Seminari
Gjoni 2


Gjoni 2

Jezusi e Shndërron Ujin në Verë

Jesus talking to Mary at a wedding feast.

Jezusi e shndërroi ujin në verë në një gosti dasme në mrekullinë e parë të shënuar që Ai kreu gjatë shërbesës së Tij në tokë. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta rritësh besimin tënd te Jezu Krishti ndërsa e studion këtë mrekulli dhe përcakton të vërtetat rreth fuqisë dhe karakterit të Shpëtimtarit.

Bërja e pyetjeve për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë shkrimet e shenjta. Pyetjet që i ndihmojnë nxënësit t’i analizojnë shkrimet e shenjta, mund t’i ndihmojnë ata t’i kuptojnë më thellë të vërtetat që jepen mësim. Kërkoni mundësi për të bërë pyetje që do t’i ndihmojnë nxënësit të mendojnë më thellësisht për fjalë ose fraza të rëndësishme dhe të marrin parasysh se si një fragment i caktuar lidhet me ta.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përfytyrojnë sikur iu është kërkuar të japin një bisedë në mbledhjen e sakramentit për fuqinë e Jezu Krishtit. Kërkojuni të vijnë në klasë të përgatitur për të treguar një ose dy rrëfime nga shkrimet e shenjta që mund t’i përdorin për të ilustruar fuqinë e Tij.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Cilit i besoni?

Merrni parasysh të sillni në klasë ushqim të shijshëm dhe t’ia ofroni një nxënësi që është i gatshëm të zotohet për ta ngrënë para se ta dijë se çfarë ushqimi është. Zgjidhni një vullnetar. Para se t’ia tregoni ushqimin nxënësit, pyetni pse ai ose ajo ju beson aq sa ta pranojë atë para se ta dijë se çfarë është.

  • A është e mundur t’i besosh dikujt aq sa të zotohesh për të bërë çdo gjë që mund të të kërkojë të bësh?

  • Çfarë do të duhet të dish për atë person që të jesh i gatshëm të bësh një angazhim të tillë?

Përsiat për një çast nëse mendon se e njeh Shpëtimtarin aq mirë sa t’i mirëbesosh Atij për çfarëdo gjëje që Ai të kërkon. Ndërsa studion kapitullin te Gjoni 2 , kërko prova për fuqinë dhe karakterin e Tij që mund të ta rritin besimin tek Ai dhe gatishmërinë për t’iu bindur çdo gjëje që Ai kërkon prej teje.

Mrekullia e parë e shënuar e shërbesës së Jezusit

Mrekullia e parë e shënuar gjatë shërbesës tokësore të Shpëtimtarit gjendet te Gjoni 2 . Para se ta studiosh këtë rrëfim, mund të jetë e dobishme të dish se vera zakonisht përmirësohet në cilësi sa më shumë që vjetrohet dhe se nëse mbaronte vera do të ishte e turpshme për organizatorët e gostisë së dasmës.

Lexo te Gjoni 2:1–11 me ngadalë dhe me vëmendje, dhe merr parasysh të shënosh çdo gjë që të bën përshtypje. Ndërsa studion, mund të përsiatësh përgjigjet për pyetje si këto: Çfarë mendon se dinte Maria për Birin e saj? Çfarë mendon se mësuan shërbëtorët për Jezusin?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të lexojnë në grupe të vogla vargjet te Gjoni 2:1–11 . Nxitini të ndalojnë shpesh për t’i diskutuar me grupin e tyre të vërtetat që mësojnë për Jezu Krishtin.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini grupet t’ia tregojnë pikëpamjet e tyre klasës.

  • Çfarë të vërtetash mësove për fuqinë e Shpëtimtarit dhe për karakterin e Tij?

  • A mund të mendosh për rrethanat ku njohja e këtyre të vërtetave mund ta ndihmojë dikë sot?

  • Si e ka bekuar jetën tënde dija për këto të vërteta rreth Jezu Krishtit?

Përcaktoni se me cilat të vërteta të identifikuara do të ishin më të dobishme që nxënësit të kalojnë më shumë kohë duke i studiuar. Veprimtaria e mëposhtme e të mësuarit përqendrohet te vetëm njëra nga shumë të vërteta të rëndësishme që nxënësit mund të përcaktojnë nga ky fragment.

“Bëni gjithçka që ai t’ju thotë”

Ashtu si në shumë raste në Dhiatën e Re, Përkthimi prej Joseph Smith-it i Gjoni 2:4 na ndihmon të fitojmë njohuri shtesë për Shpëtimtarin. Ai thotë se Jezusi e pyeti Marien se çfarë do të donte të bënte Ai për të; sepse ora e Tij nuk kishte ardhur ende.

  • Çfarë mëson nga kjo për marrëdhënien e Shpëtimtarit me nënën e Tij?

Merr parasysh ta shenjosh atë që Maria u tha shërbëtorëve, siç shënohet te vargu 5 .

  • Çfarë mëson nga udhëzimet e Maries për shërbëtorët rreth besimit të saj te Jezusi?

Plaku L. Uitni Klejton, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi disa gjëra që Maria i dinte për Jezusin që e forcoi besimin e saj në Të.Mund të doni ta shikoni materialin filmik “Bëni Gjithçka që Ai t’ju Thotë” (në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org) nga kodi kohor 01:40 në 02:29, ose të lexoni pohimin e mëposhtëm.

Official Portrait of Elder L. Whitney Clayton. Photographed March 2017.

“[Maria] dinte për [Jezu Krishtin] më shumë se çdokush tjetër në tokë. Ajo e dinte të vërtetën e lindjes së Tij të mbinatyrshme. Ajo e dinte se Ai ishte pa mëkat dhe se Ai “nuk fliste si njerëzit e tjerë, as nuk mund të mësohej; pasi s’kishte nevojë që dikush ta mësonte” [ Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 3:25 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta)]. Maria e dinte zotësinë e Tij të jashtëzakonshme për t’i zgjidhur problemet, përfshirë një problem aq personal sa dhe sigurimi i verës për një festë martese. Ajo kishte siguri të palëkundur në Të dhe në fuqinë e Tij hyjnore. Udhëzimi i saj i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë ndaj shërbëtorëve nuk kishte as paralajmërime, as kushte, as kufizime: ‘Bëni gjithçka që ai t’ju thotë’.”

(L. Uitni Klejton, “Bëni Gjithçka që Ai t’ju Thotë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 97.)

  • Çfarë dinte Maria për Jezusin që është e rëndësishme që ta dimë edhe ne për Të?

Përfytyro sikur të ishe një nga shërbëtorët që dëgjuan udhëzimet e Maries. Lexo sërish te Gjoni 2:6–8 , duke kërkuar atë që u kërkoi Jezusi të bënin shërbëtorëve. Para se të lexosh, mund të jetë e dobishme të dish se “këto enë prej guri nuk përdoreshin për të ruajtur ujë të pishëm, por përdoreshin për larje ceremoniale” (L. Uitni Klejton, “Bëni Gjithçka që Ai t’ju Thotë”, f. 97).

  • Çfarë mund të kesh menduar apo ndier ndërsa i çoje gotën drejtuesit të gostisë?

  • Cilat janë disa udhëzime që ka dhënë Jezu Krishti sot që kërkojnë t’i mirëbesoj Atij me qëllim që të bindem?

Shqyrtoni mënyra për t’i ndihmuar nxënësit ta rritin aftësinë e tyre për t’i mirëbesuar Jezu Krishtit dhe për të bërë atë që Ai kërkon prej tyre. Për shembull, ftojini nxënësit të tregojnë përvojat që kanë pasur me bindjen ndaj fjalëve të Shpëtimtarit, të tregojnë një histori nga një bisedë e konferencës së përgjithshme ose të plotësojnë veprimtarinë vijuese.

Në Përkthimin prej Joseph Smith-it të Gjoni 2:11, ne mësojmë jo vetëm se kjo mrekulli zbuloi lavdinë e Shpëtimtarit por dhe se “besimi i dishepujve të Tij u forcua në Të”. Mrekullitë nuk i kthejnë njerëzit në besim, por nëpërmjet tyre forcohet besimi i njerëzve me besim te Jezu Krishti.

Shpenzo disa minuta për të kërkuar dhe për të mësuar nga të tjerët në shkrimet e shenjta se cilët, ashtu si Maria, kishin besim të madh te Jezu Krishti. Kërko arsyet që secili prej tyre zgjodhi që ta besonte dhe t’i bindej çfarëdo gjëje që tha Jezusi. Shembujt përfshijnë Nefin ( 2 Nefi 4:34–35), Jakobin ( Jakobi [LiM] 4:10) dhe vëllanë e Jaredit ( Ethëri 3:9–12).

Merrni parasysh t’u jepni nxënësve kohë për t’i shkruar pikëpamjet në ditarët e tyre të studimit. Pyetjet e mëposhtme mund t’i udhërrëfejnë ndërsa shkruajnë. Kur nxënësit të mbarojnë, merrni parasysh të ftoni vullnetarë për të lexuar pjesë të asaj që shkruan.

  • Çfarë di për Jezu Krishtin që të frymëzon t’i bindesh që të bësh “gjithçka që ai t’ju thotë”? ( Gjoni 2:5 .)

  • Pse dikush mund t’i mirëbesojë Jezu Krishtit edhe nëse ajo që Ai thotë nuk ka shumë kuptim për të?

  • Çfarë mund të bësh për ta njohur më mirë Jezu Krishtin në mënyrë që besimi yt tek Ai të mund të rritet?

Komente dhe Informacion për Rrethanat

A ishte pirja e verës kundër urdhërimeve në kohët biblike?

“Ka shumë referime në Bibël për ligësitë e dehjes dhe pijeve të forta (për shembull, shih Fjalët e Urta 23:20–21 ; Isaia 5:11–12 ; Efesianëve 5:18). Këto vargje nuk e ndalojnë në mënyrë të veçantë përdorimin e alkoolit, por ato e dënojnë abuzimin dhe dehjen. Në kohën tonë, Zoti ka zbuluar Fjalën e Urtësisë, e cila nuk e lejon përdorimin e pijeve alkoolike [shih Doktrina e Besëlidhje 89:4–7). Ne duhet të shmangim gjykimin e njerëzve të periudhave më të hershme ungjillore nga urdhërimet që Zoti i ka dhënë në kohën tonë.”

(New Testament Student Manual [2018], ChurchofJesusChrist.org)

Pse Jezusi iu referua nënës së Tij si “Grua”?

Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Portrait of James E. Talmage.

“Emri me të cilin i drejtohet ‘Grua’ siç përdorej nga një djalë për nënën e tij, mund të na tingëllojë disi i ashpër në vesh, në mos harbut; por përdorimi i tij qe në të vërtetë shprehje e një nënkuptimi të kundërt. … Kur, në skenat e fundit, të tmerrshme, të ekzistencës së Tij në vdekshmëri, Krishti qëndroi i varur në kryq duke vdekur në agoni, Ai pa drejt Marisë së përlotur, nënës së Tij dhe e la atë nën përkujdesjen e apostullit të dashur, Gjonit, me fjalët: ‘O grua, ja biri yt!’ [ Gjoni 7:26 .] A mund të mendohet se në këtë çast kyç, shqetësimi i Zotit për nënën nga e cila ishte duke u ndarë prej vdekjes, lidhej me ndonjë emocion tjetër përveç atyre të nderit, dhembshurisë dhe dashurisë?”

(James E. Talmage, Jesus the Christ[1916], f. 144–145.)

Gjoni 2:6.

Çfarë është një masë (firkin)?

Një masë (firkin) është rreth 34 litra, ndaj gjashtë enë mund të kenë mbajtur midis 380 dhe 600 litra.

Gjoni 2:5.

Pse është e rëndësishme të bëni “gjithçka që [Perëndia] t’ju thotë”?

Plaku L. Uitni Klejton, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

Official Portrait of Elder L. Whitney Clayton. Photographed March 2017.

“Kur vendosim të bëjmë ‘gjithçka që [Perëndia na] [ka] th[ënë]’, ne zotohemi me zell që ta përputhim sjelljen tonë të përditshme me vullnetin e Perëndisë. Veprime të tilla të thjeshta të besimit si studimi i shkrimeve të shenjta çdo ditë, agjërimi rregullisht dhe lutja me qëllim të vërtetë, e thellojnë kapacitetin tonë shpirtëror për t’i përmbushur kërkesat e vdekshmërisë. Me kalimin e kohës, zakone të thjeshta besimi çojnë në rrjedhoja të mrekullueshme. Ato e shndërrojnë besimin tonë nga një filiz, në një fuqi dinamike për mirë në jetën tonë. …

… Kur ne i mirëbesojmë dhe e ndjekim Atë, jeta jonë shndërrohet, ashtu siç u shndërrua uji në verë. Ne bëhemi diçka më shumë dhe më të mirë sesa do të mund të bëheshim ndonjëherë. Mirëbesojini Zotit dhe ‘bëni gjithçka që ai t’ju thotë’.”

(L. Uitni Klejton, “Bëni Gjithçka që Ai t’ju Thotë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 97–99.)

Veprimtari Plotësuese e të Mësuarit

Jezu Krishti mund të më ndryshojë

Me ndryshimin e ujit në verë, Jezusi kreu një mrekulli. Ai mund të kryejë mrekulli të ngjashme në jetën tonë, duke na ndryshuar nga ata që jemi në ata që mund të bëhemi. Merrni parasysh t’i ftoni nxënësit për të parë se si mund ta lidhin jetën e tyre me ujin e kësaj mrekullie. Mund të jetë e dobishme për nxënësit të mendojnë për llojin e enëve që përdoreshin për mrekullinë, si dhe për atë që shërbëtorët bënë për të ndihmuar në kryerjen e mrekullisë. Ndihmojini nxënësit të mbajnë përqendrimin te Shpëtimtari dhe të kuptojnë se për shkak se Ai ka pushtet mbi të gjitha gjërat, Ai mund të sjellë me të vërtetë një ndryshim të mrekullueshëm në jetën tonë.