Lluka 17:11–19
“Besimi Yt të Shëroi”
Ndërkohë që udhëtoi nga Galileja në Jerusalem, Jezusi shëroi dhjetë lebrosë. Vetëm një nga ata që u shëruan, u kthye për ta falënderuar Jezusin. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndjesh dhe të shprehësh mirënjohje ndaj Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe të tjerëve.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ndjenjat e tua aktuale për mirënjohjen
Duke përdorur fjalët “zakonisht”, “ndonjëherë” ose “asnjëherë”, vlerësoni veten në thëniet vijuese:
-
Unë ndiej mirënjohje për Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe të tjerët.
-
Unë i shpreh ndjenjat e mia të mirënjohjes.
-
Shprehja e mirënjohjes ka një ndikim pozitiv në jetën time.
Ndërsa e vazhdon studimin tënd, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë që të të ndihmojë të dish se si shfaqja e mirënjohjes mund ta bekojë jetën tënde.
Lebra
-
Çfarë dini për sëmundjen e lebrës?
Lebra, më e zakonshme në lashtësi sesa sot, është një sëmundje e lëkurës që mund të çojë në shpërfytyrim fizik dhe vdekje. Në kohët biblike, personat me lebër ishin të ndarë nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe u kërkohej që të thërrisnin “I papastër!” për të paralajmëruar këdo që u afrohej atyre (shih Bible Dictionary, “ Leper ”, “ Leprosy ”).
-
Cilat mund të kenë qenë ndjenjat dhe përvojat e përditshme të një lebrosi në kohët biblike?
-
Cilat janë disa arsye përse të rinjtë mund të përjetojnë ndjenja të ngjashme në kohën tonë?
Lexo te Lluka 17:11–14 , duke përfytyruar me kujdes atë që lexon. Leximi i kujdesshëm, kushtimi i vëmendjes ndaj hollësive dhe përfytyrimi i asaj që lexon, mund të çojë në përvoja më kuptimplota të studimit të shkrimeve të shenjta.Pasi t’i lexosh këto vargje, përpiqu t’u përgjigjesh sa më shumë prej pesë pyetjeve të radhës që mundesh për hollësitë te Lluka 17:11–14 , pa iu referuar shkrimeve të shenjta.
Lexo me kujdes, duke u kushtuar vëmendje hollësive
-
Sa afër Shpëtimtarit ishin lebrosët?
-
Çfarë pyetje i bënë lebrosët Shpëtimtarit?
-
Çfarë u tha Shpëtimtari atyre?
-
Sa prej lebrosëve patën besimin për të bërë atë që u kërkoi Shpëtimtari?
-
Çfarë po bënin lebrosët pasi u shëruan?
Përfytyro atë që lexon
Përfytyro sikur je një prej lebrosëve që u pastruan.
-
Si mund të ketë qenë të shëroheshe nga lebra? Si do të ishe ndjerë?
-
Si mendon, pse shërimi në këtë rrëfim ndodhi “ndërsa ata po shkonin”? ( Vargu 14 .)
-
Si mendon, çfarë do të kishe bërë sapo të kuptoje se Shpëtimtari të kishte shëruar?
Lexo me kujdes te Lluka 17:15–19 , duke vazhduar të ushtrosh përfytyrimin për atë që lexove dhe duke kërkuar hollësi të rëndësishme.
-
Cilat hollësi nga këto vargje të duken më të rëndësishme?
-
Çfarë mësove për shfaqjen e mirënjohjes dhe bekimeve që mund të sjellë ajo?
-
Çfarë mësojmë për Jezu Krishtin nga përgjigjja e Tij ndaj atij që u kthye?
Atit Qiellor i pëlqen shumë të na bekojë dhe e bën këtë në shumë mënyra. Ai dërgoi gjithashtu Shpëtimtarin Jezu Krisht dhe i bekon fëmijët e Tij nëpërmjet Shpëtimtarit. Një e vërtetë që mësojmë nga ky rrëfim është që ndërsa shprehim mirënjohje për bekimet që marrim nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, ne mund të shërohemi.
Mund të jetë e dobishme të dish që, nëse lebrosët shëroheshin ndonjëherë nga lebra, atyre u kërkohej, sipas ligjit të Moisiut, të paraqiteshin para priftit për t’u shpallur të pastër dhe për t’u kthyer në shtëpitë e tyre dhe në shoqëri (shih Levitiku 14). Ne nuk i dimë arsyet përse secili prej nëntë burrave të tjerë nuk u kthye për ta falënderuar. Ata treguan besim te Shpëtimtari, ishin të bindur dhe u shëruan, por Shpëtimtari i tha atij që u kthye dhe e falënderoi, i cili ishte samaritan, se besimi i tij e kishte “shër[uar]” ( Lluka 17:19).
-
Cili mund të jetë ndryshimi ndërmjet të qenit i shëruar nga lebra dhe të qenit i shëruar [shpirtërisht]?
-
Çfarë mësove nga ky rrëfim që mund të ndikojë në marrëdhënien tënde me Shpëtimtarin?
-
Si ndikoi në përvojën tënde të të mësuarit leximi i kujdesshëm, vëmendja ndaj hollësive dhe përfytyrimi i këtyre vargjeve?
Lexo thëniet e mëposhtme profetike, duke marrë parasysh se si këto mësime për mirënjohjen gjejnë zbatim për lebrosin dhe në jetën tënde.Presidenti Tomas S. Monson dha mësim:
“Dhënia e sinqertë e falënderimeve jo vetëm na ndihmon të njohim bekimet tona, por gjithashtu hap dyert e qiellit dhe na ndihmon të ndiejmë dashurinë e Perëndisë”.
(Tomas S. Monson, “Dhurata Hyjnore e Mirënjohjes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 87.)
Presidenti Rasëll M. Nelson theksoi vlerën e ndjenjës së mirënjohjes ndaj Zotit. Shih materialin filmik “Presidenti Rasëll M. Nelson: Një Lutje Mirënjohjeje, Shprese dhe Shërimi e Profetit për Botën” [në shqip https://www.youtube.com/watch?v=8urLJLG8Gso&t=1s] nga kodi kohor 03:42 deri në 04:28 ose lexo tekstin më poshtë.
“Gjatë nëntë dekadave e gjysmë të jetës sime, kam arritur në përfundimin se numërimi i bekimeve është shumë më i mirë sesa rinumërimi i problemeve. Pavarësisht nga gjendja jonë, tregimi i mirënjohjes për privilegjet tona është një recetë shpirtërore me veprim të shpejtë e afatgjatë.
A na e kursen mirënjohja hidhërimin, trishtimin, pikëllimin dhe dhembjen? Jo, por na i qetëson ndjenjat. Ajo na jep një këndvështrim më të madh për vetë qëllimin dhe gëzimin e jetës.”
(“Presidenti Rasëll M. Nelson: Një Lutje Mirënjohjeje, Shprese dhe Shërimi e Profetit për Botën”, ChurchofJesusChrist.org)
Për të të ndihmuar të dallosh dhe të përmirësosh shprehjet e tua të mirënjohjes për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, kopjoje tabelën e mëposhtme në ditarin tënd të studimit.
Bekimet që kam marrë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti: |
Mënyra se si mund të shpreh mirënjohjen për këto bekime: |
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të kanë bekuar në mënyra kuptimplota dhe vetjake. Përsiati me kujdes këto bekime dhe shkruaji ato në kolonën e parë. Mund të jetë e dobishme të bësh një lutje në heshtje duke i kërkuar Atit Qiellor të të ndihmojë të kuptosh mënyrat e shumta se si të ka bekuar Ai. Më pas, në kolonën e dytë shkruaj disa mënyra se si mund të tregosh mirënjohje për këto bekime. Vargjet vijuese mund të të ndihmojnë të krijosh ide: Mosia 2:20–22 ; Mateu 25:40 ; Filipianëve 1:1–3 ; 1 Kronikave 16:29 .
-
Si ndikoi te ti personalisht koha që i kushtove përsiatjes së këtyre bekimeve?
-
Duke shqyrtuar listën tënde të mënyrave të shprehjes së mirënjohjes, cilën dëshiron të përmirësosh në mënyrë specifike ose të fillosh të bësh? Përse? Si mund të fillosh?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Lluka 17:14 . A ka ndonjë rëndësi fakti se lebrosi që u kthye ishte një samaritan?
Samaritanët ishin ata që jetonin në Samari, “feja e [të cilëve] ishte një përzierje e besimeve dhe praktikave judease dhe pagane” (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Samaritanë ”). Ata shiheshin shpesh me përçmim nga pjesa më e madhe e judenjve. Mendo se përse Lluka e përmendi që lebrosi mirënjohës ishte samaritan. Çfarë i shton kjo hollësi të kuptuarit tënd për këtë rrëfim? Çfarë të mëson kjo rreth Shpëtimtarit?
Ku ndryshon mirënjohja nga shprehja e falënderimit?
Presidenti Dejvid O. Mek-Kei dha mësim për mirënjohjen dhe falënderimin:
“Mirënjohja është më e thellë sesa falënderimet. Falënderimi është fillimi i mirënjohjes. Mirënjohja është përmbushja e falënderimit. Falënderimi mund të përbëhet thjesht nga fjalë. Mirënjohja tregohet me vepra.”
(David O. McKay, “The Meaning of Thanksgiving”, Improvement Era, nëntor 1964, f. 914.)
Si mund të ndikojë mirënjohja në jetën time?
Materialet filmike vijuese ilustrojnë ndikimin e mirënjohjes.