“Ftoni të Mësuarit me Zell”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: Për të Gjithë Ata që Japin Mësim në Shtëpi dhe në Kishë (2022)
“Ftoni të Mësuarit me Zell”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit
Ftoni të Mësuarit me Zell
Me siguri do të ketë qenë mahnitëse ta shihje Shpëtimtarin duke ecur mbi ujë. Por kjo nuk mjaftoi për Pjetrin. Ai donte të bënte atë që bëri Shpëtimtari, të ishte aty ku Ai ishte dhe ta përjetonte vetë atë përvojë. “Më urdhëro të vij te ti mbi ujëra”, – tha ai. Shpëtimtari iu përgjigj me një ftesë të thjeshtë: “Eja!” Si rrjedhim, Pjetri u hodh nga siguria e varkës dhe na tregoi se dishepullimi nuk është një përvojë pasive (shihni te Mateu 14:24–33). Kërkohet besim te Krishti dhe përpjekje e zellshme. Por kjo sjell edhe shpërblimin e madh të të ecurit me Shpëtimtarin.
“Eja!” “Ejani e shikoni.” “Eja e më ndiq.” “Shko dhe bëj kështu edhe ti” (Mateu 14:29; Gjoni 1:39; Lluka 18:22; 10:37). Që nga fillimi i shërbesës së Tij, Shpëtimtari i ftoi ndjekësit e Tij t’i përjetonin vetë të vërtetat, fuqinë dhe dashurinë që ofroi Ai. Ai e bëri këtë sepse ky është të mësuarit e vërtetë. Nuk do të thotë thjesht të dëgjosh ose të lexosh; do të thotë gjithashtu të ndryshosh, të pendohesh dhe të përparosh. Sipas fjalëve të Shpëtimtarit, të mësuarit vjen “me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118; theksimi i shtuar). Dhe besimi përfshin të veprosh për veten, jo thjesht të veprohet mbi ne (shihni te 2 Nefi 2:26).
Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit, ne i ftojmë ata, të cilëve u japim mësim të lypin, të kërkojnë e të trokasin – dhe pastaj të gjejnë (shihni te Mateu 7:7–8). Dhe ne e pranojmë vetë atë ftesë. Së bashku, nëpërmjet besimit tonë te Krishti dhe përpjekjeve të zellshme, ne do të arrijmë të dimë për veten tonë se çfarë do të thotë të ecësh me Të.
Shpëtimtari i Ndihmoi të Tjerët të Mbanin Përgjegjësi për të Mësuarit e Tyre
Ndërtimi i maunave që ta kalonin në mënyrë të sigurt oqeanin, do të ishte një detyrë e vështirë për këdo. Vëllai i Jaredit ishte “përherë [i] drejtuar nga dora e Zotit” (Ethëri 2:6), duke marrë udhëzime për formën e barkave dhe për mënyrën se si do të ajroseshin. Mirëpo, çfarë vini re këtu për mënyrën se si u përgjigj Zoti kur vëllai i Jaredit e pyeti për sigurimin e dritës në mauna? (Shihni tek Ethëri 2:22–25.) Si u bekua vëllai i Jaredit nga ftesa për ta ushtruar besimin e tij në këtë mënyrë? (Shihni tek Ethëri 3:1–16.)
Mund të duket më e lehtë që thjesht t’u tregoni nxënësve të gjitha gjërat që mendoni se duhet t’i dinë. Megjithatë, Plaku Dejvid A. Bednar këshilloi: “Synimi ynë nuk duhet të jetë ‘Çfarë t’u them?’ Në vend të kësaj, pyetjet që duhet t’i bëjmë vetes, janë: ‘Çfarë mund t’i ftoj të bëjnë?’ Çfarë pyetjesh të frymëzuara mund të bëj, të cilat, nëse ata janë të gatshëm të përgjigjen, do të fillojnë ta ftojnë Frymën e Shenjtë në jetën e tyre?’” (Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 7 shkurt 2020, broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.)
Merrni parasysh se si mund t’i ftoni nxënësit të mbajnë përgjegjësi për të mësuarit e tyre. Për shembull, ju mund t’i ftoni ata që të bëjnë pyetjet e veta, të kërkojnë përgjigjet, të përsiatin dhe t’i tregojnë ose mbajnë shënim mendimet e ndjenjat e tyre. Teksa veprojnë kështu, ata do ta forcojnë besimin e tyre, do të zbulojnë të vërteta në fjalën e Perëndisë dhe do të kenë përvojat e tyre me këto të vërteta. Ndërsa mbajmë përgjegjësi për të mësuarit tonë vetjak, mund të themi, siç tha Jozef Smithi: “Kam mësuar vetë” (Joseph Smith – Historia 1:20).
Pyetje për t’u Përsiatur: Përse është e rëndësishme që nxënësit të jenë aktivë dhe jo pasivë në të mësuarit e tyre? Si mund t’i ndihmoni ata të mbajnë përgjegjësi për të mësuarit e tyre? Si ju kanë ndihmuar mësuesit që ta bëni këtë gjë? Cilët shembuj nga shkrimet e shenjta mund t’ju vijnë ndërmend për raste kur njerëzit u ftuan të mësonin vetë? Si ndikojnë këta shembuj te mënyra se si jepni mësim?
Nga Shkrimet e Shenjta: 1 Nefi 11; Doktrina e Besëlidhje 9:7–8; 58:26–28; 88:118–125; Joseph Smith – Historia 1:11–20
Shpëtimtari i Nxiti të Tjerët të Arrinin ta Njihnin Atë duke e Studiuar Fjalën e Tij
Kur erdhi koha që Shpëtimtari ta organizonte zyrtarisht Kishën e Tij në ditët e mëvonshme, Ai u tha shërbëtorëve të Tij: “Mbështet[uni] mbi gjërat që janë shkruar” (Doktrina e Besëlidhje 18:3). Në të vërtetë, Libri i Mormonit, të cilin gati e kishin përfunduar së përkthyeri, përmbante udhëzime të dobishme për detyrën, duke përfshirë mënyrën e pagëzimit, mënyrën e administrimit të sakramentit dhe hollësi të tjera të vlefshme. Por Shpëtimtari dëshironte gjithashtu që shërbëtorët e Tij t’i shihnin zbulesat e Tij si një mundësi për ta dëgjuar Atë dhe për ta njohur Atë më thellësisht. Në po atë zbulesë, Ai u tha atyre: “Është zëri im që jua thotë [këto fjalë]; … prandaj, ju mund të dëshmoni se e keni dëgjuar zërin tim dhe i dini fjalët e mia” (Doktrina e Besëlidhje 18:35–36).
Mendoni për njerëzit të cilëve u jepni mësim. Si e shohin ata studimin e shkrimeve të shenjta? Lidhur me këtë, si e shihni ju atë? A është më shumë se një detyrë e përditshme? Kur i studioni shkrimet e shenjta, a e ndieni Shpëtimtarin t’ju flasë direkt juve? Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Ku mund të shkojmë që ta dëgjojmë Atë? Ne mund të shkojmë te shkrimet e shenjta. … Zhytja e përditshme në fjalën e Perëndisë është jetike për mbijetesën tonë shpirtërore, veçanërisht në këto ditë të rrëmujës në rritje. Teksa ushqehemi me bollëk përditë me fjalët e Krishtit, fjalët e Krishtit do të na thonë se si të reagojmë ndaj vështirësive me të cilat kurrë nuk menduam se do të përballeshim” (“Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 89–90). Teksa jepni mësim, nxitini nxënësit t’i studiojnë shkrimet e shenjta me qëllimin që të gjejnë Shpëtimtarin – jo të gjejnë thjesht vargje ose fakte për Të por ta gjejnë Atë. Dëgjimi i zërit të Zotit çdo ditë në shkrimet e shenjta është themelor për të mësuarit e zellshëm e të pavarur të ungjillit gjatë gjithë jetës.
Pyetje për t’u Përsiatur: Shqyrtojini zakonet tuaja vetjake të studimit të shkrimeve të shenjta. Si e ka forcuar studimi i fjalës së Perëndisë marrëdhënien tuaj me Të? Çfarë mund të bëni për ta përmirësuar studimin tuaj? Si do t’i frymëzoni të tjerët që ta studiojnë fjalën e Perëndisë me zell dhe rregullisht? Çfarë bekimesh do të marrin ata nëse veprojnë ashtu?
Nga Shkrimet e Shenjta: Jozueut 1:8; 2 Timoteut 3:15–17; 2 Nefi 32:3; Jakobi [LiM] 2:8; 4:6; dhe Doktrina e Besëlidhje 33:16
Shpëtimtari i Ftoi të Tjerët të Përgatiteshin për të Mësuar
Edhe farat më të mira nuk mund të rriten në tokë të fortë, me gurë ose me ferra. Po kështu, edhe doktrina më e çmuar dhe që nxit besim, nuk ka të ngjarë të ndryshojë një zemër që është e papërgatitur për ta pranuar atë. Kjo është pjesë e mesazhit të shëmbëlltyrës së Shpëtimtarit për një mbjellës, farat dhe tokën në kushte të ndryshme. Është në “tokë të mirë” – në zemrën që është zbutur dhe pastruar nga gurët dhe ferrat shpirtërore – që fjala e Perëndisë jep frutë jetëdhënëse (shihni te Mateu 13:1–9, 18–23).
Përgatitja shpirtërore ka rëndësi – për ju dhe për njerëzit të cilëve u jepni mësim. Pra, si të ndihmojmë që ta përgatitim zemrën tonë të jetë “tokë [e] mirë” për fjalën e Perëndisë? Merrini parasysh parimet vijuese për përgatitjen, të cilat mund t’i zbatoni në jetën tuaj dhe t’i inkurajoni në jetën e atyre të cilëve u jepni mësim. Lutuni që të dini se çfarë do Zoti që ju të mësoni. Jetoni në një mënyrë që e fton praninë e Tij në jetën tuaj. Pendohuni çdo ditë. Kultivojeni dëshirën tuaj për të mësuar duke bërë pyetje të sinqerta. Studiojeni fjalën e Perëndisë me besimin se Ai do t’ju drejtojë te përgjigjet. Hapeni zemrën ndaj çfarëdo gjëje që Ai do t’ju mësojë.
Teksa nxënësit përgatiten të mësojnë në këtë mënyrë, ata do të kenë sy shpirtërorë për të parë dhe veshë për të dëgjuar atë që Zoti do të donte që ata të dinin (shihni te Mateu 13:16).
Pyetje për t’u Përsiatur: Çfarë bëni ju që të përgatiteni për të mësuar? Si ndikon përgatitja juaj te mënyra se si e shihni, e dëgjoni dhe e kuptoni fjalën e Perëndisë? Si mund t’i frymëzoni të tjerët që të përgatiten për të mësuar? Çfarë ndryshimi mund të sillte kjo te mënyra se si ata i pranojnë të vërtetat e ungjillit?
Nga Shkrimet e Shenjta: Enosi 1:1–8; Alma 16:16–17; 32:6, 27–43; 3 Nefi 17:3
Shpëtimtari i Nxiti të Tjerët t’i Tregonin të Vërtetat që po Mësonin
“Unë jam i ngadaltë në të folur”, – tha me pikëllim Enoku kur Zoti e thirri për të predikuar ungjillin. Por elokuenca nuk ka qenë kurrë një kërkesë për një shërbëtor/e të Zotit. Përkundrazi, Zoti i premtoi Enokut se po të kishte mjaftueshëm besim për ta hapur gojën, fjalët do t’i vinin. “Unë do të t’i jap fjalët”, – tha Ai (Moisiu 6:31–32). Enoku e ushtroi besimin e tij dhe Zoti me të vërtetë foli nëpërmjet tij, me fjalë aq të fuqishme saqë e bënë popullin të dridhej (shihni te Moisiu 6:47). Në fakt, ai bëri që edhe toka të dridhej. Malet morën arratinë, lumenjtë ndërruan rrjedhën e tyre dhe kombet e patën frikë popullin e Perëndisë, “kaq e fuqishme ishte fjala e Enokut dhe kaq e madhe ishte fuqia e gjuhës që Perëndia i kishte dhënë atij” (Moisiu 7:13).
Zoti do që të gjithë ne – jo vetëm profetët e Tij – ta kemi fuqinë për të folur fjalën e Tij. Ai e do këtë për të gjithë ne, përfshirë njerëzit të cilëve u jepni mësim (shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:20–21). Fjalët tona mund të mos lëvizin malet ose t’ua ndërrojnë rrjedhën lumenjve, por mund të ndihmojnë në ndryshimin e zemrave. Prandaj është kaq e rëndësishme që t’u japim nxënësve mundësi për t’ia treguar njëri‑tjetrit atë që po mësojnë për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij. Bërja e kësaj do t’i ndihmojë ata t’i përvetësojnë të vërtetat që u janë dhënë mësim, dhe t’i shprehin ato. Do t’i ndihmojë gjithashtu që të fitojnë vetëbesim tek aftësia e tyre për t’i treguar të vërtetat në mjedise të tjera.
Pyetje për t’u Përsiatur: Mendoni për një rast kur ju folët për një të vërtetë të ungjillit me dikë. Çfarë mësuat nga përvoja? Kur ndiet mirënjohje që dikush pati guximin t’i tregonte mendimet dhe bindjet e veta? Si do të kenë dobi njerëzit, të cilëve u jepni mësim, nga mundësitë për të biseduar rreth gjërave që po mësojnë? Çfarë mundësish mund të krijoni për ta?
Nga Shkrimet e Shenjta: Alma 17:2–3; Moroni 6:4–6; Doktrina e Besëlidhje 84:85; 88:122; 100:5–8
Shpëtimtari i Ftoi të Tjerët ta Jetonin Atë që Ai Dha Mësim
“Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve.” “Duani armiqtë tuaj.” “Lypni dhe do t’ju jepet.” “Hyni nga dera e ngushtë.” (Mateu 5:16, 44; 7:7, 13.) Disa nga ftesat më të gjalla e të paharrueshme në gjithë shërbesën tokësore të Shpëtimtarit u bënë teksa Ai i mësonte dishepujt e Tij në një shpat mali me pamje nga deti i Galilesë. Qëllimi i Shpëtimtarit ishte të ndryshonte jetë, siç u bë e qartë nga ftesa e Tij përmbyllëse: “Ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb” (Mateu 7:24; theksimi i shtuar).
Shiu bie dhe përmbytjet vijnë dhe erërat fryjnë në jetën e gjithsecilit. Të mësuarit për ungjillin nuk mjafton që nxënësit t’u bëjnë ballë të gjitha sprovave që do të hasin. Ja pse nuk duhet të ngurrojmë që t’i ftojmë nxënësit të shqyrtojnë se si mund ta jetojnë atë që po mësojnë. Nga respekti për lirinë e zgjedhjes së të tjerëve, shumë prej ftesave tona do të jenë të përgjithshme: “Çfarë ndiheni të nxitur të bëni?” Me raste, ftesat tona mund të kenë nevojë të jenë më specifike: “A do të zgjidhni një cilësi të Shpëtimtarit me të cilën do t’ju pëlqente të punoni?” Teksa u ofroni nxënësve mundësi që të dëgjojnë, të dallojnë dhe t’i tregojnë nxitjet nga Fryma e Shenjtë, Ai do t’u mësojë atyre se çfarë veprimesh vetjake kanë nevojë të ndërmarrin. Ndihmojini nxënësit të shqyrtojnë bekimet që do të ndjekin teksa veprojnë sipas asaj që mësojnë, dhe nxitini të ngulmojnë edhe kur bëhet e vështirë. Të jetuarit e së vërtetës është shtegu më i shpejtë drejt një besimi, dëshmie dhe kthimi në besim më të madh. Siç tha Shpëtimtari, të jetuarit e doktrinës së Atit është mënyra që të gjithë ne ta dimë realisht se doktrina është e vërtetë (shihni te Gjoni 7:17).
Pyetje për t’u Përsiatur: Kur jeni frymëzuar që të veproni për shkak të një ftese që ju bë juve nga dikush? Si ndryshoi jeta juaj për rrjedhojë? Vini re ftesat që janë dhënë në shkrimet e shenjta dhe nga udhëheqësit e Kishës. Çfarë mësoni që mund t’ju ndihmojë teksa i ftoni të tjerët të veprojnë? Në çfarë mënyrash mund ta ndiqni ecurinë e ftesave tuaja?
Nga Shkrimet e Shenjta: Lluka 10:36–37; Gjoni 7:17; Jakob [Bibël] 1:22; Mosia 4:9–10; Doktrina e Besëlidhje 43:8–10; 82:10