Seminaries and Institutes Callings
Jepni Mësim për Jezu Krishtin Pavarësisht nga Ajo që Jeni duke Dhënë Mësim


“Jepni Mësim për Jezu Krishtin Pavarësisht nga Ajo që Jeni duke Dhënë Mësim”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: Për të Gjithë Ata që Japin Mësim në Shtëpi dhe në Kishë (2022)

“Jepni Mësim për Jezu Krishtin Pavarësisht nga Ajo që Jeni duke Dhënë Mësim”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

4:9

Jepni Mësim për Jezu Krishtin Pavarësisht nga Ajo që Jeni duke Dhënë Mësim

Ka shumë gjëra për t’i dhënë mësim rreth ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit – parimet, urdhërimet, profecitë dhe historitë nga shkrimet e shenjta. Por të gjitha këto janë degë të së njëjtës pemë, pasi të gjitha kanë një qëllim: t’i ndihmojnë të gjithë njerëzit të vijnë te Krishti dhe të përsosen në Të (shihni te Jaromi 1:11; Moroni 10:32). Pra, pavarësisht nga ajo që jeni duke dhënë mësim, kujtoni se në të vërtetë ju po jepni mësim për Jezu Krishtin dhe se si të bëheni si Ai. Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë të mësoni t’i dalloni të vërtetat rreth Shpëtimtarit dhe fuqisë së Tij shëlbuese në secilin parim të ungjillit, urdhërim dhe mësim profetik (shihni te Jakobi [LiM] 7:10–11).

A jeni duke dhënë mësim për sakrificën? Merrni parasysh të shqyrtoni me nxënësit se si sakrificat që ne bëjmë, na e drejtojnë shpirtin te “flijim[i] i madh dhe i fundit” i Shpëtimtarit (Alma 34:10). A jeni duke dhënë mësim për unitetin? Merrni parasysh të diskutoni për unitetin që arriti Jezu Krishti me Atin e Tij dhe ftesën e Tij për ne që të jemi një me Ta (shihni te Gjoni 17). Shikojeni secilën temë të ungjillit si një mundësi për të dhënë mësim dhe për të mësuar rreth Jezu Krishtit.

Çdo urdhërim gjithashtu e ofron këtë mundësi. Mos u përqendroni thjesht te ligjet e ungjillit – mësoni edhe për Ligjvënësin. Nëse diskutoni për Fjalën e Urtësisë dhe ndaleni te lista e gjërave që duhen bërë dhe nuk duhen bërë për një jetesë të shëndetshme, ju e humbisni mundësinë për të përsiatur se sa thellësisht duhet të kujdeset Jezu Krishti për ne – si për mirëqenien tonë shpirtërore edhe atë fizike – që na e dha këtë ligj. Përqendrohuni te fakti se sa i vullnetshëm dhe i gatshëm është Shpëtimtari për të na bekuar me fuqinë e Tij që të na ndihmojë t’i jetojmë ligjet e Tij. Çdo urdhërim që Ai na jep, shpalos diçka për mendjen, vullnetin dhe zemrën e Tij – gjeni gëzim teksa e zbuloni këtë së bashku!

Theksojeni Shembullin e Jezu Krishtit

Ne mund ta vëmë Jezu Krishtin në qendër të mësimdhënies dhe të të mësuarit duke e dalluar dhe theksuar se Ai është shembulli i përsosur i të gjitha parimeve të ungjillit. Si dishepuj, ne nuk ndjekim thjesht parimet – ne ndjekim Jezu Krishtin. Teksa përqendrohemi te shembulli i përsosur i Shpëtimtarit, Fryma e Shenjtë do të dëshmojë për Të dhe do të na frymëzojë që ta ndjekim Atë.

Përfytyroni për një çast se jeni duke dhënë mësim parimin e durimit deri në fund. Një diskutim mbi atë se si Shpëtimtari është një shembull i durimit deri në fund, mund të sjellë ndjenja nderimi të ëmbël për Të. Çfarë mund të mësojnë dhe ndiejnë ata, të cilëve u jepni mësim, nga shembulli i Tij?

Shpëtimtari duke shëruar një burrë të shtrirë përtokë

Shpëtimtari dha një shembull të përsosur për të gjithë ne. He Healed Them All [Ai i Shëroi të Gjithë], nga Michael Malm

Jepni Mësim për Titujt, Rolet dhe Cilësitë e Jezu Krishtit

Jezu Krishti ka shumë tituj në shkrimet e shenjta. Secili pasqyron njërin nga rolet e Tij në planin e Perëndisë dhe na mëson për cilësitë e Tij hyjnore. Mund të merrni parasysh të shqyrtoni me nxënësit se çfarë na mësojnë për Jezu Krishtin titujt si Qengji i Perëndisë, Avokati, Plotësonjësi i Besimit Tonë dhe Drita e Botës. Gjithashtu, ndërsa i ndihmoni nxënësit të arrijnë të dinë më shumë për Shpëtimtarin, shkoni përtej asaj që Ai tha dhe bëri, tek ajo që Ai është dhe çfarë roli dëshiron Ai të luajë në jetën tonë. Teksa mësoni së bashku për karakterin dhe cilësitë e Shpëtimtarit, Fryma e Shenjtë do ta thellojë kuptueshmërinë dhe dashurinë tuaj për Të.

Kërkoni Simbole që Dëshmojnë për Jezu Krishtin

“Të gjitha gjërat”, – shpalli Zoti, – “krijohen e bëhen për të dhënë dëshmi për mua” (Moisiu 6:63; shihni edhe te 2 Nefi 11:4). Me këtë të vërtetë në mendje, ne mund të mësojmë të shohim një shumicë simbolesh në shkrimet e shenjta që dëshmojnë për Shpëtimtarin. Këto simbole përfshijnë gjëra si buka, uji dhe drita. Pasi të kuptojmë se si lidhen këto objekte me Shpëtimtarin, ato mund të na mësojnë për fuqinë dhe cilësitë e Tij. Mund të gjeni edhe paralelizma të jetës së Shpëtimtarit me jetën e profetëve dhe burrave e grave të tjera besnike në shkrimet e shenjta. Kërkimi i simboleve zbulon të vërteta për Shpëtimtarin në vende që ndryshe mund t’i anashkaloni.