Seksioni 135
Martirizimi i Joseph Smith Profetit dhe vëllait të tij, Hyrum Smith Patriarkut, në Carthage, Illinois, më 27 qershor 1844 (History of the Church, 6:629–631). Ky dokument u shkrua nga Plaku John Taylor i Këshillit të të Dymëdhjetëve, i cili ishte dëshmitar i ngjarjeve.
1–2, Joseph-i dhe Hyrum-i u martirizuan në burgun e Carthage-it; 3, Pozita e shquar e Profetit shpallet; 4–7, Gjaku i tyre i pafajshëm dëshmon për të vërtetën dhe hyjninë e punës së tyre.
1 Për ta vulosur dëshminë e këtij libri dhe të Librit të Mormonit, ne shpallim martirizimin e Joseph Smith Profetit dhe të Hyrum Smith Patriarkut. Ata u qëlluan në burgun e Carthage-it, më 27 qershor 1844, rreth orës pesë pasdite, nga një turmë e armatosur—me fytyra të ngjyrosura në të zezë—prej rreth 150 deri në 200 personash. Hyrum-i u qëllua i pari dhe ra qetësisht, duke bërtitur: Unë jam një njeri i vdekur! Joseph-i kërceu nga dritarja dhe u godit i vdekur në atë përpjekje, duke bërtitur: O Zot, Perëndia im! Ata që të dy u goditën pasi kishin vdekur, në një mënyrë brutale, dhe që të dy morën katër plumba.
2 John Taylor dhe Willard Richards, dy nga të Dymbëdhjetët, ishin të vetmit njerëz në dhomë në atë kohë; i pari u plagos në një mënyrë të egër me katër plumba, por është shëruar që atëherë; i dyti, nëpërmjet përkujdesit të Perëndisë, u arratis pa as edhe një vrimë në rrobën e tij.
3 Joseph Smith-i, Profeti dhe Shikuesi i Zotit, ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të. Në një hapësirë të shkurtër prej njëzet vjetësh, ai ka sjellë Librin e Mormonit, të cilin e përktheu me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, dhe ka qenë mjeti i botimit të tij në dy kontinente; u ka dërguar plotësinë e ungjillit të përjetshëm, që ai përmbante, katër anëve të dheut; ka sjellë zbulesat dhe urdhërimet që përbëjnë këtë libër të “Doktrina e Besëlidhje-ve” dhe shumë dokumente dhe udhëzime të tjera të urta për të mirën e fëmijëve të njerëzve; mblodhi me mijëra Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme, themeloi një qytet të madh dhe la një famë e një emër që nuk mund të vritet. Ai jetoi në mënyrë të madhërishme dhe vdiq në mënyrë të madhërishme në sytë e Perëndisë dhe të popullit të tij; dhe si shumica e të vajosurve të Zotit në kohët e lashta, i ka vulosur misionin e tij dhe veprat e tij me vetë gjakun e tij; dhe kështu ka bërë vëllai i tij Hyrum. Në jetë nuk u ndanë dhe në vdekje nuk u veçuan!
4 Kur Joseph-i shkoi për në Carthage për t’iu dorëzuar kërkesave të shtirura të ligjit, dy ose tre ditë përpara vrasjes së tij, ai tha: “Unë po shkoj si një qengj për t’u therur; por jam i qetë si një mëngjes vere; kam një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe kundrejt gjithë njerëzve. Unë do të vdes i pafajshëm dhe do të thuhet përsëri për mua—ai u vra me gjak të ftohtë.”—Po atë mëngjes, pasi Hyrum ishte bërë gati të shkonte—a do të duhet të thuhet në therori? Po, sepse e tillë ishte—ai lexoi paragrafin që vijon, pranë mbylljes së kapitullit të dymbëdhjetë të Ethërit, në Librin e Mormonit, dhe e përtheu cepin e asaj faqeje:
5 Dhe ndodhi që unë iu luta Zotit që ai t’u japë Johebrenjve hir, që ata të kenë dashuri hyjnore. Dhe ndodhi që Zoti më tha mua: Në qoftë se ata nuk kanë dashuri hyjnore, nuk ka rëndësi për ty, ti ke qenë besnik; prandaj rrobat e tua do të pastrohen. Dhe pasi ti ke parë dobësinë tënde, do të bëhesh i fortë, madje sa të ulesh në vendin që unë kam përgatitur në pallatet e Atit tim. Dhe tani, unë … u them lamtumirë Johebrenjve, po, dhe gjithashtu vëllezërve të mi, të cilët i dua, derisa ne të takohemi para fronit të gjykimit të Krishtit, ku të gjithë njerëzit do të dinë se rrobat e mia nuk janë të njollosura me gjakun tuaj. Testamentlënësit kanë vdekur tani dhe testamenti i tyre është i vlefshëm.
6 Hyrum Smith-i bëri dyzet e katër vjeç në shkurt 1844 dhe Joseph Smith-i bëri tridhjetë e tetë në dhjetor 1843; dhe që nga kjo kohë emrat e tyre do të rreshtohen mes martirëve të besimit fetar; dhe lexuesi në çdo komb do të kujtohet që Libri i Mormonit dhe ky libër i “Doktrina e Besëlidhje-ve” të kishës kushtuan sa gjaku më i mirë i shekullit të nëntëmbëdhjetë, për t’i nxjerrë ato në dritë për shpëtimin e një bote të rënuar; dhe se, në rast se zjarri mund ta dëmtojë një pemë të gjelbër për lavdinë e Perëndisë, sa e lehtë do të jetë të digjen drurët e thatë për ta pastruar vreshtin e korrupsionit. Ata jetuan për lavdi; ata vdiqën për lavdi; dhe lavdia është shpërblimi i tyre i përjetshëm. Nga epoka në epokë emrat e tyre do të zbresin tek pasardhësit si xhevahirë për të shenjtëruarit.
7 Ata ishin të pafajshëm për ndonjë krim, sikurse ishin provuar shpeshherë më përpara, dhe u mbyllën në burg vetëm me anë të komplotit të tradhëtarëve dhe të njerëzve të ligj; dhe gjaku i tyre i pafajshëm në dyshemenë e burgut të Carthage-t është një vulë e madhe e ngjitur “Mormonizmit”, e cila nuk mund të mohohet nga asnjë gjykatë në tokë, dhe gjaku i tyre i pafajshëm në shqytën e shtetit të Illinois-it, me besimin e thyer të shtetit, siç u premtua prej guvernatorit, është një dëshmi për të vërtetën e ungjillit të përjetshëm, që e gjithë bota nuk mund ta vërë në dyshim; dhe gjaku i tyre i pafajshëm mbi flamurin e lirisë dhe mbi magna charta-n e Shteteve të Bashkuara është një ambasador i fesë së Jezu Krishtit, që do t’i prekë zemrat e njerëzve të ndershëm mes tërë kombeve; dhe gjaku i tyre i pafajshëm, me gjakun e pafajshëm të të gjithë martirëve nën altarin që Gjoni pa, do t’i thërrasë Zotit të Ushtrive derisa ai të marrë hak për atë gjak në tokë. Amen.