Seminari
Mateu 7:1–5


Mateu 7:1–5

Shpëtimtari u Mësoi Dishepujve të Tij të Gjykonin me Drejtësi

Jezu Krishti i ulur mbi një shkëmb në brigjet e detit të Galilesë. Njerëz të shumtë janë mbledhur rreth Tij. Njerëzit po e dëgjojnë Krishtin tek predikon. (Marku 4:1) (Lluka 5:1)

Gjatë Predikimit të Tij në Mal, Jezu Krishti u mësoi dishepujve të Tij të gjykonin me drejtësi. Në këtë mësim, do të kesh mundësinë të mësosh rreth bërjes së gjykimeve të drejta.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin për atë që dinë për gjykimet që duhet të bëjnë dhe për ato që duhet të jenë të kujdesshëm të mos i bëjnë. Nxitini të mendojnë për pyetjet që kanë për gjykimin.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ne duhet të gjykojmë me drejtësi

Lexojini skenarët e mëposhtëm si klasë dhe ftojini nxënësit të mendojnë se çfarë lloj gjykimesh mund të bëjë dikush në secilën situatë. Merrni parasysh t’i ndryshoni skenarët për t’i bërë më të përshtatshëm për nxënësit.

  • Dikush të fton në një festë ku shumë adoleshentë do të përdorin substanca kundër Fjalës së Urtësisë.

  • Dikush që jeton me standarde të ndryshme nga të tuat dëshiron të bëhet shoku ose shoqja jote e ngushtë.

  • Një anëtar/e i/e lagjes tënde bën në Shabat veprimtari të ndryshme nga ato të familjes tënde.

  • Ti zbulon se një shok apo shoqe ka zakon që të shohë pornografi.

Gjatë gjithë këtij mësimi, ti do të mësosh rreth të gjykuarit me drejtësi. Do të kesh mundësinë që t’u rikthehesh mendimeve të tua për këta skenarë dhe ta zbatosh atë që ke mësuar.

  • Çfarë pyetjesh ke për gjykimin?

Ndërsa e studion mësimin e sotëm, mendo se si ndihesh për gjykimin dhe dëgjoji nxitjet e Frymës së Shenjtë. Mbaji shënim përshtypjet që e rritin kuptueshmërinë tënde lidhur me mësimet e Shpëtimtarit për gjykimin. Lexo te Mateu 7:1. Ky varg shpesh keqkuptohet sikur nënkupton se Shpëtimtari na mësoi se kurrë nuk duhet të gjykojmë. Tani lexo Përkthimin prej Joseph Smith-it të këtij vargu (te Mateu 7:1–2 te Shtojca Përkthimi prej Joseph Smith-it).

  • Si e rrit Përkthimi prej Joseph Smith‑it kuptueshmërinë tënde për atë që dha mësim Shpëtimtari rreth gjykimit?

  • Çfarë mendon se do të thotë të gjykosh me drejtësi?

Lexo pohimin vijues:

Merreni parasysh ta paraqitni pohimin vijues në mënyrë që nxënësit të mund ta ndjekin ndërsa dikush e lexon me zë të lartë.

“Gjykimi është i rëndësishëm në përdorimin e lirisë sonë të zgjedhjes dhe kërkon kujdes të madh, sidomos kur bëjmë gjykime për njerëz të tjerë. Të gjitha gjykimet tona duhet të udhëhiqen nga standarde të drejta. Vetëm Perëndia, i cili e njeh zemrën e secilit individ, mund të bëjë gjykime përfundimtare për individët.

Nganjëherë njerëzve u duket se është e gabuar t’i gjykojnë të tjerët në çfarëdo mënyre. Ndërsa është e vërtetë që nuk duhet t’i dënojmë të tjerët apo t’i gjykojmë në mënyrë të padrejtë, do të na duhet të bëjmë gjykime për ide, situata e njerëz gjatë gjithë jetës sonë. …

… Sa më shumë që të mundemi, ne duhet të gjykojmë situatat e njerëzve dhe jo vetë njerëzit. Kurdoherë që është e mundur, duhet të përmbahemi nga të gjykuarit derisa të kemi njohuri të mjaftueshme për faktet. Duhet të jemi gjithmonë të ndjeshëm ndaj Shpirtit të Shenjtë, i cili mund të na udhërrëfejë në vendimet tona.”

(Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Judging Others [“Gjykimi i të Tjerëve”], topics.ChurchofJesusChrist.org)

  • Cilat fjalë apo fraza në këtë pohim të ndihmojnë ta kuptosh gjykimin e drejtë?

Ne nuk duhet të përqendrohemi te fajet e të tjerëve

Një dorë duke mbajtur një farë sinapi.
Një tra ose shtyllë lisi i vjetër e i latuar, i fotografuar në një sfond të bardhë. (vert)

Lexo te Mateu 7:2–5, duke kërkuar për mësime të tjera rreth gjykimit. Në vargun 3, Shpëtimtari iu referua një cope druri si lëmishte dhe një cope të madhe druri si tra.

Merrni parasysh t’u tregoni nxënësve fotografitë e përfshira të një lëmishteje dhe të një trau.

Përndryshe, sillni një copë druri (ose një tjetër send të vogël) dhe një copë të madhe druri (ose një tjetër send të madh). Ftoni dy nxënës që ta ilustrojnë këtë shëmbëlltyrë duke e mbajtur me kujdes njërin nga këto sende para syve të tyre.

  • Pse do të ishte e vështirë për dikë me një tra në syrin e vet që të hiqte një lëmishte nga syri i dikujt tjetër?

  • Çfarë mendon se po na mëson Shpëtimtari përmes analogjisë së traut dhe lëmishtes?

Nxënësit mund të përcaktojnë disa nga parimet në vijim:

Mënyra se si i gjykojmë të tjerët ndikon në mënyrën se si do të gjykohemi nga Shpëtimtari.

Nëse përqendrohemi tek të parit dhe pendimi për vetë mëkatet dhe dobësitë tona, atëherë ka më pak gjasë që t’i gjykojmë të tjerët në mënyrë të padrejtë.

Pasi të pendohemi për vetë mëkatet tona, mund t’i ndihmojmë më mirë të tjerët.

Ndërsa nxënësit përmendin këto parime ose të tjera, shkruajini në tabelë duke përdorur fjalët e tyre.

  • Përse këto mësime janë të rëndësishme që ne t’i mbajmë mend?

  • Çfarë mund të mësosh për Jezu Krishtin nga këto mësime?

Për të parë një ilustrim tjetër të të vërtetave që dha mësim Shpëtimtari, shiko “Looking through Windows” [“Të Parit përmes Dritareve”] (02:19), që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

  • Pse ndonjëherë mund të jetë e vështirë të jetosh sipas mësimeve të Krishtit rreth gjykimit?

  • Si mund ta ftosh ndihmën e Atit tënd në Qiell nëpërmjet Jezu Krishtit, për të të ndihmuar t’i zbatosh këto parime në jetën tënde?

Ushtro zbatimin e parimeve të gjykimit të drejtë

Zgjidh njërin nga skenarët në fillim të mësimit ose mendo për një skenar të ngjashëm.

Merrni parasysh t’i ndani nxënësit në dyshe ose grupe të vogla për këtë veprimtari. Vizitojeni për pak kohë çdo grup, duke marrë pjesë në diskutimet e tyre si të jetë e përshtatshme.

  • Cilin skenar zgjodhe?

  • Çfarë gjykimesh të drejta duhet të bësh për këtë situatë?

  • Cilat gjykime duhet të jesh i/e kujdesshëm/me të mos i bësh?

  • Sipas mësimeve të Shpëtimtarit, si mund të jesh edhe i/e drejtë edhe i/e mëshirshëm/me në gjykimet që bën?

  • Si mund të të ndihmojë në këtë lloj situate të kujtuarit e mëkateve dhe dobësive të tua?

Ftojini vullnetarët të japin komentet e tyre. Dëgjojini me kujdes përgjigjet e nxënësve për të vlerësuar se sa mirë kanë mësuar.

Ndonjëherë, njerëzit supozojnë se mësimet e Shpëtimtarit te Mateu 7:1–5 do të thonë se ne kurrë nuk duhet të bëjmë gjykime. Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, sqaroi se ka disa lloj gjykimesh që nxitemi t’i bëjmë:

Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“Ka dy lloje gjykimesh: gjykimet përfundimtare, të cilat jemi të ndaluar t’i bëjmë, dhe gjykimet e ndërmjetme, të cilat jemi të udhëzuar t’i bëjmë, por sipas parimeve të drejta. …

… Le të shqyrtojmë disa parime ose aspekte që çojnë në një ‘gjykim të drejtë’.

Së pari, një gjykim i drejtë, sipas përkufizimit, duhet të jetë i ndërmjetëm. Ai do të na përmbajë që të mos deklarojmë se një person e ka të sigurt ekzaltimin ose që të mos e hedhim poshtë një person si të jetë nisur në mënyrë të pakthyeshme për në zjarrin e ferrit. …

Së dyti, një gjykim i drejtë do të udhërrëfehet nga Shpirti i Zotit, jo nga zemërimi, hakmarrja, xhelozia apo interesi vetjak. …

Së treti, për të qenë i drejtë, një gjykim i ndërmjetëm duhet të jetë brenda [kufijve të] kujdestarisë tonë. Ne nuk duhet të supozojmë që të ushtrojmë dhe të veprojmë sipas gjykimeve që janë jashtë përgjegjësive tona vetjake. …

Së katërti, ne duhet, nëse është e mundur, të përmbahemi që të mos gjykojmë derisa të kemi njohuri të mjaftueshme për faktet. …

Një parim i pestë i një gjykimi të drejtë të ndërmjetëm është se sa herë që të jetë e mundur të përmbahemi nga gjykimi i njerëzve dhe të gjykojmë vetëm situatat.”

(Dallin H. Oaks, “‘Judge Not’ and Judging”, Ensign, gusht 1999, f. 7, 9–11)

Ftojini nxënësit të përsiatin për përgjigjet e tyre për pyetjen e parë. Pyetjet e tjera që pasojnë mund të diskutohen si klasë ose nxënësit mund t’u përgjigjen këtyre pyetjeve në një ditar studimi.

  • Cilat gjykime duhet të bëj dhe cilat duhet të jem i/e kujdesshëm/me që të mos i bëj?

  • Çfarë mësove në këtë mësim për gjykimin e drejtë? Si mund të të ndihmojë ajo që mësove t’i shohësh të tjerët dhe veten më shumë siç i sheh Shpëtimtari?

  • Si kanë marrë përgjigje pyetjet e tua për gjykimin? Nëse ke pyetje pa përgjigje, zotohu që ta vazhdosh studimin dhe të kërkosh përgjigje nga Fryma e Shenjtë.

  • Çfarë mund të të ndihmojë të jesh më pak gjykues/e ndaj të tjerëve në jetën tënde?

Merrni parasysh të jepni dëshmi për gjykimin me drejtësi.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Si i sheh Perëndia fëmijët e Tij?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se të gjithë jemi të barabartë në sytë e Atit tonë Qiellor:

Portreti zyrtar i Presidentit Rasëll M. Nelson, i bërë në janar 2018

“Secili prej nesh ka një potencial hyjnor ngaqë secili është një fëmijë i Perëndisë. Secili është i barabartë në sytë e Tij. Nënkuptimet e kësaj të vërtete janë të thella. Vëllezër e motra, ju lutem dëgjojeni me kujdes atë që do t’ju them tani. Perëndia nuk e do një racë më shumë sesa një tjetër. Doktrina e Tij për këtë çështje është e qartë. Ai i fton të gjithë të vijnë tek Ai, ‘të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra’ [2 Nefi 26:33].”

(Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 94)

Si mund të ndikojë në mënyrën si gjykoni zhvillimi i cilësive të ngjashme me të Krishtit?

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për të qenit si Krishti, që mund të na ndihmojë të gjykojmë me drejtësi.

Portreti zyrtar i Plakut Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i janarit 2016.

“Që të jetë si Krishti, një njeri e do mëshirën. Njerëzit që e duan mëshirën, nuk janë gjykues; ata shfaqin dhembshuri për të tjerët, veçanërisht për ata që janë më pak fatlumë; ata janë të hirshëm, dashamirës dhe nderues. Këta njerëz e trajtojnë këdo me dashuri e mirëkuptim, pavarësisht nga tiparet të tilla si raca, gjinia, përkatësia fetare, orientimi seksual, gjendja shoqëroro‑ekonomike dhe dallimet fisnore, klanore apo kombëtare. Këto zëvendësohen nga dashuria si e Krishtit.”

(Dejll G. Renland, “Të Zbatosh Drejtësinë, të Duash Mëshirën dhe të Ecësh Përulësisht me Perëndinë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 111)

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Materiali filmik i Kishës rreth bërjes së gjykimeve

Materiali filmik në vijim (në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org) mund t’i shtojë larmi mësimdhënies së këtij mësimi rreth bërjes së gjykimeve të drejta.

3:18

“A Jam Mjaftueshëm i Mirë?” (03:28) – Plaku J. Devn Kornish, i Të Shtatëdhjetëve, tha: “Pa të drejtë e gjykojmë denjësinë tonë sipas gjërave që vërtet i kemi ose nuk i kemi dhe sipas opinioneve të të tjerëve”.

3:33