Mateu 26:26–30; Lluka 22:19–20
Sakramenti
Në një vend të njohur si dhoma e sipërme, Shpëtimtari “u ul në tryezë bashkë me të dymbëdhjetët” (Mateu 26:20) dhe kremtoi festën e Pashkës judease për herë të fundit në vdekshmëri. Gjatë kësaj darke të fundit të Pashkës judease, Jezu Krishti themeloi ordinancën e sakramentit si një mënyrë të re që dishepujt e Tij ta kujtonin Atë. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh dhe ndiesh rëndësinë e të kujtuarit të Shpëtimtarit ndërsa merr sakramentin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Rëndësia e sakramentit
Si mund të përgjigjeshe nëse dikush do të të bënte pyetjen në vijim:
-
Përse anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shkojnë në kishë çdo të diel?
Një arsye e rëndësishme përse ne e frekuentojmë Kishën është që të marrim sakramentin. Motra Sheril A. Esplin, ish-Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, tregoi një ndërveprim që ndodhi ndërmjet një burri 96-vjeçar dhe birit të tij që tregon rolin qendror të marrjes së sakramentit si pjesë e frekuentimit të Kishës.
“Sa më shumë e përsiatim domethënien e sakramentit, aq më i shenjtë dhe kuptimplotë ai bëhet për ne. Kjo ishte ajo që një baba 96-vjeçar shprehu kur i biri e pyeti: ‘Babi, pse shkon ti në kishë? Ti nuk mund të shohësh, nuk mund të dëgjosh dhe është e vështirë për ty që të lëvizësh. Përse shkon në kishë?’ Babai u përgjigj: ‘Prej sakramentit. Unë shkoj që të marr sakramentin.’”
(Sheril A. Esplin, “Sakramenti – Një Përtëritje për Shpirtin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 13–14)
-
Si mendon, çfarë kuptoi dhe ndjeu ky burrë për sakramentin që e bëri atë aq të rëndësishëm për të?
Vlerësoje përvojën tënde të frekuentimit të Kishës dhe të pjesëmarrjes në ordinancën e sakramentit. Duke përdorur një shkallë nga një deri në pesë, ku një është më e ulëta dhe pesë është më e larta, përgjigju për pyetjet vijuese.
-
Sa përparësi e madhe është për ty të frekuentosh Kishën dhe të marrësh pjesë në sakrament?
-
Kur merr sakramentin, sa gjasa ka të mendosh për Jezu Krishtin dhe të kesh një përvojë kuptimplotë?
Pasi ta kesh vlerësuar përvojën tënde, mendo se përse e vlerësove veten në atë mënyrë. Ndërsa e studion këtë mësim, kërko ndihmën e Zotit për të kuptuar se si ta thellosh kuptueshmërinë tënde për rëndësinë e të kujtuarit të Shpëtimtarit ndërsa merr sakramentin.
Jezu Krishti themelon sakramentin
Jezu Krishti mori pjesë në festën e Pashkës judease pikërisht para vuajtjeve të Tij në Gjetseman dhe vdekjes në kryq. Kjo ngjarje njihet si Darka e Fundit. Ndërsa Shpëtimtari hëngri darkën e Pashkës judease me Apostujt e Tij, Ai themeloi ordinancën e sakramentit.
Lexo te Mateu 26:26–30 dhe te Lluka 22:19–20 , duke kërkuar atë që Shpëtimtari iu dha mësim Apostujve të Tij për qëllimin e sakramentit. Ti mund të duash të nënvizosh fjalë ose fraza të rëndësishme.
-
Cili ishte qëllimi i Shpëtimtarit në themelimin e ordinancës së sakramentit?
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto fragmente është që Jezu Krishti e themeloi sakramentin për të na ndihmuar ta kujtojmë Atë.Megjithëse Shpëtimtari nuk e kishte përjetuar ende vuajtjen dhe ankthin e sakrificës së Tij shlyese, ordinanca dhe emblemat për të cilat po u jepte mësim Apostujve të Tij, duhet t’i ndihmonin ata ta kujtonin Atë dhe dhuratën e Shlyerjes së Tij.
-
Çfarë shkrimesh të shenjta apo përvojash vetjake të kanë ndihmuar të mendosh për sakrificën që Shpëtimtari bëri për ty?
-
Çfarë ndjenjash ke për Shpëtimtarin kur i lexon këto vargje apo mendon për këto përvoja?
-
Si mund të të ndihmojnë simbolet e sakramentit që ta kuptosh më mirë atë që Shpëtimtari ka bërë dhe mund të bëjë për ty?
Krijimi i përvijimit të një mësimi
Përfytyro sikur të kanë kërkuar të japësh mësim për sakramentin në diskutimin e ardhshëm të një studimi të shkrimeve të shenjta në shtëpinë tënde. Duke përdorur shkrimet e shenjta që sapo ke studiuar, dhe referenca të tjera që zgjodhe (të tilla si Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Sakramenti”, topics.ChurchofJesusChrist.org ose fjalime të konferencës së fundit të përgjithshme), përgatitu t’i ndihmosh të tjerët të kuptojnë dhe ndiejnë rëndësinë e sakramentit.
Përvijimi yt i mësimit duhet të përfshijë sa vijon: 1) një ose disa shkrime të shenjta apo thënie të udhëheqësve të Kishës për sakramentin për t’u studiuar ose përsiatur, 2) të paktën dy pyetje që mund t’i bësh për të thelluar njohuritë dhe 3) një ftesë për të zbatuar të vërtetat që ti trajton. Përdor disa ose të gjitha pyetjet vijuese që mund të të drejtojnë në krijimin e përvijimit tënd.
-
Çfarë është sakramenti?
-
Si mund të na ndihmojë sakramenti të kuptojmë më mirë Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij?
-
Çfarë të ka ndihmuar të kesh përvoja kuptimplota ndërsa merr sakramentin?
-
Si do të ishte jeta jote ndryshe po të kujtoje Jezu Krishtin më shpesh?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Cila është lidhja ndërmjet Pashkës judease dhe sakramentit?
Përse përdorim ujë në vend të verës për sakramentin?
Doktrina e Besëlidhje 27:1–2 thotë se nuk ka rëndësi se çfarë përdoret për sakramentin për sa kohë që të bëhet “me syrin e drejtuar te lavdia e [Krishtit]” ( vargu 2). Sot, udhëheqësit e Kishës na kërkojnë të përdorim ujë kur marrim sakramentin.
Çfarë mund të bëj që sakramenti të jetë më kuptimplotë?
Presidenti Stiven J. Land, Presidenti i Përgjithshëm i Të Rinjve, dha mësim:
“Sa herë që një dhjak mban tabakanë e sakramentit, neve na kujtohet historia e shenjtë e Darkës së Fundit, e Gjetsemanit, e Kalvarit dhe e varrit në kopsht. Kur Shpëtimtari u tha Apostujve të Tij: ‘Bëni këtë në përkujtimin tim’ [Lluka 22:19], Ai po i fliste gjithashtu përgjatë epokave, secilit prej nesh. Ai po fliste për mrekullinë e pafundme që Ai do të siguronte ndërsa dhjakët, mësuesit dhe priftërinjtë e ardhshëm do t’i paraqitnin emblemat e Tij dhe do t’i ftonin fëmijët e Tij që ta pranonin dhuratën e Tij shlyese.
Të gjitha simbolet e sakramentit na drejtojnë tek ajo dhuratë. Ne kundrojmë bukën që Ai e copëtoi dikur – dhe bukën që priftërinjtë përpara nesh, me radhë, po e copëtojnë tani. Ne mendojmë për kuptimin e ujit të shenjtëruar, në atë kohë dhe tani, teksa fjalët e atyre lutjeve të sakramentit kalojnë solemnisht nga gojët e priftërinjve të rinj në zemrat tona dhe drejt qiellit, duke përtërirë besëlidhjet që na lidhin ne me vetë fuqitë e shpëtimit të Krishtit. Ne mund të mendojmë se ç’domethënie ka kur një dhjak i mbart emblemat e shenjta për te ne, duke qëndruar atje ku do të qëndronte Jezusi nëse Ai do të ishte aty, duke ofruar që t’i ngrejë barrët tona dhe dhembjen tonë.”
(Stiven J. Land, “Gjetja e Gëzimit në Krisht”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 36)
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha këshillën në vijim:
“Gjatë mbledhjes së sakramentit – dhe veçanërisht gjatë shërbimit të sakramentit – ne duhet të përqendrohemi tek adhurimi dhe të shmangemi nga të gjitha aktivitetet e tjera, veçanërisht nga sjellja që mund të pengojë adhurimin e të tjerëve. Madje edhe një person që dremit qetësisht nuk i pengon të tjerët. Mbledhja e sakramentit nuk është kohë për të lexuar libra ose revista. Të rinj, ajo nuk është kohë për biseda me pëshpërima në celular apo për t’iu dërguar mesazhe personave në vende të tjera. Kur marrim sakramentin, ne bëjmë një besëlidhje të shenjtë që do ta kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin. Sa e trishtueshme është të shohësh persona që e shkelin dukshëm atë besëlidhje në po atë mbledhje ku po e bëjnë atë.”
(Dallin H. Ouks, “Mbledhja e Sakramentit dhe Sakramenti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 18–19)