Seksioni 130
Çështje udhëzimi dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Ramus, Illinois, më 2 prill 1843 (History of the Church, 5:323–325).
1–3, Ati dhe Biri mund t’u shfaqen personalisht njerëzve; 4–7, Engjëjt banojnë në një sferë çelestiale; 8–9, Toka çelestiale do të jetë një Urim dhe Thumim i madh; 10–11, Një gur i bardhë u jepet të gjithë atyre që hyjnë në botën çelestiale; 12–17, Koha e Ardhjes së Dytë i fshihet Profetit; 18–19, Inteligjenca e fituar në këtë botë ngrihet me ne në Ringjallje; 20–21, Të gjitha bekimet vijnë nëpërmjet bindjes ndaj ligjit; 22–23, Ati dhe Biri kanë trupa prej mishi dhe kockash.
1 Kur Shpëtimtari do të shfaqet, ne do ta shohim atë siç është. Ne do të shohim se ai është një njeri si vetë ne.
2 Dhe po ai shoqërim që ekziston mes nesh këtu, do të ekzistojë mes nesh atje, veçse do të jetë me lavdi të përjetshme, lavdi të cilën nuk e gëzojmë tani.
3 Gjoni 14:23—Shfaqja e Atit dhe e Birit, në atë varg, është një shfaqje personale; dhe ideja që Ati dhe Biri banojnë në zemrën e një njeriu, është një nocion sektarian, dhe është e rremë.
4 Në përgjigje të pyetjes—A nuk është llogaritja e kohës së Perëndisë, kohës së engjëllit, kohës së profetit dhe kohës së njeriut në përputhje me planetin në të cilin ata banojnë?
5 Unë përgjigjem: Po. Por nuk ka engjëj që shërbejnë në këtë tokë, përveç atyre që i përkasin ose që i kanë përkitur asaj.
6 Engjëjt nuk banojnë në një planet si kjo tokë;
7 Por ata banojnë në prani të Perëndisë, në një glob si një det qelqi dhe zjarri, ku të gjitha gjërat, të kaluara, të tashme dhe të ardhme, manifestohen për lavdinë e tyre dhe janë vazhdimisht përpara Zotit.
8 Vendi ku Perëndia banon është një Urim dhe Thumim i madh.
9 Kjo tokë, në gjendjen e saj të shenjtëruar dhe të pavdekshme, do të bëhet si kristal dhe do të jetë një Urim dhe Thumim për banorët që banojnë në të, me anë të së cilës të gjitha gjërat që lidhen me një mbretëri më të ulët ose me gjithë mbretëritë e një rendi më të ulët, do t’u manifestohen atyre që banojnë në të; dhe kjo tokë do të jetë e Krishtit.
10 Atëherë guri i bardhë, i përmendur në Zbulesa 2:17, do të bëhet një Urim dhe Thumim për secilin individ që e merr atë, me anë të të cilit gjërat që lidhen me një rend më të lartë të mbretërive, do të bëhen të njohura;
11 Dhe një gur i bardhë i jepet secilit prej atyre që vijnë në mbretërinë çelestiale, në të cilën shkruhet një emër i ri, që asnjë njeri nuk e di, përveç atij që e merr atë. Emri i ri është fjala kyç.
12 Unë profetizoj, në emër të Zotit Perëndi, se fillimi i vështirësive që do të shkaktojnë shumë gjakderdhje përpara ardhjes së Birit të Njeriut, do të jetë në South Carolina.
13 Mund të niset ndoshta nëpërmjet çështjes së skllavërisë. Këtë një zë ma shpalli mua, ndërsa po lutesha me zell për çështjen, më 25 dhjetor 1832.
14 Njëherë isha duke u lutur me shumë zell për të ditur kohën e ardhjes së Birit të Njeriut, kur dëgjova një zë të përsëriste sa vijon:
15 Joseph, biri im, në qoftë se jeton derisa të jesh tetëdhjetë e pesë vjeç, ti do ta shohësh fytyrën e Birit të Njeriut; si rrjedhim, le të mjaftojë kjo dhe mos më shqetëso më për këtë çështje.
16 U lashë kështu, pa qenë në gjendje të vendos nëse kjo ardhje iu referua fillimit të mijëvjeçarit apo ndonjë shfaqjeje të mëparshme, ose nëse unë do të vdisja dhe kështu të shihja fytyrën e tij.
17 Unë besoj se ardhja e Birit të Njeriut nuk do të jetë përpara asaj kohe.
18 Çfarëdo parimi inteligjence që fitojmë në këtë jetë, do të ngrihet me ne në ringjallje.
19 Dhe në qoftë se një njeri fiton më shumë dije dhe inteligjencë në këtë jetë, nëpërmjet zellit dhe bindjes, sesa një tjetër, ai do të ketë po aq më shumë përparësi në botën që vjen.
20 Ka një ligj, të shpallur në mënyrë të pakthyeshme në qiell, përpara krijimit të kësaj bote, mbi të cilit të gjitha bekimet bazohen—
21 Dhe kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet.
22 Ati ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; Biri gjithashtu; por Fryma e Shenjtë nuk ka një trup prej mishi e kockash, por është një personazh i Shpirtit. Po të mos ishte kështu, Fryma e Shenjtë nuk mund të banonte në ne.
23 Një njeri mund ta marrë Frymën e Shenjtë dhe ajo mund të zbresë mbi të dhe të mos qëndrojë me të.