“Jepni Mësim me Anë të Shpirtit”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: Për të Gjithë Ata që Japin Mësim në Shtëpi dhe në Kishë (2022)
“Jepni Mësim me Anë të Shpirtit”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit
Jepni Mësim me Anë të Shpirtit
Kur Shpëtimtari i urdhëroi Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin për të predikuar ungjillin e Tij, Ai u premtoi atyre: “Fryma e Shenjtë do të derdhet për të dhënë dëshmi për të gjitha gjërat që ju do të thoni” (Doktrina e Besëlidhje 100:8; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 42:15–17; 50:17–22). I njëjti premtim gjen zbatim për të gjithë ata që e japin mësim ungjillin, përfshirë edhe ju. Teksa e jepni mësim ungjillin e Jezu Krishtit, ju mund ta keni Frymën e Shenjtë me vete për t’ju udhërrëfyer dhe për të dëshmuar të vërtetën në mendjen dhe zemrën e atyre të cilëve u jepni mësim (shihni te Doktrina e Besëlidhje 8:2). Ju nuk jeni të vetëm kur jepni mësim, pasi “nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë” (Marku 13:11).
Fryma e Shenjtë është mësuesi i vërtetë. Asnjë mësues/e i/e vdekshëm/me, pavarësisht se sa i/e zoti/nja apo me përvojë është, nuk mund ta zëvendësojë rolin e Tij në dëshmimin e së vërtetës, dëshminë për Krishtin dhe ndryshimin e zemrave. Por të gjithë mësuesit/et mund të jenë mjete për t’i ndihmuar fëmijët e Perëndisë të mësojnë me anë të Shpirtit.
Shpëtimtari u Përgatit Shpirtërisht për të Dhënë Mësim
Që të përgatitej për shërbesën e Tij, Shpëtimtari kaloi 40 ditë në shkretëtirë “për të qenë me Perëndinë” (Përkthimi prej Jozef Smith‑it, Mateu 4:1 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shentja]). Por përgatitja e Tij shpirtërore kishte filluar shumë kohë më parë. Kur Satani e tundoi Atë, Ai qe në gjendje të mbështetej te “fjalët e jetës” që i kishte ruajtur si thesar për “çastin e duhur” kur të kishte nevojë për to (Doktrina e Besëlidhje 84:85). Mendoni për vetë përpjekjet tuaja për t’u përgatitur shpirtërisht që të jepni mësim. Çfarë mësoni nga Mateu 4:1–11 për mënyrën se si mund ta ndiqni shembullin e Shpëtimtarit gjatë përgatitjes suaj shpirtërore?
Shpirti është mësuesi real dhe burimi i vërtetë i kthimit në besim. Mësimdhënia e fuqishme e ungjillit kërkon jo vetëm që të përgatitni një mësim, por ta përgatitni veten tuaj mirë shpirtërisht përpara se të filloni të jepni mësim. Nëse jeni të përgatitur shpirtërisht, do të jeni më në gjendje ta dëgjoni dhe ndiqni udhërrëfimin e Shpirtit teksa jepni mësim. Mënyra se si ta ftoni Frymën e Shenjtë në mësimdhënien tuaj është ta ftoni Atë në jetën tuaj. Kjo përfshin përpjekjen me zell për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarit dhe për ta jetuar ungjillin e Tij me gjithë zemrën tuaj. Dhe për shkak se asnjëri prej nesh nuk e bën këtë në mënyrë të përsosur, kjo do të thotë gjithashtu që të pendohemi çdo ditë.
Pyetje për t’u Përsiatur: Çfarë do të thotë për ju që të përgatiteni shpirtërisht për të dhënë mësim? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për ta përmirësuar mënyrën se si përgatiteni shpirtërisht? Si mendoni se përgatitja shpirtërore mund të sjellë një ndryshim në mësimdhënien tuaj?
Nga Shkrimet e Shenjta: Ezdras 7:10; Lluka 6:12; Alma 17:2–3, 9; Doktrina e Besëlidhje 11:21; 42:13–14
Shpëtimtari Ishte Gjithmonë Gati që t’u Përgjigjej Nevojave të të Tjerëve
Jairi, kryetari i sinagogës, kishte rënë në këmbët e Jezusit, duke iu përgjëruar që ta ndihmonte të bijën e tij, e cila po vdiste. Jezusi dhe dishepujt e Tij po bënin përpara nëpër rrugët plot njerëz drejt shtëpisë së Jairit, kur papritur Jezusi ndaloi. “Kush më preku?” – pyeti Ai. U duk si një pyetje e çuditshme mes një turme njerëzish – e cili nuk po e prekte Atë?! Por Shpëtimtari e ndjeu se në atë turmë, dikush i ishte afruar Atij me një nevojë të veçantë dhe me besimin për të marrë shërimin që Ai ofronte. Kishte ende kohë për ta vizituar të bijën e Jairit. Por së pari Ai i tha gruas që e kishte prekur rrobën e Tij: “Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe” (shihni te Lluka 8:41–48).
Si mësues/e, ju mund ta gjeni ndonjëherë veten në ngut për të trajtuar diçka që e kishit përgatitur për ta dhënë mësim. Ndonëse kjo mund të jetë e rëndësishme, sigurohuni që ndërsa nxitoni, të mos ta anashkaloni pa dashje nevojën urgjente të dikujt, të cilit po i jepni mësim. Përveç udhërrëfimit shpirtëror që kërkuat teksa u përgatitët për të dhënë mësim, kërkoni gjithashtu udhërrëfimin e Shpirtit ndërkohë që jepni mësim. Përpiquni të jeni në dijeni për nevojat, pyetjet dhe interesat e nxënësve. Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë të dalloni se si një nxënës/e po e merr ose po e kupton diçka që ia keni mësuar. Ai mund t’ju nxitë, hera‑herës, që t’i ndryshoni planet. Për shembull, mund të merrni nxitje që të kaloni më shumë kohë sesa e kishit menduar me një temë ose ta lini një pjesë të diskutimit për më vonë, për hir të diçkaje që është më e rëndësishme për nxënësit tani.
Pyetje për t’u Përsiatur: Kur e keni ndier se një prind ose mësues/e tjetër ishte në dijeni për nevojat tuaja si nxënës/e? A e dinë ata, të cilëve u jepni mësim, se ju jeni më të interesuar për të mësuarit e tyre sesa për përfundimin e një mësimi? Si mund ta komunikoni më mirë interesimin tuaj?
Nga Shkrimet e Shenjta: 1 Pjetër 3:15; Alma 32:1–9; 40:1; 41:1; 42:1
Shpëtimtari Ofroi Mundësi që Njerëzit të Merrnin Mësim nga Fryma e Shenjtë
Ishte shumë e vështirë që shumë njerëz në kohën e Jezusit ta kuptonin se cili ishte Ai në të vërtetë, mirëpo kishte plot opinione. “Disa [thonë] Gjon Pagëzori”, – raportuan dishepujt e Tij, – “të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët.” Por më pas Jezusi u bëri një pyetje që i ftoi dishepujt e Tij t’i linin mënjanë opinionet e të tjerëve dhe të kërkonin brenda zemrës së tyre: “Kush thoni se jam unë?” Ai donte që ata ta gjenin përgjigjen e tyre jo nga “mishi as gjaku”, por direkt [tha Ai] nga “Ati im që është në qiej”. Ishte kjo lloj dëshmie – dëshmia vetjake nga Fryma e Shenjtë – që i mundësoi Pjetrit të shpallte: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë” (shihni te Mateu 16:13–17).
Për të mbijetuar shpirtërisht në ditët e mëvonshme, njerëzve, të cilëve u jepni mësim, do t’u nevojitet një dëshmi shpirtërore për të vërtetën. Nuk mund t’ua jepni ju atyre, por ju mund t’i ftoni, inkurajoni, frymëzoni dhe mësoni që ta kërkojnë atë. Mund ta bëni të qartë, nëpërmjet fjalëve dhe veprave, se sa vendimtare është Fryma e Shenjtë në të mësuarit e ungjillit. Për shembull, merrni parasysh, mjedisin e të mësuarit që krijoni dhe nxitni. Diçka aq e thjeshtë sa rregullimi i karrigeve në një dhomë ose mënyra se si i përshëndetni dhe ndërveproni me nxënësit, vendos një ton shpirtëror për përvojën që do të kenë nxënësit. Ju gjithashtu mund t’i ftoni nxënësit të përgatiten shpirtërisht për të mësuar, ashtu siç përgatiteni ju shpirtërisht për të dhënë mësim. Kërkojuni atyre të mbajnë përgjegjësi për frymën që ata sjellin. Dhe ju mund të ofroni mundësi që ata ta ndiejnë Shpirtin t’u dëshmojë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ajo dëshmi do të bëhet “shkëmb” për ta “dhe dyert e ferrit nuk do [t’i] mundin at[a]” (Mateu 16:18).
Pyetje për t’u Përsiatur: Çfarë keni vëzhguar që kontribuon te një mjedis shpirtëror për ta mësuar ungjillin? Çfarë ndikon negativisht tek ai? Çfarë i ndihmon njerëzit, të cilëve u jepni mësim, të mësojnë nga Shpirti? Mendoni për mjedisin ku jepni më shpesh mësim. Si ndiheni kur jeni atje? Si mund ta ftoni Shpirtin më me efektshmëri që të jetë i pranishëm atje?
Nga Shkrimet e Shenjta: Lluka 24:31–32; Gjoni 14:26; 16:13–15; Moroni 10:4–5; Doktrina e Besëlidhje 42:16–17; 50:13–24
Shpëtimtari i Ndihmoi të Tjerët ta Kërkojnë, ta Dallojnë Zbulesën Vetjake dhe të Veprojnë sipas saj
Zoti dëshiron të komunikojë me ne dhe Ai dëshiron që ta dimë se Ai po komunikon me ne. Në vitin 1829, një mësues shkolle 22‑vjeçar me emrin Oliver Kaudëri po mësonte për doktrinën e guximshme dhe emocionuese se gjithsecili mund të marrë zbulesë vetjake. Por ai kishte pyetje të ngjashme me ato që shumë prej nesh kanë bërë: “A po përpiqet me të vërtetë Zoti të më flasë? Dhe si mund ta di se çfarë po thotë Ai?” Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, Jezu Krishti e ftoi Oliverin të rikujtonte një çast kërkimi shpirtëror tepër personal. “A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen?” – e pyeti Ai (shihni te Doktrina e Besëlidhje 6:21–24). Më vonë, Ai i mësoi Oliverit për mënyra të tjera se si Shpirti mund t’i fliste atij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 8:2–3; 9:7–9; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 11:12–14).
Teksa jetojmë në një botë që shumë shpesh është e pavëmendshme ndaj gjërave shpirtërore, të gjithëve na nevojitet ndihmë për ta dalluar zërin e Shpirtit. Ne mund ta kemi ndier Shpirtin pa e kuptuar atë. Dhe të gjithë ne mund të mësojmë më shumë për mënyrën se si ta kërkojmë Shpirtin, si ta dallojmë ndikimin e Tij dhe të veprojmë sipas nxitjeve që na jep Ai. Teksa jepni mësim, ndihmojini nxënësit të zbulojnë mënyra se si Shpirti mund të komunikojë dhe se si Ai ka komunikuar me ta. Një nga dhuratat më të mëdha që ju si mësues/e mund të jepni, është t’i ndihmoni ata, të cilëve u jepni mësim, të përparojnë në këtë kërkim gjatë gjithë jetës për zbulesë vetjake.
Pyetje për t’u Përsiatur: Përse është e rëndësishme të mësoni që të merrni zbulesë vetjake? A ju ka ndihmuar ndonjëherë dikush që të kuptoni se si ta kërkoni dhe dalloni zbulesën? Si mund t’i nxitni ata, të cilëve u jepni mësim, që ta kërkojnë, ta dallojnë zbulesën nga Fryma e Shenjtë dhe të veprojnë sipas saj?
Nga Shkrimet e Shenjta: Galatasve 5:22–23; Alma 5:45–47; Doktrina e Besëlidhje 42:61; 121:33; Joseph Smith – Historia 1:8–20
Shpëtimtari u Dha Dëshmi Atyre që i Mësoi
Gjatë një çasti veçanërisht delikat të mësimdhënies dhe shërbesës, Jezusi u përpoq të ngushëllonte miken e Tij, Martën, vëllai i së cilës kishte vdekur. Ai i dha një dëshmi të thjeshtë për një të vërtetë të përjetshme: “Yt vëlla do të ringjallet” (Gjoni 11:23). Dëshmia e Tij e nxiti Martën të jepte edhe ajo dëshminë e saj: “E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit” (Gjoni 11:24). Vini re se si ky model përsëritet te Gjoni 11:25–27. Çfarë ju lë mbresë rreth shembullit të Shpëtimtarit? Përse dhënia e dëshmisë për të vërtetat e ungjillit është një pjesë aq e rëndësishme e mësimdhënies?
Dëshmia juaj mund të ketë një ndikim të fuqishëm tek ata të cilëve u jepni mësim. Ajo nuk ka përse të jetë një ligjërim i bukur apo i gjatë. Dhe nuk ka nevojë të fillojë me: “Do të doja të jepja dëshminë time”. Thjesht tregojeni atë që dini me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Një dëshmi për të vërtetën është më e fuqishme kur është e drejtpërdrejtë dhe e çiltër. Jepni dëshmi shpesh për Shpëtimtarin, ungjillin e Tij dhe fuqinë e Tij në jetën tuaj dhe nxitini ata, të cilëve u jepni mësim, të bëjnë të njëjtën gjë. Dhe mbani mend se nganjëherë dëshmia më e fuqishme nuk jepet nga mësuesi/ja por nga një bashkënxënës/e.
Pyetje për t’u Përsiatur: Kërkoni shembuj në shkrimet e shenjta që ilustrojnë ndikimin e fuqishëm të dikujt që jep dëshmi. Çfarë mësoni nga ata shembuj? Kur jeni bekuar ju nga dëshmia e dikujt? Si ka ndikuar dhënia e dëshmisë suaj tek ata të cilëve u jepni mësim? Si ka ndikuar ajo te ju?
Nga Shkrimet e Shenjta: Veprat e Apostujve 2:32–38; Mosia 5:1–3; Alma 5:45–48; 18:24–42; 22:12–18; Doktrina e Besëlidhje 46:13–14; 62:3