Zbulesa 14
“Pashë Një Engjëll Tjetër … që Kishte Ungjillin e Përjetshëm”
Mendo rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Në ç’mënyrë po të ndihmon Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ta kuptosh dhe të përgatitesh për të? Apostulli Gjon profetizoi për ngjarjet që do të ishin një prelud për Ardhjen e Dytë ngadhënjimtare të Shpëtimtarit, duke përfshirë Rivendosjen e Kishës së Tij dhe ndarjen e të drejtëve nga të ligjtë. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të kuptosh se si Shpëtimtari dhe Kisha e Tij e rivendosur mund ta ndihmojnë botën – përfshirë edhe ty – të përgatitesh për Ardhjen e Tij të Dytë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Qëllimi i Kishës
Përfytyro sikur je në një orë mësimi në shkollë ku përmendet tema e fesë së organizuar. Një shok klase komenton se gjithnjë e më pak njerëz i përkasin ose e frekuentojnë një kishë ngaqë mendojnë se kishat nuk shërbejnë në të vërtetë për ndonjë qëllim. Ky koment të bën të mendosh rreth të gjitha qëllimeve për të cilat shërben Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
-
Cilat janë disa gjëra që ti e ndien se të tjerët duhet t’i kuptojnë rreth mënyrës përse Jezu Krishti e organizoi Kishën e Tij?
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shërben për shumë qëllime të rëndësishme që mund të të kenë ardhur në mendje. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi një nga shumë qëllimet e rëndësishme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme:
“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është fuqizuar dhe autorizuar në mënyrë të pashoqe për të kryer përgatitjet e nevojshme për Ardhjen e Dytë të Zotit; me të vërtetë, ajo u rivendos për atë qëllim”.
(D. Tod Kristoferson, “Duke u Përgatitur për Kthimin e Zotit”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 82)
-
Si mund të ndikojë kuptueshmëria e këtij qëllimi në këndvështrimin se si ti dhe të tjerët e shihni dhe merrni pjesë në Kishë?
Gjej një çast për të reflektuar për bekimet e Kishës së Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij të rivendosur në jetën tënde. Teksa studion, dëgjoji nxitjet dhe mbresat nga Fryma e Shenjtë për të të ndihmuar t’i përdorësh këto bekime për t’u përgatitur më mirë për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.
Gjoni sheh një vegim të Rivendosjes në ditët e mëvonshme
Si pjesë e vegimit të tij të shënuar në librin e Zbulesës, Gjoni dëshmoi shumë ngjarje të rëndësishme që do të ndodhnin përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Ai pa 144 000 priftërinj të lartë besnikë nga të gjitha fiset e Izraelit që u shuguruan për të administruar ungjillin dhe për t’i sjellë njerëzit në Kishë (shih Zbulesa 7:4–8 ; 14:1–5 ; Doktrina e Besëlidhje 77:11). Ai dëshmoi gjithashtu shumë engjëj që punojnë për ta përgatitur botën për kthimin e Shpëtimtarit (shih Zbulesa 14:6–20).
-
A e ke pyetur ndonjëherë veten se përse shumica e tempujve tanë kanë një statujë të Moronit në majë?
Këto statuja simbolizojnë predikimin e ungjillit të rivendosur anembanë botës. Lajmëtarët qiellorë, duke përfshirë Moronin, luajtën një rol të rëndësishëm në Rivendosjen e ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Te Zbulesa 14 , Gjoni iu referua rolit të rëndësishëm që Moroni dhe engjëjt e tjerë do të luanin për të ndihmuar në përgatitjen e botës për kthimin e Shpëtimtarit.
Lexo te Zbulesa 14:6 , duke kërkuar atë që mëson nga përshkrimi i Gjonit, që të kujton Moronin dhe misionin e tij.
-
Çfarë gjete? (Nëse dëshiron të mësosh më shumë për rolin e Moronit në Rivendosje, shih Joseph Smith – Historia 1:29–54 .)
Përveç Moronit, engjëlli i përmendur te Zbulesa 14:6 mund të përfaqësojë gjithashtu lajmëtarët e shumtë qiellorë që ndihmuan për ta rivendosur ungjillin e Jezu Krishtit. Lexoje sa vijon për të përcaktuar engjëjt e tjerë që luajtën një rol në rivendosjen e ungjillit:
Doktrina e Besëlidhje 13 , kreu i seksionit
Doktrina e Besëlidhje 110:11–16
Doktrina e Besëlidhje 128:20–21
Lexo te Zbulesa 14:7 , duke kërkuar atë që tha engjëlli.
Fraza “ora e gjyqit të tij erdhi” i referohet kohës kur Jezu Krishti do t’i gjykojë të gjithë njerëzit në tokë. Gjykimet e Tij do të ndodhin si në Ardhjen e Dytë (shih Malakia 3:1–5), edhe në Gjykimin Përfundimtar (shih 2 Nefi 9:15). Me ndihmën e lajmëtarëve qiellorë, Jezu Krishti e rivendosi ungjillin e Tij për të ndihmuar në përgatitjen e botës për Ardhjen e Tij të Dytë.
-
Cilat janë disa mënyra se si ungjilli i rivendosur i Zotit dhe Kisha e Tij ndihmojnë në përgatitjen e botës për Ardhjen e Tij të Dytë? Shpjegoji përgjigjet e tua.
-
Çfarë të mësojnë përpjekjet e Zotit për të na përgatitur për Ardhjen e Tij të Dytë rreth Tij dhe dëshirave të Tij për ty?
Roli ynë në përgatitjen e botës për Ardhjen e Dytë
Gjoni e përmbylli këtë pjesë të shkrimeve të tij duke përshkruar një vegim që pati të dikujt “[të] ngjashëm me një Bir njeriu” ( Zbulesa 14:14). Lexo te Zbulesa 14:14–15 , duke kërkuar atë që Gjoni dëshmoi.
Një drapër është një teh i mprehtë, i harkuar, që përdoret për të prerë dhe korrur (ose mbledhur) të korrat e mbjella. Kur Jezusi dha mësim për shëmbëlltyrën e grurit dhe egjrës (shih te Mateu 13:24–30, 36–43), Ai tha se gruri (njerëzit e drejtë) do të ndaheshin nga egjra (njerëzit e padrejtë) “në mbarimin e botës” ( Mateu 13:40). Në vegimin e tij, Gjoni dëshmoi për mbledhjen e të drejtëve nga të ligjtë në përgatitjen për shkatërrimin e të ligjve (shih Zbulesa 14:16–20). Fraza “vër dorë mbi drapërin tënd dhe korr” te Zbulesa 14:15 mund të nënkuptojë t’i grumbullosh shpirtrat te Jezu Krishti.
-
Si mendon se ftesa e përshkruar në vargun 15 mund të zbatohet tek anëtarët e Kishës sot? (Shih Doktrina e Besëlidhje 4:4 ; 33:7 .)
Jezu Krishti na fton të marrim pjesë në mbledhjen e shpirtrave tek Ai në përgatitje për Ardhjen e Tij të Dytë. Shpesh kësaj i referohemi si mbledhja e Izraelit.
Merr pak kohë për t’i shqyrtuar mësimet e fundit të profetëve dhe apostujve të Zotit në lidhje me pjesëmarrjen në mbledhjen e Izraelit. Për ta bërë këtë, ti mund të bësh kërkim për temën “Mbledhja” në fjalimet nga konferenca të përgjithshme të fundit në ChurchofJesusChrist.org ose në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Përndryshe, ti mund të shqyrtosh një ose disa nga mesazhet vijuese të Presidentit Rasëll M. Nelson dhe Motrës Uendi W. Nelson. Teksa studion, kërko thënie që e përshkruajnë rolin tonë për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit dhe për përgatitjen e botës për Ardhjen e Dytë.
“Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë me Rasëll M. Nelsonin dhe Uendi W. Nelsonin, 3 qershor 2018), material shtesë për revistat New Era dhe Ensign, ChurchofJesusChrist.org
“Pjesëmarrja e Motrave në Mbledhjen e Izraelit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 68–70
“Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 92–95
-
Cila është një thënie që gjete rreth mbledhjes së Izraelit që ishte veçanërisht kuptimplotë për ty? Pse?
-
Cilat janë disa gjëra të veçanta që do t’i bësh për ta përgatitur veten dhe të tjerët për kthimin e Shpëtimtarit? Si do të të ndihmojnë këto gjëra që të jesh i përgatitur?