Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 127


Seksioni 127

Një letër nga Joseph Smith Profeti për Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme në Nauvoo, Illinois, që përmban udhëzime për pagëzimin për të vdekurit, në Nauvoo, datuar 1 shtator 1842 (History of the Church, 5:142–144).

1–4, Joseph Smith-i përlëvdohet në përndjekje dhe shqetësim; 5–12, Dokumente duhet të mbahen lidhur me pagëzimet për të vdekurit.

1 Ngaqë Zoti më ka zbuluar se armiqtë e mi, si në Missouri edhe në këtë shtet, ishin përsëri në ndjekjen time; dhe për aq sa ata më ndjekin pa ndonjë shkak e nuk kanë as të paktën hije apo ngjyrë të drejtësisë ose të së drejtës në anë e tyre, përsa i përket ngritjes së akuzave të tyre kundër meje; dhe për aq sa pretendimet e tyre janë të gjitha të bazuara në falsitetin më të zi, unë kam menduar se është e domosdoshme dhe urtësi në mua që ta lësh vendin për një stinë të shkurtër, për sigurinë time dhe për sigurinë e këtyre njerëzve. Dëshiroj t’u them të gjithë atyre me të cilët kam biznese, se ua kam lënë punët e mia përfaqësuesve dhe nëpunësve, që do ta kryejnë të gjithë punën në mënyrë të shpejtë e siç duhet dhe do të kujdesen që të gjitha borxhet e mia të shlyhen në kohën e duhur, duke shitur prona ose në mënyrë tjetër, sikurse ta kërkojë rasti ose sikurse ta lejojnë rrethanat. Kur të mësoj se stuhia ka shfryrë tërësisht, atëherë do të kthehem përsëri tek ju.

2 Dhe sa për rreziqet që jam thirrur të kaloj, ato më duken vetëm një diçka e vogël, ngaqë zilia dhe zemërimi i njeriut kanë qenë diçka e zakonshme gjatë gjithë ditëve të jetës sime; dhe për çfarë shkaku duket e mistershme, në qoftë se unë nuk u shugurova që përpara krijimit të botës për një qëllim të mirë, ose të keq, sidoqë ju të zgjidhni ta quani atë. Gjykoni vetë për veten tuaj. Perëndia i di të gjitha gjërat, qofshin të mira apo të këqija. Por megjithatë, në ujë të thellë jam mësuar të notoj. Ajo e gjitha më është bërë një natyrë e dytë; dhe unë ndihem, si Pali, i përlëvduar në mundim; sepse deri në këtë ditë Perëndia i etërve të mi më ka çliruar prej gjithë atyre dhe do të më çlirojë që tani e tutje; sepse, vini re e shihni, unë do të triumfoj mbi të gjithë armiqtë e mi, sepse Zoti Perëndi e ka thënë atë.

3 Të gjithë shenjtorët duhet të gëzohen, pra, dhe të jenë tepër të hareshëm; sepse Perëndia i Izraelit është Perëndia i tyre dhe ai do të japë një pagesë të drejtë shpërblimi mbi kokat e të gjithë shtypësve të tyre.

4 Dhe përsëri, në të vërtetë kështu thotë Zoti: Puna për tempullin tim dhe të gjitha punët që ju kam caktuar, duhet të vazhdojnë dhe të mos ndalen; dhe zelli juaj, dhe këmbëngulja juaj, dhe durimi, dhe veprat tuaja duhet të dyfishohen dhe ju në asnjë mënyrë nuk do ta humbisni shpërblimin tuaj, thotë Zoti i Ushtrive. Dhe nëse ju përndjekin, kështu i përndoqën ata profetët dhe njerëzit e drejtë që ishin përpara jush. Për gjithë këtë ka një shpërblim në qiell.

5 Dhe përsëri, unë ju jap një fjalë në lidhje me pagëzimin për të vdekurit tuaj.

6 Në të vërtetë, kështu ju thotë Zoti lidhur me të vdekurit tuaj: Kur ndonjë prej jush pagëzohet për të vdekurit tuaj, duhet të ketë një regjistrues dhe ai duhet të jetë një dëshmitar okular i pagëzimeve tuaja; ai duhet të dëgjojë me veshët e tij, që të mund të dëshmojë për një të vërtetë, thotë Zoti.

7 Që të gjitha regjistrimet tuaja të mund të shënohen në qiell; çfarëdo që lidhni në tokë, të mund të lidhet në qiell; çfarëdo që zgjidhni në tokë, të mund të zgjidhet në qiell;

8 Sepse unë jam duke rivendosur shumë gjëra në tokë, që lidhen me priftërinë, thotë Zoti i Ushtrive.

9 Dhe përsëri, të gjitha analet duhet të mbahen në rregull, që ato të mund të vihen në arkivat e tempullit tim të shenjtë, që të mbahen në kujtesë nga brezi në brez, thotë Zoti i Ushtrive.

10 Unë do t’u them të gjithë shenjtorëve se dëshirova, me një dëshirë tepër të madhe, t’u drejtohesha atyre nga katedra lidhur me çështjen e pagëzimit për të vdekurit, në Shabatin e ardhshëm. Por ngaqë është përtej fuqisë sime për ta bërë këtë, unë do t’ju shkruaj fjalën e Zotit herë pas here, lidhur me atë çështje, dhe do t’jua dërgoj me postë, sikurse me shumë gjëra të tjera.

11 Tani unë e mbyll letrën time për sot, sepse më duhet më shumë kohë; sepse armiku është vigjilent dhe, sikurse tha Shpëtimtari, princi i kësaj bote vjen, por ai s’ka asgjë në mua.

12 Vini re, lutja ime ndaj Perëndisë është që ju të gjithë të mund të shpëtoheni. Dhe unë e nënshkruaj veten time shërbëtorin tuaj në Zotin, profetin dhe shikuesin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Joseph Smith.