Veprat e Apostujve 10, Pjesa 1
“Perëndia Nuk Tregohet i Anshëm”
Kur Jezusi iu shfaq dishepujve të Tij pas Ringjalljes së Tij, Ai i urdhëroi ata t’ia shpërndanin ungjillin të gjithë botës (shih te Mateu 28:19–20). Më përpara ungjilli u ishte shpërndarë kryesisht judenjve dhe Pjetri dhe dishepujt e tjerë vazhduan t’i përqendronin përpjekjet e tyre misionare tek ata. Korneli, një johebre që e donte Perëndinë dhe kërkonte udhërrëfimin e Tij, u udhëzua nëpërmjet një lajmëtari qiellor të kërkonte Apostullin Pjetër. Në të njëjtën kohë, Pjetri pati një vegim që e ndihmoi atë të kuptonte më mirë mënyrën se si Ati Qiellor ndihet për të gjithë fëmijët e Tij. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i shohësh njerëzit e tjerë më shumë në mënyrën siç i shohin Ati Qiellor dhe Jezusi.
Çfarë sheh?
Vështroji retë (jashtë në natyrë ose në këtë foto) dhe përshkruaj atë që sheh.
-
Përse dy njerëz mund të shohin të njëjtat re dhe të shohin gjëra të ndryshme?
-
Përse dy njerëz mund të shohin një person tjetër dhe ta shohin atë ndryshe?
-
Çfarë di ti për mënyrën se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e shohin secilin prej nesh?
Ndërsa studion, kujto se mënyra se si ti i sheh njerëzit mund të ndryshojë ndonjëherë nga mënyra se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i shohin ata. Lejo që Fryma e Shenjtë të të udhërrëfejë rreth asaj që mund të të duhet të bësh për t’i përputhur më plotësisht pikëpamjet e tua me pikëpamjet e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
Pjetri i jep mësim Kornelit, një johebreu
Deri në këtë pikë në kohët e Dhiatës së Re, ungjilli u qe predikuar, me pak përjashtime, vetëm judenjve, sipas udhëzimit nga Shpëtimtari (shih te Mateu 10:5–6). Ishin disa anëtarë të Kishës së Krishtit të cilët ishin johebrenj (jojudenj) nga lindja, por ata ishin të kthyer tashmë në besim në Judaizëm përpara se të ndiqnin Krishtin. Mirëpo, Shpëtimtari u tha dishepujve të Tij se pasi Fryma e Shenjtë të vinte mbi ta, ata do ta predikonin ungjillin “deri në skajin e dheut” ( Veprat e Apostujve 1:8). Te Veprat e Apostujve 10 ne lexojmë rreth një ndryshimi të rëndësishëm në mënyrën se si vepronte Kisha, që do ta lehtësonte këtë gjë.
Lexo nga Veprat e Apostujve 10:1–8 për të mësuar rreth Kornelit. Kërko tregues të mënyrës se si Ati Qiellor e shihte atë.
-
Çfarë mësove rreth Kornelit nga këto vargje?
-
Çfarë gjete që tregon mënyrën se si Ati Qiellor u ndje për Kornelin?
Ndërkohë që njerëzit e Kornelit po udhëtonin për të gjetur Apostullin Pjetër, Zoti po e mësonte Pjetrin rreth mënyrës se si Ai i sheh të gjithë njerëzit.Lexo te Veprat e Apostujve 10:9–16 dhe vizato një figurë të mënyrës se si ti mendon se mund të ketë qenë vegimi i Pjetrit.
-
Përse Pjetri ishte i shqetësuar për atë që u udhëzua të bënte në vegim?
Pjetri u rrit si jude, duke ndjekur urdhërimet dhe traditat e ligjit të Moisiut. Ky ligj përmbante kërkesa të rrepta mbi mënyrën se si njerëzit duhet dhe nuk duhet të ushqeheshin (shih te Levitiku 11). Kafshët që judenjtë lejoheshin t’i hanin, quheshin “të pastra” ndërkohë që kafshët që Perëndia i ndalonte judenjtë t’i hanin, quheshin “të papastra”.
Pjetri nuk e kuptoi në fillim kuptimin e plotë të vegimit. Ndërsa e përsiaste atë, burrat e dërguar nga Korneli arritën. Shpirti i tha Pjetrit të shkonte me këta burra në shtëpinë e Kornelit (shih te Veprat e Apostujve 10:17–20).
Lexo te Veprat e Apostujve 10:25–29, 34–35 , duke kërkuar atë që Pjetri arriti të mësonte rreth kuptimit të vegimit që mori.
Kërko te vargu 34 të vërtetën që Pjetri mësoi rreth mënyrës se si Ati Qiellor i sheh të gjithë fëmijët e Tij. Merre parasysh të shenjosh të vërtetën që gjete.
Merreni parasysh të shpërndani thënie nga pjesa “Komente dhe Informacion për Rrethanat” sipas nevojës gjatë këtij diskutimi.
Shkruaj në ditarin tënd të studimit domethënien që ka për ty fjalia “Perëndia nuk tregohet i anshëm”.
-
Si mendon se zbulesa e Atit Qiellor e ndryshoi zemrën dhe këndvështrimin e Pjetrit? Si mund t’i ndryshojë të kuptuarit e kësaj zbulese zemrat e njerëzve sot?
Kur Pjetri e kuptoi se Perëndia donte që ungjilli t’u mësohej të gjithë njerëzve, ai ia predikoi mesazhin e Jezu Krishtit Kornelit dhe familjes e miqve të tij (shih te Veprat e Apostujve 10:36–43).
-
Si mendon se jeta dhe misioni i Jezu Krishtit e demonstrojnë dashurinë e Perëndisë për të gjithë njerëzit?
-
Si mund të ndikojë mbajtja mend e mënyrës se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i vlerësojnë të gjithë njerëzit në mënyrën se si ti i sheh dhe i trajton të tjerët?
-
Çfarë mund të bësh për të kërkuar ndihmën e Atit Qiellor për t’i parë të tjerët ashtu siç i sheh Ai?
Ndërkohë që Pjetri dëshmoi për Jezu Krishtin, Fryma e Shenjtë erdhi mbi Kornelin dhe familjen e tij. Më pas Pjetri i ftoi ata të pagëzoheshin (shih te Veprat e Apostujve 10:44–48). Zbulesa e Perëndisë ndaj Pjetrit ndryshoi praktikat e Kishës dhe ungjilli filloi t’u predikohej të gjitha kombeve.
Mendo për mënyrën se si bota ose vendi, lagjja, shkolla ose familja jote do të ishin ndryshe nëse të gjithë fëmijët e Atit Qiellor do ta shihnin njëri-tjetrin në mënyrën se si Ai na sheh ne.
Përzgjidh një nga këto mjedise. Shpjego çfarë ndryshimesh mund të shihje nëse njerëzit në këtë mjedis do t’i shihnin të tjerët në mënyrën që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i shohin ata.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Kë do të pranojë Jezu Krishti në Kishën dhe në mbretërinë e Tij?
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:
“Secili prej nesh ka një potencial hyjnor ngaqë secili është një fëmijë i Perëndisë. Secili është i barabartë në sytë e Tij. Nënkuptimet e kësaj të vërtete janë të thella. Vëllezër e motra, ju lutem dëgjojeni me kujdes atë që do t’ju them tani. Perëndia nuk e do një racë më shumë sesa një tjetër. Doktrina e Tij për këtë çështje është e qartë. Ai i fton të gjithë të vijnë tek Ai, ‘të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra’ [ 2 Nefi 26:33 ].
Ju siguroj se gjendja juaj para Perëndisë nuk përcaktohet nga ngjyra e lëkurës suaj. I favorizuar ose jo nga Perëndia varet nga përkushtimi juaj ndaj Perëndisë dhe urdhërimeve të Tij dhe jo nga ngjyra e lëkurës suaj.”
(Rasëll M. Nelson, “Lejoni Perëndinë të Triumfojë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 94.)
Veprat e Apostujve 10:45 . Çfarë do të thotë “dhurata e Frymës së Shenjtë”?
Te Veprat e Apostujve 10:45 , fraza “dhurata e Frymës së Shenjtë” i drejtohet fuqisë së Frymës së Shenjtë, që kishte ardhur mbi këta johebrenj. Kjo është e ndryshme nga dhurata e Frymës së Shenjtë, të cilën e marrim nëpërmjet ordinancës së konfirmimit pas pagëzimit (shih te Veprat e Apostujve 8:14–17 ; shih edhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 94).
Si e ndryshoi vegimi i Pjetrit praktikën e Kishës?
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Me anë të kësaj përvoje dhe zbulese ndaj Pjetrit, Zoti i ndryshoi praktikat e Kishës dhe u zbuloi dishepujve të Tij një kuptueshmëri më të plotë. Dhe kështu predikimi i ungjillit u zgjerua për të përfshirë të gjithë njerëzimin.”
(D. Tod Kristoferson, “Doktrina e Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 88.)
Çfarë ngjashmërish ka vegimi i Pjetrit me zbulesën për ta shtrirë priftërinë te të gjithë anëtarët meshkuj të denjë të Kishës?
Burimet vijuese mund të jenë të dobishme nëse dëshironi të kuptoni më shumë rreth zbulesës së vitit 1978 në të cilën Ati Qiellor e shtriu shugurimin e priftërisë te të gjithë anëtarët meshkuj të denjë të Kishës: