Seminari
Gjoni 18:33–40; Lluka 23:8–11


Gjoni 18:33–40; Lluka 23:8–11

Jezusi Gjykohet dhe Fshikullohet

Ecce Homo, by Antonio Ciseri.

Pasi Jezusi u arrestua dhe u gjykua në mënyrë të rreme përpara udhëheqësve judeas, Ai u dërgua që të gjykohej përpara Pilatit, i cili kishte juridiksionin romak. Shpëtimtari iu nënshtrua me zemërbutësi romakëve dhe u fshikullua në mënyrë të dhimbshme e u dënua me vdekje. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të mësosh më shumë rreth dashurisë së Shpëtimtarit për të gjithë dhe karakterit të Tij të përsosur dhe se si ti mund ta ndjekësh më mirë shembullin e Tij.

Dhënia e mundësive për nxënësit. Mund të jetë e dobishme t’i lejoni nxënësit të zgjedhin atë që dëshirojnë të studiojnë. Kjo mund të bëhet duke ofruar disa histori për t’i studiuar, pyetje për t’u dhënë përgjigje ose veprimtari të ngjashme nga të cilat të zgjedhin.

Përgatitja e nxënësve: Kujtojuni nxënësve që karakteri i një personi përbëhet nga cilësitë morale që e formojnë dhe e dallojnë atë si individ. Ftojini nxënësit të përsiatin për karakterin e Jezu Krishtit dhe të mendojnë se cilin prej tipareve të Tij do të dëshironin ta zhvillonin më plotësisht. Ftojini nxënësit të vijnë në klasë të përgatitur për të treguar të paktën një nga karakteristikat e Jezu Krishtit dhe arsyen përse e ndiejnë se ajo do të ishte një karakteristikë e mirë për t’u zotëruar.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ndjenja e të qenit i keqtrajtuar

Ftojini nxënësit të diskutojnë për ide përgjigjesh për pyetjet vijuese:

  • Cilat janë disa situata të zakonshme në të cilat një adoleshent mund ta tallin, ta akuzojnë në mënyrë të rreme apo ta keqtrajtojnë?

  • Cilat janë disa mënyra se si një adoleshent i zakonshëm mund t’i përgjigjet një keqtrajtimi të tillë?

Kjo veprimtari ka për qëllim që t’u japë nxënësve mundësinë për të diskutuar shembuj të zakonshëm të talljes, të të akuzuarit në mënyrë të rreme ose të të qenit i keqtrajtuar. Nëse nxënësit përmendin keqtrajtimin fizik apo seksual, bëjeni të qartë që keqtrajtimi nuk është i pranueshëm dhe që ne nuk duhet t’i nënshtrohemi atij, por duhet të kërkojmë menjëherë ndihmë nga të rritur të besuar. Nëse nxënësit përmendin përvoja personale keqtrajtimi fizik ose seksual, flisni me ta pas mësimit dhe përfshijini menjëherë udhëheqësit e tyre të Kishës.

Zoti mund të jetë me ne dhe të na ndihmojë të rritemi nëpërmjet përvojave të vështira. Ai mund të na ndihmojë t’u përgjigjemi vështirësive dhe kundërshtimit në mënyra të ngjashme me të Krishtit. Mendo për përvojat e tua personale të të qenit i tallur, i akuzuar në mënyrë të rreme ose i keqtrajtuar, duke përfshirë mënyrën se si je përgjigjur dhe përse.

Teksa Jezu Krishti iu afrua ngjarjeve të fundit të jetës së Tij, Atë e tallën, e akuzuan në mënyrë të rreme dhe e keqtrajtuan. Teksa i studion këto ngjarje të fundit të jetës së Shpëtimtarit, kërko cilësitë e karakterit të Tij që e ndihmuan Atë të duronte besnikërisht dhe të përfundonte misionin e Tij. Gjithashtu, mendoje me lutje mënyrën se si mund ta ndjekësh shembullin e Tij.

Jezusi gjykohet padrejtësisht dhe dënohet me vdekje

Paraqitni, përmblidhni ose jepni shkurtimisht informacionin vijues:

Pasi Jezusi vuajti në Kopshtin e Gjetsemanit, Atë e arrestuan dhe udhëheqësit judeas (sinedri) e gjykuan padrejtësisht dhe e dënuan me vdekje. Megjithatë, për shkak se Izraeli ishte nën sundimin romak, ekzekutimi mund të autorizohej vetëm nga romakët. Për këtë arsye, judenjtë e dërguan Jezusin te Pilati, udhëheqësi romak i Judesë, duke e akuzuar Atë për rebelim kundër qeverisë romake ngaqë pretendonte se ishte “mbreti i Judenjve” (shih Marku 15:2). Pilati e dërgoi Jezusin te Herod Antipa, i cili ndodhej në Jerusalem për Festën e Pashkës, duke shpresuar që Herodi do ta gjykonte Atë në Galile, por Herodi e ktheu Jezusin te Pilati.

Merreni parasysh t’u caktoni nxënësve ndodhi për t’i lexuar për t’u siguruar që të gjitha ndodhitë të lexohen.

Lexo dy ose më shumë nga ndodhitë vijuese, që tregojnë se si Jezusi u akuzua padrejtësisht dhe në fund u dënua. Ndërsa lexon, shiko mënyrën se si Jezusi u përgjigj në secilën prej këtyre situatave. Kujto që Ai kishte fuqinë ta lironte Veten nga këto rrethana (shih Mateu 26:52–54).

1. Jezusi merret në pyetje nga sinedri. Lexo te Mateu 26:57–68 .

2. Jezusi merret në pyetje nga Pilati. Lexo te Gjoni 18:33–40 .

3. Jezusi del përpara Herodit. Lexo te Lluka 23:8–11 .

4. Jezusi fshikullohet nga ushtarët romakë dhe më pas merret në pyetje nga Pilati një herë të dytë. Lexo te Gjoni 19:1–16 , ose shih “Jesus Is Scourged and Crucified” [“Jezusi Fshikullohet dhe Kryqëzohet”] nga kodi kohor 00:00 deri në 02:03, që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Mund të jetë e dobishme të dini që fshikulli ishte një kamxhik që shpesh përmbante objekte të mprehta (si për shembull, copa guri, metali ose kocke) të ndërthurura në disa pjesë të fijeve. Shumë njerëz nuk i mbijetonin fshikullimit për shkak të traumës së rëndë fizike që shkaktonte.

Ndërsa nxënësit japin përgjigjet për pyetjet vijuese, mundohuni të përfshini përgjigje nga nxënës që kanë lexuar ndodhi të ndryshme.

  • Si u përgjigj Shpëtimtari në këto situata?

  • Si mendon, përse mund të jetë përgjigjur Shpëtimtari në atë mënyrë?

Karakteri i Jezu Krishtit

Lexo te 1 Nefi 19:9 dhe pohimet vijuese, duke kërkuar këndvështrime për karakterin e Shpëtimtarit.

Plaku Robert D. Hejls (1932–2017), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi sa vijon:

Official portrait of Elder Robert D. Hales of the Quorum of the Twelve Apostles, 2003

“Të përgjigjesh në një mënyrë si e Krishtit nuk mund të kopjohet ose të bazohet në një formulë. Shpëtimtari reagoi ndryshe në çdo situatë. Kur Ai u përball nga i ligu mbreti Herod, Ai qëndroi i heshtur. Kur Ai qëndroi përpara Pilatit, Ai dha një dëshmi të thjeshtë dhe të fuqishme të hyjnisë dhe qëllimit të Tij. …

Disa njerëz gabimisht mendojnë se qetësia, butësia, zemërgjerësia dhe sjellja e një dëshmie të përulur janë pasive apo të dobëta. Por, të ‘[duam] armiqtë [tanë], [të bekojmë] ata që [na] mallkojnë, [t’u bëjmë] mirë atyre që [na] urrejnë, dhe [të lutemi] për ata që [na] keqtrajtojnë dhe [na] përndjekin’ ( Mateu 5:44) kërkon besim, forcë dhe mbi të gjitha kurajë të krishterë.”

(Robert D. Hejls, “Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 72.)

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Elder David A. Bednar, Quorum of the Twelve Apostles official portrait. 2020.

“Merrni gjithashtu parasysh mënyrën se si Mësuesi u akuzua dhe u dënua përpara Pilatit që të kryqëzohej [shih Mateu 27:2 , 11–26 ]. … Zemërbutësia e Shpëtimtarit dëshmohet në përgjigjen e Tij të disiplinuar, vetëpërmbajtjen e fuqishme dhe mungesën e dëshirës për ta ushtruar fuqinë e Tij të pafundme për përfitim vetjak.

(Dejvid A. Bednar, “Zemërbutë dhe të Përulur nga Zemra”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 33.)

  • Çfarë mësove rreth Shpëtimtarit nga mënyra se si Ai u përgjigj gjatë këtyre rrethanave të vështira?

  • Si e treguan veprimet e Shpëtimtarit “dashuri[në e] përzemërt … kundrejt fëmijëve të njerëzve”? ( 1 Nefi 19:9 .)

  • Si mund të të ndihmojë njohuria që Jezu Krishti i ka këto cilësi, ta duash dhe të mirëbesosh më shumë tek Ai?

Është e rëndësishme të dallosh që në shumë raste Shpëtimtari u ka kërkuar llogari me guxim të tjerëve për veprimet e tyre (shih Marku 11:15–17 , Gjoni 2:13–16 , Doktrina e Besëlidhje 133:48–51). Si ndjekës të Jezu Krishtit, ne duam t’i përgjigjemi talljes, akuzave të rreme ose keqtrajtimit me dashuri, kurajë dhe zemërbutësi. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ne duhet t’i lejojmë të tjerët të na keqtrajtojnë apo lëndojnë. “Zoti e dënon sjelljen keqtrajtuese të çfarëdo forme – duke përfshirë lënien pas dore dhe abuzimin fizik, seksual apo verbal” (Letër e Presidencës së Parë, “Parandalimi dhe Përgjigjja ndaj Keqtrajtimit”, 26 mars 2018). Nëse jemi keqtrajtuar, është e rëndësishme që të kërkojmë menjëherë ndihmë nga një i rritur i besuar.

  1. Kujto kur je ndier i tallur, i akuzuar në mënyrë të rreme ose i keqtrajtuar. Kërko ndihmën e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të ditur mënyrat e duhura të ngjashme me të Krishtit se si mund t’i përgjigjesh kësaj situate. Shkruaj atë që ke bërë mirë dhe se si mund të duash të përmirësohesh.

  2. Shkruaj dy shembuj të kohëve ose rrethanave në të cilat të kujtuarit e karakterit të Krishtit të ka ndihmuar ose mund të të ndihmojë. Si mund të jetë jeta jote ndryshe nëse ti përpiqesh vazhdimisht të zhvillosh karakteristika si të Krishtit?

  3. Zgjidh një karakteristikë si të Krishtit që ti do të doje të zhvilloje më plotësisht. Mendo për raste të ditës kur mund të ushtrosh përdorimin e kësaj karakteristike.

Ftojini nxënësit e gatshëm që t’i tregojnë klasës për atë që shkruan. Jepni inkurajim dhe merreni parasysh të jepni dëshminë vetjake që, ndërkohë që nxënësit drejtohen te Jezu Krishti, Ai do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë karakteristikat si të Krishtit që ata i përcaktuan.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 18:36 . Çfarë është mbretëria për të cilën po fliste Jezusi?

Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim:

Portrait of Elder D. Todd Christofferson. Photographed in March 2020.

“Kur Danieli e interpretoi ëndrrën e mbretit të Babilonisë, Nebukadnetsarit, duke i bërë të njohur mbretit ‘atë që do të ndodhë ditët e fundit’ [ Daniel 2:28 ], ai shpalli se ‘Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë … mbretëri[të e tjera], dhe do të ekzistojë përjetë’ [ Daniel 2:44 ]. Kisha është ajo mbretëri e profetizuar e ditëve të mëvonshme, jo e krijuar nga njeriu, por e ngritur nga Perëndia i qiellit dhe që rrokulliset si guri që ‘shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut’ për të mbushur tokën [ Daniel 2:45 ; shih edhe vargun 35 ].

Fati i saj është të krijojë Sionin si përgatitje për kthimin dhe sundimin mijëvjeçar të Jezu Krishtit. Përpara asaj dite, nuk do të jetë një mbretëri në ndonjë kuptim politik – siç tha Shpëtimtari: ‘Mbretëria ime nuk është e kësaj bote’ [ Gjoni 18:36 ; theksimi i shtuar]. Përkundrazi, ajo është burimi i autoritetit të Tij në tokë, administruesja e besëlidhjeve të Tij të shenjta, kujdestarja e tempujve të Tij, mbrojtësja dhe shpallësja e së vërtetës së Tij, vendi i mbledhjes për Izraelin e shpërndarë dhe një ‘mbrojtje e … strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun’ [ Doktrina e Besëlidhje 115:6 ].

(D. Tod Kristoferson, “Përse Kisha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 111.)

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Mundësi alternative për studimin e nxënësve

Merreni parasysh ta ndani klasën në grupe me nga katër veta. Caktojini secilit anëtar të grupit një prej ndodhive vijuese: Mateu 27:11–31; Marku 15:1–20; Lluka 23:1–25; ose Gjoni 18:28–40 ; 19:1–16 . Vërini nxënësit të kërkojnë hollësi të rëndësishme teksa lexojnë. Ata mund t’i krahasojnë ndodhitë dhe të shohin se çfarë ka përfshirë apo përjashtuar çdo autor. (Kujtojuni nxënësve se shkruesit e ungjillit nuk i mbajtën shënim gjithmonë ngjarjet sipas të njëjtit rend.) Pyetini se në ç’mënyrë të pasurit e disa shkruesve jep një tablo më të mirë të Shpëtimtarit.

Krahasimi i Jezusit me Pilatin

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të lexojnë te Mateu 27:11–31 dhe të krahasojnë mënyrën se si u përgjigj Jezusi kur u përball me kundërshtim, me mënyrën se si u përgjigj Pilati. Ftojini nxënësit të marrin parasysh se si mund ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit dhe ta mbrojnë të vërtetën.