Lluka 7:36–50
“Sepse Ka Dashur Shumë”
Jezusi ishte për darkë në shtëpinë e një fariseu të quajtur Simon. Një grua që Simoni e konsideronte “mëkatare” hyri dhe “filloi t’ia lajë me lot këmbët [Shpëtimtarit]”, i thau me flokët e saj “dhe [ia] puthte e … vajoste me vaj erëkëndshëm” (Lluka 7:37–39). Në përgjigje të mendimeve të Simonit, Shpëtimtari tregoi një shëmbëlltyrë për faljen dhe dashurinë. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ushtrosh besim te Jezu Krishti dhe të pendohesh për mëkatet e tua.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Drejtimi në të cilin po lëvizim
-
Çfarë vë re te njerëzit në këtë diagram?
-
Çfarë mund të të lërë të kuptosh distanca e tyre nga Shpëtimtari dhe drejtimi që po marrin për marrëdhënien e tyre me Të?
Mendo për një çast se ku mund ta vendosësh veten në këtë diagram dhe cilin drejtim do të marrësh. Plaku Leri R. Lorens, asokohe anëtar i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi:
“Ati Qiellor e njeh potencialin tonë hyjnor. Ai gëzohet çdo herë që ne bëjmë një hap përpara. Për Të, drejtimi ynë është gjithmonë më i rëndësishëm sesa ritmi ynë.”
(Leri R. Lorens, “Çfarë më Mungon Tjetër?”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 35)
-
Përse mendon se drejtimi shpirtëror që po marrim është më i rëndësishëm se ritmi ynë?
Zoti ndien gëzim të madh kur bëjmë përpjekje për t’u penduar (shih te Lluka 15:7; Doktrina e Besëlidhje 18:13). Një mënyrë për ta përshkruar pendimin është largimi nga mëkati dhe kthimi te Perëndia (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pendohem, Pendim”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ndërsa studion, kushtoju vëmendje nxitjeve të Shpirtit që mund të të ndihmojnë të largohesh nga mëkati dhe të kthehesh te Shpëtimtari.
Jezusi ha në shtëpinë e Simon Fariseut
Lluka 7 përmban një ndodhi të Jezusit që ha një vakt në shtëpinë e një fariseu të quajtur Simon. Ndërsa Jezusi ishte me Simonin, Atij iu afrua një grua që kishte nam si mëkatare (shih te Lluka 7:37, 39).
Lexo te Lluka 7:36–39, duke kërkuar për atë që ndodhi kur gruaja iu afrua Jezusit gjatë kësaj gostie.
-
Çfarë vutë re te Simoni? Po te gruaja?
Jezusi i kuptoi mendimet e Simonit dhe tregoi një shëmbëlltyrë. Lexo te Lluka 7:40–43, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i mësoi Simonit nëpërmjet kësaj shëmbëlltyre. Mund të jetë e dobishme të dish se një denar është shuma e parave që një punëtor do të fitonte zakonisht në një ditë (shih vargun 41).
-
Si mund ta ketë ndihmuar kjo shëmbëlltyrë Simonin të kuptojë vetë nevojën e tij për falje?
Gjatë kohës së Shpëtimtarit ishte zakon për një mikpritës që t’i nderonte të ftuarit e tij të veçantë duke bërë vepra mirësie si puthja gjatë përshëndetjes, dhënia e ujit për të larë këmbët dhe vajosja e kokës me vaj (shih James E. Talmage, Jesus the Christ [1916], f. 261). Siç është shënuar te Lluka 7:44–46, Shpëtimtari vuri në dukje se Simoni nuk ia ofroi këto shenja mirësjelljeje Jezusit, ndërsa gruaja bëri çmos për të treguar dashurinë dhe mirënjohjen e saj ndaj Tij.
-
Si mendon, çfarë kuptoi për Jezusin kjo grua që mund të mos e ketë kuptuar Simoni?
-
Çfarë provash sheh se gruaja ishte penduar apo ishte larguar nga mëkatet e saj dhe ishte kthyer nga Shpëtimtari?
Lexo te Lluka 7:47–50, duke kërkuar se përse Zoti e fali këtë grua nga mëkatet e saj.
-
Çfarë mendimesh apo ndjenjash ke pasur për Shpëtimtarin kur e studiove këtë ndodhi?
-
Çfarë të vërtetash mësove nga kjo ndodhi?
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësime që lidhen me ndodhinë e shënuar te Lluka 7. Shih materialin filmik “Që t’i Tërheq të Gjithë Njerëzit tek Unë” (13:39) nga kodi kohor 04:22 deri në 05:03 ose lexo tekstin në vijim.
“Sa më afër të jemi me Jezu Krishtin në mendimet dhe qëllimet e zemrës sonë, aq më tepër e vlerësojmë vuajtjen e Tij të pafajshme, aq më mirënjohës jemi për hirin e faljen dhe aq më tepër duam të pendohemi e të bëhemi si Ai. Largësia jonë e plotë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti është e rëndësishme, por drejtimi që po marrim është edhe më vendimtar. Perëndia është më i kënaqur me mëkatarët që pendohen, të cilët po përpiqen të afrohen më pranë Tij sesa me individët e vetëkënaqur dhe kritikues të cilët, ashtu si farisenjtë dhe skribët e lashtë, nuk e kuptojnë se sa shumë nevojë kanë për t’u penduar.”
(Dejll G. Renland, “Që t’i Tërheq të Gjithë Njerëzit tek Unë”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 40)
-
Cilat fjalë apo fraza në këtë pohim e rritin kuptueshmërinë tënde për atë që sapo studiove te Lluka 7?
-
Cilat përvoja të kanë ndihmuar të ndiesh një dashuri dhe vlerësim më të madh për Shpëtimtarin dhe mëshirën që Ai ofron?
Bëj një plan
Mos harro se pendimi nuk është një ngjarje apo vetëm për mëkate të rënda. Pendimi është një proces dhe ne pendohemi çdo herë që bëjmë një përpjekje për t’iu afruar më shumë Zotit dhe për t’u larguar nga e keqja.
Vështroje përsëri figurën e Shpëtimtarit dhe diagramin me figura njerëzish dhe mendo për marrëdhënien tënde me Jezu Krishtin dhe drejtimin në të cilin po lëviz. Bëj një plan për ta thelluar dashurinë tënde për Shpëtimtarin duke u penduar çdo ditë. Plotësoje ushtrimin e mëposhtëm në një fletë të veçantë letre, që të mund ta mbash vetëm për vete. Mund të kesh mundësinë të vijosh me këtë përvojë në një mësim të ardhshëm.
-
Cila është ajo gjë që duhet të ndalosh së bëri për t’u afruar më pranë Shpëtimtarit? Si do të ndalosh?
-
Cila është ajo gjë që duhet të fillosh të bësh për t’u afruar më pranë Shpëtimtarit? Si do të fillosh?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Me kë ngjasoj më shumë në këtë ndodhi: Simonin apo gruan?
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, tha:
“Cili nga këta dy njerëz ka më shumë të ngjarë të jemi ne?
A jemi ne si Simoni? A jemi vetëbesues dhe të vetëkënaqur me veprat tona të mira, duke mirëbesuar në vetë drejtësinë tonë? A jemi ndoshta pak të paduruar me ata që nuk po jetojnë siç e kërkojnë standardet tona? A udhëhiqemi automatikisht nga zakoni, duke kryer lëvizjet, duke frekuentuar mbledhjet tona, duke qenë të përgjumur në orët mësimore të Doktrinës së Ungjillit dhe ndoshta duke i kontrolluar telefonat tanë celularë gjatë shërbimit të sakramentit?
Apo jemi si kjo grua, e cila mendoi se ishte e humbur në mënyrë tërësore dhe të pashpresë për shkak të mëkatit?
A duam shumë?
A e kuptojmë se i kemi borxh Atit Qiellor dhe a përgjërohemi me gjithë shpirtrat tanë për hirin e Perëndisë?
Kur biem në gjunjë për t’u lutur, a e bëjmë që të përmendim sërish arritjet më madhështore të vetë drejtësisë sonë, apo është që t’i rrëfejmë gabimet tona, të përgjërohemi për mëshirën e Perëndisë dhe të derdhim lot mirënjohjeje për planin mahnitës të shëlbimit?
Shpëtimi nuk mund të blihet me monedhën e bindjes; ai blihet nëpërmjet gjakut të Birit të Perëndisë [shih te Veprat e Apostujve 20:28].”
(Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 109)
Përse është e rëndësishme të pendohemi çdo ditë?
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:
“Asgjë nuk është më çliruese, më fisnikëruese ose më e rëndësishme për përparimin tonë individual sesa një përqendrim i rregullt, i përditshëm te pendimi. Pendimi nuk është një ngjarje; është një proces. Është kyçi drejt lumturisë dhe paqes së mendjes. Kur ndërthuret me besimin, pendimi na jep të drejtën për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit.”
(Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 67)