Veprat e Apostujve 10, Pjesa 2
Parimet e Marrjes së Zbulesës
Një Atë Qiellor i dashur i bekoi Kornelin dhe Pjetrin me zbulesë për t’i ndihmuar ata të kuptonin më mirë vullnetin e Tij. Ndërsa vepruan sipas zbulesës që morën, ata u bekuan me më shumë dritë dhe njohuri. Ky mësim mund të të ndihmojë ta rritësh kuptueshmërinë tënde rreth mënyrës se si Ati Qiellor mund të ta zbulojë vullnetin e Tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Dërgimi i një mesazhi të rëndësishëm
Përfytyro sikur të duhet t’i japësh një mesazh të rëndësishëm dikujt që nuk është me ty.
-
Cilat janë disa mënyra se si ti mund t’ia përcjellësh mesazhin atij?
-
Cilat janë disa mënyra se si Ati Qiellor mund të të japë mesazhe të rëndësishme?
Ati Qiellor ka shumë mesazhe të rëndësishme për t’ua treguar fëmijëve të Tij. Disa mesazhe janë për të gjithë, ndërkohë që të tjera janë të personalizuara vetëm për ty. Ati Qiellor komunikon me individët nëpërmjet zbulesës personale. Ndërsa e studion këtë mësim, kërko mënyra se si Perëndia mund të zbulojë mesazhet e Tij të rëndësishme që ti të jesh në gjendje ta dallosh zbulesën kur vjen.
Ati Qiellor ia zbulon vullnetin e Tij Pjetrit si dhe Kornelit
Përsërit historinë e Kornelit dhe Pjetrit te Veprat e Apostujve 10:1–28, 44–48 (shih edhe mësimin “Veprat e Apostujve 10, Pjesa 1”). Ndërsa e përsërit, kërko mënyrën se si ata arritën ta kuptonin atë që Ati Qiellor po u zbulonte atyre.
-
Çfarë mësove rreth zbulesës nga ky rrëfim?
-
Çfarë mund të mësosh rreth Atit Qiellor nga të vërtetat për zbulesën që përcaktove?
-
Çfarë bekimesh dhe të vërtetash Pjetri dhe Korneli mund të mos kishin arritur t’i merrnin nëse nuk do të kishin vepruar nisur nga ajo që morën?
Rresht pas rreshti
Një e vërtetë e ilustruar në këtë rrëfim është që Ati Qiellor e zbulon këtë të vërtetë rresht pas rreshti (shih te 2 Nefi 28:30).
Vër re që as Korneli dhe as Pjetri nuk e morën menjëherë të gjithë informacionin që Perëndia kishte për ta. Kornelit i tha engjëlli që të kërkonte Pjetrin dhe “ai do të të thotë çfarë duhet të bësh” ( Veprat e Apostujve 10:5–6). Pasi Pjetri mori vegimin e tij, ai ishte “me mëdyshje ç’kuptim mund të kishte vegimi që kishte parë” ( Veprat e Apostujve 10:17). Ai nuk e kuptoi plotësisht kuptimin e vegimit derisa u takua me Kornelin.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi se çfarë kuptimi mund të ketë kjo për ne. Lexo thënien vijuese.
“Shtimi shkallë-shkallë i dritës që rrezatohet nga dielli që lind, është si të marrësh nga Perëndia një mesazh ʻrresht pas rreshti, parim pas parimiʼ ( 2 Nefi 28:30). Më së shpeshti, zbulesa vjen me shtesa të vogla përgjatë kohës dhe dhurohet në pajtim me dëshirën, denjësinë dhe përgatitjen tonë. … Kjo mënyrë zbulese pritet të jetë më shumë e zakonshme sesa e rrallë.”
(Dejvid A. Bednar, “Shpirti i Zbulesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 88.)
-
Si mund të jetë bekim që Ati Qiellor na jep zbulesë shkallë-shkallë dhe jo të gjithën njëherazi?
-
Cilat tipare si të Krishtit mund të na ndihmojë ky model të zhvillojmë?
Të vepruarit sipas zbulesës
Për shkak se Korneli dhe Pjetri vepruan sipas zbulesave që morën në fillim, ata u bekuan me një kuptueshmëri më të plotë. Kjo ilustron një të vërtetë tjetër që gjendet te Veprat e Apostujve 10 : Ati Qiellor do të na bekojë me zbulesë tjetër ndërsa ndjekim zbulesën që marrim.
Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi rëndësinë e të vepruarit sipas zbulesës nga Ati Qiellor. Shih materialin filmik “Shpirti i Shenjtë na Udhëzoftë”, që gjendet në ChurchofJesusChrist.org [https://www.churchofjesuschrist.org/study/general-conference/2017/04/let-the-holy-spirit-guide?lang=alb], nga kodi kohor 14:41 deri në 15:19 ose lexo thënien vijuese.
“Nëse tregojmë vëmendje ndaj nxitjeve që na vijnë, ne do të rritemi në shpirtin e zbulesës dhe do të marrim gjithnjë e më shumë këndvështrim dhe drejtim prej Shpirtit. Zoti ka thënë: ʻVëre besimin tënd në atë Shpirt që drejton për të bërë mirëʼ [ Doktrina e Besëlidhje 11:12 ].
E marrshim me seriozitet thirrjen e Zotit: ʻMerrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhësʼ [ Doktrina e Besëlidhje 78:18 ]. Ai na udhëheq nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Jetofshim pranë Shpirtit, duke vepruar me të shpejtë ndaj nxitjeve tona të para, duke e ditur se ato vijnë prej Perëndisë.”
(Ronald A. Rasband, “Shpirti i Shenjtë na Udhëzoftë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 96.)
-
Si mund ta përgatitësh veten për të marrë zbulesë?
Zbulesë për jetën tënde
-
Çfarë ke mësuar rreth zbulesës që mund të të ndihmojë në rrethanat e tua vetjake?
-
Çfarë zbulese të ka dhënë Ati Qiellor sipas së cilës të duhet të veprosh dhe si mund të veprosh sipas saj?
-
Çfarë ke mësuar që mund të të ndihmojë të shohësh dashurinë e Atit Qiellor për ty?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Si mund ta dalloj zbulesën përmes Frymës së Shenjtë?
Çfarë duhet të bëj nëse nuk e ndiej se marr zbulesë nga Ati Qiellor, edhe kur e kërkoj atë?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Në shumë prej pasigurive dhe sfidave që hasim në jetën tonë, Perëndia kërkon që ne të bëjmë më të mirën, të veprojmë e të mos detyrohemi të veprojmë (shih 2 Nefi 2:26) dhe t’i mirëbesojmë Atij. Ne mund të mos shohim engjëj, të dëgjojmë zëra qiellorë apo të marrim mbresa shpirtërore tronditëse. Shpeshherë mund të vazhdojmë përpara duke shpresuar e duke u lutur – por pa siguri absolute – që të jemi duke vepruar sipas vullnetit të Perëndisë. Por, kur i nderojmë besëlidhjet tona dhe zbatojmë urdhërimet, kur mundohemi gjithnjë e më rregullisht të bëjmë mirë e të bëhemi më të mirë, ne mund të ecim me vetëbesimin që Perëndia do t’i drejtojë hapat tanë.”
(Dejvid A. Bednar, “Shpirti i Zbulesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 90.)
Çfarë zakonesh apo veprimesh mund të më pengojnë të marr zbulesë?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pohoi:
“Në shkrimet e shenjta ndikimi i Frymës së Shenjtë shpeshherë përshkruhet si ʻzë i qetë i ulëtʼ ( 1 Mbretërit 19:12 ; 1 Nefi 17:45 ; shih edhe 3 Nefi 11:3) dhe ʻzë i një butësie të përsosurʼ ( Helamani 5:30). Për arsye se Shpirti neve na pëshpërit me të butë dhe brishtësi, është e lehtë të kuptohet përse duhet t’i shmangim informacionet e papërshtatshme, pornografinë dhe substancat e sjelljet varësuese. Këto mjete të kundërshtarit mund ta dëmtojnë e në fund ta asgjësojnë aftësinë tonë për të dalluar e për t’iu përgjigjur mesazheve të imta të Perëndisë të dërguara prej Shpirtit të Tij.”
(Dejvid A. Bednar, “Shpirti i Zbulesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 88.)
Çfarë mund të bëj që ta rrit aftësinë time për të marrë zbulesë?
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, pohoi:
“Vazhdimi i mëtejshëm i shërbimit dhe i punës nga ana jonë është një mënyrë e rëndësishme që të kualifikohemi për zbulesë. Gjatë studimit tim të shkrimeve të shenjta, unë kam vënë re se zbulesa më e madhe tek fëmijët e Perëndisë vjen kur ata janë në lëvizje, jo ndërkohë që janë të ulur në mjedisin e tyre duke pritur që Zoti t’u tregojë hapin e parë që duhet të ndërmarrin. …
Ne do të marrim nxitje të Shpirtit kur të kemi bërë gjithçka që mundemi, kur të jemi jashtë në diell duke punuar në vend që të ulemi në hije duke u lutur për drejtimin lidhur me hapin e parë që duhet të ndërmarrim. Zbulesa vjen kur fëmijët e Perëndisë janë në lëvizje.
Prandaj bëjmë gjithçka mundemi. Më pas ne e presim Zotin për zbulesën e Tij. Ai ka afatin e Tij kohor.”
(Dallin H. Oaks, “In His Own Time, In His Own Way”, Ensign, gusht 2013, f. 22, 24.)