Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini
Cila është këshilla rreth të vepruarit sipas impulseve seksuale?


“Cila është këshilla rreth të vepruarit sipas impulseve seksuale?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Udhëheqësit e Kishës (2020)

“Cila është këshilla rreth të vepruarit sipas impulseve seksuale?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Udhëheqësit e Kishës

Cila është këshilla rreth të vepruarit sipas impulseve seksuale?

Të Jetuarit e një Jete të Dëlirë

“A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?” (1 Korintasve 3:16.)

Trupat tanë janë një dhuratë e veçantë nga Perëndia. Ato u sigurojnë shpirtrave tanë një mënyrë për të provuar botën fizike. Janë çelësi për ekzaltimin tonë të mundshëm. Të mësuarit për t’i zotëruar trupat tanë është një pjesë e rëndësishme e bërjes më shumë si Prindërit tanë Qiellorë. Zotërimi kërkon kohë, ushtrim dhe durim, por ka pasoja të përjetshme.

Perëndia na ka urdhëruar t’i “freno[jmë] të gjitha pasionet [tona], që të mund të mbushe[mi] me dashuri” (Alma 38:12).

Të jetuarit e ligjit të dëlirësisë është një burim bekimesh të mëdha. Siç deklaroi Presidenti Marion G. Romni: “Nuk mund të mendoj për bekime që dëshirohen më me zjarr se ato që u premtohen të pastërve dhe të virtytshmëve. Jezusi foli për shpërblime të posaçme për virtyte të ndryshme, por i ruajti shpërblimet më të mëdha, kështu më duket mua, për të pastërtit në zemër ‘sepse ata’, tha ai, ‘do ta shohin Perëndinë’ (Mateu 5:8). Dhe ata, jo vetëm që do ta shohin patjetër Zotin, por me siguri do të ndihen rehat në praninë e Tij.

Ja … premtimi i Shpëtimtarit: ‘Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë’ (DeB 121:45)” (Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 44).

Seksualiteti është një pjesë e rëndësishme e të qenit njeri dhe është gjithashtu një burim pasionesh të cilave u duhet vënë fre. Pavarësisht nga këto ndjenja të forta, ka shenjtorë të ditëve të mëvonshme të cilët i përmbahen me besnikëri ligjit moral të Zotit për shumë vite.

Këta individë kanë bërë një zotim të palëkundur për të jetuar një jetë të dëlirë dhe për të shmangur çdo gjë që do ta zvogëlojë vetëpërmbajtjen. Përveç këtyre, ata u kanë dhënë të tjerëve shërbim të jashtëzakonshëm, veçanërisht në mjedisin e Kishës. Duke e bërë këtë, ata kanë gjetur gëzim, kënaqësi dhe paqe.

Prindërit Duhet t’i Mësojnë Fëmijët e Tyre

Fëmijët dhe të rinjtë kanë nevojë për ndihmën e prindërve dhe të rriturve të besueshëm për të mësuar dhe për ta kuptuar seksualitetin në kontekstin e tij hyjnor: “Prindërit kanë përgjegjësi kryesore për edukimin seksual të fëmijëve të tyre. Mësimdhënia e kësaj teme me ndershmëri e qartësi në shtëpi do t’i ndihmojë të rinjtë dhe të rejat të shmangin mëkate të rënda morale.

Atje ku shkollat e kanë marrë përsipër edukimin seksual, prindërit duhet të përpiqen të sigurojnë se udhëzimet që iu jepen fëmijëve të tyre, janë në përputhje me vlera të shëndosha morale dhe etike” (“Edukimi Seksual”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 38.6.14).

Eksperimentimi jashtë Martesës

Eksperimentimi me shprehjen e seksualitetit jashtë martese është një mëkat i rëndë.

“Ligji i Zotit për dëlirësinë është:

  • Moskryerja e marrëdhënieve seksuale jashtë një martese midis një burri dhe një gruaje sipas ligjit të Perëndisë.

  • Besnikëria bashkëshortore brenda martesës.

Intimiteti fizik midis bashkëshortit e bashkëshortes synohet që të jetë i bukur dhe i shenjtë. Ai është shuguruar nga Perëndia për krijimin e fëmijëve dhe për shprehjen e dashurisë midis bashkëshortit e bashkëshortes.

Vetëm një burrë e një grua që janë zyrtarisht dhe ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte, duhet të kenë marrëdhënie seksuale. Nga pikëpamja e Perëndisë, pastërtia morale është shumë e rëndësishme. Shkeljet e ligjit të dëlirësisë janë shumë të rënda (shih Eksodi 20:14; Mateu 5:28; Alma 39:5). Njerëzit që përfshihen në to, keqpërdorin fuqinë e shenjtë që Perëndia e ka dhënë për të krijuar jetë” (“Dëlirësia dhe Besnikëria Bashkëshortore”, Manuali i Përgjithshëm, 38.6.5).

“Urdhërimet e Perëndisë i ndalojnë të gjitha sjelljet e padëlira, qoftë midis të njëjtës gjini apo dhe gjinive të ndryshme. Udhëheqësit e Kishës i këshillojnë anëtarët që e kanë shkelur ligjin e dëlirësisë. Udhëheqësit i ndihmojnë që të kenë një kuptim të qartë për besimin te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, procesin e pendimit dhe qëllimin e jetës në tokë. Sjellja që nuk përputhet me ligjin e dëlirësisë, mund të jetë shkak për mbledhjen e një këshilli të Kishës për anëtarësinë (shih [Manuali i Përgjithshëm,] 38.6.5). Ai mund të falet nëpërmjet pendimit të sinqertë” (“Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini dhe Sjellja ndaj së Njëjtës Gjini”, Manuali i Përgjithshëm, 38.6.12).