Seminari
Zotërimi Doktrinor: Zbulesa 20:12


Zotërimi Doktrinor: Zbulesa 20:12

“Dhe të Vdekurit u Gjykuan … Sipas Veprave të Tyre”

A teenage girls sits on her loft bed in her room. She has her feet hanging over the side of the bed. She appears to be reading her scriptures. This is in Maine.

Në një mësim të mëparshëm, te “Zbulesa 20:11–15”, ti mësove rreth Gjykimit Përfundimtar dhe rolit të Shpëtimtarit si Gjykatësi ynë. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te Zbulesa 20:12, të shpjegosh doktrinën dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

Dëgjimi i përgjigjeve të nxënësve. Shmangeni prirjen për të menduar për pjesën tjetër të planit mësimor ndërkohë që nxënësit po bëjnë pyetje ose japin përgjigje për pyetjet. Dëgjojeni me kujdes atë që ata thonë dhe bëni pyetje që ndjekin ecurinë kur është e nevojshme për t’i kuptuar me të vërtetë pyetjet dhe komentet e tyre. Ndonjëherë është më e rëndësishme të diskutoni një tematikë me interes për nxënësit ose t’i ndihmoni ata ta kuptojnë më mirë një doktrinë sesa të trajtoni të gjithë materialin në një plan mësimor.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të shqyrtojnë vargun te Zbulesa 20:12 dhe të përgatiten t’ia tregojnë klasës atë që kanë mësuar rreth Gjykimit Përfundimtar dhe mënyrës se si ne mund të përgatitemi për të.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor është hartuar për t’u dhënë mësim pas mësimit “Zbulesa 20:11–15”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor te Zbulesa 20:12 . Nëse ky mësim i fragmentit të zotërimit doktrinor duhet të zhvendoset në një javë tjetër, sigurohuni që të jepni edhe mësimin përkatës kontekstual gjatë asaj jave.

Merreni parasysh t’u kërkoni tre nxënësve përpara orës mësimore të shqyrtojnë secili një nga parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe të përgatiten për të dhënë një përmbledhje të atij parimi më vonë në mësim.

Mëso përmendsh dhe shpjego

Ndihmojini nxënësit të mësojnë përmendsh dhe të shpjegojnë referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te Zbulesa 20:12 duke përdorur metodat më të efektshme për ta.

Merreni parasysh t’u kujtoni nxënësve se në mësimin e mëparshëm ata studiuan një fragment të zotërimit doktrinor rreth Gjykimit Përfundimtar. Ftojini ata të shohin nëse mund ta gjejnë këtë fragment në shkrimet e shenjta në më pak se dy minuta, ose përmendsh, ose duke përdorur burime të tjera.

Veprimtaria vijuese mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë “dhe të vdekurit u gjykuan … sipas veprave të tyre” ( Zbulesa 20:12):

  • Thuaje referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë me zë të lartë pesë herë.

  • Më pas shkruaje referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë në një copë letër tri herë përmendsh. Pas çdo përpjekjeje, kontrolloje saktësinë tënde dhe bëj çdo përshtatje të nevojshme në përpjekjen tjetër.

Merreni parasysh të pyesni nëse një anëtar i klasës mund ta thotë përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë ose ta ftoni klasën t’i thonë përmendsh këto së bashku.

Në vend që të përdorni veprimtarinë vijuese, merreni parasysh ta shkruani referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë në tabelë dhe të ftoni vullnetarë të shkruajnë rreth tyre të vërtetat që kanë mësuar rreth Gjykimit Përfundimtar. Më pas, ftojini disa nxënës t’ia shpjegojnë më tej klasës atë që shkruan.

Kujto se në një mësim të mëparshëm ti studiove të vërtetën që Perëndia do të na gjykojë në bazë të librave që janë shkruar sipas veprave tona. Për të të ndihmuar të vlerësosh se sa mirë ti e kupton këtë të vërtetë, përfytyro sikur një vëlla apo motër më e vogël të bën pyetjet vijuese gjatë studimit familjar të shkrimeve të shenjta. Jep përgjigje për sa më shumë pyetje që të mundesh.

Nëse nxënësve u kërkohet t’u përgjigjen pyetjeve vijuese, paraqituani pyetjet dhe merreni parasysh t’i ftoni ata t’i diskutojnë përgjigjet e tyre me një partner. Lëvizni nëpër dhomë dhe dëgjojini përgjigjet e tyre. Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë, kujtojuni atyre materialin që studiuan te mësimi “Zbulesa 20:11–15”.

  • Kush do të gjykohet?

  • Kush do të jetë gjykatësi ynë dhe përse?

  • Në bazë të çfarë do të gjykohemi?

  • Cilët janë librat në bazë të të cilëve do të gjykohemi? (Shih te Zbulesa 20:12 .)

  • Si mund të jemi gati për gjykimin?

Tani që kanë kaluar disa minuta që kur punove për të mësuar përmendësh frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te Zbulesa 20:12 , shiko nëse mund ta thuash ende përmendsh atë. Kontrolloje saktësinë tënde nëse nevojitet.

Ushtroje vënien në zbatim

Nëse tre nxënësve u është kërkuar përpara orës mësimore që secili të përgatitë një përmbledhje të një parimi të marrjes së njohurisë shpirtërore, ftojini ata t’ia tregojnë klasës përmbledhjet e tyre në këtë kohë. Nëse nuk ua keni kërkuar nxënësve paraprakisht, merreni parasysh t’u kërkoni tre vullnetarëve që secili të përmbledhë një nga parimet. Sigurohuni që ta përgëzoni dhe vlerësoni çdo nxënës i cili përmbledh një nga parimet.

Zbatimi i parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore mund të na ndihmojë në situata nga jeta reale. Përmblidhi shkurtimisht parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore me fjalët e tua. Më pas përsëriti paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022), duke kërkuar ndonjë të vërtetë tjetër që mund ta përfshish në përmbledhjen tënde.

Për veprimtarinë vijuese, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i tregojnë skenarët e tyre në të cilët dikush ka nevojë t’i kuptojë më mirë të vërtetat rreth Gjykimit Përfundimtar. Më pas merreni parasysh zëvendësimin e njërit ose të dy skenarëve në mësim me atë ose ato që nxënësit tregojnë.

Lexoji skenarët vijues dhe zgjidh një ku do të doje të përqendroheshe për veprimtarinë e radhës. Mendo se përse një person në atë situatë mund të ndihet në atë mënyrë. A ndihesh edhe ti siç ndihet secila prej këtyre të rejave? Përsiat për atë që ato mund të mos e kuptojnë ende rreth Gjykimit Përfundimtar që mund t’i ndihmojë ato.

1. Stefania ka disa shokë që kanë një mënyrë jetese sipas botës. Ajo e pranon se megjithëse ata po i shkelin urdhërimet, ajo që po bëjnë duket ndonjëherë argëtuese. Ajo nuk ka vënë re pasoja negative madhore te zgjedhjet e tyre dhe po mendon t’u bashkohet atyre.

2. Dorina është një e re e drejtë e cila pendohet me përulësi kur bën gabime, por ndihet gjithsesi e frikësuar kur njerëzit flasin rreth Gjykimit Përfundimtar. Ajo mundohet të mos mendojë për të.

Nxënësit mund ta plotësojnë veprimtarinë vijuese individualisht ose me një partner.

Shkruaji ose Stefanisë, ose Dorinës një letër që ti beson se mund ta ndihmojë atë ta shmangë pendesën në të ardhmen ose frikën e panevojshme. Si alternativë, mund të zgjedhësh t’i shkruash dikujt që ti e njeh, jeta e të cilit mund të bekohet duke e kuptuar më mirë Gjykimin Përfundimtar. Përfshi në letrën tënde se si secili prej parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore zbatohet në situatën e tij. Nëse dëshiron, mund të marrësh parasysh sa vijon teksa vendos se çfarë të shkruash.

  • Si mund ta ndihmoje Stefaninë ose Dorinën t’i shohin gjërat nga një këndvështrim i përjetshëm? Si mund ta ndihmonte kjo atë?

  • Çfarë ke mësuar rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe planit të shpëtimit që mund ta ndihmojë Stefaninë ose Dorinën? Si i mësove këto të vërteta?

  • Në cilat burime të caktuara në mënyrë hyjnore do t’i sugjeroje të drejtohej për të mësuar të vërtetën rreth Gjykimit Përfundimtar? Si mund ta ndihmonin atë të vërtetat e dhëna mësim te Zbulesa 20:12 ?

  • Si mund ta inkurajosh atë të veprojë me besim tani dhe në të ardhmen?

Jepuni nxënësve mundësinë t’ia tregojnë klasës ose një grupi të vogël me zë të lartë atë që i shkruan të resë në skenarin që zgjodhën. Dëgjojini me vëmendje teksa flasin dhe merreni parasysh të bëni pyetje që ndjekin ecurinë si ato në vijim për t’i ndihmuar ta thellojnë të kuptuarit e tyre: “A ka vargje ose thënie specifike të shkrimit të shenjtë nga udhëheqësit e Kishës që mund ta ndihmojnë atë? Në ç’mënyrë mund të ndihmojnë ata?” “Çfarë ju ka ndihmuar ta kuptoni dhe të përgatiteni për Gjykimin Përfundimtar? A do t’i rekomandonit Stefanisë ose Dorinës të bënin diçka të ngjashme? Përse po ose përse jo?”

Nëse do t’i ndihmonte nxënësit ta kujtonin më mirë frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te Zbulesa 20:12 , ftojini ata të përpiqen ta thonë atë edhe një herë përmendsh përpara se të dalin nga klasa.

Përsëritja e zotërimit doktrinor

Në fillim ose në fund të një mësimi të ardhshëm, shpenzoni jo më shumë se tri deri në pesë minuta për të përsëritur fragmentin e zotërimit doktrinor te Zbulesa 20:12 . Një mënyrë për ta bërë këtë është ta paraqitni referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë, duke i zëvendësuar dy ose tri fjalë me hapësira bosh. Pasi nxënësit t’i plotësojnë siç duhet hapësirat bosh, paraqiteni referencën dhe frazën kyç përsëri me hapësira bosh të tjera. Kjo mund të përsëritet shumë herë me hapësira bosh të ndryshme çdo herë.