Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini
Si mund t’i ndihmoj ata në lagjen ose kunjin tim që të ndiejnë se i duan, i vlerësojnë dhe janë të nevojshëm?


“Si mund t’i ndihmoj ata në lagjen ose kunjin tim që të ndiejnë se i duan, i vlerësojnë dhe janë të nevojshëm?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Udhëheqësit e Kishës (2020)

“Si mund t’i ndihmoj ata në lagjen ose kunjin tim që të ndiejnë se i duan, i vlerësojnë dhe janë të nevojshëm?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Udhëheqësit e Kishës

Si mund t’i ndihmoj ata në lagjen ose kunjin tim që të ndiejnë se i duan, i vlerësojnë dhe janë të nevojshëm?

Njerëzit Kanë Nevojë të Ndiejnë se Janë të Nevojshëm

Si anëtarë të Kishës, ne të gjithë kemi përgjegjësi për të krijuar një mjedis përkrahës dhe të dashur për të gjithë vëllezërit e motrat tona. Një rrjet i tillë përkrahës e bën më të lehtë për ta jetuar ungjillin dhe për ta kërkuar Shpirtin ndërsa udhëtojmë përmes çfarëdo aspekti të vdekshmërisë.

“Nuk besoj se kam takuar ndonjëherë dikë që nuk kishte dëshirë t’i përkiste diçkaje që e bënte të ndihej i vlefshëm, që e bënte të ndihej se kishte vlerë.

Kur njerëzit e pyetin veten: ‘A ka vend për mua?’, mund të ketë një sërë gjërash mbrapa kësaj dhe tani ata e pyetin veten: ‘A përshtatem? A përkas këtu? A kanë vërtet ata nevojë për mua?’ Unë dua të them me ndjeshmëri: ‘Po!’

Mendoj për metaforën e Palit, që më pëlqen shumë, [ku] Kisha është trupi i Krishtit. Ai thotë se ne pagëzohemi në atë trup. Ai thotë se është një trup i vetëm. Shumë gjymtyrë por një trup i vetëm.

I kuptoj ndjenjat që kanë njerëzit ndonjëherë sikur mund të mos jenë të nevojshëm. Ndonjëherë të tjerët janë fajtorë që thonë se nuk kemi nevojë për këtë person; nuk kemi nevojë për atë person; jemi mirë kështu siç jemi. Asnjëra nuk është e vërtetë. Kjo nuk është mënyra e krishterë. Kjo nuk është mënyra se si na sheh Krishti. Ai na sheh të gjithëve ne me vlerë të pafundme. Cilado qoftë gjendja jonë për momentin, trupi i Krishtit është atje për ta mbështetur çdo anëtar. Kur një person ndihet i izoluar – nuk e mohoj realitetin e ndjenjës dhe se përse është kaq e natyrshme të ndihesh në atë mënyrë – por secili prej nesh, kurdoherë që ajo ndjenjë mund të na vijë, duhet të ndalet dhe të mendojë, Jezu Krishti vdiq për mua. Jezu Krishti më mendoi të denjë për gjakun e Tij. Ai më do. Ai ka shpresa për mua. Ai mund të bëjë një ndryshim në jetën time. Hiri i Tij mund të më tjetërsojë. Ndoshta ky person i ulur afër meje, që më shpërfill, ose që madje dëshiron të largohet, ndoshta nuk më do ose nuk shpreson tek unë, por kjo nuk e ndryshon realitetin e asaj që Krishti ndien për mua dhe mundësitë që kam në Krisht.

Më thyhet zemra nëse dikush vjen dhe është shumë i prekur dhe thotë: ‘Dua ta provoj. Dua të jem këtu’ dhe më pas e trajtojnë me ftohtësi ose nuk tregojnë interes për të. Kjo është tragjike. Është vërtet tragjike. Ne duhet të jemi më të mirë se kaq.

Larmia që gjejmë tani në Kishë, mund të jetë vetëm fillimi. Sinqerisht, mendoj se do të shohim larmi shumë më të madhe. Në Kishën e lashtë kishte larmi të jashtëzakonshme. Nuk është thjesht larmia për shkak të vetë larmisë, por fakti që njerëzit mund të sjellin dhurata dhe këndvështrime të ndryshme dhe gama e gjerë e përvojave, formimeve dhe sfidave me të cilat njerëzit përballen, do të na tregojnë se çfarë është me të vërtetë thelbësore në ungjillin e Krishtit. Pjesa më e madhe e praktikave të tjera, që ndoshta janë fituar me kalimin e kohës dhe janë më shumë kulturore sesa doktrinore, mund të hiqen ngadalë dhe ne mund të mësojmë me të vërtetë të jemi dishepuj” (D. Todd Christofferson, “Is There a Place for Me?ChurchofJesusChrist.org).