Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 36


Seksioni 36

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Edward Patridge-it, pranë Fayette, New York, dhjetor 1830 (History of the Church, 1:131). (Shih kreun e seksionit 35.) Profeti tha se Edward Patridge-i “ishte një model mëshire dhe një nga njerëzit e mëdhenj të Zotit” (History of the Church, 1:128).

1–3, Zoti vë dorën e tij mbi Edward Patridge-in nëpërmjet dorës së Sidney Rigdon-it; 4–8, Kushdo që pranon ungjillin dhe priftërinë, duhet të thirret për të shkuar dhe për të predikuar.

1 Kështu thotë Zoti Perëndi, i Fuqishmi i Izraelit: Vër re, unë të them ty, shërbëtorit tim Edward, se ti je bekuar dhe mëkatet e tua të janë falur e ti je thirrur për të predikuar ungjillin tim si me zërin e një borie;

2 Dhe unë do ta vë dorën time mbi ty nëpërmjet dorës së shërbëtorit tim Sidney Rigdon dhe ti do të marrësh Shpirtin tim, Frymën e Shenjtë, madje Ngushëlluesin, që do të të mësojë gjërat paqësore të mbretërisë;

3 Dhe ti do ta shpallësh atë me zë të lartë, duke thënë: Hosana, bekuar qoftë emri i Perëndisë më të lartë.

4 Dhe tani këtë thirrje dhe urdhërim të jap unë ty lidhur me gjithë njerëzit—

5 Që të gjithë ata që do të vijnë përpara shërbëtorëve të mi Sidney Rigdon dhe Joseph Smith i Riu, duke përqafuar këtë thirrje dhe urdhërim, duhet të shugurohen dhe të dërgohen për të predikuar ungjillin e pafundëm mes kombeve—

6 Duke u thirrur pendim, duke thënë: Shpëtoni veten nga ky brez i çoroditur dhe dilni nga zjarri, duke urryer edhe rrobat e ndotura nga mishi.

7 Dhe ky urdhërim duhet t’u jepet pleqve të kishës, që çdo njeri që do ta përqafojë atë me thjeshtësi zemre, të mund të shugurohet e dërgohet, madje siç kam thënë unë.

8 Unë jam Jezu Krishti, Biri i Perëndisë; prandaj, ngjishni ijët tuaja dhe unë papritur do të vij në tempullin tim. Madje kështu. Amen.