Seminari
Lluka 23:33–46; Gjoni 19:26–30


Lluka 23:33–46; Gjoni 19:26–30

Dhembshuria e Shpëtimtarit në Kryq

Women at the foot of the cross, Bible Video stills, From “Jesus is Scourged and Crucified”

Gjërat që Jezusi tha ndërsa ishte mbi kryq, tregojnë karakterin dhe cilësitë hyjnore të Tij. Teksa studion, mundohu ta rritësh dëshirën tënde për të qenë më i ngjashëm me Jezu Krishtin ndërsa mëson nga shembulli i Tij kur u kryqëzua.

Krijimi i një ndjesie qëllimi. Të pasurit e një qëllimi të përbashkët që është i qartë si për mësuesit edhe për nxënësit, mund ta rritë besimin dhe t’i japë kuptim përvojës në klasë.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të folur rreth dikujt që ata e njohin, i cili ka treguar dhembshuri ose mëshirë edhe ndërkohë që përjetonte sfida të vështira.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Kujdesi për të tjerët

Përsiatni pyetjet vijuese:A tregon shpesh dhembshuri ndaj të tjerëve? Përse po ose përse jo?

Në ditarin tënd të studimit, rendit situatat ku mund të jetë e vështirë për ty të interesohesh për shqetësimet dhe mirëqenien e të tjerëve. Shpjego se përse ato situata e bëjnë të vështirë që ti ta bësh këtë gjë.

Në vend që t’i rendisin këto situata në ditarin e tyre, nxënësit mund t’i rendisin përgjigjet e tyre në tabelë. Si alternativë, një nxënës mund të ngrihet në tabelë si shkrues ndërkohë që klasa ka dy minuta kohë për të renditur sa më shumë përgjigje të mundet dhe për t’i shpjeguar përgjigjet pasi t’i renditë ato.

Merre parasysh t’i përgjigjesh pyetjes vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Si mund të jetë jeta jote më e mirë po të tregoje dhembshuri ndaj të tjerëve edhe kur ke qenë në rrethana të vështira?

Në këtë mësim ti do kesh mundësinë të studiosh shembullin e Shpëtimtarit të dhënies së ndihmës ndaj të tjerëve edhe gjatë përvojës së Tij të dhimbshme në kryq. Ndërsa studion shembullin e Shpëtimtarit, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë që të të ndihmojë të dëshirosh të jesh më i ngjashëm me Të.

Përvojat përpara dhe gjatë Kryqëzimit

Kujto përvojat e Shpëtimtarit përpara dhe gjatë Kryqëzimit të Tij:

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i kujtojnë hollësitë vijuese në vend që t’i tregojnë ato. Mund të jetë e dobishme të paraqitni figura të disa ose të të gjitha ngjarjeve vijuese.

  • Ai vuajti për mëkatet e botës në Gjetseman (shih Lluka 22:39–44).

  • Ai u tradhtua nga Juda dhe u braktis nga Apostujt e Tij (shih Marku 14:43–50).

  • Ai u gjykua, u rrah dhe u pështy nga udhëheqësit judeas (shih Mateu 26:57–68).

  • Ai u mor në pyetje nga Pilati si dhe nga Herodi dhe u përqesh nga Herodi dhe ushtarët e Tij ( Lluka 23:1–24).

  • Ai u rrah brutalisht dhe u fshikullua nga ushtarët romakë (shih Mateu 27:26–31).

  • Ai e mbajti kryqin e Tij të paktën në një pjesë të rrugës për në Golgotë (shih Gjoni 19:16–17).

  • Në duart dhe në këmbët e Tij u ngulën gozhdë dhe Ai u kryqëzua në mes të dy hajdutëve (shih Lluka 23:33 ; shih edhe Gjoni 20:25).

  • Ai u var në kryq (shih Mateu 27:45–50 ; Marku 15:25).

Mendo se si këto ngjarje ndikojnë te mënyra se si ti ndihesh kundrejt Shpëtimtarit dhe asaj që Ai duroi për ty.Lexo fragmentet vijuese të cilat përmbajnë thënie që Shpëtimtari i tha ndërkohë që ishte mbi kryq. Përcakto të vërteta për Jezu Krishtin nga thëniet e Tij dhe renditi ato në ditarin tënd të studimit.

Paraqitni ndihmat sipas kontekstit dhe fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta:

Lluka 23:33–34 . Shpëtimtari i tha këto fjalë për ushtarët që e kryqëzuan Atë (shih Përkthimin prej Joseph Smith-it për vargun Lluka 23:34 te Shtojca Përkthimi prej Joseph Smith-it).

Lluka 23:39–43 . Këto vargje regjistrojnë atë çfarë thanë hajdutët që u kryqëzuan me Shpëtimtarin, dhe mënyrën se si u përgjigj Shpëtimtari. (Vër re që Profeti Jozef Smith dha mësim që kur Shpëtimtari iu referua këtij hajduti që do të ishte me të në parajsë, Ai po jepte mësim që “Unë do të jem me ty në botën e shpirtrave dhe do të të mësoj ose do t’u përgjigjem pyetjeve të tua” [“Discourse, 11 qershor 1843–A, siç raportohet nga Wilford Woodruff”, f. 44, josephsmithpapers.org]).

Gjoni 19:26–27 . Këto vargje regjistrojnë atë që Shpëtimtari i tha nënës së Vet, Maries dhe Apostullit Gjon.

Ftojini nxënësit të tregojnë atë çfarë shkruan. Merreni parasysh të bëni pyetje pasuese si ajo më poshtë:

  • Çfarë mësove për Jezu Krishtin që ka qenë më kuptimplotë për ty? Përse?

Ndërsa nxënësit i tregojnë përgjigjet e tyre, merreni parasysh t’i shkruani ato në tabelë. Nxënësit mund të përmendin parime të ngjashme me sa vijon:

Ne mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit duke zgjedhur t’i falim ata që na keqtrajtojnë. Ne mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit duke zgjedhur që t’i ndihmojmë të tjerët edhe kur jemi në nevojë.

  • Në çfarë mënyrash dëshiron të jesh si Shpëtimtari? Përse?

Shpëtimtari nuk mendoi vetëm për ushtarët romakë, hajdutët dhe nënën e Tij ndërkohë që ishte në kryq. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim një mënyrë tjetër se si Shpëtimtari u përqendrua tek të tjerët ndërkohë që ishte në agoni.

Official portrait of President Russell M. Nelson taken January 2018

“Si në të gjitha gjërat, Jezu Krishti është shembulli ynë më i lartë, ‘i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin’ [ Hebrenjve 12:2 ]. Merreni me mend! Në mënyrë që të duronte përvojën më torturuese të duruar ndonjëherë në tokë, Shpëtimtari ynë u përqendrua te gëzimi!

Dhe cili qe gëzimi që ishte përpara Tij? Me siguri ai përfshiu gëzimin e pastrimit, shërimit dhe forcimit tonë; gëzimin e pagimit për mëkatet e të gjithë atyre që do të pendoheshin; gëzimin e bërjes së mundshme për mua dhe ju që të kthehemi në shtëpi – të pastër dhe të denjë – për të jetuar me Prindërit tanë Qiellorë dhe me familjet tona.”

(Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 82–83.)

  • Ku u përqendrua Shpëtimtari ndërkohë që vuajti për ne?

  • Çfarë të mësoi Presidenti Nelson rreth dëshirave të Shpëtimtarit për ty?

Përsiat për një çast për të vërtetën që, ndërkohë që Shpëtimtari ishte në kryq, Ai u përqendrua tek ti dhe te gëzimi i ndihmës që të të kthente ty tek Ati Qiellor.

  • Çfarë ndryshimi mund të sjellë në jetën tënde po ta kuptosh këtë të vërtetë? Përse kjo njohuri do të sillte një ndryshim të tillë për ty?

Ftojini nxënësit të kujtojnë mendimet dhe ndjenjat e tyre nga përgatitja e tyre për orën mësimore.

  • Kur e ke ndihmuar dikë ndërkohë që po përjetoje një sfidë ose kur e ka bërë dikush këtë për ty?

Nëse do të të ndihmonte të shihje një shembull, shih “Ta Duam Njëri-Tjetrin sikurse Ai na Ka Dashur”, që ndodhet në ChurchofJesusChrist.org, [https://www.churchofjesuschrist.org/study/general-conference/2017/10/love-one-another-as-he-has-loved-us?lang=alb] nga kodi kohor 03:22 deri në 07:54.Ta Duam Njëri-Tjetrin sikurse Ai na Ka Dashur

2:3

Kërko frymëzimin e Frymës së Shenjtë duke përsiatur për shembullin e Shpëtimtarit dhe atë që ti ke ndier sot. Përcakto mënyra se si ti mund të jesh më i ngjashëm me Jezu Krishtin duke treguar dashuri dhe dhembshuri ndaj të tjerëve edhe gjatë sfidave të tua. Më pas mbaji shënim këto mënyra në ditarin tënd të studimit. Rishikoje listën që bëre dhe me lutje zgjidh një nga mënyrat se si ti mund të jesh më i ngjashëm me Jezu Krishtin. Përcaktoje atë te shënimi në ditarin tënd. Lutu dhe kërko mundësi për ta realizuar këtë veprim.

Nxitini nxënësit e gatshëm të tregojnë atë që planifikojnë të bëjnë për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit. Merreni parasysh të tregoni një histori personale ose të jepni një dëshmi të përshtatshme për ta përfunduar orën mësimore.

“U krye”

Pasi vuajti disa orë mbi kryq, Shpëtimtari shqiptoi fjalët e Tij të fundit.

Lexo te Gjoni 19:28–30 dhe Lluka 23:46 . Shëno thëniet e fundit të Shpëtimtarit në vdekshmëri.

  • Çfarë mund të na ndihmojnë të kuptojmë këto thënie rreth Shpëtimtarit dhe misionit të Tij?

Ashtu si Shpëtimtari, ne mund të kryejmë atë që Ati dëshiron që ne të bëjmë në jetën tonë. Mos e harro këtë ndërsa kërkon që të vijosh me atë që vendose të zbatosh sot.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 19:27 . Çfarë mund të mësojmë nga thënia e Shpëtimtarit “Ja nëna jote”?

Ne mund të ndjekim shembullin e Jezu Krishtit ndërsa përpiqemi fort t’i vlerësojmë, t’i duam dhe të kujdesemi për nënat tona. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i nderoi nënat e drejta dhe e krahasoi dashurinë e tyre me dashurinë e Shpëtimtarit.

Shihni “Ja Nëna Jote”, që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, [https://www.churchofjesuschrist.org/study/general-conference/2015/10/behold-thy-mother?lang=alb] nga kodi kohor 00:20 deri në 02:53.

Si ndikon ndihma ndaj të tjerëve kur jemi vetë në vështirësi që të bëhemi ata që po bëhemi?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Elder David A. Bednar, Quorum of the Twelve Apostles official portrait. 2020.

“Karakteri zbulohet … në fuqinë për të dalluar vuajtjen e njerëzve të tjerë kur ne vetë po vuajmë; në aftësinë për të dalluar urinë e të tjerëve kur ne jemi të uritur; dhe në fuqinë për të ndihmuar dhe treguar dhembshuri për agoninë shpirtërore të të tjerëve kur ne jemi në mes të vetë ankthit tonë shpirtëror. Kështu, karakteri shfaqet duke kërkuar dhe duke u drejtuar jashtë vetes, kur përgjigjja e natyrshme dhe instinktive është që të jemi të përqendruar te vetja dhe të kthehemi drejt vetes sonë. Nëse një zotësi e tillë është me të vërtetë kriteri përfundimtar i karakterit moral, atëherë Shpëtimtari i botës është shembulli i përsosur i një karakteri të tillë, të qëndrueshëm dhe bamirës.”

(David A. Bednar, “The Character of Christ” [Brigham Young University–Idaho devotional, 25 janar 2003], byui.edu)

Çfarë bekimesh mund të vijnë ndërsa u shërbejmë të tjerëve kur gjërat janë të vështira për ne?

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Official Portrait of President Henry B. Eyring taken March 2018.

“Ne duhet të vëmë re mundimin e të tjerëve dhe të përpiqemi që t’i ndihmojmë. Ajo do të jetë veçanërisht e vështirë kur ne po vihemi rëndë në provë vetë. Por do të zbulojmë se kur ngremë barrën e dikujt tjetër, qoftë edhe pak, shpinat tona forcohen dhe ne ndiejmë dritë në errësirë.”

(Henri B. Ajring, “Të Vënë në Provë, të Provuar dhe të Lëmuar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 98.)

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Gjoni 19:30 . “U krye”

Për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi atë që kanë mësuar rreth asaj çfarë Shpëtimtari bëri për ta në Gjetseman dhe në kryq, ftojini ata të shqyrtojnë thënien e Shpëtimtarit “U krye” ( Gjoni 19:30). Kjo thënie mund të shkruhet në tabelë dhe nxënësit mund ta kopjojnë atë në ditarët e tyre të studimit. Më pas rreth kësaj fraze ata mund të shkruajnë të gjitha ato që Shpëtimtari “kr[eu]” për ta. Më pas ata mund të ftohen të mendojnë rreth asaj se çfarë do të bëjnë për shkak të asaj që Ai ka bërë për ta.