Mateu 8; Marku 2–4; Lluka 7
Vështrim i Përgjithshëm
Jezusi tregoi fuqi dhe dhembshuri të madhe përmes mrekullive që kreu, duke përfshirë ngritjen e djalit të një vejushe së vdekuri dhe shërimin e një burri me paralizë. Ai gjithashtu fashiti një stuhi në Detin e Galilesë dhe fali mëkatet e një gruaje që tregoi mirënjohjen e saj duke i larë dhe vajosur Atij këmbët.
Përgatituni të Jepni Mësim
Informacioni i mëposhtëm u ofron mësuesve ide mbi atë se për çfarë mund të kenë nevojë të përgatiten paraprakisht për secilin mësim.
Mateu 8; Lluka 7:11–17
Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit ta forcojnë besimin e tyre në fuqinë e Jezu Krishtit për të kryer mrekulli në kohën tonë dhe në jetën e tyre.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i pyetin pjesëtarët e familjes ose shokët se cilat ngjarje në jetën e tyre dhe në Kishë i konsiderojnë si mrekulli. Kujtojuni se ndërsa disa mrekulli duken dramatike, të tjera janë më të qeta.
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merrni parasysh t’i vendosni nxënësit në dhoma virtuale të posaçme për t’u dhënë një mundësi për të treguar disa nga mrekullitë që kanë përgatitur të tregojnë në veprimtarinë e përgatitjes së nxënësve.
Marku 2:1–12
Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit ta rritin kuptueshmërinë e tyre se Shpëtimtari mund të shërojë të gjitha llojet e dobësive.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për një përvojë kur dikush që njohin ka marrë një bekim të nevojshëm nga Shpëtimtari. Si ka ndikuar bekimi i këtij personi te njerëzit e tjerë, si p.sh. shoqëria dhe pjesëtarët e familjes? Kërkojuni nxënësve të marrin parasysh atë që kanë mësuar duke parë atë që bëri Shpëtimtari për atë person.
Lluka 7:36–50
Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit të ushtrojnë besim te Jezu Krishti dhe të pendohen për mëkatet e tyre.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë te Lluka 7:36–50 dhe të mendojnë për këto pyetje nga Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023:“Përsiatni se ku ngjasoni me gruan e përshkruar te Lluka 7:36–50. Kur e keni përjetuar butësinë dhe mëshirën që Shpëtimtari i tregoi asaj? Çfarë mësuat nga shembulli i saj i besimit, dashurisë dhe përulësisë?” (“27 shkurt–5 mars Mateu 8; Marku 2–4; Lluka 7: ‘Besimi Yt të Shpëtoi’”).
-
Figurë: Përgatituni të paraqitni figurën e gjetur në fillim të mësimit.
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Ndërsa lexoni vargjet te Lluka 7 , vendoseni ekranin tuaj te “Pamja e Galerisë” që të mund të shihni të gjithë klasën. Ftojeni nxënësin që lexoi vargun e mëparshëm të tregojë më pas me gisht në një drejtim të caktuar. Cilitdo nxënësi që i drejtohen me gisht në ekran mund t’i kërkohet të lexojë vargun vijues.
Mateu 8:23–27; Marku 4:35–41
Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit të marrin paqen dhe qetësinë e Shpëtimtarit gjatë vështirësive që hasin.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përfundojnë veprimtarinë te “Mateu 8:23–27; Marku 4:35–41: Jezu Krishti ka fuqinë të sjellë qetësi në mes të stuhive të jetës”, që gjendet tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023. Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar pikëpamjet. Ata mund t’u kërkojnë pjesëtarëve të familjes ose shokëve të marrin pjesë me ta në këtë veprimtari.
-
Materialet për nxënësit: Sigurohuni që nxënësit të kenë mjete shkrimi dhe një ditar studimi ose fletë për t’i përdorur gjatë veprimtarisë së përfytyrimit.
-
Materiali Filmik: “Peace in Christ” [“Paqe Gjejm’ në Krisht”] (04:09)
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Ftojini nxënësit t’i mbajnë të ngritura para kamerës figurat që vizatuan që të mund të shikojnë vizatimet e njëri-tjetrit. Ftojini disa nxënës t’ia shpjegojnë klasës atë që vizatuan.
Përsëritje 2 e Zotërimit Doktrinor
Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë përmendsh referencat e shkrimit të shenjtë dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë për disa nga fragmentet e zotërimit doktrinor të Dhiatës së Re.
Shënim: Mund të jetë e nevojshme të jepet një mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor në vend të këtij mësimi përsëritjeje. Referojuni programit të ecurisë të siguruar nga drejtori ose bashkërenduesi i zonës për t’u siguruar që çdo mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor do të jepet gjatë zhvillimit të seminarit.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin se si njohja e referencave të shkrimeve të shenjta dhe e asaj që ato japin mësim mund t’i ndihmojnë në jetën e tyre.
-
Fletushkë: Përgatituni të paraqitni listën e fragmenteve të zotërimit doktrinor dhe frazat e tyre kyç të lidhura me shkrimet e shenjta, ose jepuani nxënësve si fletushkë.
-
Materialet për nxënësit: Sigurohuni që nxënësit të kenë mjetet e shkrimit, një ditar studimi dhe një fletë për ta përdorur në veprimtarinë me kartat e mësimit përmendsh.
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë:Merrni parasysh të përdorni lojërat në internet që mund t’i lejojnë nxënësit të marrin pjesë së bashku. Disa mjete të ndryshme në internet mund të përdoren për të përputhur frazën kyç me referencën e shkrimeve të shenjta, ose nxënësit mund të bëjnë veprimtari me plotësim të pjesëve të lëna bosh.