Seminari
Mateu 6:19–34


Mateu 6:19–34

“Para së Gjithash Kërkoni Mbretërinë e Perëndisë”

Krishti jep mësim se të gjitha gjërat do t’u shtohen atyre që e kërkojnë mbretërinë e Perëndisë.

Si pjesë e Predikimit në Mal, Jezu Krishti u mësoi dishepujve të Tij që “para së gjithash [të] kërkoni[n] [të ndërtonin] mbretërinë e Perëndisë” (Mateu 6:33). Në këtë mësim, do të kesh mundësinë të përsiatësh dhe të tregosh për rëndësinë e vendosjes së Perëndisë të parin në jetën tënde.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin se si mund t’u tregojnë të tjerëve për rëndësinë dhe bekimet e vendosjes së Perëndisë të parin në jetën e tyre.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Shpëtimtari u mëson dishepujve të Tij që “para së gjithash [të] kërko[jnë] mbretërinë e Perëndisë”

Lexoji skenarët vijues nga jeta reale:

  • Një i ri në Kaliforni, SHBA, është një sërfist i talentuar, por seminari është planifikuar në të njëjtin orar si praktika për ekipin e tij të sërfit në shkollën e mesme.

  • Një e re në Brazil ftohet të mbajë një vend nderi në festimet e 15-vjetorit të lindjes së shoqes së saj, por i duhet të veshë një fustan që nuk përputhet me standardet e saj.

  • Një i ri në Zelandën e Re është lojtar i talentuar i ragbisë që parashikohet të marrë një ofertë për të luajtur në nivel profesional, por ai është në moshë për të shërbyer në një mision kohëplotë.

Këto janë shembuj të situatave në të cilat të rinjtë mund të zgjedhin ta vënë Perëndinë të parin në jetën e tyre, edhe pse nuk do të ishte e lehtë.

  • Çfarë pyetjesh apo shqetësimesh mund të kenë të rinjtë në këto situata në lidhje me vënien e Perëndisë të parin në jetën e tyre?

  • Çfarë pyetjesh apo shqetësimesh mund të kesh ti dhe miqtë e tu në lidhje me vënien e Perëndisë të parin në jetën tuaj?

Ndërsa e studion këtë mësim, kërkoji Zotit të të ndihmojë t’i trajtosh shqetësimet e tua dhe të ndiesh rëndësinë e vendosjes së Tij të parin. Studioje një nga grupet e vargjeve në vijim. Kërkoje udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të të ndihmuar t’i gjesh dhe kuptosh të vërtetat që dha mësim Shpëtimtari, që mund të të ndihmojnë ta vësh Perëndinë të parin në jetën tënde.

Nxënësit mund të zgjedhin se cilat grupe të vargjeve të studiojnë ose mund t’u caktohet Mundësia A ose Mundësia B. Mund të jetë e dobishme t’i paraqitni mundësitë e mëposhtme në tabelë.

Mundësia A: Mateu 6:19–24. Në këto vargje, Shpëtimtari përdori fjalën thesare për të nënkuptuar atë që ne vlerësojmë shumë dhe syri për të simbolizuar largpamësinë ose përqendrimin tonë në jetë. Përkthimi prej Joseph Smith‑it sqaron atë që dha mësim Zoti në vargun 22: “Prandaj nëse syri yt drejtohet vetëm tek lavdia e Perëndisë, gjithë trupi yt do të mbushet me dritë” (Shtojca Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 6:22; ; shih edhe te Doktrina dhe Besëlidhje 88:67). Gjithashtu mund të jetë e dobishme të theksohet se fjala mamon u referohet gjërave të botës ose pasurive (shih te Mateu 6:24).

Mundësia B: Mateu 6:25–34. Përkthimi prej Joseph Smith-it për këto vargje sqaron se Zoti po u fliste Apostujve të Tij për përgjegjësinë e tyre për të “shkuar … në botë … duke iu dhënë mësim njerëzve” (Joseph Smith Translation, Matthew 6:25–26 [në shtojcën e Biblës në anglisht]). Udhëzimi i Zotit ishte specifik për Dymbëdhjetë Apostujt në atë kohë, por parimi që Ai dha mësim, vlen edhe për ne. Vër re shembujt se si Perëndia kujdeset për krijimet e Tij, duke na përfshirë edhe ne. Ndërsa studion, kushtoji vëmendje të veçantë vargut 33 : Përkthimi prej Joseph Smith-it i këtij vargu fillon: “Si rrjedhim, mos kërkoni gjërat e kësaj bote, por para së gjithash kërkoni të ndërtoni mbretërinë e Perëndisë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 6:38 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]).

  • Ndërsa i lexove fjalët e Shpëtimtarit dhe ftove udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë, çfarë gjete që ishte kuptimplotë për ty? Përse ishte kuptimplotë?

Ftojini disa nxënës të tregojnë për atë që gjetën. Merrni parasysh të shkruani në tabelë çdo parim që ata përmendin. Nëse nxënësit nuk i tregojnë natyrshëm parimet, merrni parasysh të pyetni: “Si do ta përmblidhnit njërën nga të vërtetat që dha mësim Shpëtimtari?”

Shpëtimtari dha mësim parimet e vërteta në këto vargje, duke përfshirë që ne nuk mund t’i shërbejmë edhe Perëndisë, edhe mamonit (apo gjërave të botës) dhe se nëse para së gjithash kërkojmë të ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë, atëherë Ai do të na bekojë me atë që Ai e di se kemi nevojë.

  • Çfarë di për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin që do të të japë shtysë t’i vësh Ata të parët në jetën tënde?

Të rinj që e vënë Perëndinë të parin

5:38
3:50
3:31
  • Kur e ke vënë Perëndinë të parin në jetën tënde?

  • Çfarë bekimesh ke parë si rezultat i vendimit tënd?

Nxitja e të tjerëve që ta vënë Perëndinë të parin

Gjej një çast për të menduar se si mësimet e Shpëtimtarit për ta vënë Perëndinë të parin në jetën tënde gjejnë zbatim për ty. Vazhdo të kërkosh frymëzim nga Fryma e Shenjtë ndërsa e përfundon këtë mësim.

Imagjino sikur presidenca e kunjit ose distriktit tënd ta ftojë kuorumin ose klasën tënde për të bërë një material filmik për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rejat në zonën tënde të ndiejnë shtysën për ta vënë Perëndinë të parin në jetën e tyre. Presidenca planifikon ta shfaqë materialin filmik në një ngjarje për rininë.

Nxënësit mund ta planifikojnë materialin filmik individualisht ose në grupe të vogla. Nëse planifikimi i një materiali filmik nuk do të ishte diçka e përshtatshme për nxënësit tuaj, ata mund të planifikojnë një bisedë ose mësim për vendosjen e Perëndisë të parin në jetën e tyre.

Krijo një skicë të hollësishme për materialin tënd filmik. (Nuk ka nevojë të regjistrosh një material filmik; mjafton vetëm të bësh një plan.) Përfshije sa vijon në skicën tënde:

  • Të paktën një të vërtetë që dha mësim Shpëtimtari te Mateu 6 dhe një shpjegim të mënyrës se si mund t’i ndihmojë të rinjtë vendosja e Perëndisë të parin në jetën e tyre.

  • Një shembull i ditëve të sotme për dikë që e vendos Perëndinë të parin në jetën e vet. Ky shembull mund të jetë një përvojë vetjake ose përvoja e dikujt që njeh. Shkruaj një përmbledhje të thjeshtë të shembullit.

Gjithashtu përfshi një ose më shumë nga sa vijon në skicën tënde:

  • Një pohim nga një udhëheqës i Kishës

  • Fotografi ose materiale pamore që mund t’i përfshish dhe kur duhet t’i përfshish

  • Dëshminë vetjake

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit t’i tregojnë klasës atë që do të përfshijnë në materialin e tyre filmik. Ndërsa ata tregojnë, merrni parasysh të bëni pyetje të mëtejshme si më poshtë: “Pse vendose të përqendrohesh në atë frazë apo të vërtetë?” “Pse vendose ta përdorësh atë histori apo përvojë?” “Si mendon, pse kjo mund t’i ndihmojë të rinjtë e të rejat sot?”

Merrni parasysh t’u referoheni sërish shqetësimeve ose pyetjeve që nxënësit shprehën në fillim të mësimit. Pyetini nxënësit: “Si mund t’ju ndihmojë ajo që keni mësuar t’i trajtoni këto shqetësime?”

Nëse dëshiron, mund t’ia tregosh planin tënd për një material filmik familjes dhe shokëve. Një rast i mirë për ta bërë këtë mund të jetë kur e diskuton këtë temë me familjen gjatë studimit të programit Eja, Më Ndiq.

Nëse e ke aftësinë, merre parasysh ta bësh materialin filmik dhe t’ua tregosh të tjerëve.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Çfarë bekimesh marrim kur e vëmë Perëndinë të parin në jetën tonë?

Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dha mësim:

Fotografi e Presidentit Ezra Taft Benson. Ai është ulur në një karrige lëkure përballë një oxhaku. Duart e tij janë të kapura bashkë përpara vetes dhe ai mban një unazë të madhe bruzi në gisht. Portreti zyrtar i vitit 1986.

“Ne duhet ta vendosim Perëndinë në krye të gjithçkaje tjetër në jetën tonë. …

Kur e vendosim Perëndinë të parin, gjithë gjërat e tjera zënë vendin e duhur ose largohen nga jeta jonë. Dashuria jonë për Zotin do të drejtojë shpalljet e dashurisë sonë, kërkesat e kohës sonë, interesat që ndjekim dhe rendin e përparësive tona.”

(Ezra Taft Benson, “The Great Commandment—Love the Lord”, Ensign, maj 1988, f. 4)

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

Portreti zyrtar i Presidentit Rasëll M. Nelson, i bërë në janar 2018

“A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj? …

Merreni parasysh se sa shumë mund t’ju bekojë një gatishmëri e tillë. …

Nëse keni pyetje të sinqerta rreth ungjillit ose Kishës, kur zgjidhni ta lejoni Perëndinë të triumfojë, ju do të udhëhiqeni që të gjeni e kuptoni të vërtetat absolute, të përjetshme që do ta udhërrëfejnë jetën tuaj dhe do t’ju ndihmojnë të qëndroni të palëkundur në shtegun e besëlidhjeve.

Kur përballeni me tundimin – edhe nëse tundimi vjen kur jeni të stërmunduar ose ndiheni të vetmuar apo të keqkuptuar – përfytyroni guximin që mund të merrni teksa zgjidhni ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj dhe teksa i përgjëroheni Atij që t’ju forcojë. …

… Kur zgjidhni ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj, ju do të përjetoni vetë se Perëndia jonë është ‘një Perëndi mrekullish’ [Mormoni 9:11].”

(Rasëll M. Nelson, “Lejejoni Perëndinë të Triumfojë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 94, 95)

Çfarë donte të thoshte Shpëtimtari kur tha: “Mos u shqetësoni për jetën tuaj” dhe “Mos u brengosni, pra, për të nesërmen”? (Mateu 6:25, 34)

“Fraza në greqisht që përkthehet si ‘mos u brengosni’ te Mateu 6:25, 34 i Variantit të Mbretit Xhejms do të thotë të mos jemi shumë në ankth ose të shqetësuar” (New Testament Student Manual [Manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 29).

Çfarë donte të thoshte Shpëtimtari kur tha: “Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet”? (Mateu 6:34)

Kjo frazë do të thotë “Mos shtoni probleme nga e nesërmja – keni mjaftueshëm për t’u përballur sot” (New Testament Student Manual, f. 29).

Çfarë është një kubit? (Mateu 6:27)

Një kubit ishte “njësia e zakonshme e gjatësisë mes hebrenjve – fillimisht largësia nga bërryli deri në majë të gishtave … [rreth] 21½ inç [536 cm] në kohën e Zotit tonë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Kubit”).

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Ruhuni nga profetët e rremë

Merrni parasysh t’u kërkoni nxënësve të tregojnë shembuj të ideve që pranohen gjerësisht nga bota, por që janë në kundërshtim me planin e Atit Qiellor. Shpjegoni se profetët e rremë janë individë ose grupe që nxitin ide në kundërshtim me planin e Atit Qiellor dhe që përpiqen ta shkatërrojnë besimin dhe dëshmitë për Jezu Krishtin. Lexoni te Mateu 7:15–20 dhe diskutoni për mësimet e Shpëtimtarit për t’i dalluar profetët e rremë dhe pse këto mësime janë të rëndësishme në kohën tonë. Pohimi në vijim nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, mund të jetë i dobishëm:

Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“Satani është në ankth për të na ngatërruar mënyrën e të menduarit apo për të na çuar në udhë të shtrembër mbi çështje të rëndësishme. … Shpëtimtari … na dha këtë provë për të na ndihmuar të zgjedhim të vërtetën ndër mësimet e ndryshme që mund të na ngatërrojnë: ‘Ju do t’i njihni ata nga frytet e tyre’, dha mësim Ai (3 Nefi 14:16). … Prandaj, ne duhet të shohim rezultatet – ‘frytet’ – e parimeve që jepen mësim, dhe personat që i japin mësim. Kjo është përgjigjja më e mirë për shumë nga kundërshtimet që dëgjojmë kundër Kishës dhe doktrinave, dhe rregulloreve, dhe udhëheqjes së saj. Ndiqni provën që Shpëtimtari dha mësim. Shihni frytet – rezultatet.”

(Dallin H. Ouks, “Priftëria Melkizedeke dhe Çelësat”, Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 71).