Gjoni 9
Jezusi Shëron një të Verbër
Jezusi shëroi një njeri që kishte lindur i verbër. Farisenjtë e pyetën këtë njeri dhe e nxorën jashtë sinagogës ngaqë ai nuk pranoi ta dënonte Jezusin si një mëkatar, për arsye se kishte shëruar në Shabat. Shpëtimtari e kërkoi atë njeri dhe ai e adhuroi Jezusin si Birin e Perëndisë. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh se si të qëndruarit i vërtetë ndaj njohurive që ke rreth Shpëtimtarit, edhe në fatkeqësi, mund ta forcojë dëshminë tënde për Të.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Të qëndrosh i vërtetë ndaj Jezu Krishtit
Përfytyro sikur të është dhënë një kuti që ka brenda një trëndafil të verdhë.
-
Si do të përgjigjeshe nëse të tjerët që nuk mund ta shihnin trëndafilin në kuti të thonë se ishte rozë?
Ndonjëherë ne mund të ndeshemi me individë ose ide që bien në kundërshtim me njohuritë dhe dëshmitë tona për Jezu Krishtin. Edhe kur Shpirti na i ka dëshmuar të vërtetat rreth Jezu Krishtit, të tjerët mund të mundohen t’i hedhin poshtë ato të vërteta.
-
A po përballesh me ndonjë kundërshti gjatë përpjekjeve të tua për t’i qëndruar i vërtetë asaj që di për Jezu Krishtin?
-
Nëse po, çfarë ndikimi ka kjo në jetën tënde?
Te Gjoni 9 ti do të mësosh për një të verbër të cilin Zoti e shëroi. Një nga parimet që mund të mësojmë nga shembulli i këtij njeriu është që, ndërsa i qëndrojmë të vërtetë asaj çka ne dimë për Jezu Krishtin edhe kur përballemi me kundërshtim, dëshmitë tona për Të do të forcohen. Kërko prova të këtij parimi ndërsa studion rrëfimin te Gjoni 9 .
Lexo te Gjoni 9:1–12 , duke kërkuar se çfarë mësoi i verbri rreth Jezusit.
-
Në këtë pikë, çfarë di ky njeri për Jezusin?
Pasi i verbri u shërua, disa njerëz debatuan nëse ai ishte me të vërtetë njeriu i cili kishte lindur i verbër, ndërkohë që të tjerë pyetnin veten se si ishte shëruar ai. Atë e nxorën përpara farisenjve, të cilët ishin të shqetësuar sepse mrekullia ishte kryer në Shabat. Ata filluan ta pyetnin atë njeri. Gjithashtu, farisenjtë morën në pyetje prindërit e tij, por prindërit e tij nuk pranuan t’u përgjigjeshin farisenjve, sepse ata kishin frikë se mos nxirreshin jashtë sinagogës nëse e mbështetnin Jezusin. Farisenjtë e morën sërish në pyetje atë burrë lidhur me shërimin e tij. (Shih Gjoni 9:13–34 .)
Lexo vargjet 11, 17, 25 dhe 30–33 , duke i kushtuar vëmendje asaj çka ai burrë tha për Jezusin.
-
Në historinë e të verbrit, çfarë provash shikon të parimit që ndërsa i qëndrojmë të vërtetë asaj çka ne dimë për Jezu Krishtin edhe kur përballemi me kundërshtim, dëshmitë tona për Të do të forcohen?
-
Si mendon, në çfarë mënyrash ky njeri fitoi njohuri më të madhe rreth asaj se cili është Jezusi?
-
Çfarë të mësojnë pohimet e këtij njeriu për Jezu Krishtin?
Për shkak se ai njeri vazhdoi të thoshte se Jezusi ishte prej Perëndisë, farisenjtë e nxorën jashtë sinagogës (shih Gjoni 9:34).
Lexo te Gjoni 9:35–38 , duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari i dha shërbesë këtij njeriu.
Pyetje të mundshme për diskutim
-
Si u forcua dëshmia e njeriut të lindur i verbër ndërsa i qëndroi i vërtetë asaj çka dinte për Shpëtimtarin?
-
Si mund të forcohen dëshmitë tona për Jezu Krishtin ndërsa ne i bëjmë ballë kundërshtimit ose sprovave të besimit?
-
Çfarë mësojmë ne për cilësitë e Jezu Krishtit nga ndërveprimet e Tij me atë burrë që kishte lindur i verbër?
-
Si e ndihmoi Shpëtimtari këtë të verbër që t’i rritej dëshmia? Si na ndihmon Ai t’i forcojmë dëshmitë tona?
-
Si mund të të ndihmojë ajo që mësove për Shpëtimtarin në këtë rrëfim që të përballesh me kundërshtim tani ose në të ardhmen?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Gjoni 9:1–3 . Përse besonin dishepujt e Jezusit se verbëria e atij njeriu ishte rezultat i mëkatit?
Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Është e natyrshme që prindërit me fëmijë [me aftësi të kufizuara] t’i bëjnë vetes pyetjen: ‘Çfarë gabimi bëmë?’ Ideja që e gjithë vuajtja është në njëfarë mënyre rezultat i drejtpërdrejtë i mëkatit, është dhënë mësim që në kohët e lashta. Është doktrinë e rreme. Ai nocion është pranuar madje nga disa prej dishepujve të hershëm derisa Zoti i korrigjoi ata.
‘Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja.
Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: “Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?”
Jezusi u përgjigj: “As ai, as prindërit e tij s’kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë”’. ( Gjoni 9:1–3 .)
Ka pak vend për ndjenja faji të lidhura me [aftësitë e kufizuara]. Disa [aftësi të kufizuara] mund të jenë rezultat i pakujdesisë ose dhunës dhe disa i varësive të prindërve. Por pjesa më e madhe e tyre nuk janë. Mjerimet bien mbi të pafajshmin.”
(Boyd K. Packer, “The Moving of the Water”, Ensign, maj 1991, f. 7–8.)
Çfarë përjetoi i verbri pasi ushtroi besimin e tij te Shpëtimtari?
Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995) dha mësim:
“Tani shikimi iu dha dy herë – një herë për të shëruar një defekt të lindur dhe një herë tjetër për të vështruar Mbretin e Mbretërve përpara se Ai të ngjitej në fronin e Tij të përjetshëm. Jezusi ia solli si shikimin fizik ashtu edhe shikimin shpirtëror. Ai hodhi dritën e Tij në një vend të errët dhe ky njeri, si shumë të tjerë në atë kohë, si edhe në vetë kohën tonë, e pranoi dritën dhe pa.”
(Howard W. Hunter, “The God That Doest Wonders”, Ensign, maj 1989, f. 16–17.)
Me çfarë ngjason marrja e shikimit shpirtëror në jetën tonë?
Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) dha mësim:
“Ata që e kanë ndier prekjen e dorës së Mësuesit në njëfarë mënyre nuk mund ta shpjegojnë ndryshimin që ndodh në jetën e tyre. Ka një dëshirë për të jetuar më mirë, për të shërbyer më besnikërisht, për të ecur me më përulësi dhe për të qenë më shumë si Shpëtimtari. Pasi kanë marrë dritën e tyre shpirtërore dhe kanë parë një pjesëz të premtimeve të përjetësisë, ata [u] bëjnë jehonë fjalëve të të verbrit të cilit Jezusi i ktheu dritën e syve: ‘Di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh’ [ Gjoni 9:25 ].”
(Tomas S. Monson, “Të Angazhuar me Zell”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 84.)
Gjoni 9:22, 34–35 . Çfarë kuptimi kishte nxjerrja jashtë sinagogës?
“Sinagogat shërbenin si qendra fetare dhe shoqërore për shumë komunitete judease. Sinagogat ofronin mundësi për udhëzim dhe adhurim shpirtëror, si edhe mundësitë arsimore dhe shoqërore. Ngaqë sinagoga ishte kaq e rëndësishme për shoqërinë judease, të të nxirrnin jashtë sinagogës … do të thoshte më shumë sesa të shkishëroheshe dhe të humbisje shoqërimin me komunitetin fetar. Do të thoshte dëbim nga veprimtaritë kulturore dhe shoqërore gjithashtu. Ky kërcënim ishte me sa duket tepër i ashpër për t’i bërë prindërit e burrit që kishte lindur i verbër, që të mos përfshiheshin shumë në hetimin e kësaj mrekullie” (New Testament Student Manual [2014], f. 230).