Veprat e Apostujve 11, 15
Shpëtimtari e Drejton Kishën e Tij përmes Zbulesës
Jezusi u tha Apostujve të Tij se ungjilli do t’u predikohej të gjitha kombeve. Megjithatë, kjo gjë do të kërkonte ndryshime të vështira për traditat judease të mbajtura për shumë kohë. Me Ngritjen e Jezusit në qiell, këto ndryshime duhet të bëheshin përmes zbulesës. Ky mësim ka për qëllim të thellojë njohuritë e tua rreth mënyrës se si Shpëtimtari e drejton Kishën e Tij përmes zbulesës ndaj profetit dhe apostujve të Tij.
Pyetja e një shoku
Përfytyro sikur një shok që nuk është i besimit tënd, mëson rreth besimit tënd në profetët dhe apostujt bashkëkohorë. Megjithëse shoku yt beson te profetët dhe apostujt e Biblës, ai e ka të vështirë ta pranojë idenë që Perëndia punon përmes tyre sot. Ai të pyet: “Si u flet Jezusi profetit dhe apostujve?”
-
Sa i sigurt je në aftësinë tënde për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje?
-
Çfarë do t’i thoshe shokut tënd?
Ndërkohë që ka disa mënyra për t’u përgjigjur, Veprat e Apostujve 11 dhe 15 ilustrojnë dy mënyra se si Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij përmes zbulesës.
Zbulesë dhënë profetit
Pas vegimit të Pjetrit dhe përvojës me Kornelin (shih te Veprat e Apostujve 10), ai udhëtoi drejt Jerusalemit dhe ua dha mësim këto të vërteta të sapozbuluara udhëheqësve të tjerë të Kishës.
Pasi mbërriti në Jerusalem, Pjetri ia tregoi vegimin dhe përvojën e tij Kornelit (shih te Veprat e Apostujve 11:1–18).
Lexo te Veprat e Apostujve 11:4–18 , duke kërkuar mënyrën se si ti e sheh Perëndinë që udhëheq Kishën.
-
Çfarë mëson nga ky rrëfim rreth mënyrës se si Zoti e drejton Kishën e Tij?
Nga përvoja e Pjetrit mësojmë se Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij me anë të zbulesës për profetin e Tij, Apostullin me më shumë kohë në detyrë.
-
Si të ka ndihmuar njohja e kësaj të vërtete të forcosh dëshminë tënde për Jezu Krishtin dhe profetin e Tij?
-
Përse beson se Kisha sot po udhërrëfehet nga zbulesa dhënë profetit të Zotit?
Zbulesë përmes këshillave
Një shembull tjetër i mënyrës se si Shpëtimtari ua jep zbulesën profetëve dhe apostujve të Tij është i ilustruar te Veprat e Apostujve 15 .
Misionarët Pali dhe Barnaba mësuan dhe pagëzuan shumë johebrenj. Disa të krishterë judeas erdhën në Antioki dhe dhanë mësim që meshkujt johebrenj të kthyer në besim duhet të zbatonin ligjin e Moisiut duke u rrethprerë përveçqë të jetonin ungjillin e dhënë mësim nga Jezu Krishti dhe Apostujt e Tij (shih te Veprat e Apostujve 15:1, 5 ; shih gjithashtu Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “ Rrethprerje ”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Lexo te Veprat e Apostujve 15:2 për të parë se si Pali dhe Barnaba u munduan ta zgjidhnin problemin.
-
Si mendon, përse Pali dhe Barnaba kërkuan udhërrëfim nga udhëheqësit e Kishës në Jerusalem?
Një e vërtetë që ilustrohet te Veprat e Apostujve 15 është që duke u këshilluar së bashku dhe duke kërkuar zbulesë nga Perëndia, udhëheqësit e Kishës marrin frymëzim për probleme të vështira. Ndërsa Pjetri dhe udhëheqës të tjerë të Kishës u këshilluan së bashku, ata morën udhërrëfim nga Perëndia. Ata dërguan letra ku i informonin anëtarët e Kishës për vendimin e tyre të frymëzuar për të mos kërkuar rrethprerje për johebrenjtë e kthyer në besim dhe ata përfshinë një ftesë për t’iu bindur urdhërimeve të tjera.
Këshilli është një grup njerëzish që mblidhen bashkë për të diskutuar çështje me rëndësi dhe mënyrën se si t’u përgjigjen atyre. Për të kuptuar më shumë rreth mënyrës se si funksionon një këshill në Kishë, lexo sa vijon nga Manuali i Përgjithshëm:
“Udhëheqësi [i këshillit] i nxit anëtarët të flasin hapur dhe sinqerisht. Rrethanat, moshat, përvojat dhe këndvështrimet e ndryshme të anëtarëve të këshillit e pasurojnë këshillin. Anëtarët tregojnë sugjerimet e tyre dhe dëgjojnë njëri-tjetrin me respekt. Ndërsa ata kërkojnë të dinë vullnetin e Perëndisë, mund të mbizotërojë një frymë frymëzimi dhe uniteti.”
(Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 4.4.3, ChurchofJesusChrist.org)
-
Si do ta përmblidhje atë se çfarë është një këshill në Kishë?
Këshilli i Jerusalemit
Lexo te Veprat e Apostujve 15:6–15, 22–28 , duke kërkuar prova për pjesët e ndryshme të një këshilli. Kopjoje tabelën e mëposhtme në ditarin tënd të studimit. Në kolonën djathtas, shkruaj fjalë ose fraza nga vargjet që përkojnë me frazat në kolonën majtas.
Funksionon nën çelësat e priftërisë | |
I përqendruar në të mirën e individëve dhe familjeve | |
Lejon që anëtarët e këshillit të shprehen | |
Çon në unitet |
Udhëheqësit e sotëm i përdorin gjithashtu këshillat për të ftuar udhërrëfimin e Zotit në çështjet e Kishës. Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi sa vijon:
“Kur mblidhemi si Këshill i Presidencës së Parë dhe i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, dhomat tona të mbledhjeve bëhen dhoma zbulese. Shpirti është i pranishëm në mënyrë të dukshme. Teksa ndeshemi me çështje të ndërlikuara, një proces emocionues shpaloset ndërkohë që secili Apostull shpreh lirisht mendimet dhe pikëpamjen e tij. Edhe pse mund të ndryshojmë në këndvështrimet tona fillestare, dashuria që ndiejmë për njëri-tjetrin, është e pandryshueshme. Uniteti ynë na ndihmon të dallojmë vullnetin e Zotit për Kishën e Tij.
Në mbledhjet tona, shumica nuk sundon kurrë! Ne e dëgjojmë plot lutje njëri-tjetrin dhe flasim me njëri-tjetrin derisa jemi të njëzëshëm. Më pas kur kemi arritur të jemi tërësisht të një zëri, ndikimi bashkues i Frymës së Shenjtë është tepër rrëqethës! Ne provojmë atë që Profeti Jozef Smith e dinte kur dha mësim: ʻNga uniteti i ndjenjës ne marrim fuqi nga Perëndiaʼ [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smithi (2009), f. 421]. Asnjë anëtar i Presidencës së Parë ose i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve nuk do t’ia lërë kurrë vendimet për Kishën e Zotit gjykimit të vet më të mirë!”
(Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 95.)
-
Si do të përgjigjeshe në situatën në fillim të mësimit në të cilën një shok pyet se si Jezu Krishti iu flet profetit dhe apostujve?
-
Në çfarë mënyrash njohja e të vërtetave të përcaktuara në këto shkrime të shenjta ndikon në mënyrën se si ndihesh rreth profetit dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës?
-
Si mund të ndikojë njohuria që Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij në këto mënyra në raport me atë se si ti i sheh vendimet e marra nga profeti dhe apostujt sot?
-
Në cilat këshilla mund të marrësh pjesë gjatë jetës tënde?
-
Çfarë mund të bësh për ta ndihmuar një këshill që të marrë zbulesë?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Zbulesë dhënë udhëheqësve të Kishës
Në bisedën e tij “Doktrina e Krishtit”, Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përdori rrëfimet e shënuara te Veprat e Apostujve 11 dhe 15 për të dhënë mësim rreth zbulesës së dhënë udhëheqësve të e Kishës. Merreni parasysh të studioni të gjithë bisedën ose të shihni materialin filmik vijues nga kodi kohor 06:10 deri në 11:34.
Cilët janë disa shembuj të zbulesës së vazhdueshme?
Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth zbulesës që merret për Kishën. Shih “Bekimi i Zbulesës së Vazhdueshme të Dhënë Profetëve dhe i Zbulesës Vetjake për ta Udhërrëfyer Jetën Tonë” nga kodi kohor 04:55 deri në 06:42, që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org [https://www.churchofjesuschrist.org/study/general-conference/2020/04/52cook?lang=alb].
Plaku Kuk dha gjithashtu mësim se profeti dhe apostujt marrin frymëzim nga Shpirti dhe zbulesë të drejtpërdrejtë nga Shpëtimtari. Shih “Përgatituni që të Takoni Perëndinë” nga kodi kohor 13:37 deri në 14:15 [https://www.churchofjesuschrist.org/study/general-conference/2018/04/prepare-to-meet-god?lang=alb].
Si mund të funksionojnë këshillat në një familje?
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth këshillave në familje në bisedën e tij “Këshillat e Familjeve” (Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 63–65).