Marku 2:1–12
Jezusi Shëron një Burrë të Paralizuar
Jezusi demonstroi aftësinë e Tij për t’i shëruar njerëzit fizikisht dhe shpirtërisht duke shëruar një burrë me paralizë dhe duke ia falur mëkatet e tij. Ky mësim mund të të ndihmojë për ta rritur kuptueshmërinë tënde se Shpëtimtari mund t’i shërojë të gjitha llojet e dobësive.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Çfarë do të ishe i/e gatshëm/me të bëje?
Imagjino sikur dikush që e ke të përzemërt po vuan nga një sëmundje kërcënuese për jetën që kërkon trajtim të specializuar dhe se ka vetëm një mjek që mund ta shpëtojë. Çfarë do të ishe i/e gatshëm/me të bëje për të marrë ndihmë? Çfarë do të bëje nëse orari i mjekut do të ishte i zënë ose nëse mjeku jeton në një shtet tjetër?
Njerëzit mund të jenë të gatshëm të bëjnë shumë gjëra për të marrë shërim për veten ose për njerëzit e tyre të dashur. Ndërsa sëmundjet fizike shpesh mund të trajtohen nga profesionistë të kualifikuar, ka dobësi shpirtërore të cilat mund të shërohen plotësisht vetëm nga Jezu Krishti. Renditi në ditarin tënd të studimit ato që beson se janë disa prej tyre.
Ndërsa e studion këtë mësim, përsiat se çfarë mund të bësh për t’i ndihmuar njerëzit e tu të dashur dhe veten që të vini te Krishti për të marrë ndihmën që vetëm Ai mund ta japë.
“Një i sëmurë nga paraliza”
Një teknikë që mund të të ndihmojë të mësosh më shumë ndërsa studion ndodhitë nga shkrimet e shenjta, është të lexosh nga këndvështrimi i personazheve të ndryshme në histori. Ndërsa e bën këtë, ndalu shpesh për t’u përpjekur që ta përfytyrosh se çfarë mund të ketë ndier apo menduar personi në fjalë në pika të ndryshme të historisë.
Për ta ushtruar këtë teknikë studimi, zgjidh një nga njerëzit e mëposhtëm tek i cili të përqendrohesh ndërsa e studion këtë ndodhi të Jezusit duke dhënë mësim në Kapernaum:
-
Burri i paralizuar
-
Njëri nga katër njerëzit që mbanin të paralizuarin
-
Një nga njerëzit në shtëpi që po dëgjonte Jezusin
Lexo te Marku 2:1–3, duke përfytyruar se ti je ai person tek i cili ke zgjedhur të përqendrohesh.
-
Me çfarë sfidash, nëse ka të tilla, mendon se mund të jetë përballur ky person?
-
Çfarë përfytyron se po shihte, dëgjonte, mendonte dhe ndiente ky person?
-
Çfarë mund të ketë shpresuar të merrte ky person nga koha me Jezu Krishtin?
Lexo te Marku 2:4, duke kërkuar se çfarë bënë ata që e mbajtën burrin për ta çuar afër Jezu Krishtit. Nëse dëshiron, mund edhe të shohësh materialin filmik “Jesus Forgives Sins and Heals a Man Stricken with Palsy” [“Jezusi Fal Mëkatet dhe Shëron një Njeri të Goditur nga Paraliza”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 00:00 deri në 01:07.
-
Çfarë përfytyron se po mendonte dhe ndiente personi që zgjodhe në këtë çast në histori? Përse?
-
Çfarë mendon se priste që të bënte apo të thoshte Jezusi?
Lexo te Marku 2:5 për të zbuluar se çfarë i tha Jezusi burrit.
-
Pse fjalët e Shpëtimtarit në vargun 5 mund të jenë të papritura për personin tek i cili u përqendrove?
Disa nga njerëzit e pranishëm në këtë ngjarje e vunë në dyshim autoritetin e Shpëtimtarit për të falur mëkatet. Lexo te Marku 2:6–12, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari për të demonstruar autoritetin e Tij për të falur. Fraza “Biri i njeriut” në vargun 10 i referohet Jezu Krishtit që është Biri i “Njeriu[t të] Shenjtërisë”, që është Perëndia Ati (shih te Moisiu 6:57). Nëse dëshiron, mund të vazhdosh ta shohësh materialin filmik “Jesus Forgives Sins and Heals a Man Stricken with Palsy” [“Jezusi Fal Mëkatet dhe Shëron një Njeri të Goditur nga Paraliza”] nga kodi kohor 01:07 deri në 02:57.
-
Mendo për personin tek i cili u përqendrove në rrëfim. Si përfytyron të reagojë ky person ndaj asaj që tha dhe bëri Shpëtimtari?
-
Çfarë mësove për Shpëtimtarin kur u përqendrove te një person i caktuar në histori?
Fuqia e Jezu Krishtit për të shëruar
Një e vërtetë që mund të kesh përcaktuar ndërsa studiove këtë ndodhi është se Jezu Krishti ka fuqinë për të na shëruar fizikisht dhe shpirtërisht.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, dëshmoi për fuqinë e Shpëtimtarit për të shëruar sëmundjen shpirtërore.
“Ndonjëherë sëmundja shpirtërore vjen si pasojë e mëkatit apo e plagëve emocionale. …
Edhe plagët më të thella shpirtërore – po, edhe ato që mund të duket se janë të pashërueshme – mund të shërohen.
Miqtë e mi të dashur, fuqia shëruese e Jezu Krishtit nuk mungon në kohën tonë.
Prekja shëruese e Shpëtimtarit mund t’ua ndryshojë jetën [njerëzve] në kohën tonë ashtu siç bëri në kohën e Tij. Në qoftë se vetëm do të kemi besim, Ai mund të na kapë prej dore, të mbushë shpirtrat tanë me dritë qiellore e shërim dhe të na thotë fjalët e bekuara: ‘Çohu, merr vigun tënd dhe ec’ [Gjoni 5:8].”
(Diter F. Uhtdorf, “Mbajtës të Dritës Qiellore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 78)
-
Cilët janë shembujt e plagëve shpirtërore që mund të shërojë Shpëtimtari?
-
Si e bekon jetën tënde njohuria se Ai mund të shërojë plagët shpirtërore?
Përsiat për pyetjet e mëposhtme në lidhje me këtë të vërtetë. Merr parasysh t’i mbash shënim në ditarin tënd të studimit mendimet e tua.
-
A ka ndonjë plagë shpirtërore në jetën tënde që duhet të shërohet?
-
Si mund ta kërkosh fuqinë shëruese të Jezu Krishtit?
-
A njeh ndokënd tjetër që ka nevojë për fuqinë shëruese të Jezu Krishtit? Çfarë mund të bësh për ta ndihmuar atë ta përdorë?
Tregoje atë që mësove
Ndërsa studion ndodhi të tjera në shkrimet e shenjta këtë vit, merr parasysh të përdorësh teknikën e përqendrimit te personazhe të caktuara. Mund të jetë e dobishme ta lexosh një fragment disa herë, duke përsiatur çdo herë se çfarë mund të kenë mësuar njerëzit e ndryshëm në histori.
Imagjino sikur personi tek i cili u përqendrove ndërsa studiove këtë rrëfim, të donte t’ia përshkruante një shoku ose shoqe atë që dëshmoi dhe ndjeu atë ditë. Gjej pak kohë për të shkruar në ditarin tënd të studimit se si i përfytyron atë ta përshkruajë përvojën me hollësi. Përfshij atë që mendon se mësoi dhe ndjeu për Jezu Krishtin.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
A mund të ndikojë besimi im te njerëzit e mi të dashur?
Plaku Çi Hong (Sam) Uong, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:
“Do të doja të ndaja me ju edhe një thesar tjetër të fshehur që gjendet në këtë rrëfim të shkrimit të shenjtë. Ai është në vargun 5: ‘Kur Jezusi pa besimin e tyre’ (theksimi i shtuar). Nuk e kisha vënë re këtë në të kaluarën – besimin e tyre. Besimi ynë i ndërthurur do të ndikojë edhe në mirëqenien e të tjerëve.
Kush ishin ata njerëz që i përmendi Jezusi? Ata mund të përfshinin shumë mirë të katër [njerëzit] që e mbartën burrin e paralizuar, vetë burrin, njerëzit që ishin lutur për të, dhe të gjithë ata që ishin atje duke dëgjuar predikimin e Jezusit e duke brohoritur qetësisht në zemrat e tyre për mrekullinë që do të ndodhte së shpejti. Ata mund të përfshinin edhe një bashkëshort/e, një prind, një bir apo një bijë, një misionar/e, një president kuorumi, një presidente të Shoqatës së Ndihmës, një peshkop dhe një mik të largët. Të gjithë ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Ne gjithmonë duhet të përfshihemi me zell në kërkimin për t’i shpëtuar njerëzit në nevojë.”
(Çi Hong [Sam] Uong, “Shpëtoni në Unitet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 16)
Çfarë u vërtetoi Jezusi skribëve nëpërmjet shërimit fizik të burrit?
Plaku Brus R. Mek-Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Si Jezusi edhe ‘mësues[it e] ligjit’ që ishin të pranishëm atëherë, e dinin se askush tjetër nuk mund t’i falte mëkatet përveç Perëndisë. Prandaj, si një dëshmitar i drejtpërdrejtë dhe i gjallë se fuqia e Perëndisë qëndronte me Të, … Jezusi bëri atë që asnjë mashtrues nuk mund ta bënte – ai e vërtetoi fuqinë e Tij hyjnore duke e shëruar burrin e falur. Për pyetjen e Tij: ‘A duhet më shumë fuqi që të falësh mëkatet sesa t’i thuash të sëmurit të çohet dhe të ecë?’, mund të kishte vetëm një përgjigje! Ato janë e njëjta gjë; ai që mund të bëjë njërën, mund të bëjë edhe tjetrën.”
(Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary [1973], 1:177–178)