Seminaries and Institutes Callings
Jepeni Mësim Doktrinën


“Jepeni Mësim Doktrinën”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: Për të Gjithë Ata që Japin Mësim në Shtëpi dhe në Kishë (2022)

“Jepeni Mësim Doktrinën”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

3:33

Jepeni Mësim Doktrinën

Ndonëse Jezusi u rrit në dituri dhe njohuri gjatë gjithë jetës së Tij, Ai nuk u arsimua zyrtarisht si udhëheqësit e tjerë fetarë të kohës së Tij. Dhe prapëseprapë, kur Ai jepte mësim, njerëzit mrekulloheshin, duke thënë: “Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?” Përse ishin aq të fuqishme mësimet e Tij? “Doktrina ime nuk është imja”, – shpjegoi Shpëtimtari, – “por e atij që më ka dërguar” (Gjoni 7:15–16). Doktrina është e vërteta e përjetshme, e cila gjendet në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme, e cila na tregon udhën për t’u bërë si Ati ynë në Qiell dhe për t’u kthyer tek Ai. Pavarësisht se sa me përvojë jeni si mësues/e, ju mund të jepni mësim me fuqi, siç dha Shpëtimtari, duke dhënë mësim doktrinën e Atit. Ju dhe ata, të cilëve u jepni mësim, do të mrekulloheni nga bekimet që dërgon Perëndia kur mësimdhënia dhe të mësuarit tuaj janë të bazuara në fjalën e Tij.

Për ta Dhënë Mësim Doktrinën

  • Mësojeni vetë doktrinën e Jezu Krishtit.

  • Jepni mësim nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme.

  • Ndihmojini nxënësit të kërkojnë, dallojnë dhe të kuptojnë të vërtetat në shkrimet e shenjta.

  • Përqendrohuni tek të vërtetat që çojnë drejt kthimit në besim dhe ndërtojnë besimin te Jezu Krishti.

  • Ndihmojini nxënësit të gjejnë një lidhje vetjake te doktrina e Jezu Krishtit.

Shpëtimtari e Mësoi Doktrinën

Duket qartë që Shpëtimtari mësoi nga shkrimet e shenjta në rininë e Tij, ndërsa rritej “në dituri … dhe në hir përpara Perëndisë” (Lluka 2:52). Kuptueshmëria e Tij e thellë për doktrinën e Atit u duk qartë kur prindërit e Tij e gjetën Atë në tempull në një moshë shumë të re, duke u dhënë mësim mësuesve judeas dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre (shihni te Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Lluka 2:46 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shentja]). Më vonë, kur Satani i paraqiti Jezusit tundimet ekstreme në shkretëtirë, njohuria e Tij për doktrinën në shkrimet e shenjta e ndihmoi Atë t’i bënte ballë tundimit (shihni te Lluka 4:3–12).

Edhe ju mund të përpiqeni ta mësoni më thellë doktrinën e vërtetë përpara se ta jepni mësim atë. Ndërsa përgatiteni të jepni mësim dhe të mësoni me të tjerët, kërkoni me kujdes atë që ka thënë Zoti për të vërtetat që po i jepni mësim. Kërkoni te shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë për shpjegim dhe këshillë. Të jetuarit dhe vënia në zbatim e të vërtetave që i studioni, do ta ftojnë Shpirtin t’jua mësojë doktrinën në mënyra edhe më të thella dhe ta pohojë vërtetësinë e doktrinës në zemrën e atyre të cilëve u jepni mësim.

Pyetje për t’u Përsiatur: Përse është e rëndësishme t’i kuptoni të vërtetat e ungjillit për veten tuaj? Në ç’mënyrë keni fituar kuptueshmëri më të thellë për të vërtetat e ungjillit? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për ta përmirësuar studimin tuaj të shkrimeve të shenjta dhe të fjalëve të profetëve të gjallë?

Nga Shkrimet e Shenjta: Fjalët e Urta 7:1–3; 2 Nefi 4:15–16; Doktrina e Besëlidhje 11:21; 88:118

Shpëtimtari Dha Mësim nga Shkrimet e Shenjta

Pas vdekjes së Shpëtimtarit, dy nga dishepujt e Tij po ecnin dhe po flisnin me ndjenja të përziera trishtimi dhe habie në zemrën e tyre. Si mund t’i kuptonin të gjitha ato që sapo kishin ndodhur? Jezusi i Nazaretit, ai njeri të cilin e kishin besuar si Shëlbuesin e tyre, kishte tri ditë që kishte vdekur tanimë. Dhe pastaj pati raportime se varri i Tij ishte bosh, me engjëj që shpallnin se Ai ishte gjallë! Në këtë pikë kulmore të besimit të këtyre dishepujve, një i huaj u bashkua me ta teksa udhëtonin. Ai i ngushëlloi ata duke “u shpjeg[uar] atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin [Shpëtimtarit]”. Si përfundim, udhëtarët e kuptuan se mësuesi i tyre ishte Vetë Jezu Krishti dhe se Ai vërtet ishte ringjallur. Si e njohën ata Atë? “Po a nuk na digjej zemra përbrenda”, – reflektuan ata më vonë, – “kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?” (Lluka 24:27, 32.)

Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Qëllimi kryesor i gjithë shkrimit të shenjtë është që të mbushë shpirtin tonë me besim te Perëndia At[i] dhe tek Biri i Tij, Jezu Krishti” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Liahona, maj 2010, f. 34). Gjatë gjithë shërbesës së Tij, Jezusi përdori shkrimet e shenjta për të dhënë mësim, për të korrigjuar dhe për t’i frymëzuar të tjerët. Sigurohuni që mësimdhënia juaj të mos shkëputet nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve. Teksa mbështeteni me besnikëri në fjalën e Perëndisë gjatë mësimdhënies suaj, ju mund të bëni për të tjerët atë që bëri Shpëtimtari. Mund t’i ndihmoni që ata ta njohin Atë, sepse të gjithë ne kemi nevojë që besimi ynë te Shpëtimtari të forcohet rregullisht. Dashuria juaj për shkrimet e shenjta do të jetë e dukshme për ata, të cilëve u jepni mësim, dhe mësimdhënia juaj do ta ftojë Shpirtin të bëjë që zemra t’u digjet me një dëshmi për Atin dhe Birin.

Pyetje për t’u Përsiatur: Si ka ndikuar një mësues/e, i/e cili/a i përdorte shkrimet e shenjta për t’ju ndihmuar që të arrinit ta njihnit më mirë Shpëtimtarin? Çfarë mund të bëni që të mbështeteni më shumë te shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve teksa jepni mësim? Si mund t’i ndihmoni ata, të cilëve u jepni mësim, që ta njohin dhe ta duan fjalën e Perëndisë?

Nga Shkrimet e Shenjta: Lluka 4:14–21; Alma 31:5; Helamani 3:29–30;3 Nefi 23

Shpëtimtari i Ndihmoi Njerëzit ta Kërkonin, Dallonin dhe Kuptonin të Vërtetën

Një doktor i ligjit e pyeti njëherë Jezusin: “Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?” Në përgjigje, Shpëtimtari e drejtoi pyetësin te shkrimet e shenjta: “Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?” Kjo jo vetëm që e drejtoi atë njeri te përgjigjja e tij: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd … edhe të afërmin tënd” – por edhe te një pyetje pasuese: “Po kush është i afërmi im?” Shpëtimtari iu përgjigj kësaj pyetjeje me një shëmbëlltyrë për tre burra që panë një bashkudhëtar në nevojë. Vetëm njëri nga të tre, një samaritan, i cili urrehej nga judenjtë vetëm për faktin prej nga vinte, ndaloi që ta ndihmonte. Jezusi më pas e ftoi doktorin e ligjit që t’ia jepte vetë përgjigjen pyetjes: “Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij?” (Shihni te Lluka 10:25–37.)

Përse mendoni se Shpëtimtari dha mësim në këtë mënyrë – duke iu përgjigjur pyetjeve me ftesën për të kërkuar, përsiatur dhe zbuluar? Pjesë e përgjigjes është se Zoti i vlerëson përpjekjet për kërkimin e së vërtetës. “Kërkoni dhe do të gjeni”, Ai e ka bërë këtë ftesë në mënyrë të përsëritur (shihni, për shembull, te Mateu 7:7; Lluka 11:9; Doktrina e Besëlidhje 4:7). Ai i shpërblen veprat e besimit dhe durimit të atij që kërkon.

Ashtu si Shpëtimtari, ju mund t’i ndihmoni ata, të cilëve u jepni mësim, ta dallojnë dhe kuptojnë të vërtetën. Për shembull, shkrimet e shenjta janë të mbushura me të vërteta të ungjillit, por nganjëherë kërkohet përpjekje e vetëdijshme për t’i gjetur ato. Teksa mësoni së bashku nga shkrimet e shenjta, ndaloni dhe pyetini ata, të cilëve u jepni mësim, se çfarë të vërtetash të ungjillit vënë re. Ndihmojini të kuptojnë se si lidhen këto të vërteta me planin e Atit Qiellor për shpëtimin. Ndonjëherë të vërtetat e përjetshme shpallen në shkrimet e shenjta dhe ndonjëherë ato ilustrohen në historitë dhe jetën e njerëzve për të cilët lexojmë. Gjithashtu, mund të jetë e dobishme të shqyrtoni së bashku sfondin historik të vargjeve që po lexoni, si edhe domethënien e vargjeve dhe si zbatohen ato për ne sot.

Pyetje për t’u Përsiatur: Si i përcaktoni të vërtetat e përjetshme në shkrimet e shenjta ose fjalët e profetëve? Si po e bekojnë jetën tuaj ato të vërteta? Cilat janë disa mënyra se si mund t’i ndihmoni nxënësit t’i dallojnë dhe kuptojnë të vërtetat që do të jenë kuptimplota për ta dhe do t’i afrojnë më shumë me Perëndinë?

Nga Shkrimet e Shenjta: Gjoni 5:39; 1 Nefi 15:14; Doktrina e Besëlidhje 42:12

studentë duke studiuar

Ne mund t’i ndihmojmë ata, të cilëve u japim mësim, që ta gjejnë dhe dallojnë të vërtetën për veten e tyre.

Shpëtimtari Dha Mësim të Vërteta që Çojnë drejt Kthimit në Besim dhe që Ndërtojnë Besim

Një ditë Shabati, Shpëtimtari dhe dishepujt e Tij, duke qenë se patën uri, kaluan te një arë dhe filluan të hanin grurë. Farisenjtë, gjithnjë të etur për të theksuar pikat më të mprehta të ligjit të Moisiut, vunë në dukje se mbledhja e grurit ishte teknikisht një formë pune, e cila ishte e ndaluar ditën e Shabatit (shihni te Marku 2:23–24). Për të përdorur frazën e profetit Jakob në Librin e Mormonit, farisenjtë ishin “duke parë përtej shenjës” (Jakobi [LiM] 4:14). Me fjalë të tjera, ata ishin kaq të përqendruar tek interpretimet tradicionale të urdhërimeve, saqë kishin humbur qëllimin hyjnor të atyre urdhërimeve – për të na afruar më shumë me Perëndinë. Në fakt, farisenjtë as që e kuptuan se Ai që dha urdhërimin për të nderuar Shabatin, po qëndronte para tyre.

Shpëtimtari e shfrytëzoi këtë mundësi që të dëshmonte për identitetin e Tij hyjnor dhe të jepte mësim mbi atë se përse Shabati është i rëndësishëm. Ai u krijua për ne si një ditë për adhurimin e Zotit të Shabatit, Vetë Jezu Krishtit (shihni te Marku 2:27–28). Të vërteta të tilla na ndihmojnë të kuptojmë se urdhërimet e Perëndisë kanë të bëjnë me më shumë gjëra sesa thjesht sjelljen tonë të jashtme. Ato kanë për qëllim të na ndihmojnë që të ndryshojmë zemrën dhe të kthehemi më plotësisht në besim.

Shqyrtojini me kujdes doktrinën dhe parimet tek të cilat vendosni të përqendroheni. Ndonëse ka shumë të vërteta në shkrimet e shenjta që mund të diskutohen, gjëja më e mirë është të përqendrohemi tek të vërtetat e ungjillit që çojnë drejt kthimit në besim dhe që ndërtojnë besimin te Jezu Krishti. Të vërtetat e thjeshta, themelore që Shpëtimtari dha mësim dhe na i la me shembull, kanë fuqinë më të madhe për të na e ndryshuar jetën – të vërtetat për Shlyerjen e Tij, planin e shpëtimit, urdhërimet për ta dashur Perëndinë dhe për ta dashur të afërmin tonë e kështu me radhë. Ftojeni Shpirtin të japë dëshmi për këto të vërteta, duke i ndihmuar që ato t’i shkojnë thellë e në zemër atyre të cilëve u jepni mësim.

Pyetje për t’u Përsiatur: Cilat janë disa të vërteta të ungjillit që ju kanë ndihmuar të ktheheni më shumë në besimin te Jezu Krishti dhe të keni besim më të madh tek Ai? Si ju ka ndihmuar një mësues/e që të përqendroheni tek të vërtetat më thelbësore të ungjillit? Çfarë mund të jepni mësim që do t’i ndihmojë të tjerët të kthehen më shumë në besimin te Jezu Krishti?

Nga Shkrimet e Shenjta: 2 Nefi 25:26; 3 Nefi 11:34–41; Doktrina e Besëlidhje 19:31–32; 68:25–28; 133:57; Moisiu 6:57–62

Shpëtimtari i Ndihmoi Njerëzit të Gjenin Lidhje Vetjake te Doktrina e Tij

“Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta”, – u ankuan farisenjtë për Jezusin, duke nënkuptuar se kjo nuk ishte sjellje e përshtatshme për një mësues shpirtëror (Lluka 15:2). Jezusi e pa se kjo ishte një mundësi për t’u mësuar atyre disa të vërteta të thella shpirtërore. Si do ta bënte Ai këtë gjë? Si do t’i ndihmonte Ai farisenjtë të kuptonin se ishte zemra e tyre – jo e Tija – që ishte e papastër dhe kishte nevojë për shërim? Si do ta përdorte Ai doktrinën e Tij për t’u treguar atyre se mënyra e të menduarit dhe sjellja e tyre duhej të ndryshonin?

Ai e bëri këtë duke u folur për një dele që u largua nga kopeja, dhe për një monedhë që humbi. Ai foli për një bir rebel që kërkoi falje, dhe për një vëlla më të madh që refuzoi ta pranonte atë ose të hante me të. Secila prej këtyre shëmbëlltyrave përmbante të vërteta që lidheshin me mënyrën se si farisenjtë i shihnin të tjerët, duke u mësuar atyre se çdo shpirt ka vlerë të madhe (shihni te Lluka 15). Shpëtimtari nuk u tha farisenjve ose ndonjërit prej nesh, se me cilin të identifikohemi në shëmbëlltyrat e Tij. Ndonjëherë jemi ai babai me zemër të ngrirë. Ndonjëherë jemi ai vëllai ziliqar. Shpesh jemi delja e humbur ose djali pa mend. Por cilatdo qofshin rrethanat tona, nëpërmjet shëmbëlltyrave të Tij, Shpëtimtari na fton të gjejmë lidhje te mësimet e Tij – të zbulojmë se çfarë Ai do që të mësojmë dhe çfarë mund të na nevojitet të ndryshojmë në të menduarit dhe sjelljen tonë.

Mund të vëreni se disa nxënës nuk e kuptojnë pse disa të vërteta kanë rëndësi për ta. Teksa i shqyrtoni nevojat e atyre, të cilëve u jepni mësim, mendoni se si të vërtetat në shkrimet e shenjta mund të jenë kuptimplota dhe të dobishme në rrethanat e tyre. Një mënyrë se si mund t’i ndihmoni nxënësit të kuptojnë lidhjen e të vërtetave që po zbulojnë, është duke bërë pyetje si këto: “Si mund t’ju ndihmojë kjo për diçka që po përjetoni tani?” “Përse është e rëndësishme që ju ta dini këtë gjë?” “Çfarë ndryshimi mund të sjellë kjo në jetën tuaj?” Dëgjojini ata të cilëve u jepni mësim. Lejojini ata të bëjnë pyetje. Nxitini ata të bëjnë lidhjet ndërmjet mësimeve të Shpëtimtarit dhe vetë jetës së tyre. Mund të tregoni gjithashtu mënyrën se si e keni gjetur lidhjen në jetën tuaj me atë që po jepni mësim. Bërja e kësaj mund ta ftojë Shpirtin t’i mësojë nxënësit individualisht për mënyrën se si doktrina mund të sjellë një ndryshim në jetën e tyre.

Pyetje për t’u Përsiatur: Çfarë është ajo që i bën të vërtetat e ungjillit kuptimplote dhe të dobishme për ju? Çfarë ju ndihmon të gjeni lidhje vetjake teksa e studioni ungjillin? Çfarë po bëni për t’u përqendruar tek të vërtetat që kanë lidhje me ato që jepni mësim?

Nga Shkrimet e Shenjta: 1 Nefi 19:23; 2 Nefi 32:3; Doktrina e Besëlidhje 43:7–9

Disa Mënyra për ta Zbatuar Atë që po Mësoni

  • Vlerësojeni atë që jeni duke dhënë mësim, për t’u siguruar se po jepni mësim doktrinën e vërtetë. Këto pyetje mund të ndihmojnë:

    • A është ajo që po planifikoj të jap mësim, e bazuar te shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme?

    • A është dhënë mësim kjo gjë nga shumë profetë? Çfarë po na mësojnë udhëheqësit e tanishëm të Kishës për këtë gjë?

    • Si do t’i ndihmojë kjo gjë të tjerët që ta ndërtojnë besimin te Jezu Krishti, të pendohen dhe të përparojnë gjatë shtegut të besëlidhjeve?

    • A është kjo në përputhje me nxitjet nga Fryma e Shenjtë apo ndihem i/e pavendosur shpirtërisht për këtë?

  • Studiojeni çdo ditë fjalën e Perëndisë për ta mësuar doktrinën e vërtetë për veten tuaj.

  • Kërkojuni nxënësve të lexojnë shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve modernë teksa jepni mësim.

  • Mësojuni nxënësve mënyrën se si t’i përdorin poshtëshënimet, Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta dhe burime të tjera teksa i studiojnë shkrimet e shenjta.

  • Ftojini nxënësit të gjejnë të vërteta në një fragment të shkrimit të shenjtë ose një histori.

  • Jepni dëshmi për mënyrën se si keni arritur ta dini se doktrina është e vërtetë.

  • Përdorni histori ose metafora për t’i ndihmuar nxënësit të marrin një kuptueshmëri më të thellë për të vërtetat e ungjillit.