Seksioni 9
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Oliver Cowdery-t, në Harmony, Pennsylvania, prill 1829 (History of the Church, 1:37–38). Oliveri qortohet që të jetë i duruar dhe nxitet të jetë i kënaqur të shkruajë, për momentin, sipas diktimit të përkthyesit, më shumë se sa të përpiqet të përkthejë.
1–6, Anale të tjera të lashta janë akoma për t’u përkthyer; 7–14, Libri i Mormonit përkthehet me anë të studimit dhe me anë të pohimit shpirtëror.
1 Vër re, unë të them ty, biri im, se ngaqë ti nuk përktheve sipas asaj që dëshirove prej meje dhe vërtet fillove përsëri të shkruash për shërbëtorin tim, Joseph Smith i Riu, po kështu unë dëshiroj që ti duhet të vazhdosh derisa të kesh mbaruar këtë anal, të cilin ia kam besuar atij.
2 Dhe atëherë, vër re, anale të tjera kam unë, që do të të jap fuqi ty të mund të ndihmosh për t’i përkthyer.
3 Ji i duruar, biri im, sepse është urtësi në mua dhe nuk është e nevojshme që ti të përkthesh në këtë kohë të tanishme.
4 Vër re, puna që ti je thirrur të bësh, është të shkruash për shërbëtorin tim Joseph.
5 Dhe, vër re, është ngaqë ti nuk vazhdove siç fillove, kur fillove të përkthesh, që unë e kam hequr këtë privilegj nga ty.
6 Mos mërmërit, biri im, sepse është urtësi në mua, që unë kam vepruar me ty në këtë mënyrë.
7 Vër re, ti nuk ke kuptuar; ke menduar se do të ta jap atë, kur ti nuk e more mundimin as për të më pyetur.
8 Por, vër re, unë të them se ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë dhe nëse është e drejtë, unë do të bëj që kraharori yt do të digjet përbrenda; si rrjedhim, do ta ndiesh që është e drejtë.
9 Por nëse nuk është e drejtë, ti nuk do të kesh ndjenja të tilla, por do të kesh një mpirje të mendimit që do të të bëjë ta harrosh gjënë që është e gabuar; si rrjedhim, ti nuk mund ta shkruash atë që është e shenjtë, veçse nëse të jepet nga unë.
10 Tani, po ta kishe ditur këtë, ti mund të kishe përkthyer; megjithatë, nuk është e nevojshme që ti të përkthesh tani.
11 Vër re, ishte e nevojshme kur ti fillove; por pate frikë dhe koha shkoi dhe nuk është e nevojshme tani;
12 Sepse, a nuk e vë re që unë i kam dhënë shërbëtorit tim Joseph, forcë të mjaftueshme, me anë të së cilës ajo kompensohet? Dhe asnjërin prej jush nuk e kam dënuar.
13 Bëj këtë gjë që unë të kam urdhëruar dhe ti do të përparosh. Ji besnik dhe mos iu dorëzo asnjë tundimi.
14 Qëndro i palëkundur në punën për të cilën të kam thirrur dhe asnjë fije floku e kokës tënde nuk do të të humbasë dhe ti do të ngrihesh në ditën e fundit. Amen.