Lluka 1:39–79
Gëzohuni dhe Lavdërojeni Perëndinë
Ndërsa ishte shtatzënë me Jezusin, Maria vizitoi kushërirën e saj, Elizabetën dhe u gëzua me të për mirësinë e Perëndisë. Ky mësim do të të japë mundësi të njohësh mirësinë e Perëndisë dhe të japësh lavdërimet e tua për të.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
-
Si mendon, pse këndojmë himne për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin si pjesë e adhurimit tonë ndaj Tyre?
-
Cili është një himn apo një rresht nga një himn që nxjerr në pah mirësinë e Tyre?
Gjej një çast për të menduar se çfarë ndien për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Reflekto mbi arsyet që duhet t’i lavdërosh Ata dhe se sa shpesh i shpreh ndjenjat e tua rreth Tyre në një mënyrë të caktuar.
Në këtë mësim, do të kesh mundësinë të mendosh më shumë rreth arsyes dhe mënyrës se si mund ta lavdërosh Perëndinë dhe të gëzohesh për jetën dhe misionin e Jezu Krishtit.
Maria dhe Elizabeta gëzohen së bashku për mirësinë e Perëndisë
Ndërsa Maria ishte shtatzënë me Jezusin, ajo shkoi për të vizituar Elizabetën, kushërirën e saj të moshuar, shtatzënia e së cilës ishte gjithashtu një mrekulli. Pas ardhjes së Marisë, foshnja e Elizabetës, që do të ishte Gjon Pagëzori “nga gëzimi kërceu në barkun e [Elizabetës]” ( Lluka 1:44). Kjo nisi një bashkëbisedim midis Marisë dhe Elizabetës në të cilën Maria u gëzua dhe lavdëroi Perëndinë.
Lexo te Lluka 1:46–55 . Ndërsa i studion fjalët e Marisë, ndalu dhe reflekto mbi kuptimin e fjalëve ose frazave specifike. Bërja e ndalesave dhe reflektimi mund të ftojnë frymëzim nga Fryma e Shenjtë për të të ndihmuar t’i kuptosh më thellësisht shkrimet e shenjta. Për shembull, mund të bësh një ndalesë te fjalët “ultësinë” ose “shërbëtores” në vargun 48 . Këto fjalë mund të japin ide për përulësinë dhe nderimin e Marisë ndaj Perëndisë. Fjalët në këtë varg mund të të ndihmojnë të shohësh se Perëndia i njeh dhe i do fëmijët e Tij pavarësisht nga rrethanat e tyre. Nëse është e dobishme, merr parasysh të kërkosh kuptimin e fjalëve që nuk i kupton duke përdorur një fjalor ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Për cilat fjalë bëre një ndalesë që të mendoheshe? Çfarë mësove?
-
Për cilat fjalë ose fraza ke ende pyetje?
-
Çfarë të vërtetash rreth Perëndisë mëson nga dëshmia e Marisë?
Ne mund të gëzohemi për mirësinë e Perëndisë
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga përvoja e Marisë është se ndërsa e marrim parasysh ndikimin e Perëndisë në jetën tonë, ne mund të gëzohemi.
-
Si mendon, pse njohja e bekimeve të Perëndisë në jetën tënde mund të të ndihmojë të ndiesh gëzim?
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi se si e ka bekuar kujtimi i mirësisë së Perëndisë.
“Teksa kam menduar për dhuratat nga Ati ynë Qiellor dhe nga Jezu Krishti, unë kam arritur të njoh dashurinë e Tyre të pafundme dhe dhembshurinë e Tyre të cilën nuk arrijmë dot ta kuptojmë, për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor [shih 2 Nefi 26:33 ]. Kjo njohuri më ka ndryshuar mua dhe do t’ju ndryshojë edhe ju.”
(Dejll G. Renland, “Kini Parasysh Mirësinë Dhe Madhështinë e Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 44.)
Plotësoji hapat e mëposhtëm për të të ndihmuar të njohësh bekimet e Atit Qiellor dhe ta lavdërosh Atë për mirësinë e Tij.
Hapi 1:
Reflekto mbi përgjigjet e tua për pyetjet e mëposhtme.
-
Cilat janë disa bekime nga Ati Qiellor për të cilat je më shumë mirënjohës/e?
-
Çfarë të ndihmojnë këto bekime të kuptosh për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
-
Kur ke ndier gëzim për shkak të njohjes së bekimeve të Perëndisë për ty ose dikë që e njeh?
-
Cila histori apo cili varg nga shkrimet e shenjta të ndihmon të dëshirosh ta lavdërosh Perëndinë?
Hapi 2: Zgjidh se si do ta lavdërosh Perëndinë. Këtu janë disa ide që nga të cilat mund të zgjedhësh:
-
Të shkruash një poezi ose këngë.
-
Të vizatosh një figurë.
-
Të bësh një lutje mirënjohjeje.
-
T’i japësh dëshminë tënde dikujt.
-
Të shkruash në një ditar personal.
-
T’i shprehësh ndjenjat e tua për Perëndinë në rrjetet sociale.
Ti gjithashtu mund të kesh një ide tënden. Pasi ta kesh bërë zgjedhjen, fillo të veprosh. Nëse nuk është e mundur të fillosh tani, shkruaj një plan të hollësishëm të asaj që do të bësh. Për shembull, nëse do të bësh një lutje mirënjohjeje, mund të shkruash se kur dhe ku do të lutesh dhe për çfarë mund të shprehësh mirënjohje. Mund t’ia shprehësh idetë e tua një prindi ose udhëheqësi/eje të Kishës që mund të të kujtojë ta zbatosh planin.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Lluka 1:46–55 . Pse Maria po e lavdëron Zotin?
Vargjet 46–55 te Lluka 1 njihen tradicionalisht si Kënga e Marisë. Këto lavdërime e lidhin lindjen e Jezu Krishtit me të kaluarën e shenjtë të Izraelit. Fjalët kremtojnë mëshirën e Zotit duke arritur edhe një herë të bekojë dhe nderojë popullin e Tij – veçanërisht “të përulurit” ( Lluka 1:52).
Lluka 1:53 . Si i mbush Zoti “me të mira të uriturit”?
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi rreth ftesës së Shpëtimtarit për të ardhur tek Ai dhe për t’u mbushur:
“Unë lutem këtë mëngjes që të gjithë ata që janë të uritur dhe të etur, dhe nganjëherë duke u endur, ta dëgjojnë këtë ftesë nga Ai që është Buka e Jetës, Burimi i Ujit të Gjallë, Bariu i Mirë i të gjithëve ne, Biri i Perëndisë: ‘Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, … ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj’ [ Mateu 11:28–29 ]. Me të vërtetë, Ai i mbush “me të mira të uriturit”, siç dëshmoi nëna e vet Maria [ Lluka 1:53 ]. Ejani, dhe ushqehuni nga tryeza e Zotit me atë që dëshmoj se është Kisha e Tij e vërtetë dhe e gjallë, e udhëhequr nga një profet i vërtetë dhe i gjallë.”
(Jeffrey R. Holland, “He Hath Filled the Hungry with Good Things”, Ensign, nëntor 1997, f. 66.)
Çfarë mund të ndodhë kur e kujtojmë mirësinë e Perëndisë?
Plaku Din M. Dejvis, i Të Shtatëdhjetëve, na mësoi sa vijon për atë që ndodh kur e dallojmë se si po na bekon Perëndia:
“Çdo ditë, por veçanërisht në ditën e Shabatit, ne kemi mundësinë e jashtëzakonshme të përjetojmë mrekullinë dhe çudinë e qiellit dhe t’i ofrojmë lavdet tona Perëndisë për mirësinë e bekuar dhe mëshirën e Tij të jashtëzakonshme. …
Kur adhurojmë, zemra jonë i thërret në lavde Perëndisë sonë të bekuar, në mëngjes, drekë e darkë.
Ne e përlëvdojmë dhe e nderojmë Atë vazhdimisht – në shtëpitë tona të mbledhjeve, banesat, tempujt dhe në të gjitha punët tona.
Kur adhurojmë, ne ia hapim zemrën tonë fuqisë shëruese të Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Jeta jonë bëhet shenja dhe shprehësia e adhurimit tonë.”
(Din M. Dejvis, “Bekimet e Adhurimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 94–95.)