Seminaries and Institutes Callings
Për Udhëheqësit – T’i Ndihmojmë Mësuesit të Kenë Sukses


“Për Udhëheqësit – T’i Ndihmojmë Mësuesit të Kenë Sukses”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: Për të Gjithë Ata që Japin Mësim në Shtëpi dhe në Kishë (2022)

“Për Udhëheqësit – T’i Ndihmojmë Mësuesit të Kenë Sukses”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

klasë e shkollës të së dielës

Për Udhëheqësit – T’i Ndihmojmë Mësuesit të Kenë Sukses

Ndërveprimi Një e nga Një

Shpesh mënyra më e mirë për të plotësuar nevojat e pashoqe të mësuesve, është nëpërmjet ndërveprimit një e nga një. Për shembull, si udhëheqës/e, ju mund të bëni një bisedë të shkurtër me një mësues/e përpara ose pas orës mësimore për të diskutuar parimet e materialit Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. Ju mund të përgatiteni për këtë diskutim duke e vëzhguar mësuesin/en teksa jep mësim. Përpiquni t’i kuptoni më mirë pikat e forta të mësuesit/es dhe të zbuloni mënyra se si mund të ofroni përkrahje.

Të ndërtuarit mbi pikat e forta të mësuesit/es është po aq e rëndësishme sa të përcaktoni mundësitë për përmirësim. Është e dobishme t’i nisni diskutimet me mësuesit duke u kërkuar të shqyrtojnë vetë se çfarë po shkon mirë dhe ku mendojnë se mund të bëhet përparim.

Teksa takoheni me mësuesit, shqyrtojini mënyrat se si t’i forconi dhe nxitni ata me dashamirësi dhe mirënjohje për shërbimin që japin.

Mbledhjet e Këshillit të Mësuesve

Çdo lagje duhet të zhvillojë çdo tre muaj mbledhje të këshillit të mësuesve, në të cilat mësuesit mund të këshillohen së bashku rreth parimeve të mësimdhënies si të Krishtit. Mbledhjet e këshillit të mësuesve mund të zhvillohen edhe për prindërit (shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 13.5, ChurchofJesusChrist.org).

Kur Duhet të Zhvillohen Këto Mbledhje?

Mbledhjet e këshillit të mësuesve zhvillohen gjatë orës mësimore 50‑minutëshe të dielën.

  • Mësuesit e Priftërisë, mësueset e Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave mund të marrin pjesë ose të dielën e parë ose të tretë, si të përcaktohet nga udhëheqësit vendorë.

  • Mësuesit/et e Shkollës të së Dielës mund të marrin pjesë ose të dielën e dytë ose të katërt, si të përcaktohet nga udhëheqësit vendorë.

  • Mësuesit/et e Fillores mund të marrin pjesë në cilëndo nga të dielat, si të përcaktohet nga presidencat e Fillores dhe Shkollës të së Dielës të lagjes. Nëse dëshirohet, mësuesit/et e Fillores mund të takohen veçan mësuesve të tjerë për t’u këshilluar rreth aspekteve të pashoqe të mësimdhënies ndaj fëmijëve. Kjo mund të ndodhë gjatë 20 minutave të kohës së të kënduarit, përpara ose pas mbledhjeve të rregullta të së dielës ose në një ditë tjetër gjatë javës. Gjatë një tremujori mund të zhvillohet më shumë se një mbledhje e këshillit të mësuesve për mësuesit e Fillores në mënyrë që të mos humbasin që të gjithë orët mësimore të Fillores në të njëjtën javë. (Shënim: Siç nevojitet, presidenca e Fillores cakton mësues zëvendësues, i ndërthur klasat ose bën rregullime të tjera për t’i lejuar mësuesit e Fillores që të marrin pjesë në mbledhjet e këshillit të mësuesve.)

  • Mbledhjet e këshillit të mësuesve për prindërit mund të zhvillohen në cilëndo të diel, si të përcaktohet nga këshilli i lagjes.

Kush Duhet të Marrë Pjesë?

Duhet të marrë pjesë çdo njeri që jep mësim në një kuorum ose klasë në lagje, së bashku me të paktën një prej udhëheqësve të priftërisë ose udhëheqëseve të organizatës që kanë përgjegjësi për ato kuorume ose klasa. Nëse është e nevojshme, pjesëmarrësit mund të ndahen në grupe sipas nevojave të njerëzve të cilëve u japin mësim. Për shembull, me raste mësuesit e të rinjve dhe të rejave ose fëmijëve mund të përfitojnë nga mbledhja veçan për të diskutuar çështje të veçanta për mësimdhënien ndaj të rinjve dhe të rejave ose fëmijëve.

Për mbledhjet e këshillit të mësuesve për prindërit, këshilli i lagjes përcakton nëse duhet të ftojë prindër të caktuar apo ta bëjë me pjesëmarrje të hapur për të gjithë ata që duan të marrin pjesë.

Kush i Udhëheq Këto Mbledhje?

Këshilli i lagjes, i ndihmuar nga presidenca e Shkollës të së Dielës, i mbikëqyr mbledhjet e këshillit të mësuesve. Ata këshillohen së bashku për nevojat e mësuesve dhe të nxënësve, bazuar tek ajo që kanë vëzhguar nëpër klasa dhe mbledhje. Ata punojnë së bashku për të përcaktuar se cilat parime dhe praktika nga materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit do t’i plotësojnë më së miri nevojat që kanë përcaktuar.

Zakonisht, një anëtar i presidencës së Shkollës të së Dielës i drejton mbledhjet e këshillit të mësuesve. Megjithatë, anëtarë të tjerë të lagjes mund të caktohen që t’i drejtojnë mbledhjet me raste. Presidencat e kuorumeve dhe organizatave i përforcojnë me mësuesit e tyre parimet dhe praktikat e diskutuara në mbledhje.

Çfarë Duhet të Ndodhë në një Mbledhje të Këshillit të Mësuesve?

Mbledhja e këshillit të mësuesve duhet të ndjekë këtë format:

  • Tregoni dhe këshillohuni së bashku. Ftojini mësuesit që të tregojnë përvoja nga mësimdhënia gjatë kohëve të fundit, të bëjnë pyetje që lidhen me mësimdhënien dhe të japin ide për kapërcimin e sfidave. Kjo pjesë e mbledhjes mund të përfshijë një rishikim të parimeve të diskutuara në mbledhjet e mëparshme.

  • Mësoni së bashku. Ftojini mësuesit të diskutojnë për njërin nga parimet vijuese të paraqitura në këtë burim: përqendrohuni te Jezu Krishti, duajini ata të cilëve u jepni mësim, jepni mësim me anë të Shpirtit, jepeni mësim doktrinën dhe ftoni të mësuarit me zell. Parimet mund të trajtohen në çfarëdo rendi dhe, në qoftë se nuk udhëzoheni ndryshe nga këshilli i lagjes, pjesëmarrësit në mbledhje mund të zgjedhin parimin vijues për ta diskutuar. Mund të shpenzoni më shumë se një mbledhje për një parim nëse nevojitet.

  • Planifikoni dhe ftoni. Ndihmojini mësuesit të planifikojnë se si do ta zbatojnë parimin që kanë diskutuar. Si të jetë e përshtatshme, mund të ushtroni gjithashtu së bashku një zotësi që e keni diskutuar. Ftojini t’i mbajnë shënim dhe të veprojnë sipas çfarëdolloj mbrese që marrin rreth mënyrës se si ta zbatojnë parimin në mësimdhënien e tyre – përfshirë përpjekjet e tyre për të dhënë mësim në shtëpitë e tyre. Nxitini ata që ta fillojnë studimin e parimit të ardhshëm që do të diskutohet.

Sa më shumë që të jetë e mundur, mbledhjet e këshillit të mësuesve duhet të kenë si model parimet që po diskutohen.

të reja duke u përqafuar

Mbledhjet e këshillit të mësuesve mund t’i ndihmojnë mësuesit që t’i kuptojnë dhe zbatojnë më mirë parimet e mësimdhënies si të Krishtit.

Orientimi i Mësuesve të Sapothirrur

Si udhëheqës, ju keni përgjegjësinë që të “takohen[i] me mësuesit/et e sapothirrur/a” në organizatën tuaj dhe t’i “ndihmo[ni] të përgatiten për thirrjet e tyre” (Manuali i Përgjithshëm, 17.3, ChurchofJesusChrist.org). Këto mbledhje janë një mundësi për t’i njohur mësuesit e rinj me thirrjet e tyre të shenjta dhe për t’i frymëzuar ata me një këndvështrim të asaj se çfarë do të thotë të japësh mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit. Si udhëheqës/e, ju mund t’i ndihmoni mësuesit e rinj që të përgatiten për të shërbyer duke bërë sa vijon:

  • Shprehni sigurinë se Shpëtimtari do t’i ndihmojë ata në thirrjen e tyre (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:78).

  • Jepuni mësuesve të rinj një kopje të këtij burimi dhe nxitini ata të kërkojnë mënyra se si t’i zbatojnë parimet e tij në mësimdhënien e tyre.

  • Tregojuni mësuesve të rinj çdo gjë rreth organizatës suaj që do të ishte e dobishme që ata ta dinin.

  • Nëse është e nevojshme, tregojuni mësuesve të rinj se në cilën dhomë të japin mësim dhe me çfarë mësimi të fillojnë. Ofrojuni çfarëdo informacioni që u nevojitet për orën e tyre mësimore dhe anëtarët e klasës.

  • Shpjegojuni mësuesve të rinj se mund t’i ndihmoni në thirrjen e tyre. Ofroni përkrahje në klasë dhe qasje te burimet mësimore nëse është e nevojshme.

  • Ofrohuni të vëzhgoni me raste orët mësimore të mësuesve dhe jepini përshtypjet ashtu siç ju nxit Shpirti.

  • Ftojini mësuesit të marrin pjesë në mbledhjet tremujore të këshillit të mësuesve.