Pas marrjes së darkës së Pashkës judease, Jezusi u lau këmbët dishepujve të Tij. Ai i mësoi ata rreth shërbimit dhe dashurisë për njëri-tjetrin. Ky mësim mund të të nxitë të kërkosh lumturi nëpërmjet shërbimit dhe dashurisë ndaj të tjerëve ashtu siç bëri Jezusi.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përpjekja për të qenë si Jezusi
Këndo ose lexo fjalët e këngës “Përpiqem t’Jem si Jezusi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve,f. 40–41). Ndërsa e bën këtë, mendo rreth arsyeve përse ti dëshiron të jesh më i ngjashëm me Jezusin.
Në çfarë mënyrash po mundohesh të jesh i ngjashëm me Jezusin?
Çfarë ndryshimesh ke parë në jetën e njerëzve teksa ata janë përpjekur të bëhen si Jezusi? Po në jetën tënde?
Teksa merr pjesë në këtë mësim, kushtoju vëmendje nxitjeve nga Fryma e Shenjtë që mund të të frymëzojnë të ndjekësh më mirë shembullin dhe mësimet e Shpëtimtarit.
“Ju kam dhënë shembullin”
Afër fundit të jetës së Shpëtimtarit, Ai i mblodhi Apostujt e Tij së bashku për darkën e Tij të fundit të Pashkës judease. Ngjarjet e kësaj mbrëmjeje shpesh quhen Darka e Fundit.
Lexo te Gjoni 13:1–11 , duke kërkuar atë që bëri Jezusi pasi Ai dhe Apostujt e Tij mbaruan së ngrëni darkën e Pashkës judease.
Mund të jetë e dobishme të dish se gjatë kohëve të Dhiatës së Re, zakonisht njerëzit i kishin këmbët shumë të ndotura për shkak se vishnin sandale dhe ecnin më së shumti në rrugë me dhe. Larja e këmbëve të të tjerëve kryhej zakonisht nga shërbëtorët e nivelit më të ulët.
Çfarë mëson për karakterin e Jezusit nga veprimi i Tij i larjes së këmbëve të Apostujve?
Si mund të ishe ndier apo mund të kishe reaguar nëse Jezusi do të të kishte dhënë këtë lloj shërbimi të përulur?
Lexo te Gjoni 13:12–17 , duke kërkuar mësime që mund t’i mësosh nga fjalët e Shpëtimtarit.
Çfarë mëson nga mësimet e Shpëtimtarit në këto vargje?
Kur ke përjetuar lumturi duke ndjekur shembullin e shërbimit të Jezusit?
“Ta doni njëri-tjetrin”
Pasi u lau këmbët Apostujve të Tij, Shpëtimtari shpenzoi kohë për t’u dhënë mësim atyre. Lexo te Gjoni 13:34–35 për të zbuluar doktrinën e rëndësishme që Ai dha mësim.
Çfarë mendimesh, ndjenjash apo pyetjesh ke teksa lexon dhe mendon për këto vargje?
Mendo për ndodhi nga shkrimet e shenjta në të cilat Shpëtimtari tregoi dashuri ndaj të tjerëve.
Si tregoi Jezu Krishti dashuri në mënyra të ndryshme për njerëz të ndryshëm?
Gjej pak kohë për të menduar dhe për të shkruar se kur ose si e ndien dashurinë e Jezusit për ty. Merre parasysh të qëndrosh në heshtje dhe t’i kërkosh Atit Qiellor të të ndihmojë t’i dallosh këto raste.
Si ndikon dallimi dhe të ndierit e dashurisë së Shpëtimtarit për ty në dëshirën tënde për të treguar dashuri ndaj të tjerëve?
Bëj një plan të mënyrës se si mund ta ndjekësh shembullin e Shpëtimtarit për tʼi dashur dhe për tʼu shërbyer të tjerëve, si edhe të kohës kur dëshiron ta bësh atë. Mund të jetë e dobishme të mendosh për idetë vijuese ndërsa bën një plan.
Bëj sot diçka për një pjesëtar/e të familjes, mik/e ose dikë në komunitet.
Bëj diçka për të treguar dashuri dhe dashamirësi ndaj dikujt që është i ndryshëm nga ti ose edhe ndaj dikujt me të cilin ke pasur vështirësi të komunikosh në të kaluarën.
Identifiko dikë për të cilin/ën ndien mbresën të tregosh dashuri ose respekt më të madh.
Merre parasysh se si mund ta ftosh dashurinë e Shpëtimtarit në përpjekjet e tua.
“Kafshata” e përshkruar te Gjoni 13:26 ishte një copë buke e vogël që ata që darkonin e përdornin për të mbledhur lëng mishi dhe mish nga një tas. Meqë ishte një gjest mirësie dhe respekti që një mikpritës ta ngjyente kafshatën dhe tʼia jepte atë një mysafiri në darkë, me anë të këtij veprimi Shpëtimtari i paraqiti Judës një ofertë miqësie, mbase një mundësi të fundit që ai të braktiste tradhtinë e planifikuar.
Si mund t’i ndihmojmë të tjerët të ndiejnë dashurinë e Jezu Krishtit nëpërmjet shërbimit tonë për ta?
Presidenti Henri B. Ajring tregoi historinë vijuese:
“U caktova të vizitoja një mbledhje sakramenti në një qendër përkujdesjeje. M’u kërkua të shpërndaja sakramentin. Në vend që të mendoja për procesin ose saktësinë e mënyrës se si e shpërndava sakramentin, përkundrazi vështrova fytyrën e secilit prej të moshuarve. I pashë shumë prej tyre duke qarë. Një zonjë më kapi mëngën, vështroi lart dhe tha me zë të lartë: ‘O, faleminderit, faleminderit’.
Zoti e kishte bekuar shërbimin tim të dhënë në emrin e Tij. Atë ditë unë isha lutur që të vinte një mrekulli e tillë, në vend që të lutesha se sa mirë mund ta bëja pjesën time. U luta që njerëzit të ndienin dashurinë e Zotit nëpërmjet shërbimit tim plot dashuri. Kam mësuar se ky është çelësi për t’u shërbyer të tjerëve dhe për t’i bekuar ata në emrin e Tij.”