Veprat e Apostujve 6–9
Vështrim i Përgjithshëm
Stefani kreu mrekulli të mëdha me fuqinë e Perëndisë, por judenjtë e vranë atë me gurë për dëshminë e tij për Jezu Krishtin. Filipi e mësoi një burrë etiopas rreth Jezusit në një mënyrë që e drejtoi atë të besonte dhe të pagëzohej. Ndërsa Sauli udhëtoi për në Damask për të vazhduar presionin ndaj shenjtorëve, Jezusi ia zbuloi Veten Saulit (shih Veprat e Apostujve 9:3–5). Më pas, Jezusi e ndihmoi Ananian ta shihte Saulin në mënyrën që Ai e pa atë.
Përgatituni të Jepni Mësim
Informacioni i mëposhtëm u ofron mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.
Veprat e Apostujve 6–7
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të përsiatin mënyra se si ata mund t’i bekojnë të tjerët duke u përpjekur të ndjekin Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, të bëhen të ngjashëm me Ta dhe të dëshmojnë për Ta.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i rishikojnë synimet e tyre për programin Fëmijët dhe Rinia dhe të marrin parasysh se si po bëhen më të ngjashëm me Shpëtimtarin.
-
Figurë: Figura e Stefanit
-
Sugjerim për mësimdhënie me videokonferencë: Kur i ftoni nxënësit të interpretojnë me role sikur janë pjesë e një këshilli të lagjes, mund të jetë me mend që të vendosni në krye të këshillit një ose dy nxënës dhe t’u kërkoni atyre që të sigurohen që të gjithë të marrin pjesë. Nëse do të ishte më e efektshme të zhvilloni më shumë se një këshill, merreni parasysh ta vendosni çdo këshill në dhoma virtuale të ndara në internet.
Veprat e Apostujve 8
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të përsiatin për mënyrën se si mund t’i përdorin shkrimet e shenjta për t’i ndihmuar të tjerët të besojnë në Jezu Krishtin dhe të vijnë tek Ai.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth mjeteve ose aftësive shpirtërore që i kanë ndihmuar ata të bëhen më të fortë në ungjill. Ata do të kenë një mundësi të japin idetë e tyre gjatë mësimit.
-
Sendet: Një çekiç dhe gozhdë, një kaçavidë dhe vida ose vegla të tjera
-
Sugjerim për mësimdhënie me videokonferencë: Pasi nxënësit të kenë studiuar fragmentin Isaia 53:3–9 dhe t’u jenë përgjigjur dy pyetjeve rreth këtij fragmenti, merreni parasysh të interpretoni me role si klasë. Merreni rolin e eunukut dhe kërkojini klasës t’ju ndihmojë t’i kuptoni këto vargje. Nxitini disa nxënës që të japin mendimet e tyre.
Veprat e Apostujve 8:1–3; 9:1–20
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të përsiatin për atë që Zoti bën për tʼi ndihmuar ata të ndryshojnë për mirë dhe të kërkojnë të dinë atë që Ai dëshiron që ata të bëjnë.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të flasin me një anëtar të familjes ose shok për mënyrat se si Jezu Krishti na fton dhe na ndihmon të ndryshojmë.
-
Sendi: Një zar qelqi ose një top
-
Sugjerim për mësimdhënie me videokonferencë: Ftojeni një nxënës të vijë në orën e mësimit i përgatitur me një zar qelqi. Për të nisur mësimin, kërkojini nxënësit ta hedhë zarin prej qelqi në një mënyrë që klasa ta shohë. Më pas bëni dy pyetjet e para të mësimit.
Veprat e Apostujve 9:10–31
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të shohin potencialin që Zoti sheh tek të tjerët pavarësisht dobësive dhe gabimeve të tyre të shkuara.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin për këtë pyetje: “Si mund të ndryshojnë marrëdhëniet e mia me familjen ose miqtë nëse do t’i shihja ata ashtu si i sheh Shpëtimtari?”
-
Sugjerim për mësimdhënie me videokonferencë: Afër fundit të mësimit janë tri pyetje, e para është: “Çfarë mund të bëni për t’i parë më shumë njerëzit ashtu siç i shohin Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?” Merreni parasysh t’i paraqitni të tria këto pyetje dhe t’i ftoni nxënësit të zgjedhin njërën dhe të përsiatin përgjigjen e tyre. Më pas kërkojuni disa nxënësve të tregojnë pyetjet dhe përgjigjet e tyre.
Përsëritje 13 e Zotërimit Doktrinor
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë përmendsh referencat e shkrimit të shenjtë dhe frazat kyç të shkrimeve të shenjta për disa nga fragmentet e zotërimit doktrinor të Dhiatës së Re.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të ushtrojnë mësimin përmendsh të frazave kyç për zotërimin doktrinor dhe referencat e shkrimit të shenjtë në një mënyrë që funksionon për ta. Merreni parasysh të paraqitni tabelën e këtij mësimi ose t’i ftoni ata të përdorin programin kompjuterik Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor] nëse është e mundur.
-
Tabela: Tabela e zotërimit doktrinor për t’u paraqitur në tabelë ose në fletushka
-
Sugjerim për mësimdhënie me videokonferencë: Nxënësit mund tʼi ftoni të kërkojnë figura në vend që të vizatojnë ilustrime. Më pas ata mund tʼi ftoni të shpërndajnë ekranet e tyre për të paraqitur atë që gjetën. Shokët e klasës mund të gjejnë frazat kyç për zotërimin doktrinor dhe fragmentet që u përshtaten figurave.