Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 2
Mateu 3–7; Lluka 3–6; Marku 1; Gjoni 2–4
Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të vlerësosh synimet që ke vendosur, atë që po mëson dhe rritjen vetjake që ke përjetuar gjatë studimit tënd të Dhiatës së Re këtë vit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Të Ndjekësh Jezu Krishtin
Ajo që po mëson nga Dhiata e Re në seminar ka për qëllim të të ndihmojë të vish më plotësisht te Jezu Krishti dhe të jesh dishepulli i Tij, ose ndjekësi i Tij. Bëj një nga tri veprimtaritë e mëposhtme, duke kërkuar bekimet që vijnë kur ndjekim Shpëtimtarin duke vepruar sipas mësimeve të Tij. Pastaj përgjigju për dy pyetjet që vijojnë.
-
Këndo ose dëgjo këngën e Fillores “Burri i Urt’ dhe Burri Pa Mend” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 132) dhe lexo vargjet te Mateu 7:24–27.
-
Në një fletë letre ose në ditarin tënd të studimit, vizato një paraqitje të thjeshtë të mësimeve të Shpëtimtarit te Mateu 7:24–27.
-
Duke përdorur kuba ose gota plastike, ndërto një shtëpi ose strukturë të thjeshtë mbi një themel të fortë, si dyshemeja ose tryeza. Pastaj ndërto një tjetër strukturë të thjeshtë në një themel më pak të fortë, si shtrati, batanija e palosur ose jastëku. Me duar shtyje sipërfaqen pranë çdo strukture dhe shiko se çfarë ndodh. Lexo te Mateu 7:24–27, duke kërkuar ngjashmëritë midis kësaj veprimtarie dhe shëmbëlltyrës së Shpëtimtarit.
-
Çfarë mësove nga kjo veprimtari?
-
Çfarë bekimesh marrim nëse veprojmë sipas mësimeve të Shpëtimtarit?
Mendo për rritjen që ke përjetuar ndërsa ke studiuar dhe je përpjekur t’i zbatosh mësimet e Shpëtimtarit nga Dhiata e Re këtë vit. Përgjigju për njërën apo më shumë prej pyetjeve të mëposhtme:
-
Cilat janë disa mësime të Jezu Krishtit që ke studiuar që janë veçanërisht kuptimplota për ty?
-
Në çfarë mënyrash je afruar më shumë me Shpëtimtarin ndërsa i studiove fjalët e Tij?
-
Cilat janë disa mësime që ke studiuar këtë vit që ke qenë në gjendje t’i zbatosh në jetën tënde? Çfarë bekimesh ke përjetuar si rrjedhojë?
Ky mësim do të të ndihmojë të vlerësosh disa mënyra se si po e ndërton jetën tënde mbi shkëmbin e Jezu Krishtit në mënyrë që të mund të përballosh sfidat që mund të vijnë.
Shpjego rëndësinë e pendimit, pagëzimit dhe konfirmimit
Veprimtaria e mëposhtme mund të të ndihmojë të vlerësosh se sa mirë e kupton dhe mund ta shpjegosh doktrinën e Shpëtimtarit mbi pendimin, pagëzimin dhe konfirmimin. Merri parasysh dy pohimet e mëposhtme, dhe shkruaj një përgjigje për secilin për të ndihmuar në zgjidhjen e shqetësimit të paraqitur. Përdor të paktën një shkrim të shenjtë nga studimi yt i fundit. Referencat e shkrimeve të shenjta në kllapa mund të ndihmojnë. Mos ngurro të përfshish ndonjë përvojë ose dëshmi vetjake.
-
Unë jam një person mjaft i mirë. Pse duhet të shqetësohem për pendimin nëse nuk po kryej mëkate të mëdha? (Shih te Mateu 3:1–8; Lluka 3:7–14 .)
-
Unë besoj te Jezu Krishti, por nuk mendoj se duhet të pagëzohem dhe konfirmohem që të kthehem për të jetuar me Perëndinë. (Shih te Marku 1:1–9; Gjoni 3:5; 2 Nefi 31:5–12, 17–18.)
Vlerëso aftësinë tënde për t’i bërë rezistencë dhe për ta mposhtur të keqen nëpërmjet besimit te Jezu Krishti
Ti ke studiuar kohët e fundit për Shpëtimtarin që iu bën rezistencë tundimeve dhe kishe mundësinë për të bërë një plan për të ndjekur shembullin e Tij dhe për t’u mbështetur tek Ai ndërsa përballesh me tundimet e tua. (Mund të jetë e dobishme të shqyrtosh vargjet te Mateu 4:1–11 dhe atë që ke shkruar në ditarin tënd të studimit për atë mësim.)
Për të të ndihmuar të vlerësosh se si e ke zbatuar atë që ke mësuar, gjej disa minuta për të përsiatur për përpjekjet e tua për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit dhe për t’u mbështetur tek Ai për t’i bërë rezistencë tundimit. (Kjo mund të përfshijë shkrimet e shenjta që je përpjekur t’i mbash mend apo t’i mësosh përmendsh.) Mendo për atë që ke mësuar nga përvoja jote ndërsa merr parasysh skenarin e mëposhtëm:
Imagjino sikur një shoqe e ka të vështirë t’i bëjë rezistencë tundimit për të parë pornografi. Ajo është përpjekur t’i largohet tundimit duke mos përdorur internetin kur është vetëm dhe duke mos e mbajtur telefonin me vete në dhomë gjatë natës. Ajo pati sukses të madh për disa ditë, por më pas iu dorëzua tundimit. Ajo u mërzit aq shumë me veten saqë arriti ta shmangte pornografinë për disa ditë të tjera para se t’i dorëzohej përsëri. Ajo ka nevojë për disa ide shtesë dhe ndihmë për t’u mbështetur te fuqia e Shpëtimtarit për t’i bërë rezistencë këtij tundimi.
Pa treguar tundimet e tua specifike, shkruaji një shënim shoqes sate. Përfshij dy ose më shumë nga këto në përgjigjen tënde:
-
diçka që ke bërë për t’u kthyer te Zoti që të ka ndihmuar ta mposhtësh tundimin
-
çfarë di për Jezu Krishtin që mund ta ndihmojë shoqen tënde të ndiejë se e duan dhe të ndiejë shtysë që të vazhdojë t’i bëjë rezistencë tundimit
-
çfarë i rekomandon shoqes sate që të bëjë për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit dhe për t’u mbështetur tek Ai që t’i bëjë rezistencë tundimit
-
çfarë suksesesh dhe sfidash mund të hasë shoqja jote teksa vazhdon përpara dhe këshilla se si të mbështetet tek Zoti ndërsa përballet me to
Merr parasysh se si mund të të ndihmojë personalisht kjo veprimtari. Çfarë do të dëshiroje të bëje që të vazhdoje t’i bëje rezistencë tundimit dhe ta mposhtje atë me forcë te Jezu Krishti? Nëse ndihesh i/e dekurajuar ose i/e pështjelluar, merr parasysh të lutesh për shqetësimet dhe ndjenjat e tua. Gjithashtu mund të jetë e dobishme të flasësh me një prind ose një peshkop. Mos e humb shpresën ndërsa përpiqesh ta ndërtosh jetën mbi Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij.
Reflekto për dëshirën tënde për ta adhuruar dhe ndjekur me sinqeritet Perëndinë
Një parim i fundit për të reflektuar është dëshira jote për ta adhuruar me sinqeritet Perëndinë dhe për ta ndjekur Jezu Krishtin. Në një mësim të mëparshëm, ke mësuar se nëse bëjmë vepra të drejta për të kënaqur Atin Qiellor, atëherë Ai do të na shpërblejë hapur (shih te Mateu 6:1–6, 16–18). Ndërsa e studiove këtë të vërtetë, mund të kesh plotësuar një tabelë që dukej si kjo:
Cilat janë tri vepra të mira që ke bërë gjatë javës së kaluar? (Rendit një për rresht.) |
Për çfarë arsyesh i bëre? |
Si u ndjeve pasi i bëre këto “vepra të mira”? |
Merr parasysh të shtosh në tabelë një ose dy vepra të mira që ke bërë që nga ai mësim dhe t’u përgjigjesh në tabelë pyetjeve për ndjekjen e ecurisë. Përsiat nëse ke qenë në gjendje të përqendrohesh më sinqerisht te Perëndia.
-
Nëse dikush mendonte se kishte vështirësi që të bënte vepra të mira për t’i pëlqyer Perëndisë, çfarë këshille do t’i jepje?