Hyrje te Dhiata e Re
Dhiata e Re Na Ndihmon të Vijmë te Krishti
Dhiata e Re është një anal i jetës dhe i shërbesës në vdekshmëri të Jezu Krishtit dhe Dishepujve të Tij. Ky mësim do të të ndihmojë të përgatitesh për të ardhur te Jezu Krishti dhe për ta ndjekur Atë teksa studion Dhiatën e Re.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mendo për përgjigjet e tua ndaj pyetjeve vijuese:
-
Çfarë bën kur ndihesh i/e lodhur fizikisht ose mendërisht?
-
Çfarë bën kur ndihesh i/e frikësuar?
-
Te kush shkon kur ke nevojë për ndihmë për diçka?
-
Si të ndihmojnë në situata të vështira veprimtaritë apo njerëzit për të cilët mendove?
-
A ke pasur ndonjëherë një nevojë që asnjë veprimtari apo person nuk dukej në gjendje të të ndihmonte ta përballoje?
Presidentja Xhin B. Bingham, ish-presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim se si mund t’i përmbushim nevojat tona më të rëndësishme.
“Gëzimi i përhershëm gjendet kur përqendrohemi te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe kur e jetojmë ungjillin ashtu siç tregohet dhe jepet mësim prej Tij. Sa më shumë të mësojmë rreth Jezu Krishtit, të kemi besim në Të dhe t’i përngjasim Atij, aq më shumë arrijmë të kuptojmë se Ai është burimi i të gjithë shërimit, paqes dhe përparimit të përjetshëm.”
(Xhin B. Bingham, “Që Gëzimi Juaj të Jetë i Plotë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 85.)
-
Sipas kësaj thënieje, çfarë bekimesh mund të përjetojmë për shkak të Jezu Krishtit?
-
Cili nga këto bekime është më i rëndësishmi për ty tani? Përse?
Studimi i jetës së Jezu Krishtit në Dhiatën e Re
Këtë vit na kanë ftuar të studiojmë Dhiatën e Re në shtëpi, kishë dhe seminar. Teksa bëjmë përpjekjen për ta studiuar Dhiatën e Re dhe për të mësuar nëpërmjet Frymës së Shenjtë, kuptueshmëria dhe dëshmia jonë për faktin se kush është Jezu Krishti dhe çfarë na ofron Ai do të rritet. Ne do të mësojmë se çfarë mund të bëjmë për të përjetuar gëzimin, shërimin dhe paqen që ofron Ai.
-
Çfarë di tanimë për Dhiatën e Re?
-
Cilat janë disa nga historitë e tua të parapëlqyera nga Dhiata e Re? Përse?
-
Si mendon, pse do të jetë e dobishme ta studiosh Dhiatën e Re këtë vit?
Katër librat e parë të Dhiatës së Re përmbajnë katër rrëfime të jetës së Shpëtimtarit. Këta njihen si Ungjij. Pjesa tjetër e Dhiatës së Re përmban shërbesën dhe mësimet e disa prej Dymbëdhjetë Apostujve të Shpëtimtarit dhe të udhëheqësve të tjerë të Kishës së hershme.
Për më shumë informacion, shihni “Si është e organizuar Dhiata e Re?” në pjesën “Komente dhe Informacion për Rrethanat” në fund të mësimit.
Në Dhiatën e Re, Shpëtimtari ofron një ftesë që mund ta pranojmë për të marrë ndihmën që Ai dëshiron të na japë.
Lexoje vargun te Mateu 11:28 , duke kërkuar ftesën e Shpëtimtarit.
-
Çfarë mendon se do të thotë të “vi[sh] te [Krishti]”?
-
Çfarë lloj qetësie mendon se mund të na japë Shpëtimtari ndërsa shkojmë tek Ai?
-
Çfarë bekimesh ke përjetuar tashmë në jetën tënde kur ke ardhur te Jezu Krishti?
Forcimi i dishepullimit tënd ndërsa e studion Dhiatën e Re
Përvoja jote me studimin e Dhiatës së Re këtë vit do të të japë shumë mundësi për të ardhur te Jezu Krishti dhe për të qenë dishepull/e ose ndjekës/e i/e Tij.
Gjatë gjithë studimit tënd, kushtoji vëmendje jo vetëm asaj që lexon dhe dëgjon për Jezu Krishtin, por edhe asaj që Shpirti po të mëson për Të. Merre parasysh të lësh bosh disa faqe në ditarin tënd të studimit për të mbajtur shënim atë që po mëson dhe ndien për Të dhe atë që po bën për ta ndjekur Atë. Gjatë gjithë vitit, shto përditësime në këto faqe dhe rishikoje ecurinë tënde.
-
Çfarë shpreson të mësosh apo përjetosh teksa i studion jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit këtë vit?
-
Cilat janë disa mënyra specifike që shpreson të përmirësosh si ndjekës/e i/e Jezu Krishtit?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Si është e organizuar Dhiata e Re?
Katër librat e parë të Dhiatës së Re (Mateu, Marku, Lluka dhe Gjoni) njihen si Ungjij. Ungjijtë janë katër dëshmi të jetës dhe shërbesës në vdekshmëri të Jezusit. Në greqisht, fjala ungjill do të thotë “lajm i mirë”. Për më shumë informacion rreth katër Ungjijve, shih Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “ Ungjijtë ”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.
Pjesa tjetër e Dhiatës së Re (libri Veprat e Apostujve deri te Zbulesa) përmban shkrimet dhe shërbesat e udhëheqësve kryesorë në Kishën e Shpëtimtarit. Libri Veprat e Apostujve shënon veprimtaritë misionare, shërbesat dhe mrekullitë e Apostujve. Librat nga Romakëve deri te Juda janë letra ose shkresa, të shkruara nga Pali dhe udhëheqës të tjerë të Kishës për t’i udhëzuar dhe lartësuar moralisht shenjtorët. Libri Zbulesa përmban një zbulesë të marrë nga Gjoni për ditët e fundit.
Si mund të forcohet besimi im te Jezu Krishti teksa e studioj Dhiatën e Re?
Presidentja Xhin B. Bingham, ish-presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, tregoi disa mënyra se si mund të forcohet besimi ynë teksa studiojmë jetën dhe mësimet e Shpëtimtarit.
“Kur e studioni jetën dhe mësimet e Krishtit në një mori mënyrash, besimi juaj në Të do të rritet. Ju do të arrini të dini se Ai ju do individualisht dhe ju kupton përsosurish. Në 33 vitet e Tij në vdekshmëri, Ai vuajti mospranim; përndjekje; uri trupore, etje dhe lodhje; vetmi; dhunë verbale e fizike; dhe përfundimisht, një vdekje mizore në duart e njerëzve mëkatarë. Në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryqin e Kalvarit, Ai ndjeu gjithë dhembjet, hidhërimet, tundimet, sëmundjet dhe dobësitë tona.
Pavarësisht nga ajo që kemi vuajtur, Ai është burimi i shërimit. Atyre që kanë përjetuar ndonjë lloj dhune, humbje shkatërrimtare, sëmundje kronike apo vuajtje gjymtuese, akuza të pavërteta, përndjekje të egër ose dëmtim shpirtëror nga mëkati apo keqkuptimet, të gjitha mund të shërohen nëpërmjet Shëlbuesit të botës. Gjithsesi, Ai nuk do të hyjë pa u ftuar. Ne duhet të vijmë tek Ai dhe ta lejojmë Atë t’i kryejë mrekullitë e Tij.”
(Xhin B. Bingham, “Që Gëzimi Juaj të Jetë i Plotë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 86.)
Plaku L. Tom Peri (1922–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për rëndësinë e studimit të Dhiatës së Re.
“Bota sot është aq e ngarkuar me doktrina të njeriut saqë është e lehtë të harrosh dhe të humbasësh besimin në atë tregim të fuqishëm për jetën dhe shërbesën e Shpëtimtarit – Dhiatën e Re. Ky libër i shenjtë është pjesa qendrore e historisë së shkrimeve të shenjta, pikërisht ashtu si Vetë Shpëtimtari është pjesë qendrore e jetës sonë. Ne duhet t’i futemi vetë studimit dhe përvetësimit të tij!”
(L. Tom Peri, “Shabati dhe Sakramenti”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 6.)