Seminaries and Institutes Callings
Duajini Ata të Cilëve u Jepni Mësim


“Duajini Ata të Cilëve u Jepni Mësim”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: Për të Gjithë Ata që Japin Mësim në Shtëpi dhe në Kishë (2022)

“Duajini Ata të Cilëve u Jepni Mësim”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

3:11

Duajini Ata të Cilëve u Jepni Mësim

Çdo gjë që bëri Shpëtimtari gjatë gjithë shërbesës së Tij në tokë, ishte e motivuar nga dashuria. Teksa përpiqemi fort të jemi ndjekës të vërtetë të Krishtit, ne mund të mbushemi me po këtë dashuri (shihni te Gjoni 13:34–35; Moroni 7:47–48; 8:26). Kur dashuria e Shpëtimtarit është në zemrat tona, ne kërkojmë çdo mënyrë të mundshme për t’i ndihmuar të tjerët të mësojnë për Krishtin dhe të vijnë tek Ai. Dashuria bëhet motivi i mësimdhënies sonë.

Për t’i Dashur Ata të Cilëve u Jepni Mësim

  • Shihini nxënësit ashtu siç i sheh Perëndia.

  • Kërkoni t’i njihni ata – t’i kuptoni rrethanat, nevojat dhe pikat e tyre të forta.

  • Lutuni për ta me emër.

  • Krijoni një mjedis të sigurt ku të gjithë të respektohen dhe të dinë se kontributet e tyre vlerësohen.

  • Gjeni mënyra të përshtatshme për ta shprehur dashurinë tuaj.

Shpëtimtari Pa Potencial Hyjnor tek të Gjithë Ata të Cilëve u Dha Mësim

Shumica e njerëzve në Jeriko mendonin se e dinin gjithçka që duhej të dinin për Zakeun. Ai ishte një tagrambledhës [ose] mbledhës taksash – në fakt, kryetari i tagrambledhësve – dhe ishte i pasur. Ishte e qartë, sipas mendimit të tyre, që duhej të ishte i pandershëm dhe i korruptuar. Por Jezusi pa zemrën e Zakeut dhe pa një “bir [të nderuar të] Abrahamit” (shihni te Lluka 19:1–10). Shpëtimtari i pa njerëzit jo vetëm siç dukeshin, por siç ishin në të vërtetë – dhe siç mund të bëheshin. Te peshkatarët pa shkollim si Simoni, Andrea, Jakobi dhe Gjoni, Ai pa udhëheqësit e ardhshëm të Kishës së Tij. Te përndjekësi, të cilit i druheshin, Sauli, Ai pa një “veg[ël të] … zgjedhur”, i cili do ta predikonte ungjillin e Tij përpara mbretërve dhe kombeve (shihni te Veprat e Apostujve 9:10–15). Dhe tek ju dhe secili person të cilit i jepni mësim, Shpëtimtari sheh një bir ose bijë të Perëndisë me potencial të pakufishëm.

Mes njerëzve që u jepni mësim, ka të ngjarë të keni disa që duken besnikë e të kthyer në besim dhe të tjerë që duken të painteresuar ose edhe rebelë. Kini kujdes të mos dilni në hamendësime bazuar vetëm tek ajo që shihni. Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë të shihni te secili person diçka nga ajo që sheh Shpëtimtari, dhe mund t’ju ndihmojë të filloni t’i doni ata ashtu si Ai.

Pyetje për t’u Përsiatur: Mendoni për secilin person të cilit i jepni mësim, dhe përsiatni për mënyrën se si ndihen Ati Qiellor dhe Jezusi për secilin prej tyre. Çfarë mund të shohin Ata tek ai ose ajo? Si do të ndikojnë këto mendime te mënyra se si i jepni mësim atij personi?

Nga Shkrimet e Shenjta: 1 Samuelit 16:7; Psalmeve 8:4–5; Romakëve 8:16–17; Doktrina e Besëlidhje 18:10–14

Shpëtimtari na Njeh dhe i Kupton Rrethanat, Nevojat dhe Pikat Tona të Forta

Gruaja samaritane nuk erdhi te pusi për të dëgjuar një mesazh të ungjillit. Ajo erdhi për të marrë ujë. Por Shpëtimtari mundi ta kuptonte se etja e saj ishte më tepër se fizike. Ai e dinte që kishte një të shkuar të trazuar me marrëdhënie të paqëndrueshme. Për rrjedhojë, Jezusi përdori nevojën e saj fizike që e kishte çështje interesi të ngutshme – ujin e domosdoshëm – dhe e lidhi atë me nevojat e saj më të thella shpirtërore për “ujë të gjallë” dhe “jetë të përjetshme”. Në fund të bashkëbisedimit të tyre, gruaja pati një dëshmi vetjake se Jezusi ishte Krishti, e frymëzuar pjesërisht nga mënyra se sa mirë e njihte Ai atë. “[Ai] më ka thënë gjithçka kam bërë”, – tha ajo. “Vallë mos është ky Krishti?” (Shihni te Gjoni 4:6–29.)

Të jeni mësues/e si Krishti përfshin t’i njihni njerëzit, të cilëve u jepni mësim, dhe të përpiqeni fort të kuptoni çfarë kanë në zemër. Mund të tregoni interes për jetën e tyre dhe të shfaqni dhembshuri. Mund të kërkoni mënyra për të kuptuar rrethanat, talentet, interesat dhe nevojat e tyre. Mund të zbuloni se në ç’mënyrë mësojnë më mirë. Mund të bëni pyetje, të dëgjoni me kujdes dhe të vëzhgoni. Mbi të gjitha, mund të luteni për kuptueshmërinë që vetëm Shpirti mund ta japë. Sa më mirë ta njihni një person, aq më në gjendje jeni për ta ndihmuar atë të gjejë kuptim vetjak dhe fuqi tek ungjilli i Jezu Krishtit. Pasi ta kuptoni etjen e një personi, Shpirti mund t’ju mësojë se si të ndihmoni për ta shuar atë me ujin e gjallë të Shpëtimtarit.

Pyetje për t’u Përsiatur: Çfarë dini tanimë për njerëzit të cilëve u jepni mësim? Çfarë është e rëndësishme për ta? Cilat janë pikat e tyre të forta? Cilat gjëra i kanë të vështira? Çfarë mund të bëni për t’i kuptuar ata më mirë?

Nga Shkrimet e Shenjta: Psalmeve 139:1–5; Mateu 6:25–32; Marku 10:17–21; Gjoni 10:14; 3 Nefi 17:1–9

Shpëtimtari u Lut për Ata të Cilëve u Dha Mësim

Përfytyroni se si duhet të jetë ndier Simon Pjetri kur e dëgjoi Shpëtimtarin t’i thoshte: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar [të të] shoshë, … por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket” (Lluka 22:31–32). Si do të kishte ndikuar te ju dijenia se Jezu Krishti iu lut Atit për ju? Njerëzit në Amerikën e lashtë patën një përvojë si kjo dhe e përshkruan në këtë mënyrë: “Askush nuk mund ta kuptojë gëzimin që mbushi shpirtrat tanë kur e dëgjuam [Jezusin] t’i lutej Atit për ne” (3 Nefi 17:17).

Ju mund të mendoni gjithashtu për atë që ndodh brenda jush kur ju luteni për dikë, vazhdimisht, me emër. Si ndikojnë lutjet tuaja te mënyra se si ndiheni për atë person? Si ndikojnë ato te veprimet tuaja? Sigurisht, Ati ynë në Qiell i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të sinqerta të një mësuesi/eje që dëshiron të ndihmojë një nxënës/e. Dhe në shumë raste, një mënyrë se si Ai u përgjigjet atyre lutjeve, është duke prekur zemrën e mësuesit/es dhe duke e frymëzuar atë të bëjë ose të thotë diçka që do ta ndihmojë nxënësin/en ta ndiejë dashurinë e Tij.

Pyetje për t’u Përsiatur: Ndërsa mendoni për njerëzit të cilëve u jepni mësim, a ka ndonjë për të cilin/ën ndieni se ka një nevojë të veçantë për lutjet tuaja? Për çfarë jeni të frymëzuar të luteni në emër të tij ose të saj? Çfarë bekimesh mund të vijnë teksa i ftoni nxënësit të luten për njëri‑tjetrin?

Nga Shkrimet e Shenjta: Gjoni 17; Alma 31:24–36; 3 Nefi 18:15–24; 19:19–23, 27–34

Shpëtimtari u Sigurua që të Gjithë të Ndiheshin të Respektuar dhe të Vlerësuar

Qëndrimi i përgjithshëm mes udhëheqësve fetarë në kohën e Jezusit ishte se mëkatarët duheshin shmangur. Për shkak të kësaj, kur këta udhëheqës e panë Jezusin të ndërvepronte me mëkatarët, ata u tronditën. Si mundej dikush që shoqërohej me të tillë njerëz, të ishte një mësues shpirtëror?

Jezusi, sigurisht, kishte një qasje tjetër. Ai synoi t’i shëronte ata që ishin shpirtërisht të sëmurë (shihni te Marku 2:15–17; Lluka 4:17–18). Ai vazhdimisht ua zgjati dorën atyre që ishin të ndryshëm nga njerëzit rrotull tyre ose që kishin një të shkuar të trazuar, dhe Ai ndërveproi me ata që kishin mëkatuar. Ai e përgëzoi besimin e një ushtari romak (shihni te Mateu 8:5–13). Ai e konsideroi një tagrambledhës, të cilit nuk i mirëbesonin, si një nga dishepujt e Tij të mirëbesuar (shihni te Marku 2:14). Kur një grua u akuzua për tradhti bashkëshortore, Ai e bëri të ndihej e mbrojtur dhe e frymëzoi që të pendohej dhe të jetonte një jetë më të mirë (shihni te Gjoni 8:1–11).

Por Jezusi bëri më shumë se aq. Ai nxiti të njëjtin qëndrim pranues dhe dashurie midis ndjekësve të Tij. Shembulli i Tij ishte padyshim në zemrat e Apostujve të Tij kur erdhi koha që ata t’ua çonin ungjillin të gjithë njerëzve. Kjo pasqyrohet te fjalët e Pjetrit: “Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm” (Veprat e Apostujve 10:34).

Ka shumë mundësi që gati gjithsecili prej atyre, të cilëve jeni thirrur t’u jepni mësim, po mundohet në ndonjë mënyrë për t’u ndier i respektuar dhe i vlerësuar. Nga mënyra se si u jepni dashuri dhe i respektoni, ju mund t’u komunikoni atyre se nuk janë vetëm të mirëpritur por edhe të nevojshëm. Mund t’ua zgjatni dorën atyre që nuk marrin pjesë, që kanë vështirësi ose që nuk duken të interesuar, duke qenë të duruar nëse përparimi duket i ngadalshëm. Mund ta ndihmoni gjithsecilin që të ndihet në siguri dhe i/e qetë kur i shpreh shqetësimet e veta me bashkëbesimtarët. Ju mund të bëni edhe më shumë se kaq. Mund t’i frymëzoni të gjithë nxënësit që t’ju ndihmojnë të krijoni një mjedis ku doktrina jepet mësim me një frymë respekti, përkatësie dhe dashurie.

Pyetje për t’u Përsiatur: Çfarë e ndihmon një person të ndihet i respektuar dhe i vlerësuar? Çfarë e frymëzon një person t’i respektojë dhe vlerësojë të tjerët? Teksa mendoni plot lutje për njerëzit të cilëve u jepni mësim, çfarë nxiteni të bëni në mënyrë që të gjithë ata të ndihen të mirëpritur dhe të nevojshëm?

Nga Shkrimet e Shenjta: Gjoni 4; 2 Nefi 26:27–28, 33; Alma 1:26; 3 Nefi 18:22–25

një baba duke u dhënë mësim fëmijëve

Mësuesit mund t’i ndihmojnë ata të cilëve u japin mësim, që të ndihen se i duan.

Shpëtimtari e Shprehu Dashurinë e Tij për Ata të Cilëve u Dha Mësim

Në fund të një dite të mrekullueshme e lartësuese mësimdhënieje dhe shërbese mes nefitëve, Jezusi vërejti se ishte koha që Ai të largohej. Ai kishte njerëz të tjerë për të vizituar. “Shkoni në shtëpitë tuaja”, – tha Ai, – “dhe përgati[t]ni mendjen për nesër.” Por njerëzit rrinin të ulur atje “në lot” duke parë “mbi të me vendosmëri, sikur donin t’i kërkonin që të rrinte edhe pak me ta”. Duke e kuptuar nevojën e tyre të pashqiptuar dhe “[i] mbushur me dhembshuri” Jezusi vërtet qëndroi dhe pak më gjatë (3 Nefi 17:3, 5–6). Ai i shëroi të sëmurët dhe të pikëlluarit ndër ta. Ai u gjunjëzua dhe u lut me ta. Qau me ta dhe u gëzua me ta.

Merrni parasysh t’i studioni plot lutje fjalët dhe veprimet e Shpëtimtarit te 3 Nefi 17. Përsiateni dashurinë që shprehu Ai ndaj atyre të cilëve u dha mësim. Kërkoni raste kur Ai e shprehu dashurinë e Tij në vende të tjera në shkrimet e shenjta. Pastaj mendoni për njerëzit të cilëve u jepni mësim. Si e shprehni në mënyrën e duhur dashurinë tuaj për ta? Lëreni Shpirtin që t’ju udhërrëfejë. Nëse e keni të vështirë të ndieni ose të shprehni dashuri për ata, të cilëve u jepni mësim, filloni duke dëshmuar për dashurinë e Perëndisë. Pastaj “lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me [dashurinë e pastër të Krishtit] që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht” (Moroni 7:48). Dhe mos harroni se shqetësimi juaj për të dhënë një mësim nuk duhet t’ju shpërqendrojë asnjëherë nga shprehja e dashurisë nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tuaja. Shpesh mënyra se si i trajtoni njerëzit është po aq e rëndësishme sa edhe ajo që u mësoni atyre.

Pyetje për t’u Përsiatur: Si ju ka ndihmuar Shpëtimtari që të dini për dashurinë e Tij për ju? Si ju ka ndihmuar një prind ose një mësues/e tjetër që ta ndieni dashurinë e Tij? A e dinë njerëzit të cilëve u jepni mësim, se ju i doni ata? A e dinë ata se Shpëtimtari i do?

Nga Shkrimet e Shenjta: Marku 6:31–42; Gjoni 13:3–16, 34–35; 15:12–13; 1 Korintasve 13:1–7; 1 Gjon 4:7–11

Disa Mënyra për ta Zbatuar atë që po Mësoni

  • Nëse po jepni mësim në një klasë, mësojini emrat e nxënësve dhe përdorini ato kur jepni mësim.

  • Shprehni mirënjohjen tuaj kur nxënësit japin kontribut.

  • Ndërveproni me nxënësit përpara dhe pasi u jepni mësim.

  • Ndihmojini nxënësit të zhvillojnë një atmosferë dashurie dhe respekti për njëri‑tjetrin.

  • Dëgjoni qëllimshëm – kur jeni duke dhënë mësim dhe në raste të tjera.

  • Kryeni vepra shërbimi ndaj atyre të cilëve u jepni mësim.

  • Jini të gatshëm t’i ndryshoni planet tuaja të mësimdhënies për t’u kushtuar më shumë kohë parimeve që janë kuptimplota për ata të cilëve u jepni mësim.