zoti të bësh që mund të duket e pamundur?
-
Pse këto gjëra ndonjëherë duken të pamundura për t’u përmbushur?
Ndonjëherë kur përballemi me detyra që duken të pamundura për t’u përmbushur, mund të jetë e dobishme të shohim shembujt e të tjerëve që u janë përgjigjur besnikërisht rrethanave të tyre të vështira.
Lexoje vargun te Lluka 1:38 , dhe kërko mënyrën si u përgjigj Maria pasi mësoi se do të ishte nëna e Jezusit.
-
Çfarë të ndihmon përgjigjja e Marias që të kuptosh për të?
-
Cilat të vërteta mendon se do ta ndihmonin një person që të besonte te Zoti po ashtu si Maria, edhe kur diçka që kërkon Zoti mund të duket e pamundur?
Mendoni për diçka që Zoti të ka kërkuar të bësh që mund të duket e pamundur. Teksa lexon më shumë nga thënia e Presidentit Nelson, kërko gjëra të veçanta që mund të bësh për të të ndihmuar të arrish të pamundurën:
Si do ta arrish të pamundurën? “Duke bërë çfarëdo gjëje të nevojshme për ta forcuar besimin tuaj te Jezu Krishti me anë të rritjes së kuptueshmërisë suaj për doktrinën e dhënë mësim në Kishën e Tij të rivendosur dhe me anë të kërkimit me ngulm të së vërtetës. … Kur ju kërkohet të bëni gjëra të pamundura, do të jeni në gjendje të bëni një hap përpara me besim e ngulm të paepur dhe do ta bëni me gëzim gjithçka që është në fuqinë tuaj për t’i përmbushur qëllimet e Zotit.
Do të keni ditë kur do të jeni krejtësisht të shkurajuar. Pra, lutuni për guximin që të mos dorëzoheni!”
(Rasëll M. Nelson, “Të Bërit Mijëvjeçaristë të Vërtetë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 10 janar 2016], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)
-
Për cilin veprim nga thënia e Presidentit Nelson do të doje të ishe më i/e mirë?
-
Si mendon se përmirësimi në këtë fushë mund të të ndihmojë të arrish atë që duket e pamundur në jetën tënde?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Pse ta studiojmë Ungjillin sipas Llukës?
Disa nga tregimet më të njohura të krishterimit janë të pashoqe në Ungjillin sipas Llukës: rrethanat në lidhje me lindjen e Gjon Pagëzorit (shih Lluka 1:5–25, 57–80); tregimi tradicional i Krishtlindjes (shih Lluka 2:1–20); historia e Jezusit si një djalë 12-vjeçar në tempull (shih Lluka 2:41–52); shëmbëlltyra të tilla si samaritani i mirë (shih Lluka 10:30–37); djali plëngprishës (shih Lluka 15:11–32) dhe pasaniku dhe Llazari (shih Lluka 16:19–31); historia e dhjetë lebrosëve (shih Lluka 17:11–19); dhe rrëfimi i Zotit të ringjallur duke ecur pranë dishepujve të Tij në rrugën për në Emaus (shih Lluka 24:13–32).
Karakteristika të tjera të pashoqe janë përfshirja në librin e Llukës të mësimeve të Gjon Pagëzorit që nuk gjenden në Ungjijtë e tjerë (shih Lluka 3:10–14); theksi i tij te shpirti plot lutje i Jezu Krishtit (shih Lluka 3:21 ; 5:16 ; 9:18, 28–29 ; 11:1); dhe përfshirja prej tij e thirrjes, trajnimit dhe punës misionare të Të Shtatëdhjetëve (shih Lluka 10:1–22). Për më tepër, Lluka është i vetmi shkrues i Ungjillit që shënon se Shpëtimtari derdhi gjakun e Tij në Gjetseman dhe se një engjëll i shërbeu Atij (shih Lluka 22:43–44).
Lluka 1:26.
Kush ishte engjëlli Gabriel?
Profeti Jozef Smith (1805–1844) dha mësim për identitetin e engjëllit Gabriel:
“Noeu … [është] Gabrieli; ai qëndron pas Adamit në autoritetin në Priftëri; ai u thirr nga Perëndia në këtë detyrë dhe ishte ati i të gjithëve që jetonin në kohën e tij, dhe atij iu dha autoriteti.”
(Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 108.)
Lluka 1:27.
Çfarë do të thotë se Maria ishte “e fejuar me … Jozef[in]”?
Në Izraelin e lashtë, kur bihej dakord për martesë, dasma përbëhej nga dy faza: fejesa (i quajtur gjithashtu premtimi i marrjes për grua; shih Mateu 1:18) dhe ceremonia e dasmës. Ndonëse çiftet e fejuara konsideroheshin ligjërisht si burrë dhe grua (shih Ligji i Përtërirë 22:23–24), midis kohës së fejesës dhe ceremonisë së dasmës, përforcohej një kod i rreptë dëlirësie (shih Mateu 1:18–25 ; shih gjithashtu New Testament Student Manual[2014], f. 13).
Lluka 1:30–35.
Çfarë dimë për shtatzëninë që i ndodhi si mrekulli Maries?
Kur Maria pyeti se si mund të bëhej nëna e Jezusit, “përderisa unë nuk njoh burrë“ ( Lluka 1:34), Gabrieli thjesht e informoi atë se do të mbulohej nga hija e Frymës së Shenjtë dhe se fëmija e saj do të ishte Biri i Perëndisë (shih Lluka 1:35). Shkrimet e tjera të shenjta që i referohen ngjizjes së Jezu Krishtit gjithashtu theksojnë se Ai është Biri i Perëndisë por nuk zbulojnë se si ndodhi kjo mrekulli (shih Mateu 1:18–20 ; 1 Nefi 11:14–15, 18–21 ; Alma 7:10).