Hyrje në Zotërimin Doktrinor
Qëllimi i Zotërimit Doktrinor
Ky mësim do të të njohë me zotërimin doktrinor dhe se si ai mund ta bekojë jetën tënde dhe të të ndihmojë ta ndërtosh themelin tënd shpirtëror mbi Jezu Krishtin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ndërtimi i një themeli mbi Jezu Krishtin
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi për vorbulla erërash shpirtërore:
“Më shqetësuese se tërmetet dhe luftërat e profetizuara [në ditët e mëvonshme], janë vorbullat e erërave shpirtërore, të cilat mund t’ua shkulin nga rrënjët themelet tuaja shpirtërore dhe mund ta vendosin shpirtin tuaj në vende që asnjëherë nuk i përfytyruat të mundura, nganjëherë duke mos e vënë re fare se jeni lëvizur”.
(Nil L. Andersen, “Vorbullat e Erërave Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 18.)
-
Cilat janë disa nga vorbullat e erërave shpirtërore që përpiqen të na i shkulin nga rrënjët themelet tona shpirtërore?
Mendoni për një vorbull ere shpirtërore me të cilën mund të jeni duke u përballur. Lexojeni vargun te Helamani 5:12 dhe kërkoni mënyra si t’i bëni ballë kësaj vorbulle ere.
-
Çfarë vutë re që mund t’ju ndihmojë t’u bëni ballë vorbullave të erërave shpirtërore?
-
Si mendoni, çfarë do të thotë të ndërtojmë një themel mbi Jezu Krishtin?
-
Në çfarë mënyrash do të përfitonit ju vetë nga ndërtimi i një themeli të fortë mbi Jezu Krishtin?
Zotërimi doktrinor
Seminari mund të të ndihmojë të ndërtosh themelin tënd mbi Jezu Krishtin teksa mëson doktrinën e Tij, vjen tek Ai dhe bëhesh dishepulli/ja i/e Tij (shih 3 Nefi 11:39). Lexoji dy paragrafët e parë në kapitullin “Hyrje në Zotërimin Doktrinor” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022), duke kërkuar mënyra se si seminari mund të të ndihmojë të ndërtosh themelin tënd mbi Jezu Krishtin.
-
Çfarë gjete?
Ka dy rezultate kryesore për zotërimin doktrinor që do të të ndihmojnë të ndërtosh themelin tënd mbi Jezu Krishtin. Lexoji dy rezultatet për zotërimin doktrinor në kapitullin “Hyrje në Zotërimin Doktrinor” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor.
Çdo javë në seminar do të punosh me zotërimin doktrinor. Në pjesën më të madhe të këtyre mësimeve, do të studiosh njërin prej 24 fragmenteve të shkrimit të shenjtë nga Dhiata e Re që njihen si fragmente të zotërimit doktrinor. Diagrami i mëposhtëm ilustron se çfarë do të bësh në mësimet e zotërimit doktrinor.
Njiheni dhe shpjegojeni doktrinën
Më herët në mësim ju e vlerësuat veten në lidhje me faktin se sa ndieni se mundeni t’i përdorni shkrimet e shenjta për të shpjeguar doktrinën e Jezu Krishtit. Pavarësisht se si e vlerësuat veten, studimi i zotërimit doktrinor do t’i rritë njohuritë tuaja për Shpëtimtarin dhe doktrinën e Tij. Aftësia juaj për të shpjeguar doktrinën e Tij duke përdorur shkrimet e shenjta do të rritet.
Këqyreni listën e fragmenteve të zotërimit doktrinor të Dhiatës së Re dhe frazat e tyre kyç të shkrimeve të shenjta. Këtë listë mund ta gjeni pranë fundit të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor. Përzgjidhni njërin prej fragmenteve që ju duket interesant, që mund të ndihmojë për një nevojë personale ose që mund të ndihmojë për një pyetje që keni.
-
Cilin fragment të shkrimit të shenjtë përzgjodhe?
-
Çfarë të mëson ky fragment rreth Jezu Krishtit apo doktrinës së Tij?
-
Në çfarë mënyrash do të bekohej jeta jote po të dije se si ta shpjegoje doktrinën nga ky fragment?
Marrja e njohurisë shpirtërore
Në mësimet për zotërimin doktrinor, do të keni mundësinë të mësoni më shumë dhe të praktikoheni mbi përdorimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore për t’ju ndihmuar t’u përgjigjeni pyetjeve personale dhe shoqërore, si edhe pyetjeve rreth doktrinës, praktikave apo historisë së Kishës. Mësimi dhe përdorimi i këtyre parimeve do t’ju ndihmojë të ndërtoni themelin tuaj mbi Shpëtimtarin dhe të ktheheni tek Ai kur hasni pyetje. Tre prej parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore që do të praktikoni në seminar janë:
-
Veproni me besim.
-
Shqyrtojini konceptet e pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm.
-
Kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.
Nëse nuk keni njohuri për këto parime, mund të lexoni nëse dëshironi paragrafët 5–12 në kapitullin “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor.
-
Çfarë di për këto parime?
-
Çfarë përvojash ke pasur me këto parime?
-
Në çfarë mënyrash mendon se këto parime mund të të ndihmojnë ta ndërtosh themelin tënd mbi Krishtin dhe t’u bësh ballë vorbullave të erërave shpirtërore?
Fragmentet e shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor
Çdo vit në seminar do të inkurajohesh të mësosh përmendsh një frazë kyç të shkrimit të shenjtë për 24 fragmentet e shkrimeve të shenjta të zotërimit doktrinor.
Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për futjen në kujtesë të shkrimeve të shenjta.
“Fuqi e madhe mund të vijë nga futja në kujtesë e shkrimeve të shenjta. Futja në kujtesë e shkrimeve të shenjta është si të krijosh miqësi të re. Ajo është si të zbulosh një individ të ri që mund të të ndihmojë në kohë nevoje, të japë frymëzim e ngushëllim dhe të jetë një burim nxitjeje për ndryshimin e nevojshëm.”
(Riçard G. Skot, “Fuqia e Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 6.)
-
Si mendon, përse do të ishte e dobishme të futësh në kujtesë fragmente të ndryshme të shkrimeve të shenjta?
-
Si mendon se mund të të ndihmojë futja në kujtesë e shkrimeve të shenjta për të ndërtuar themelin tënd mbi Jezu Krishtin dhe për t’u bërë ballë vorbullave të erërave shpirtërore?
Kushtoji pak çaste shqyrtimit të 24 fragmenteve të zotërimit doktrinor dhe frazave kyç të shkrimeve të shenjta për kursin e Dhiatës së Re. Mund të përdorësh programin Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor] ose materialin Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor. Nëse dëshiron, mund të fillosh ta mësosh përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për fragmentin që zgjodhe më herët.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Përse është i rëndësishëm zotërimi doktrinor?
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“[Zotërimi doktrinor] do të përqendrohet te ndërtimi dhe forcimi i besimit të studentëve tanë te Jezu Krishti dhe fortifikimi i tyre me mundësi më të madhe për ta jetuar dhe vënë në zbatim ungjillin në jetën e tyre. Duke i përdorur shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve, ata do të mësojnë si të veprojnë me besim në Krisht për të marrë njohuri shpirtërore dhe kuptueshmëri për ungjillin e Tij. Dhe ata do të kenë mundësi për të mësuar se si ta vënë në zbatim doktrinën e Krishtit dhe parimet e ungjillit për pyetjet dhe sfida që dëgjojnë dhe shohin çdo ditë midis bashkëmoshatarëve dhe në median shoqërore.”
(M. Rasëll Ballard, “Mundësitë dhe Përgjegjësitë e Mësuesve të SAK-ut në Shekullin e 21-të” [mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 26 shkurt 2016], ChurchofJesusChrist.org.)