Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 5
Mateu 21–26; Marku 11–14; Lluka 19–21; Gjoni 12–13
Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të vlerësosh synimet që ke vendosur dhe rritjen vetjake që ke përjetuar gjatë studimit tënd të Dhiatës së Re.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Çfarë ke mësuar?
Gjej një çast për të menduar për atë që ke mësuar së fundmi nga studimi yt i Dhiatës së Re. Figurat në vijim mund të të ndihmojnë. Mund të jetë gjithashtu e dobishme t’u referohesh shënimeve të tua më të fundit në ditarin tënd të studimit. Veprimtaria vijuese mund të të ndihmojë të vlerësosh rritjen tënde si rezultat i asaj që po mëson.
-
Çfarë ke mësuar së fundmi për Jezu Krishtin që ka qenë më kuptimplotë për ty? Cilat ndodhi nga shkrimet e shenjta të ndihmuan të arrish te kjo njohuri për Të?
-
Cilat veprime ke ndërmarrë për t’u bërë një dishepull më i përkushtuar i Jezu Krishtit?
-
Çfarë hap/a tjetër mund të ndërmarrësh për t’u përmirësuar si një pasues i Shpëtimtarit?
Duaje Perëndinë dhe duaje të afërmin tënd
Ti studiove së fundmi mësimin e Jezusit që dy urdhërimet më të mëdha janë që ta duam Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë dhe ta duam të afërmin si vetveten (shih te Mateu 22:36–39).
-
Përse mendon se këto janë dy urdhërimet më të mëdha?
Gjithashtu, ti ke mësuar së fundmi për Jezu Krishtin që lan këmbët e dishepujve të Tij dhe u jep atyre një urdhërim të ri për të dashur njëri-tjetrin ashtu si Ai i deshi ata (shih te Gjoni 13).
-
Si ishte përvoja jote e të vepruarit sipas mësimeve të Shpëtimtarit?
-
Çfarë ndjeve për dashurinë e Jezu Krishtit për ty dhe për të tjerët ndërsa iu përgjigje ftesave të dhëna në klasë?
-
Çfarë do të doje të bëje ose të vazhdoje të bëje si rezultat i mësimeve të Shpëtimtarit?
Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit
Një mënyrë e shkëlqyer për të thjeshtuar mësimet e ungjillit është t’i shpjegosh ato si për nivelin e një fëmije. Për të të ndihmuar të kuptosh aspekte të rëndësishme të Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit me fjalët e tua, shkruaj një përmbledhje sikur të ishe duke e shkruar atë për një fëmijë.
Qëllimi i përmbledhjes sate është të përgjigjesh për dy pyetje:
-
Çfarë mund të bëjmë që të jemi të përgatitur për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit?
-
Përse do të jetë Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit e lavdishme? (Kujto që në mësimin e mëparshëm, ti mund të kesh lexuar ftesën e Plakut Nil L. Andersen për të përfytyruar dhe përsëritur ngjarjet e lavdishme që rrethojnë Ardhjen e Dytë [shih “Ardhtë Mbretëria Jote”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 122].)
Burimet në vijim mund të të ndihmojnë të përsërisësh atë që ke mësuar.
-
Joseph Smith – Mateu 1:22–23, 28–36 , si edhe shënimet e tua në ditarin tënd të studimit
-
“ Shenj(a) të Kohërave ” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, scriptures.ChurchofJesusChrist.org)
-
“ Ardhje e Dytë e Jezu Krishtit ” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta)