Seminari
Lluka 3:7–14


Lluka 3:7–14

Gëzimi nga Pendimi

Woman pondering with a view.

Një mënyrë se si Gjon Pagëzori i ndihmoi njerëzit të përgatiteshin për ta pranuar Jezu Krishtin, ishte duke i ftuar të pendoheshin. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta kuptosh më mirë pendimin dhe gëzimin që sjell pendimi i rregullt.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të reflektojnë mbi qëndrimet e tyre dhe përvojat me pendimin duke përsiatur pyetje të tilla si këto: “Çfarë ndjenjash apo emocionesh ju vijnë kur mendoni për pendimin? Përse?”“Çfarë përvojash keni pasur me pendimin?”“Çfarë pyetjesh keni për pendimin?”

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Pendimi mund të jetë një temë delikate. Bëni kujdes që t’i ndihmoni nxënësit të mësojnë pa treguar hollësi të mëkateve të kaluara. Kuptoni se disa nxënës mund të jenë të prirur për ndjenja të tepruara të pamjaftueshmërisë dhe fajit. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë dhe ta ndiejnë dashurinë, mëshirën dhe ndihmën e Shpëtimtarit që është në dispozicion të tyre individualisht.

Çfarë të sjell gëzim?

Reflekto mbi atë se çfarë të sjell gëzim. Merr parasysh të rendisësh sa më shumë shembuj që të mundesh për 30 sekonda.

Merrni parasysh t’i lejoni nxënësit të japin disa nga përgjigjet e tyre.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim sa vijon rreth asaj se si ne mund të marrim gëzim në jetën tonë:

Official portrait of President Russell M. Nelson taken January 2018

“Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të ndryshojmë! Ne e lejojmë Shpëtimtarin që të na shndërrojë në variantin më të mirë të vetes sonë. Ne zgjedhim të rritemi shpirtërisht dhe të marrim gëzim – gëzimin e shëlbimit tek Ai.”

(Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 67.)

Pendim do të thotë të ndryshosh duke u larguar nga mëkati dhe duke iu afruar më pranë Perëndisë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Pendohem, Pendim ”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

  • A e vure pendimin në listën tënde të gjërave që të sjellin gëzim? Përse po ose përse jo?

Ftojini nxënësit të shtojnë më shumë mendime për pendimin duke i treguar përgjigjet e tyre nga veprimtaria e sugjeruar për përgatitjen e nxënësve. Merrni parasysh se cilat pyetje do të ishte më mirë të diskutohen si klasë, të japin përgjigje anonime ose të përdoren si vetëreflektim për nxënësit për t’i mbajtur shënim privatisht në ditarët e tyre të studimit.

  • Nëse nuk mendon për pendimin si diçka që të sjell gëzim, çfarë ndjenjash apo emocionesh të vijnë kur mendon për pendimin? Përse?

  • Pse dikush mund të mos ndiejë menjëherë gëzim ndërsa pendohet?

Përsiate çdo pyetje që mund të kesh për pendimin. Më vonë në mësim, do të kesh mundësinë të kërkosh përgjigje për këto pyetje.

“Pendohuni. … Përgatitni udhën e Zotit”

Për të ndihmuar në përgatitjen e njerëzve për ta pranuar Jezu Krishtin, Gjon Pagëzori i ftoi ata të pendoheshin (shih Mateu 3:1–3).

Në mësimin e mëparshëm studiove atë që Marku dhe Mateu mbajtën shënim rreth Gjon Pagëzorit. Lluka përfshiu hollësi shtesë rreth Gjonit. Lexo te Lluka 3:10–14 , duke kërkuar se si Gjoni i ndihmoi njerëzit të pendohen.

  • Çfarë ndryshimesh i ftoi Gjoni të bënin njerëzit?

  • Si mund t’i kenë ndihmuar këto ndryshime njerëzit që të largoheshin nga mëkati dhe të ishin të përgatitur për ta pranuar dhe ndjekur Jezu Krishtin?

Studio thënien e mëposhtme nga Presidenti Rasëll M. Nelson. Ndërsa e bën këtë, kushtoji vëmendje asaj që po të mëson Fryma e Shenjtë për pendimin dhe Shpëtimtarin Jezu Krisht.

2:3

Merrni parasysh ta paraqitni thënien e mëposhtme ose të bëni fletushka me të për nxënësit.

Official portrait of President Russell M. Nelson taken January 2018

“Shumë njerëz e konsiderojnë pendimin si ndëshkim – diçka që duhet shmangur përveçse në rrethanat më të rënda. Por kjo ndjenjë e të qenit i ndëshkuar shkaktohet nga Satani. Ai përpiqet të na e pengojë vështrimin drejt Jezu Krishtit, i cili qëndron krahëhapur, duke shpresuar dhe i gatshëm të na shërojë, falë, pastrojë, forcojë, të na bëjë të kulluar dhe të na shenjtërojë.

Fjala për pendimin në Dhiatën e Re në greqisht është metanoeo. Parashtesa meta- do të thotë ‘ndryshim’. Prapashtesa -noeo lidhet me fjalë të tjera greke që do të thonë ‘mendje’, ‘dije’, ‘frymë’ dhe ‘hukatje [frymëmarrje]’.

Prandaj kur Jezusi na kërkon juve dhe mua të ‘pendohemi’ [ Lluka 13:3, 5 ], Ai po na fton të ndryshojmë mendjen tonë, dijen tonë, shpirtin tonë – madje mënyrën se si marrim frymë. Ai po na kërkon të ndryshojmë mënyrën se si duam, mendojmë, shërbejmë, shpenzojmë kohën tonë, i trajtojmë bashkëshortet tona, i mësojmë fëmijët tanë dhe madje se si kujdesemi për trupat tanë.

Asgjë nuk është më çliruese, më fisnikëruese ose më e rëndësishme për përparimin tonë individual sesa një përqendrim i rregullt, i përditshëm te pendimi. Pendimi nuk është një ngjarje; është një proces. Është kyçi drejt lumturisë dhe paqes së mendjes. Kur ndërthuret me besimin, pendimi na jep të drejtën për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Qoftë nëse po lëvizni me zell përgjatë shtegut të besëlidhjeve, keni rrëshqitur apo keni dalë nga shtegu i besëlidhjes, ose as nuk mund ta shihni shtegun nga vendi ku jeni tani, unë ju përgjërohem të pendoheni. Përjetojeni fuqinë forcuese të pendimit të përditshëm – të bërjes dhe të të qenit pak më i mirë çdo ditë.”

(Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 67.)

  • Çfarë të bën më shumë përshtypje nga mësimet e Presidentit Nelson për pendimin dhe Jezu Krishtin?

Merrni parasysh t’i ftoni nxënësit ta përfytyrojnë Shpëtimtarin sikur qëndron me krahë të hapur, duke shpresuar t’i ndihmojë, falë, shërojë dhe forcojë ata. Ftojini të përfytyrojnë gëzimin që Ai dëshiron që ata të përjetojnë ndërsa përpiqen të pendohen.

  • Kur i ke dëshmuar bekimet e pendimit te vetja apo të tjerët?

  • Pse mendon se Shpëtimtari është shumë optimist se ne do të pendohemi dhe është shumë i gatshëm të na falë?

Në minutat në vijim, do të zgjedhësh dhe studiosh një aspekt të veçantë të pendimit që do të të ndihmojë të afrohesh më pranë dhe të bëhesh më shumë si Jezu Krishti, të kesh të drejtë më të madhe për fuqinë dhe paqen e Tij dhe të ndiesh gëzim më të madh. Më poshtë janë aspekte të veçanta të pendimit që mund të duash t’i studiosh. Zgjidh një nga këto për ta studiuar ose studio një nga vetë pyetjet e tua në lidhje me temën e pendimit.

Merrni parasysh t’u referoheni pyetjeve të nxënësve në lidhje me pendimin që përsiatën më përpara dhe t’i përdorni ato në vend të, ose përveç, pyetjeve të mëposhtme të studimit.

  • Si të pendohem?

  • Si mund të kem më shumë gëzim gjatë pendimit?

  • Si mund ta mposht frikën e pendimit?

  • Çfarë mund të përfshijë një përqendrim i rregullt, i përditshëm mbi pendimin apo si mund të duket në jetën time?

Të mëposhtmet janë disa burime të veçanta për të të ndihmuar ta thellosh të kuptuarin tënd për pendimin. Këto janë në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org ose në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Këto dhe burime të tjera mund të përdoren për ta udhërrëfyer studimin tënd për aspektin e pendimit që ke zgjedhur. Merr parasysh të mbash shënime dhe të nxjerrësh në pah hollësi që të duken më të rëndësishmet.

Vendosni se cilat burime janë në dispozicion dhe do të ishte mirë t’ua siguronit nxënësve. Nëse është e nevojshme, tregojuni nxënësve si të kërkojnë materiale të ndryshme [që janë në dispozicion].

  • Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], “Pendimi”, f. 28–29

  • Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Fal” në scriptures.ChurchofJesusChrist.org

  • Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Pendohem, Pendim ”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org

  • Bisedat e konferencës së përgjithshme si Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 67–69

  • Dejll G. Renland, “Pendimi: Një Zgjedhje e Gëzueshme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 121–124

Merrni parasysh që t’i vini nxënësit të punojnë në dyshe ose grupe të vogla për të diskutuar dhe për t’i mësuar njëri-tjetrit atë që kanë mësuar. Ata mund të përdorin pyetjet e mëposhtme:

  • Çfarë ke mësuar nga studimi yt?

  • Çfarë këshille do t’i jepje dikujt që e ka të vështirë ta kuptojë se përse duhet të pendohet? Çfarë do të doje që ata të dinë dhe kuptojnë për Jezu Krishtin?

  • Çfarë të ka ndihmuar ta zhvillosh ose forcosh dëshminë tënde për gëzimin e pendimit nëpërmjet Jezu Krishtit?

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 3:7 . Pse Gjoni i quajti njerëzit “pjellë nepërkash”?

Nepërka palestineze është gjarpri helmues më i zakontë në Izrael. Nepërkat janë aktive gjatë natës dhe në mënyrë tipike gjuajnë duke u fshehur dhe më pas duke iu afruar tinëzisht presë së tyre. Kur ndihen të kërcënuara, nepërkat e mbështjellin trupin kutullaç, fishkëllejnë dhe godasin kundërshtarin. Në mënyrë të ngjashme, farisenjtë dhe saducenjtë ndiheshin të kërcënuar nga Gjoni, sepse ai largoi shumë njerëz nga mësimet e tyre të rreme.

Lluka 3:8 . Cilat janë “fryte të denja pendimi”?

Në shkrimet e shenjta, disa lloj njerëzish ndonjëherë janë simbolizuar me pemë që prodhojnë ose fryte të mira ose të këqija. Të “bë[sh] … fryte të denja pendimi” do të thotë të ndryshojmë dëshirat dhe veprimet tona për të ndjekur mësimet e Perëndisë.

Lluka 3:12 . Çfarë janë tagrambledhësit?

Në Romën e lashtë, tagrambledhësit ishin mbledhës të taksave për qeverinë romake. Tagrambledhësit përgjithësisht urreheshin nga judenjtë, pasi njerëzit i shihnin si tradhtarë të vetë kombit të tyre dhe pasi ata shpesh faturonin më shumë para për taksat sesa ishte e nevojshme Lluka 3:12–13 . Disa tagrambledhës e pranuan menjëherë ungjillin (shih Mateu 9:9–10 , Lluka 19:1–10 ; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Tagrambledhës ”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

A na shpëton pendimi?

Official portrait of Elder Dieter F. Uchtdorf of the Quorum of the Twelve Apostles, 2006. Called as Second Counselor in the First Presidency, 3 February 2008. Made official portrait in 2008 replacing portrait taken in 2004.

“Nuk është pendimi në vetvete që e shpëton njeriun. Është gjaku i Jezu Krishtit që na shpëton. Ne nuk shpëtohemi vetëm nga ndryshimi i sinqertë dhe i ndershëm i sjelljes, por ‘ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’ ( 2 Nefi 25:23). Pendimi i vërtetë, megjithatë, është kushti i kërkuar në mënyrë që falja e Perëndisë të mund të vijë në jetën tonë. Pendimi i vërtetë e bën ‘një ditë të shkëlqyeshme nga nata më e errët’ (Spencer W. Kimball, The Miracle of Forgiveness [1969], f. 362).”

(Diter F. Uhtdorf, “Pikë Kthimi të Sigurt”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 100; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 123–126.)

Veprimtari Plotësuese e të Mësuarit

Një alternativë për t’i vënë nxënësit të studiojnë një aspekt të veçantë të pendimit

Jepuni nxënësve shtysën në vijim:

Përfytyroni sikur peshkopi juaj ndjen se të rinjtë dhe të rejat në lagjen tuaj kanë një qëndrim negativ ndaj pendimit. Në përgatitje për takimin e ardhshëm të këshillit të lagjes për rininë, ai ju kërkon të vini të përgatitur me pyetje dhe përgjigje nga këndvështrimi i të rinjve dhe të rejave për temën e pendimit. Peshkopi pastaj do t’i përdorë këto tema për të krijuar një takim shpirtëror për të ndihmuar të rinjtë dhe të rejat. Individualisht ose me ndihmën e shokëve dhe shoqeve të klasës, hartoni disa pyetje dhe përgjigje të mundshme në lidhje me pendimin që mendoni se do të ishin më të dobishmet për të rinjtë dhe të rejat në lagjen tuaj. Në përgjigjet tuaja përfshini shkrime të shenjta specifike dhe citime nga profetë që do të jenë të dobishme që t’i dinë dhe kuptojnë të rinjtë dhe të rejat.