Seminari
Zotërimi Doktrinor: Lluka 22:19–20


Zotërimi Doktrinor: Lluka 22:19–20

“Bëni Këtë në Përkujtimin Tim”

Sacrament trays with bread and water.

Në studimin tënd te Mateu 26:26–30, ti mësove për Shpëtimtarin që iu paraqiti dishepujve të Tij ordinancën e sakramentit në Darkën e Fundit. Ky mësim do të të japë një mundësi për të rritur zotërimin prej teje të doktrinës së sakramentit. Ti do ta bësh këtë nëpërmjet mësimit përmendsh të referencës dhe frazës kyç të shkrimeve të shenjta për fragmentin e zotërimit doktrinor Lluka 22:19–20, nëpërmjet shpjegimit të doktrinës dhe nëpërmjet zbatimit të parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore.

Ndihmesa për nxënësit që të shqyrtojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Jepuni nxënësve mundësi të rregullta për të shqyrtuar parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore: të veprojnë me besim, të shqyrtojnë konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm dhe të kërkojnë kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore (Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor [2022], “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”). Nxënësit do ta ushtrojnë përdorimin e këtyre parimeve në secilin ushtrim zbatimi praktik. Përsëritini mjaftueshëm parimet që nxënësit të mund t’i kujtojnë dhe përdorin në jetën e tyre.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për atë që i ndihmon ata të kujtojnë Shpëtimtarin ndërsa marrin sakramentin, dhe të jenë të përgatitur ta përdorin ose ta tregojnë këtë përvojë në këtë mësim.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Mëso përmendsh dhe shpjego

Ky mësim mbi fragmentin e zotërimit doktrinor është hartuar për t’u dhënë pas mësimit “Mateu 26:26–30; Lluka 22:19–20”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor te Lluka 22:19–20 . Nëse ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor nevojitet të zhvendoset në një javë tjetër, sigurohuni që gjithashtu ta zhvilloni mësimin përkatës kontekstual gjatë asaj jave.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të interpretojnë me role në dyshe situatat në vijim, ose ftoni dy nxënës të paraqitin skenarin për të gjithë klasën.

Përfytyro sikur sjell një shoqe në kishë e cila nuk di asgjë për fenë e organizuar ose Jezu Krishtin. Pas mbledhjes së sakramentit, ajo pyet: “Cili ishte qëllimi i kalimit të bukës dhe ujit te të gjithë me radhë?”

  • Si do t’ia shpjegoje shoqes sate ordinancën e sakramentit?

Jepuni nxënësve një mundësi që ta mësojnë përmendsh referencën për fragmentin e shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor te Lluka 22:19–20 dhe frazën kyç të shkrimeve të shenjta që e shoqëron atë. Veprimtaria e mëposhtme është një mënyrë për ta bërë këtë. Merreni parasysh ta përshtatni këtë veprimtari duke i lejuar nxënësit të punojnë në dyshe ose në grupe të vogla, apo duke e përfshirë të gjithë klasën dhe duke shkruar referencën e shkrimeve të shenjta dhe frazën kyç në tabelë.

Në ditarin tënd të studimit përdor një laps për të shkruar lehtë referencën vijuese të shkrimeve të shenjta dhe frazën kyç të shkrimeve të shenjta: “ Lluka 22:19–20 : Jezu Krishti urdhëroi: merrni sakramentin ‘në përkujtimin tim’.”

Përsërite me zë të lartë këtë referencë të shkrimeve të shenjta dhe frazën kyç të shkrimeve të shenjta. Më pas fshi dy fjalë ose numra dhe ushtrohu duke thënë përsëri referencën e shkrimeve të shenjta dhe frazën. Përsërite po këtë model, duke fshirë fjalë ose numra dhe duke thënë përmendsh referencën e shkrimeve të shenjta dhe frazën kyç derisa të gjitha fjalët dhe numrat të fshihen. Më pas shkruaj sa më shumë që arrin të mbash mend nga kjo referencë e shkrimeve të shenjta dhe frazë kyç.

Ushtroje vënien në zbatim

Nëse është e nevojshme, ndihmojini nxënësit të përsërisin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Një mënyrë për ta bërë këtë është t’u kërkoni nxënësve të përfundojnë veprimtarinë vijuese. Ky shqyrtim nuk duhet të zgjatë më tepër se tri deri në pesë minuta.

Shqyrto shkurtimisht parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore (shih Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor [2022], “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”). Zgjidh njërin nga tri parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe skico një simbol apo figurë të thjeshtë që ti e ndien se e përfaqëson atë.

Tani ushtro përdorimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe të doktrinës të dhënë mësim te Lluka 22:19–20 duke lexuar skenarin vijues dhe duke u përgjigjur për pyetjet në vijim.

Skenari vijues ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të shkojnë përtej hartimit të thjeshtë të një liste gjërash për të bërë gjatë sakramentit dhe të mendojnë më thellësisht rreth bërjes së sakramentit një përvojë kuptimplotë.

Merreni parasysh ta përshtatni skenarin për ta bërë atë më të përshtatshmin për nxënësit.

Elona është 15 vjeçe, ka qenë anëtare e Kishës gjithë jetën e saj dhe gjithmonë ka marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e saja të Kishës. Ajo jeton me mamanë dhe gjyshen e saj, që janë një shembull i shkëlqyer për të. Këtë të diel që kaloi, Elona ishte veçanërisht e interesuar për temat e folësve në mbledhjen e sakramentit. Çdo folës tregoi përvoja vetjake të fuqishme dhe të sinqerta për marrjen e sakramentit dhe mënyrën se si ai ndihmon në rritjen e ndikimit të Shpëtimtarit në jetën e tyre. Kjo e ka bërë atë të mendojë se si ajo nuk ka pasur shumë përvoja të ngjashme vetjake. Ajo e pranon se gjatë sakramentit shpërqendrohet shpesh nga telefoni i saj ose nga ajo që të tjerët po bëjnë, ose mendon se sa shpejt mund të shkojë në shtëpi që të marrë një sy gjumë.

  • A je ndier ti ndonjëherë kështu?

  • Sipas teje, përse njerëzit ndihen ndonjëherë në këtë mënyrë?

Jepuni nxënësve një mundësi për të ushtruar përdorimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore për të ndihmuar Elonën në këtë situatë. Në vijim është një mënyrë për ta bërë këtë gjë.

Nëse nxënësit kanë nevojë për më shumë ndihmë për zbatimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore në këtë situatë, merreni parasysh t’i përdorni pyetjet e renditura nën titujt me të zezë për të drejtuar një diskutim.

Në ditarin tënd të studimit krijo një titull për secilin nga tri parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore: 1) vepro me besim, 2) shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm dhe 3) kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.

Nën çdo titull shkruaj mënyra specifike se si parimi i marrjes së njohurisë shpirtërore mund ta ndihmojë Elonën në situatën e saj. Për shembull, ti mund të sugjerosh mënyra specifike se si ajo mund të veprojë me besim, të tregosh mënyrën se si mbajtja e një këndvështrimi të përjetshëm mund të jetë e dobishme në situatën e saj dhe të sugjerosh disa burime të caktuara në mënyrë hyjnore që ajo mund t’i përdorë për udhërrëfim dhe drejtim.

  • Çfarë do t’i këshilloje Elonës të niste të bënte për t’i kaluar shqetësimet e saj?

  • Si mund ta përdorësh secilin prej tri parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore për ta ndihmuar Elonën?

Ndihmojini nxënësit të mendojnë për mënyra se si të lidhen me Jezu Krishtin dhe ta kujtojnë Atë gjatë ordinancës së sakramentit. Teksa nxënësit përgjigjen, merreni parasysh të bëni pyetje siç janë këto në vijim: Si do t’ju ndihmojë kjo të kujtoni Shpëtimtarin? Si mund të lidheni me Shpëtimtarin dhe ta kujtoni Atë në vend që thjesht t’i kryeni veprimet në mënyrë mekanike?

Vepro me besim

  • Çfarë këshille do t’i jepje Elonës që mund ta ndihmojë atë të ketë një përvojë më të mirë të marrjes së sakramentit?

  • Çfarë mund ta pengojë atë për t’i bërë këto ndryshime? Si mund t’i kapërcejë ajo këto pengesa?

Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

  • Çfarë pyetjesh mund t’i bëje Elonës për ta ndihmuar atë të shohë situatën e saj me një këndvështrim të përjetshëm? Përse do t’i zgjidhje ato pyetje?

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

  • Çfarë jepet mësim te Lluka 22 dhe në shkrime të shenjta të tjera ose nga udhëheqësit e Kishës që mund ta ndihmonte Elonën?

  • Ku tjetër mund të drejtohet Elona për ndihmë për të përmirësuar përvojën e saj të marrjes së sakramentit?

Shqyrtoni

Veprimtaria vijuese e përsëritjes duhet të përdoret për një mësim që do të jepet së afërmi.

Jepini çdo nxënësi një kartë shënimi ose një letër ngjitëse për shënime. Ftojini ata të shkruajnë “ Lluka 22:19–20 : Jezusi urdhëroi marrjen e sakramentit ‘në përkujtimin [e Tij]’” në kartat e tyre ose në letrat ngjitëse për shënime dhe më pas të fshijnë disa nga fjalët dhe numrat nga kjo referencë e shkrimeve të shenjta dhe frazë kyç. Ftojini nxënësit tʼi shkëmbejnë kartat ose shënimet dhe të shohin nëse mund të plotësojnë fjalët ose numrat që mungojnë. Më pas ftojini nxënësit të provojnë tʼi thonë përmendsh referencën dhe frazën.

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Skenar i ndryshëm

Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë rolin qendror që luan sakramenti në pjesëmarrjen në kishë, merreni parasysh të përdorni skenarin e ndryshëm vijues:

Kohët e fundit Gjergji gjeti një punë ku i kërkohet që ai të punojë të dielave. Ai nuk mendoi se do të ishte problem i madh të mungonte në kishë një ose dy të diela në muaj. Por Gjergji po e kupton tani se edhe të dielat që ai nuk punon, është e vështirë të ndiejë ndonjë shtysë për të frekuentuar kishën. Ai ndihet pa interesim në kishë dhe ai në të vërtetë nuk ndien afërsi ose nuk lidhet me askënd atje.

Pasi të jepni skenarin, diskutoni se si parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore mund të ndihmonin për situatën e Gjergjit. Si pjesë e diskutimit tuaj, ftojini nxënësit të mendojnë për ato bekime që mbase Gjergji po i humbet duke mos e marrë rregullisht sakramentin.