Seminaries and Institutes Callings
Ndihmojini Nxënësit të Vijnë te Jezu Krishti


“Ndihmojini Nxënësit të Vijnë te Jezu Krishti”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: Për të Gjithë Ata që Japin Mësim në Shtëpi dhe në Kishë (2022)

“Ndihmojini Nxënësit të Vijnë te Jezu Krishti”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Jezusi i ulur me fëmijë

Si mësues të ungjillit të Jezu Krishtit, ne i ndihmojmë të tjerët t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet, fuqia dhe dashuria e Tij.

Ndihmojini Nxënësit të Vijnë te Jezu Krishti

Asgjë nga ajo që ju bëni si mësues/e, nuk do t’i bekojë nxënësit më shumë sesa ndihma që u jepni atyre për ta njohur Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe për ta ndier dashurinë e Tyre (shih Gjoni 17:3). Mendoni për përvoja që ju kanë ndihmuar të arrini t’i njihni dhe doni Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Çfarë keni bërë për të mësuar për cilësitë, fuqinë dhe dashurinë e Tyre? Si ju ka sjellë gëzim dashuria juaj për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Pastaj mendoni se çfarë mund të bëjë dashuria dhe fuqia e Tyre për secilin person të cilit i jepni mësim. (Shih Alma 26:16; Moisiu 5:11.)

Synimi ynë përfundimtar në këtë jetë është të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor dhe të kthehemi tek Ai. Mënyra se si ne e përmbushim këtë qëllim është duke ardhur te Jezu Krishti (shih Gjoni 14:6). Kjo është arsyeja, siç dha mësim profeti Nefi, pse “ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin” (2 Nefi 25:26).

Secili fëmijë i Perëndisë ka nevojë për dritën dhe të vërtetën që vjen nga Shpëtimtari, dhe mund të zgjedhë t’i përgjigjet asaj. Të jesh një mësues/e i/e ungjillit të Jezu Krishtit do të thotë t’i ndihmosh të tjerët t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet, fuqia shëlbuese dhe dashuria e Tij e përsosur. Merrni parasysh se si mund t’ju ndihmojnë idetë vijuese t’i frymëzoni të tjerët që ta njohin më mirë Jezu Krishtin dhe ta ndjekin Atë.

Ndihmojini Nxënësit ta Dallojnë Dashurinë, Fuqinë dhe Mëshirën e Zotit në Jetën e Tyre

Është gjë e mirë të dish për dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Shpëtimtarit, por ne gjithashtu kemi nevojë ta përjetojmë atë. Të parit se si Ai i bekoi dhe i shëroi njerëzit në shkrimet e shenjta, na ndihmon të zhvillojmë besim më të madh se Ai mund të na bekojë dhe të na shërojë. Për shembull, të mësuarit për përvojat e Danielit nuk është i plotë nëse nuk na frymëzon t’i mirëbesojmë Zotit kur përballemi me gropën tonë figurative të luanëve.

Teksa i ndihmoni nxënësit t’i dallojnë “mëshirat e dhembshura” të Zotit (1 Nefi 1:20), si në shkrimet e shenjta edhe në përvojat e tyre vetjake, ata do ta ndiejnë e do ta dinë se Zoti është me ta dhe do të qëndrojë përkrah tyre me dashuri (shih Doktrina e Besëlidhje 68:6). Ata do ta shohin dhe do ta ndiejnë realitetin e dashurisë dhe të mëshirës së Zotit në nevojat dhe rrethanat e tyre vetjake.

Jezusi duke dhënë Predikimin në Mal

Mësuesit mund t’i ndihmojnë nxënësit të përjetojnë dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Shpëtimtarit.

Ndihmojini Nxënësit ta Forcojnë Marrëdhënien e Tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin

Qëllimi i mësimdhënies dhe i të mësuarit për Jezu Krishtin është ta ndihmojë çdo person t’i afrohet më shumë Atij dhe Atit tonë Qiellor. Ndihmojini njerëzit të cilëve u jepni mësim, që të mos e humbasin kurrë vëmendjen nga ai qëllim. Nxitini ata ta forcojnë marrëdhënien e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin duke i studiuar shkrimet e shenjta, duke u penduar vazhdimisht, duke folur me Atin në lutje dhe duke dëshmuar për Atin dhe Birin. Mësojuni nxënësve me anë të fjalës dhe shembullit se si bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve na lidh me Ta. Ndihmojini ata të dinë se sa të çmuar dhe të dashur jemi ne për Ta. Forcojuani atyre besimin se Jezu Krishti, për shkak të Shlyerjes së Tij të përsosur, është e vetmja mënyrë kthimi për tek Ati. Ofroni mundësi që nxënësit të marrin dëshmi nga Fryma e Shenjtë, “e cila jep dëshmi për Atin dhe Birin” (Moisiu 5:9).

Ndihmojini Nxënësit të Përpiqen Qëllimisht që të Jenë më Shumë si Jezu Krishti

Përfundimisht, të mësuarit për Jezu Krishtin na frymëzon që të bëhemi më shumë si Ai. Por bërja si Ai ndodh vetëm kur veprojmë me besim, si brenda dhe jashtë klasës, duke bërë zgjedhje të qëllimshme për të ndjekur shembullin e Tij dhe për të marrë hirin e Tij. Ftojini nxënësit të kërkojnë ndihmë nga Fryma e Shenjtë për të përcaktuar mënyrat se si mund të bëhen më shumë si Shpëtimtari. Ofroni udhërrëfim dhe përkrahje teksa nxënësit e bëjnë përpjekjen për të qenë si Ai synimin e gjithë jetës së tyre.

Jakobi dha mësim se “çdo gjë që është dhënë nga Perëndia nga fillimi i botës” mund të na mësojë për Jezu Krishtin (2 Nefi 11:4). Mësimdhënia juaj mund të jetë njëra nga ato gjëra. Vëreni Jezu Krishtin në qendër të çdo përvoje të mësimdhënies dhe të të mësuarit. Teksa ju dhe nxënësit “fl[isni] për Krishtin, … gëzohe[n]i në Krishtin, … prediko[ni] për Krishtin” (2 Nefi 25:26), Fryma e Shenjtë mund të mbjellë një dëshmi për Shpëtimtarin thellë në mendjen dhe zemrën e secilit person. Teksa i ndihmoni nxënësit tuaj të arrijnë ta njohin vetë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, ata do të kenë më shumë të ngjarë t’u drejtohen Atyre për ndihmë, shpresë dhe shërim gjatë gjithë jetës së tyre.